E VERTETA/Ditët e fundit të RAJHUT



Pas kthesës së bujshme të 9 qershorit 1945, krejt të burgosurit që kishin lidhje me Bunkerin e Kancelarisë u transferuan nga Gjermania në Rusi. Në fund të gushtit kishin mbërritur të gjithë. Dëshmitarët, që më parë qenë të burgosur të ushtrisë sovjetike, tani u klasifikuan si të burgosur politikë dhe si të tillë u përqendruan në burgun e Lubiankës në Moskë, por pa asnjë mundësi komunikimi midis tyre. Qenë Baur e Ratenhuber, Mengerhauzen, Ektman, Linge, Gunshe dhe disa të tjerë, të njohur me emrin "Grupi i Kancelarisë". Në verën e vitit 1946, grupi u grumbullua papritmas dhe, pa kurrfarë shpjegimi, hipi në një tren dhe më pas në aeroplan. Kur po uleshin panë se ndodheshin në Berlin.
U çuan drejt Kancelarisë, ku morën urdhrin që të përsërisnin në vend sekuencën origjinale të vdekjes së Hitlerit dhe të groposjes së trupit të djegur. Paraqitja makabre u duk më së fundi se i bindi rusët. Në një moment, ndërsa gjendeshin akoma në Berlin, sovjetikët i premtuan Baurit e të tjerëve deri dhe se do t'i tregonin mbeturinat e Hitlerit, por premtimin nuk e mbajtën.
Më pas, të sigurtë për konkluzionet, rusët i hynë punës për zhdukjen e provave. I kthyen përsëri në Rusi dëshmitarët dhe i shpërndanë nëpër burgje të ndryshme, disa në Siberi, të tjerët në Urale; shkatërruan Kancelarinë, hodhën në erë Bunkerin dhe, përsa i përket kufomës së Hitlerit, që vetë ai kishte dashur me çdo mënyrë t'ua fshihte armiqve të tij nga frika se mos e telendisnin, tani armiqtë e tij, pasi e patën identifikuar, vendosën që t'ua fshihnin gjermanëve nga frika se mos e nderonin. Tre vjet më pas, një të burgosuri gjerman të transferuar nga Uralet në Lubianka iu kërkua nëse ishte në gjendje të njihte në fotografi trupat gjysëm të karbonizuar të Hitlerit dhe Eva Braunit.
Ai u përgjigj se nuk mund të jepte një përgjigje të sigurtë: mund ta bënte veç po të shikonte vetë trupat. "Atëherë nuk beson që kufomat të ndodhen në Moskë", e pyeti kush po e hetonte. I burgosuri konfirmoi se nuk e besonte. "Trupi i Hitlerit", iu përgjigjën, "është mirë në duart tona se nën Portat e Bradenburgut në Berlin. Të vdekurit mund të jenë më të rrezikshëm se të gjallët".
Sikur Frederiku i Madh të mos ishte varrosur solemnisht në Potsdam, populli gjermanik nuk do të kishte ndërmarrë kaq shumë luftëra në dy shekujt e fundit. Gjermanëve u pëlqejnë martirët!. Por këtë martir nuk do ta kishin. Pavarësisht elementëve të rinj që e kanë ndryshuar kuadrin e situatës, vëzhgimi im origjinal mbetet i vlefshëm: "Ashtu si Alariku, i groposur fshehurazi në shtratin e Busentos, edhe kamzhiku modern i njerëzimit gjendet tani i sigurtë nga çdo zbulim i pakëndshëm".
Vdekja e Hitlerit
Edhe sikur të ishin informuar për poshtërimin me të cilën kufomat e Musolinit dhe të dashurës së tij, varur për këmbësh së bashku me ato të hierarkëve të tjerë, qenë akoma të ekspozuar në një shesh të Milanos, Hitleri dhe Eva Brauni nuk do të kishin bërë gjë tjetër veçse do të përsërisnin urdhrat që kishin nisur: trupat e tyre do të duhej të asgjësoheshin "në mënyrë që asgjë mos të mbetej". "Nuk dua të bie në duart e një armiku që ka nevojë për një spektakël të ri për të tërhequr masat e tij histerike". Por është pak u mundshme që të kenë qenë informuar për të gjitha hollësitë.
