Bajrush Morina
Diçka më shumë sesa leximi i “Darkës së gabuar” të Ismail Kadaresë
Në letërsinë shqipe të fillimshekullit 20-të janë bërë përpjekje që të thuren vargje e fjali përmes së cilave është mësuar që të jepen pamje të një realiteti të caktuar, por që shfaqeshin në imagjinatën e lexuesve në forma dhe tablo të ndryshme, duke mos e zbërthyer deri në detaje gjithë realitetin e përjetuar apo të imagjinuar. Të shkruarit me alegori, ose shkrimi metaforik në letërsinë shqipe që shkruhej në Shqipëri nxori emra të mëdhenj që kapërcyen kufijtë e rrethuar me tela të shtetit shqiptar, ndërkaq në letërsinë shqipe që shkruhej në Kosovë e në qarqet letrare në Maqedoni, u krijua një letërsi hermetike që mbeti e mbyllur brenda lagjes së ngushtë të një rrethi shkrimtarësh. Ata shkrimtarë që shpërthenin rrethin “e hermetizmit” përtej Kosovës, ishin emra të rrallë që bënin dritë përkohësisht si një qiri, vetëm pak çaste në qiellin e madh të letërsisë botërore.
Ismail Kadare erdhi në letërsinë shqipe me një stil krejtësisht të veçantë. Ai e mistifikoi aq bukur realitetin e vrazhdë të shoqërisë së sunduar shqiptare nga doktrina e kuqe, sa që u hidhte me mjeshtri hi syve parisë së shtetit të egër komunist, ndërkaq që përçonte fare qartë porosinë e madhe te lexuesit e tij të shumtë në Shqipërinë e rrethuar me tela. Përveç kësaj, Kadare u kuptua dhe u pranua si shkrimtar i madh edhe në sallonin e elitës së emrave të përveçëm të letërsisë evropiane e botërore. Përmes Parisit, atij iu hapën të gjitha dyert e të gjitha vendeve dhe popujve me renome botërore në fushën e letërsisë, ndërsa romanet e tij nuk ishin vetëm numra në bibliotekat e Evropës dhe botës, por ishin dhuratat më të shtrenjta që një parisien i bënte një miku a një mike gjermane, italiane, belge apo amerikane.
Ismail Kadare nuk e lodh lexuesin me metafora të renditura në fjali si është më së keqi. Kadare rendit fjalë që të mbajnë pranë me gjithë forcën “gravitacionit” tërheqës, prandaj shumëkujt i ndodh që duke lexuar Kadarenë, sa më shumë që i afrohesh fundit të romanit, instinktivisht lexuesi e shtrëngon me të dyja duart veprën e tij.
Darka si traditë
Romani “Darka e gabuar” e Kadaresë duket se është “darka e fundit” e tij me tematikë periudhën më të errët e më të vrazhdë të historisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit 19-të. Ai këtë e ka deklaruar vetë. Prandaj për këtë arsye Kadareja ka përmbledhur në këtë roman gjithë misterin e Luftës së Dytë Botërore, gjithë katrahurën e 50 viteve të errëta komuniste dhe të gjitha detyrimet e shtetit shqiptar për integrime evropiane në fillim të shekullit 21.
Ata që nuk e dinë mirë historinë e LDB dhe relacionin në mes të shqiptarëve vendorë dhe gjermanëve si imperatorë të asaj kohe, le ta lexojnë “Darkën...” e Kadaresë dhe do të mësojnë të vërtetën. A erdhën gjermanët e trojet shqiptare si okupatorë apo si përkrahës të idealit të shqiptarëve për bashkim të trojeve shqiptare. Brezi i mesëm i shqiptarëve duke lexuar “Darkën e gabuar” të Kadaresë, si në gjysmë ëndrre do të kujtojnë ndonjë rrëfim të shkurtër të familjarëve të tyre të moçëm, të cilët pa qëllim lëshonin nga goja e tyre një të vërtetë të asaj kohe: “Jo more gjermanët nuk kanë vra asnjë shqiptar. Ata i ndiqnin shkijet dhe komunistët...E merrnin aty këtu edhe ndonjë shqiptar që para pushkatimit bërtiste: Rroftë Partia Komuniste...”.
