Rrudhat shkaktohen nga ushqimet që hamë, sepse ushqyerja e gabuar çon në plakjen e lëkurës: asnjëherë mos konsumoni ushqime me shumë sheqer, shumë të skuqura apo me shumë kripë
Studimi: evitoni ushqimet e skuqura dhe sheqernat që ndihmojnë plakjen
Rrudhat shkaktohen nga ushqimet që hamë, sepse ushqyerja e gabuar çon në plakjen e lëkurës: asnjëherë mos konsumoni ushqime me shumë sheqer, shumë të skuqura apo me shumë kripë. Gjithashtu ndër armiqtë e lëkurës mund të përmendim edhe ushqimet “light”, ato me sheqer të shtuar që të dëmtojnë më shumë se sa sheqeri i thjeshtë. Ushqyerjes sonë, sipas ekspertëve, nuk mund t’i mungojë çokollata, vera e kuqe, të pasura me antioksidues, apo thjerrëzat, produktet e pjekura në avull, fruta dhe perimet, erëzat dhe peshku. “Rinia flet me gjuhën e dietës mesdhetare”, tregojnë anëtarët e këtij studimi. Përbërësit e menysë antirrudha mbajnë larg sheqernat dhe proteinat që rrisin deri në 50 herë sasinë e radikaleve të lira në lëkurë, duke i bërë indet më të “brishta” dhe duke i çuar më shpejt drejt plakjes. Të paktën kjo është fjala e fundit, dalë nga mbledhja e ekspertëve të “Winter Academy of dermatology and oncology”, bazuar edhe në një studim italian, i bërë nga Qendra Pasuniversitare e Dermatologjisë Biologjike dhe Psikosomatike e Universitetit të Firences, Milanos, Sienës. Ata thonë se bukuria fillon nga tavolina, duke evituar ushqimet me shumë sheqer apo të pjekura shumë, që me të vërtetë janë si një bombë për organizmin. Shpesh lidhja mes sheqernave dhe proteinave formojnë toksina të dëmshme. Mjafton një fetë tortë, një pije e gazuar ose 150 gramë ushqime të skuqura në ditë për të rritur me 13 për qind mundësinë për plakjen e lëkurës. Kërkimi i kryer në 120 persona të ndarë në grupe me moshë të ndryshme tregoi se ajo çka hamë redukton rrudhat në lëkurën tonë. Por përveç ushqimeve të shëndetshme, që është një këshillë që ekspertët sugjerojnë gjithmonë, është mirë të ekspozohesh edhe pak në diell çdo ditë dhe të kesh një stil jetese të shëndetshme larg alkoolit dhe duhanit. Jo të gjithë janë dakord për risinë dhe rëndësinë e rezultateve të kërkimit dhe të flasësh për meny antirrudhë mund të jetë e tepërt. Megjithatë dihet që duhet të konsumojmë çdo ditë bishtaja (fasule, thjerrëza, bizele), disa lloje peshku, sidomos sardele dhe ton, perime të freskëta (spinaq, brokoli, lulelakra), agrumet, kivi dhe fruta pylli. Në fund mos harroni shumë ujë dhe lëngje natyrale pa sheqer. Ushqimet alkaline, të cilat duhet të merren në sasi më të madhe në dietë, janë pothuajse të gjitha perimet, veçanërisht ato me gjethe të gjelbra dhe supat e gatuara me to. Ato ndihmojnë jo vetëm për një lëkurë më të mirë, por edhe për një shëndet më të mirë. Lakra, në mënyrë të veçantë, është pastrues i shkëlqyer për trupin e fytyrën, e pasur me vitamina dhe minerale. Ndërmjet bishtajoreve, kokrrat e sojës janë më shumë alkaline, një trajtim i shkëlqyer për mbiaciditetin, po ashtu edhe qumështi, gjalpi e veçanërisht dhalla, mjalti e melasa, si edhe shumica e familjes së arrave, si bajamet, gështenjat, lajthitë, frutat dhe lëngjet e frutave, veçanërisht ato të lëngshmet. Ekspertët e të ushqyerit i quajnë frutat “alkalinizatorët më të mirë dhe pastruesit e brendshëm më të njohur dhe ilaçin më natyral”. Mollët janë të pasura në kalium, i cili ndihmon në neutralizimin e toksinave në gojë dhe si rrjedhojë, ato janë pastrues të shkëlqyer për dhëmbët, mishin e dhëmbëve dhe lëkurën. Fiqtë kanë një ferment të veçantë që quhet ficinë, e cila tret helmet në sistemin e qarkullimit të gjakut dhe ndikon edhe në shëndetin e lëkurës. Ato përmbajnë edhe seratoninë, e cila mendohet se forcon dhe përmirëson shëndetin. Studiuesit dhe të mençurit e hershëm nga Lindja e Mesme agjëronin për shumë ditë, duke ngrënë vetëm fiq dhe duke pirë ujë për të arritur fuqinë mendore superiore. Një mendje e kthjellët është gjithmonë e rëndësishme për një fytyrë të shëndetshme.
Ananasi përmban bromelin, i cili pastron pankreasin, ndërsa domatet janë shumë alkaline dhe neutralizuese të aciditetit.
Bananet përmbajnë një sasi të mirë kaliumi, i cili është i mirë për nervat. Ato janë një gjallërues i shkëlqyer i depresionit nervor kur kemi mungesë kaliumi. Frutat tropikale janë veçanërisht ushqyese kur merren së bashku me qumështin.
Uji ose qumështi i arrave të kokosit është një trajtim i shkëlqyer për çdo lloj sëmundjeje që shkaktohet nga aciditeti. Të copëtuara, të përziera me farat e glikanxos, janë një tjetër ushqim i mirë. Kajsitë janë një burim i vitaminës A dhe të hekurit. Limonët janë shumë alkalinë. Për këtë arsye, lëngu i tij këshillohet nga murgjit e vjetër si një ilaç i mrekullueshëm për pothuajse të gjitha sëmundjet. Pini ujë me limon çdo ditë, në sasi të vogla, herë pas here. Është shumë mirë nëse ju i shtoni pak kripë ose mjaltë (megjithëse limonët dhe frutat e tjera të agrumeve janë vetë acidë, ata prodhojnë një reaksion alkalin gjatë tretjes). Portokajtë janë gjithashtu shumë pastrues dhe kanë një përmbajtje të lartë të vitaminës C.