Megjithatë, fati i despotëve të mundur ka qenë gjithmonë pakashumë i njëjtë dhe Hitleri, i cili kishte varur në një çengel kasapi me dorën e tij një feldmareshall, nuk kishte nevojë për shembuj të vjetër historikë, as për nxitje të reja e dramatike për të imagjinuar fatin që ndodhta do t'i takonte kufomës së tij, kurdo që të vinte ai. Pasdite, Hitleri vrau qenin e tij të preferuar, Blondin, një qen i racës alzaciane. Profesor Hase, që kishte qenë mjeku i tij dhe që gjatë kësaj periudhe kuronte të plagosurit në klinikën e tij të Berlinit, erdhi apostafat në bunker për ta helmuar. Dy qentë e tjerë të oborrit u vranë me të shtëna pistolete nga kapteri që i kishte pasur nën kujdes deri më atëhere. Pas kësaj, Hitleri u dha kapsula helmi sekretareve të tij për t'i kapërdirë në rast ekstrem. Deklaroi se i vinte keq që nuk mund t'u jepte një dhuratë më të mirë lamtumire, që do të kishte qenë shumë më i lumtur sikur gjeneralët e tij të kishin qenë si to.
Në mbrëmje, ndërsa miqtë e dy vendstrehimeve të tjera ndodheshin ulur në tavolinë në korridorin e Bunkerit të sipërm, një roje SS ua ndërpreu darkën atyre për t'i informuar se Fyhreri kishte shfaqur dëshirën të ndahej nga zonjat dhe se askush nuk duhej të shkonte në shtrat përpara se të merrte një urdhër të tillë. Urdhërat erdhën në dy e gjysëm të natës. Të gjithë u thirrën me telefon dhe u mblodhën sërish në korridorin kryesor të Bunkerit të sipërm. Gjithsej, burra e gra, qenë nja 20 vetë. Kur u mblodhën, nga pjesa e poshtme e Bunkerit të sipërm, u shfaq Hitleri në shoqërinë e Bormanit. Shikimi i tij ishte i përhumbur dhe sytë e tij shkëlqenin në atë mënyrë të çuditshme që Hana Reiç (pilote kolaudatore) e kishte konstatuar.
Disa prej dëshmitarëve kanë arritur deri aty sa të deklarojnë se kishte marrë drogë, por ky shpjegim nuk është i domosdoshëm, po të shohësh që edhe në rrethana të tjera ai ishte shfaqur në kushte të tilla. Në heshtje, përshkoi korridorin duke u shtrëguar dorën të gjitha grave. Disa i pëshpëritën diçka, por ai ose nuk iu përgjigj ose u mërmëriti fraza të palexueshme. Me sa duket, atë ditë riti i shtrëngimit të duarve në heshtje ishte bërë rregull. Pasi u largua ai, pjesëmarrësit në skenën e çuditshme do të qëndroni aty edhe për disa kohë duke diskutuar nënkuptimin e saj. Të gjithë ranë dakord duke thënë se ajo çka kishte ndodhur mund të nënkuptonte vetëm një gjë: Fyhreri do të vriste veten.
Por atëherë u verifikua një fakt i papritur. U duk sikur me këtë banorët e Bunkerët u çliruan prej një preokupimi të rëndë. Shtrigani i tmerrshëm, tirani që gjatë atyre ditëve i kishte nënshtruar ndaj një presioni kaq melodramatik, po përgatitej të shkonte dhe për një çast të shkurtër, në pritje të asaj që do të ndodhte më pas, ata do të ishin të çliruar në vetvete... Në një lokal të Kancelarisë ku ushtarët kishin mensën, po kërcehej. Lajmi i vetëvrasjes iminente u përhap me shpejtësi, por askujt nuk i shkonte ndërmend ta ndërpriste këtë manifestim. Nga Fyhrerbunkeri u rekomandua që të ishin më pak të zhurmshëm, por vallëzimi vazhdoi.
Një rrobaqepës që ishte punësuar pranë Shtabit të Përgjithshëm të Fyhrerit dhe që gjendej atëherë në Kancelari me të gjithë të tjerët, pati surprizën që të ndjente t'i binte me përzemërsi në shpatulla, me një familjaritet demokratik, Brigadenfyhreri Ratenhuber, një hierark i lartë i SS-ve. Në hierarkinë e ngurtë që kishte dominuar deri në atë çast, rrobaqepësi u ndje i çorientuar. "Ishte hera e parë që një gjeneral më thoshte 'mirëmbrëma'", tregoi ai. "Vura re se mënyra e trajtimit kishte ndryshuar krejtësisht".
