Toni i publicistikës së Lazër Shantojës


ARDIAN NDRECA 



Më 5 mars 1945, nji nadje herët, së bashku me patriotin Sulçe Beg Bushatin, burrë kund 90-vjeçar, u pushkatue në rrethina të Tiranës. Ma se nji herë dashamirë të artit të tij u munduen me e gjetë atë vorr, por pa sukses.

Në fillimin e viteve '90 pakkush prej letrarëve e kritikëve dhe dashamirëve të artit e njihte në Shqipni shkrimtarin Lazër Shantoja.

Pak nga pak interesi i studjuesve dhe i kritikës u rrit e botimi i veprës së plotë letrare dhe i përkthimeve, në vitin 2005, ka ndihmue me e ba të njohtun këtë autor të veçantë të letërsisë së gjysmës së parë të shekullit të kaluem.

Në pikëpamjen estetike vepra e tij paraqet nji interes sepse në të jetojnë natyrshëm tendencat e letërsisë bashkëkohore të fillimeve të shekullit XX, sidomos gjejmë gjurmët e asaj franceze dhe gjermane.

Shantoja preferon prozën e shkurtë poetike, ku frazat e skalituna me kujdes e shprehjet idiomatike rreshtohen natyrshëm tue pikzue atmosfera dhe gjendje shpirtnore, figura njerzore dhe pejsazhe që mbesin të pashlyeme në vetëdijen e lexuesit.

Shumë prej shkrimeve të tija të viteve '20 dhe '30 duket se janë ekuivalentet letrare të fotografive artistike të Marubbit. Disa të tjera janë shkrepje që kanë fiksue aspekte tragjikomike të jetës politike e shoqnore të Shqipnisë së atyne viteve.

Nota ma e qartë që përshkon krijimtarinë e tij asht nji pesimizëm i hollë, që s'mbërrin me u msheh as mbas humorit të tij shkodran e as mbas sarkazmës zhbiruese.

Ironia dhe sarkazma e fortë e afrojnë në publicistikë me autorë si Karl Kraus-i dhe Kurt Tuchosky, forca e të cilëve tundi me rranjë Vjenën dhe Berlinin e gjysmës së parë të '900-ës.

Poezia e tij ka notat e pesimizmit kozmik leopardian, kurse rrëfimi i shtruet e i ambël me thekse baritore e afron me nji Chesterton. Gjithsesi tek ai ndihet e gjallë qenja shqiptar e stili i tij origjinal.

Jo më kot kujtonte përmallshëm në vitet '50 Ernest Koliqi, sesi në kohnat e para të krijimtarisë së tij shëtiste me Shantojën në Fushë Qelë në Shkodër tue folë për artin dhe se asokohe e konsideronte nji mentor të vetin, nji stilist të shkëlqyeshëm.

Lazër Shantoja ishte nji publicist që për hir të nji batute ironike nuk ngurronte me ba nji anmik, mbasi stili dhe arti për të ishin jetë e jeta nuk mund t'i nënshtrohet interesave të vogla të filistejve e mendësisë së pagdhendun të barbarëve.

Më 5 mars 1945, nji nadje herët, së bashku me patriotin Sulçe Beg Bushatin, burrë kund 90-vjeçar, u pushkatue në rrethina të Tiranës. Ma se nji herë dashamirë të artit të tij u munduen me e gjetë atë vorr, por pa sukses.

Harresa në Shqipni asht nji sëmundje endemike, e nuk zhbihet me komisione apo me task force që s'kanë me ba kurrgja.

Kujtesa historike ka nji çmim tepër të naltë moral, e sot nuk shihet këtej pari se kush mund ta paguejnë at' çmim!

Shantoja, ma mirë se kushdo tjetër, e dinte se kujtesa historike dhe drejtësia nuk ushqehen me fjalë të mëdhaja dhe me dokrra demagogjike.
Më 25 gusht të vitit 1923 ai shkruente në shtyllat e gazetës "Ora e Maleve" që botohej në Shkodër:

"Fjalët i merr era... por megjithatë kena gjithnduer fjalësh: fjalë t'urta, fjalë boshe, fjalë të reja, fjalë të moçme, fjalë të ndŷeta asè palavì, fjalë të forta, fjalë e grosh, fjalë të mira (e gurët në shtrajcë...) e ne e mbram:
FJALË TË MËDHAJA!

Fjalët e mëdhaja i flasin gjithherë njerzit e vogjel qi duen me u dukë të mëdhaj. Fjalët e mëdhaja i flasin mâ të shumtën e herës ata qi punët i kanë të vogla, por të mrapshta... .
Fjalët e mëdhaja janë të ndryshme: ndërtohen mbas eret qi fryen. N'erën qi âsht tue frŷ sot, ndîhen mâ fort këto fjalë të mëdhaja."