Gurameto e ftoi mikun e tij të studimeve, komandantin e njësisë gjermane Fritz von Shwabe si një mik shtëpie. I shtroi darkë se oficeri gjerman i kishte ardhur mysafir, jo okupator. Ai u prit me vrasje të tre ushtarëve gjermanë, por kjo nuk ishte pabesi e shqiptarëve. Ishte një vrasje tinëzare, një vrasje pas shpine çfarë kanë ditur të bëjnë vetëm fara komuniste. Oficeri Shwabe kërkonte hakmarrje. Ai thirrej në Kanunin e Lekë Dukagjinit për të cilin kishin folur studentët e Universitetit të Berlini, mjeku shqiptar Gurameto dhe oficeri gjerman Shwabe. “Gjak për gjak”, thoshte oficeri gjerman, ndërkaq Gurameto kërkon të respektohet rendi i mikpritjes. Madje kërkon që bartësi i Urdhrit të Hekurt, një gradë kjo e lartë ushtarake e një oficeri gjerman të Rajhut, komandanti Shwabe të respektojë edhe një traditë të lashtë shqiptare: miku i shtëpisë nuk prehet në besë. Ai i kërkon oficerit të Rajhut që përveç pengjeve shqiptare, të lirojë edhe një çifut izraelit që ishte strehuar në Shqipëri. Ky është një virtyt i lartë me të cilin mund të krenohen shqiptarët, por është një virtyt i fortë human përballë të cilit janë “dorëzuar” edhe oficerë të lartë gjerman të kohës naziste. Prandaj a ka madhërim më të lartë sesa madhështia që Kadare i bën një tradite shqiptare? Jo nuk ka!
Darka si mister i kuq
Në darkën e 16 shtatorit të vitit 1943 nuk kishte asgjë misterioze. Një komandant i një batalioni gjerman që kishte zbarkuar në Shqipëri po kërkonte me adresë një mik të tij shqiptar të kohës së studimeve. Pra, deri këtu gjithçka është e pastër si loti. Madje edhe vetë darka ishte një mikpritje shqiptare. Bisedë e sinqertë mes dy miqve të vjetër. Madje marrëveshje e pastër burrnore mes dy burrave, një shqiptari dhe një gjermani. Shqiptari i ofron mikpritje komandantit gjerman. Ky i fundit respekton traditën. Madje shkel urdhrin e Rajhut, liron një çifut për të respektuar besën dhe mikpritjen shqiptare. Akti i përgjumjes së ushtarëve gjermanë pas mesnate është krijesa më interesante artistike e Kadaresë. Kjo mitologji po ashtu ka elemente autoktone shqiptare.
Por kjo darkë e 16 shtatorit të vitit 1943 do të jetë darkë e gabuar jo vetëm për doktor Gurameton, por do të jetë darkë e përgjakshme për popullin shqiptar, darkë e mistershme për hetuesit e kampit komunist, qofshin ata shqiptarë, gjermano-lindorë apo rus. Kush ishte, pse ishte, si ngjau, çka folët, pse folët, çka thatë, si i thatë, pse erdhi, kush e ftoi, çka është “Xhonsi”, fol, schprahe ....Këto dhe pyetje të tjera do ta rëndojnë doktor Gurameton deri në çastet e fundit të jetës së tij në qelinë e errët të Guvës së Shanishasë të burgut të Degës së Brendshme. Më 6 mars të vitit 1953 ai po përpiqej që tri herë të zgjohej nga vdekja dhe në agoni të zbërthente misterin e darkës së 16 shtatorit të vitit 1943. Hetuesit e zhgënjyer shqiptar dhe të pikëlluar deri në dëshpërim për vdekjen e Stalinit ( O Zot sa thellë ishte ngulitur fara e keqe komuniste në shpirtrat e shitur të regjimit komunist shqiptar) e mbi të gjitha për faktin se tash e sa vjet nuk po zbulonin dot misterin e darkës së 16 shtatorit të vitit 1943, madje as me ndihmën e hetuesit gjermano-lindor dhe atij rus, në agun e 6 marsit të vitit 1953 e mbyllin hetimin e asaj darke. E vrasin dhe e varrosin doktor Gurameton bashkë me një të burgosur tjetër të prangosur me atë.
Zhvarrimi i eshtrave të doktor Gurametos nga familjarët më 1993 pas rënies së komunizmit nuk merr fund me kaq. Shqipëria e vitit 2007 ka obligim që të plotësojë kërkesën e Bashkimit Evropian për dënimin e krimeve të komunizmit, ndërkaq dosja e doktor Gurametos u hap përsëri. Por kësaj radhe jo si mister i darkës së 16 shtatorit të vitit 1943, por dosje e krimeve komunistë në Shqipëri.
“Darka e gabuar” e Ismail Kadaresë është një aktakuzë kundër farës së keqe të komunizmit jo vetëm në Shqipëri. Është një dosje për komunizmin që duhet të merret parasysh nga mbarë njerëzimi.
Mësojeni historinë e shekullit të kaluar në “Darkën e gabuar!”
Lexojeni majat më të larta të letërsisë botërore në “Darkën e gabuar!”
Home »
» Të gjitha misteret e “Darkës...” së 16 shtatorit të vitit 1943






