Bhutto, hakmarrje me majën e penës


Fatima, mbesa e së ndjerës Benazir, tregon në një libër të gjithë tragjedinë e familjes, duke lëshuar akuza të rënda për hallën dhe xhaxhain, Presidentin e Pakistanit


Ka të njëjtën hundë të mprehtë si të hallës së vdekur Benazir, por që ajo e akuzon të jetë “moralisht përgjegjëse” për vdekjen e të atit. Fatima është diplomuar në Universitetin e Kolumbias, por nëse do të bëhej kryeministre do t’u kërkonte Shteteve të Bashkuara të kthejë në shtëpi njerëzit që rrinë kot. Për të gjithë ata që nuk e dinë, Fatima Bhutto është trashëgimtarja e dinastisë politike më të famshme dhe të përgjakshme të Pakistanit, por asnjëherë nuk është joshur nga pushteti. Preferon t’i godasë njerëzit e padrejtë me penën e saj, sidomos kur bëhet fjalë për xhaxhain e saj President, Asif Zardari, fjalët e të cilit ajo nuk do t’i harrojë asnjëherë kur i tha në telefon: “Ah, nuk e di? Kanë vrarë babanë tënd”.
Ishte 20 shtatori i vitit 1996: pikërisht me kujtimin e asaj dite Fatima, 28 vjeçe, shkrimtare dhe opinioniste për “Daily Beast” (siti i themeluar nga ylli i gazetarisë amerikane Tina Brown) dhe për revistën “New Statesman”, vendosi të fillonte librin që tregon epokën tragjike të familjes së saj. I sapopublikuar në Indi, Pakistan dhe Mbretërinë e Bashkuar, libri “Songs of blood and sword” tregon të gjitha ngjarjet që çuan në varjen e gjyshit, Kryeministri Zulfikar Ali, atentatin kundër hallës Benazir, vrasjen e xhaxhit Shahnawaz, si edhe ekzekutimin e babait të saj të dashur Murtaza, me të cilin kur ishte fëmijë Fatima argëtohej duke i lyer mjekrën me shkumë rroje, por asnjëherë nuk tentonte t’ia priste, sepse tregonte një gjest mashkullor.
“Duket se çdo dhjetë vjet është e shkruar të varroset një njeri i fisit Bhutto, i vrarë në mënyrë të tmerrshme”, thotë e trishtuar Fatima. Libri, i mbushur plot dëshmi, është edhe një ‘jakuzi’ për Presidentin aktual, burrin e të ndjerës Benazir, jo vetëm për zgjedhjet e tij politike: “Askush nuk e ka autorizuar ndonjëherë hapjen e qiejve për të lejuar avionët amerikanë të vrasin qytetarët tanë”. Shkrimtarja thekson gjithashtu në librin e saj se çifti Bhutto-Zardari është përgjegjës për vrasjen e babait të saj, pasi ky i fundit ishte kritik ndaj korrupsionit në qeverinë e së motrës Benazir, e vrarë nga policia përballë vilës së familjes Karachi, ku Fatima jeton ende sot. Presidenti u lirua nga akuza për komplotin e vrasjes, por megjithatë Fatima përpiqet të tregojë përgjegjësinë, duke zbuluar edhe fiksimin e hallës për rivalitetin politik me të vëllain. “Nëse vjen në pushtet për kredencialet e tua gjenetike, atëherë këtu nuk ka vend për dy trashëgimtarë”, ka thënë Kryeministri për Benazir, e vrarë në vitin 2007. Komisioni i OKB-së, i angazhuar për të hedhur dritë mbi vrasjen e Benazir, asokohe kandidate në zgjedhje, e ka përjashtuar më vonë faktin se vrasja mund të ishte shmangur nëse forcat e sigurisë do të ishin treguar më të kujdesshme.
Fatima nuk beson se pushteti politik është një e drejtë e fituar që në lindje. “Preferoj t’i shërbej vendit tim jashtë Parlamentit”, bën të ditur ajo. Përveç të shkruarit, bën vullnetaren në burgjet e femrave të Karashit. Menjëherë pas ardhjes së qeverisë së re në vitin 2008, serioziteti dhe këmbëngulja, të trashëguara nga babai, i kushtuan mbylljen e rubrikës së saj në një gazetë të përditshme pakistaneze.
Me kritikat tuaja ka gjasa të përfundoni si paraardhësit tuaj? “E di, është e rrezikshme, por ka persona që e mbështesin pushtetin e tyre mbi fshehjen e së vërtetës dhe të tjerë që harxhojnë të gjithë jetën për ta fshehur”, thotë ajo.
Janë me mijëra gratë që ende sot në të gjitha vendet e botës nuk kanë as zë e as të drejta, poshtërohen e keqtrajtohen dhe në disa raste dënohen me vdekje nga gjyqet islamike, siç ndodh në Pakistan, ku statusi i grave është vërtet një fatkeqësi ndërkombëtare. Ka femra që me këmbënguljen dhe guximin e tyre u kundërvihen këtyre padrejtësive të tmerrshme, duke ngritur zërin e tyre dhe duke rrezikuar seriozisht jetën. “Në Pakistan kemi ligje shumë të dhunshme dhe shtypëse, mes tyre ‘Urdhri Hudood’, për të cilat një grua mund të ndëshkohet nëse shkel kurorën ose bën seks paramartesor. Burqa dhe perçja janë bërë simbole jo vetëm të fesë, por edhe të politikës. Një mënyrë për të shprehur mospajtim politik dhe rebelim. Mendoj se gratë nëse dëshirojnë kanë të drejtë ta veshin, ashtu siç unë kam të drejtë të mos e vesh”.
Ashtu siç u përmend edhe më lart, Fatima është trashëgimtarja e familjes më të fuqishme në Pakistan. Bhutto, si Nehru-Ghandi në Indi dhe Kennedy-t në Shtetet e Bashkuara, është një nga dinastitë më të mëdha të politikës në botë. Fatima, shkrimtare dhe poeteshë, karakterizohet nga një ndjeshmëri tepër e rrallë. Beson në demokracinë, gjërat e reja dhe është gati të luftojë për të drejtat njerëzore dhe ato të grave. Për betejat e saj të guximshme, ajo rrezikon çdo ditë jetën e saj në një vend ku nuk ekziston një sistem gjyqësor demokratik, por mbizotëron ligji i tmerrshëm islamik. Ajo nuk beson në politikën e dinastisë. Sipas saj nuk është politikë, por një rrezik për demokracinë.
Fatima është e zgjuar, e ndjeshme dhe shumë e guximshme, ashtu siç mund të jenë vetëm disa heroina nëpër filmat fantastiko-shkencorë, ndërkohë që vazhdon të jetojë një jetë mes intrigave dhe pushtetit.