Më pas, nga njëri prej shërbyesve u mësua arsyeja e kësaj përzemërsie të pazakontë: Hitleri u kishte thënë lamtumirë të gjithëve dhe ndodhej në pragun e vetëvrasjes. Pak gjëra arrijnë t'i heqin dallimet klasore sesa rreziku i përbashkët dhe shpresa për një shpëtim të përbashkët. Me t'u gdhirë dita, gjeneralët arritën si zakonisht në Bunker me raportet e tyre ushtarake. Brigadenfyhreri Mohnke, komandanti i Kancelarisë, lajmëroi një përmirësim të lehtë: Shlezisher Banhofi ishte rimarë. Por në mesditë lajmet u bënë përsëri të këqija: tuneli i Vosshtrasesh, afër Kancelarisë, ishte pjesërisht i okupuar, gjithë Tiergarteni ishte marrë, trupat ruse kishin zënë Postdamer Placin dhe urën e Veidendamerit.
Hitleri i priti këto buletine pa shfaqur ndonjë shenjë emocioni. Nga ora dy e drekës hëngri drekën. Eva Brauni nuk ishte: ose nuk kishte uri, ose hëngri e vetme në dhomën e saj. Hitleri, siç bënte zakonisht kur mungonte ajo, e hëngri drekën së bashku me dy sekretaret e tij dhe me kuzhinieren. Bashkëbisedimi u zhvillua normalisht. Fyhreri qëndroi i qetë dhe nuk foli për ndërmendësitë e tij, por sakaq të gjitha përgatitjet qenë bërë.
Në mëngjes, rojet kishin marrë urdhërin që t'i tërhiqnin menjëherë racionet e tyre të përditshme, pasi për të gjithë pjesën tjetër të ditës nuk do të mund të kalonin më nëpër korridorin e Bunkerit të poshtëm; rreth orës së drekës, adjutanti i Hitlerit për SS-ët, Shturmbanfyhreri Oto Gunshe, urdhëroi oficerin e ngarkuar me transportin, që ishte edhe shofer, Shturmbanfyhrerin Erik Kempka, që të çonte në kopshtin e Kancelarisë 200 litra benzinë. Kempka kundërshtoi duke thënë se ishte mjaft e vështirë të gjehej një sasi e tillë benzine, por dëgjoi që t'i vinte përgjigjja se duhej ta bënte një gjë të tillë me çdo kusht. Së fundi arriti të grumbullonte 180 litra dhe, të futura nëpër bidona 100 litërshe, i çoi në kopsht të mbajtur nga katër veta, të cilët i kanë vendosur pranë daljes së sigurisë.
Një rojeje që u kërkoi shpjegime, ata iu përgjigjën se shërbente për impiantin e ventilimit. Roja kundërshtoi me dyshim që impianti të funksiononte me benzinë. Në këtë çast u shfaq shërbëtori personal i Hitlerit, Hajnc Linge, i cili e qetësoi rojen dhe largoi njerëzit pak më vonë, të gjithë rojet, përveç atyre të shërbimit, morën urdhërin që të largoheshin nga Kancelaria. Me këtë kërkohej që të evitoheshin vëzhguesit e rastësishëm të skenës përfundimtare. Ndërkohë Hitleri, që kishte mbaruar së ngrëni dhe lënë të lirë miqtë, ishte tërhequr në dhomat e tij. Pas disa kohe doli sërish, i shoqëruar nga Eva Brauni dhe atëherë u zhvillua një ceremoni tjetër lamtumire. Ishin të pranishëm Gëbelsi dhe Bormani me Burgdorfin (adjutanti i tij personal), Krebsi (gjeneral, ish-atashe ushtarak në Moskë, një nga të paktit njerëz të përqafuar në publik prej Stalinit), Hevel, Nojman, Vos, Ratenhuber, Hëgl (të gjithë ushtarakë SS-ë), Gunshe, Linge dhe katër gra: Frau Kristian, Frau Junge, Frolajn Kryger dhe Frolajn Manciali. E shoqja e Gëbelsit nuk ishte e pranishme: në ankth për vdekjen iminente të fëmijëve, kaloi të gjithë ditën në dhomën e tyre. Hitleri dhe Eva Brauni u shtrënguan dorën të gjithëve dhe u larguan.
Të gjithë u lanë të lirë, përveç "priftërinjve të mëdhenj" dhe të tjerë, puna e të cilëve ishte e domosdoshme. Ata pritën në korridor. Dëgjuan një të shtënë të izoluar pistolete. Pas një hezitimi të shpejtë, u futën në dhomë. Hitleri shtrihej mbi divan i mbuluar në gjak. Kishte qëlluar në gojë. Edhe Eva Brauni ndodhej e vdekur mbi divan. Kishte në krah një pistoletë, por që nuk e kishte përdorur. Ishte helmuar. Ishte ora 15 e 30. Pak më vonë, Artur Aksman, kreu i Hitlerjugendit (rinisë hitleriane) arriti në Bunker.
