Xhevahir Spahiu, në 65-vjetorin e lindjes



Dje i ka bërë 65 vjet. Gati një vit më parë, shumë menduan se nuk do t’ia arrinte, por ja që Zoti, apo fati, apo... deshi që sot, ai të jetë sërish mes miqsh dhe atyre që e duan, që ndoshta nuk e kanë parë kurrë, por që e njohin mes vargjesh. “Tani që jam gjallë, vjen poezia tek unë, nesër kur s’do të jem, do të shkoj unë tek poezia ime. Nëse kam bërë diçka, nëse nga dhjetë marrëzira, që thotë njeriu brenda ditës, kam thënë një fjalë të mirë, kjo nuk është pak, ka të tjerë që mendojnë apo pandehin se nga dhjetë fjalë që thonë, njëzet i kanë të përndritura”, do të shprehej ai në 60-vjetor. Por Xhevahir Spahiu, ka thënë më shumë se “një fjalë të mirë”. 

Xhevahir Spahiu lindi më 1 mars të vitit 1945 në fshatin Malind të Skraparit. Mësimet e para i mori në Vlorë, ndërsa studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës, ne Fakultetin Histori-Filologji, dega e Gjuhë-Letërsi shqipe. Prej vitit 1968 punoi si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, më pas në revistën “Nëntori”, mësues letërsie e libretist në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. I cilësuar si një nga poetët në zë shqiptarë të dalë në vitet ’70, Spahiu ka botuar një sërë vëllimesh poetike, të cilat janë pritur mjaft mirë nga lexuesi e kritika. Së fundi është botuar vepra e tij e zgjedhur, krijimet më të mira ndërmjet viteve 1965-2000. 

Poezi me mall, pritje e dhimbje, por edhe diell, zall e valë, si shpirti gjithnjë i trazuar i poetit. Viti 1993 e gjen Spahiun sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, struktura bazë e organizimit dhe orientimit të artistëve në 45 vite të regjimit. Shumë shpejt ai emërohet kreu i kësaj strukture, funksion të cilin e kryen deri në vitin 1998. Ndërsa Akademia e Shkencave gjatë zgjedhjeve të saj të fundit e vlerësoi Spahiun, duke e bërë anëtar të saj. Në 60-vjetorin e lindjes, ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu i dorëzoi urdhrin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Personaliteti i shquar i letrave shqipe, poeti i dashur i të gjithë shqiptarëve, krijues i një vepre me ide të mëdha dhe tronditëse, lirike e dramatike”.

Vepra 

“Mëngjes sirenash” (1970); “Ti qytet i dashur” (1973); “Vdekje e perëndive” (1977); “Dyer dhe zemra të hapura”(1978);“Bashkëkohësit” (1980); “Agime shqiptare”
(1981); “Zambakët e Mamicës (1981); “Kitaristët e vegjël” (1983); “Nesër jam aty”
(1987); “Heshtje s´ka” (1989); “Dielli i lodrave” (1990); “Poezia shqipe” (1990); 
“Kohë e krisur” (1991)...etj.