Kishte mbërritur shumë vonë për ceremoninë e lamtumirës, por u pranua në apartamentin privat që të shikonte kufomat. I shqyrtoi dhe u ndal në dhomë duke biseduar me Gëbelsin. Më pas Gëbelsi doli dhe Aksmani mbeti për pak kohë vetëm. Jashtë, në Bunker, po përgatitej riti përfundimtar: funerali viking. Pasi e kishte çuar benzinën në kopsht, Kempka e arriti Bunkerin nëpërmjet kalimit nëntokësor që lidhte zyrën e tij në Herman Gërnigshtrase me zyrat e Kancelarisë. "Shefi vdiq!". Me këto fjalë ai u përshëndet nga Gunshe. Pikërisht në këtë çast porta e dhomës së Hitlerit u hap, kështu që dhe Kempka mundi të asistojë në atë çka ndodhi më pas. Ndërsa Aksmani meditonte midis dy kufomave, dy njerëz të SS-ve, njëri prej të cilëve ishte shërbëtori i Hitlerit, Linge, kishin hyrë në dhomë.
E mblodhën trupin e pajetë të Fyhrerit me një kuvertë, i mbuluan kokën e përgjakur dhe e vendosën në korridor, ku vëzhgues të tjerë mund ta njihnin lehtësisht prej çorapeve të tij karakteristike të errëta. Pastaj, dy oficerë të tjerë të SS-ve e transportuan kufomën nëpër katër palët e shkallëve që të çonin në daljen e emergjencës dhe dolën në kopsht. Bormani hyri në dhomë, mori trupin e Eva Braunit (vdekja e saj kishte qenë me pak gjak, kështu që nuk kishte nevojë për kuvertë) e nxori në korridor dhe ia besoi Kempkas, që nga ana e tij e çoi deri në këmbët e shkallëve. Aty ajo u mor nga Gunshe, i cili ia dorëzoi në fund një oficeri të tretë të SS-ve, i cili e nxorri jashtë në kopsht. Për siguri më të madhe, porta tjetër që vinte në komunikim Bunkerin me Kancelarinë, pse jo dhe portat që nga Kancelaria hapeshin mbi kopsht, qenë mbyllur me ngut, me qëllim që të shmangnin ardhjen e çfarëdo të paftuari.
Por masat e ekzagjeruara nganjëherë janë të dëmshme dhe prodhojnë efekte të kundërta. Efekti i drejtpërdrejtë i këtyre qe që dy persona të paautorizuar të asistonin gjatë skenës. Erik Mansfeld, një nga rojet që ndodheshin me shërbim në kullën prej betoni në cepin e Bunkerit, në ajrin sulfuroz dhe opak kishte vërejtur këto lëvizje të dyshimta njerëzish dhe dëgjuar përplasje të përsëritura dyersh. Ndjeu për detyrë të hetonte dhe zbriti nga kulla, iu shmang cepit për të parë se çfarë po ndodhte. U ndesh kështu me një kortezh funebër që po dilte pikërisht në ato çaste. Dy oficerë SS ndodheshin në krye duke transportuar një trup të mbështjellë me kuvertë, nga e cila dukeshin dy këmbë me çorape të errëta. Pasonte një oficer tjetër me një trup lehtësisht të identifikueshëm me atë të Eva Braunit dhe pastaj vinin radhë Borman, Burgdorf, Gëbels, Gunshe, Linge dhe Kempka. Gunshe e urdhëroi Mansfeldin të largohej menjëherë dhe roja, pasi ka parë atë spektakël interesant e të ndaluar, u kthye në kullën e tij të vrojtimit. Pas kësaj ndërprerjeje, riti rifillloi përsëri, të dy kufomat u vendosën njëri përkrah tjetërit, pak larg nga portiku në të cilën hapej dalja e emergjencës.
Dhe mbi ta u derdh benzina. Një bombardim rus e bëri ceremoninë më të keqe dhe të rrezikshme, kështu që të gjithë kërkuan shpëtim nën portik. Gunshe lagu me benzinë një shkop, e ndezi dhe e hodhi mbi kufomat. Menjëherë ato u pushtuan nga flakët. Të pranishmit morën pozicion gatitu dhe bënë përshëndetjen e njohur hitleriane; më pas u kthyen në Bunker, ku dhe u shpërndanë. Gunshe ua përshkroi më vonë spektaklin njerëzve që nuk kishin qenë. Tha se pamja e trupit të Hitlerit që digjej kishte qenë eksperienca më e tmerrshme e jetës së tij.

Related Posts: