Specialistët: Të ndalet censurimi i letërsisë në gjimnaze


Integrimi i gjuhës me letërsinë në kurrikulat e shkollës së mesme, vendosja e letërsisë vetëm në funksion të gjuhës, pa mundur asnjëherë që një vepër letrare të trajtohet në unitet, i ka indinjuar shkrimtarët dhe studiuesit e letërsisë. Ata e quajnë këtë një cenim të vlerave shpirtërore, ndërkohë që bëjnë thirrje për reflektim

Integrimi i gjuhës me letërsinë në kurrikulat e shkollës së mesme, vendosja e letërsisë vetëm në funksion të gjuhës, pa mundur asnjëherë që një vepër letrare të trajtohet në unitet, i ka indinjuar shkrimtarët dhe studiuesit e letërsisë. Agron Tufa e quan një dramë, një studim ordiner dhe antishkencor që i bëhet letërsisë në shkollat tona. Dhurata Shehri shprehet se aktualisht mund të pranohet se nuk bëhet letërsi nëpër gjimnaze, ndërsa të dy ndajnë mendimin se programi që zbatohet sot në gjimnazet shqiptare e zhvesh letërsinë nga funksioni i saj parësor: edukimi estetik. Këtij mendimi i bashkohet edhe Rita Petro, autore e teksteve shkollore, njëkohësisht edhe botuese, sipas së cilës nxënësve u hiqet e drejta thelbësore: studimi i letërsisë.

Agron Tufa: Është bërë krim ndaj letërsis

Agron Tufa, shkrimtar tashmë i konsoliduar, e quan një krim ndaj letërsisë programin e hartuar të shkollave të mesme, i cili e vë letërsinë në funksion të gjuhës. Sipas tij, ky është cenim i vlerës më të mirë shpirtërore dhe për të parandaluar këtë dramë duhet të ngrihet një staf i ri profesionistësh, për të hartuar po një program të ri shkollor.
Specialistët e ngarkuar për hartimin e programit shkollor parashikojnë në vitin e parë të gjimnazit integrimin e gjuhës me letërsinë. Si e gjykoni këtë vendim?
Modelin e krijuar për studimin e letërsisë në shkollat e mesme, unë e quaj jo gabim e faj, por krim kombëtar. Sipas këtij modeli, letërsia studiohet në mënyrë tepër ordinere dhe në funksion të fragmenteve për t’i shërbyer gjuhës. Gjuha vet është rritur si vëllim dhe ka marrë karakterin e gjuhës së aplikuar, ndërkaq letërsia studiohet në mënyrë antishkencore vetëm për ilustrimet e ushtrimeve të gjuhës. Në këtë mënyrë defunksionalizohet i gjithë roli i saj, që është së pari funksioni estetik, duke e përshtatur për funksionin komunikativ. Askund nuk thuhet në programin e kurrikulave që letërsia në radhë të parë përmbush një edukim estetik. Letërsia është parë si një kavie për trafikim organesh, në shërbim vetëm të gjuhës dhe nuk studiohet vepra letrare në unitetin artistik, kohor dhe hapësinor. Ne e dimë që uniteti artistik i një vepre nuk mund të kuptohet vetëm me fragmente nga 2 deri në 3 faqe nga ata pak autorë, përzgjedhja e të cilëve bëhet nga hartuesit e teksteve. Kjo është një dramë e madhe dhe cenim i vlerës më të mirë shpirtërore, estetike dhe edukative që ka krijuar ndonjëherë populli shqiptar.
A shtrihet ky problem edhe në autorët e përzgjedhur për programin mësimor?
Kjo është një çështje që rrjedh nga e para, por gjithsesi hartues të këtij programi (sepse autorët e tekstit duhet të zbatojnë tërësisht programin që ka hartuar Instituti i Kurrikulave Standarde) janë njerëz thellësisht joprofesionalë, nuk e njohin fare letërsinë, pasi edhe vet panorama e autorëve si nga letërsia shqipe ashtu edhe e huaj, është tmerrësisht e cunguar dhe mbërrin në vitet ‘80. Asnjë autor nuk e kapërcen pragun e vitit ‘90, ndonëse kemi 20 vjet letërsi shqipe me autorë që e kanë konsoliduar krijimtarinë e tyre. Duke vendosur një radhë emrash, janë përfshirë edhe autorë të anatemuar, edhe autorë të realizmit socialist, të cilët janë lënë në zgjedhjen e hartuesve të teksteve. Për letërsinë shqipe, komunizmi nuk ka rënë akoma.
Si mund të zgjidhet ky problem sipas jush?
Kur hartohet programi, në radhë të parë duhet të zgjidhen profesionistë të fushave të ndryshme. Për mua ky problem zgjidhet me një staf tjetër, në të cilin duhet të jenë të pranishëm njerëz që e duan, e studiojnë letërsinë dhe janë të përfshirë në procesin letrar.

Dhurata Shehri: Gjimnazistët, asnjë dije mbi letërsinë

Dhurata Shehri, studiuese e letërsisë, e gjykon si një problem thelbësor, mënyrën se si trajtohet sot letërsia në programin mësimor të shkollave të mesme. Për të, gjimnazistët e sotëm, ndoshta do të dinë të komunikojnë në mënyrë zyrtare, por do të dalin pa asnjë lloj përmase estetike mbi letërsinë.
Specialistët e ngarkuar për hartimin e programit shkollor, parashikojnë në vitin e parë të gjimnazit integrimin e gjuhës me letërsinë. Si e gjykoni këtë vendim?
Gjatë këtyre 20 vjetëve ka pasur eksperimente të ndryshimit të programeve shkollore në shkollat e mesme, gjë që ka përfshirë edhe programet e letërsisë. Ka pasur një program rreth viteve ‘93-‘94, një tjetër program profilizimi rreth viteve ‘97, ‘98, ‘99 (të dyja këto të eksperimentuara dhe pa ndonjë rezultat institucional që të tregonte sukses), ndërsa rreth vitit 2000, 2001, 2002 rinis një program i ri, i cili aktualisht ka mbërritur në klasën 11 të shkollës së mesme. Me këtë program aktual, letërsia dhe gjuha bashkohen në një lëndë që quhet gjuhë shqipe dhe letërsi. Një pjesë e specialistëve, anëtarë të Departamentit të Letërsisë ku bëj pjesë edhe unë, mendojnë që kjo lëndë nuk është as gjuhë dhe as letërsi. Në krahasim me programin e vjetër, i cili ishte një bashkim mekanik, i paintegruar midis gjuhës dhe letërsisë, ky program i realizon disa nga objektivat e gjuhës shumë më mirë se sa programi i vjetër, por ky lloj programi do të ishte një gjuhë në komunikim, një gjuhë për qëllime pragmatike, veçse letërsi nuk është gjëkundi. Mund të jetë një lëndë që akademikët do ta quanin më shumë të afërt me stilistikën apo me retorikën, pra një lloj praktike komunikatave, ndërkohë që dihet se funksioni kryesor i letërsisë nuk është komunikimi, por funksioni estetik. Në këtë pikë nxënësit e shkollave të mesme do të dalin pa dijet e thelluara mbi letërsinë, qoftë atë botërore apo shqipe, ashtu siç do dalin pa dijet e thelluara për historinë e letërsinë: nuk kanë asnjë histori të tekstit letrar, të autorëve të letërsisë apo të shijeve dhe kulmeve të letërsisë shqipe apo botërore.
A shtrihet ky problem edhe në autorët e përzgjedhur për programin mësimor?
Përjashtimi ndodh vetvetiu, pasi në program përcaktohet qartë që autorët e teksteve duhet të zgjedhin nga një listë me 120 vepra, vetëm 3 libra dhe gjithsej vetëm 12 fragmente nga tri faqe që nxënësit e shkollës së mesme duhet të bëjnë brenda një viti. Nga këto 12 fragmente, vetëm 3 do të jenë nga letërsia botërore dhe 9 nga ajo shqiptare. Atëherë në këto tre fragmente të letërsisë botërore kush do të trajtohet më parë, Shiler, Gëte, Dante, Shekspiri, Markez etj. Letërsia botërore gjatë tre viteve të shkollës (programi i klasës së 11 është thuajse ripërsëritje e atij të klasës 10) duhet të ezaurohet vetëm në 9 vepra. Praktikisht ky program krijon probleme jo vetëm me sasinë shumë të vogël të dijeve për letërsinë, por edhe me konceptimin që ka mbi letërsinë. Ka dy vjet që studiuesit e letërsisë ngrenë zërin për këtë gjë e deri më tani nuk është bërë asgjë. Ministria e Arsimit ka premtuar se diçka do të rregullohet në vitin e fundit të shkollës së mesme.
Çfarë ndodh me dijet letrare të këtyre gjimnazistëve?
Këta gjimnazistë do të mësojnë të shkruajnë më mirë një letër zyrtare, të komunikojnë me shkrim e me gojë më mirë se paraardhësit e tyre, do të kenë më pak dije gramatike, por do të dalin pa asnjë lloj përmase estetike mbi letërsinë. Duke pasur parasysh që një komb i vogël si i yni e ka problem të madh mungesën e këtij identiteti dhe identiteti shqiptar është kryesisht një identitet letrar, t’i heqësh letërsinë shkollës së mesme do të thotë t’i heqësh gurin e themelit këtij identiteti.

Rita Petro: Censurimi i letërsisë në gjimnaze

Rita Petro, autore tekstesh, njëkohësisht edhe botuese, shprehet se programet e reja u heqin gjimnazistëve të drejtën më të qenësishme: studimin e letërsisë. Sipas saj, një autor teksti gjendet para këtij fakti të kryer, sepse mes një liste të gjatë duhet të zgjedhë vetëm pak fragmente, edhe këto në funksion të gjuhës.
Zonja Petro, programi aktual i teksteve shkollore parashikon një  integrim të gjuhës dhe letërsisë  në vitin e parë dhe të dytë të gjimnazit. Sa e “censuron” kjo formimin letrar të këtyre gjimnazistëve?
Mënyra arbitrare se si kërkohen që të integrohen këto dy disiplina të ndryshme nuk merr parasysh objektin e studimit të secilës prej tyre. Dhe veçanërisht ajo që censurohet më tepër është Letërsia. Dy janë mënyrat më të përhapura të studimit të letërsisë në tekstet e sotme bashkëkohore: ose në formën e Antologjive të komentuara (tematike ose kronologjike) me përfaqësim të një numri të madh shkrimtarësh, ku mbizotërues është kriteri i formës letrare; pra, nuk kemi studim dhe analiza të thelluara të veprave letrare, por njohje dhe komente të trajtave të ndryshme të zhvilluara në kohë të tekstit tregimtar, poetik dhe dramatik. Ose kemi studim të letërsisë mbi bazën e kriterit kronologjik e gjinor, ku mbizotërues bëhet drejtimi letrar (p.sh. Antikiteti, Rilindja, Klasicizmi, Romantizmi, Simbolizmi etj.) me përfaqësuesit më të rëndësishëm dhe kryeveprat e letërsisë botërore apo shqiptare. Për këto kritere të studimit të letërsisë as që bëhet fjalë në programet e reja. Përkundrazi, programet e reja kërkojnë që tekstet letrare të shërbejnë si modele për ilustrimin e njohurive gjuhësore dhe të teknikave të shkrimit. Në program gjen objektiva të përgjithshëm për hyrjen dhe mbylljen e teksteve, për parafrazimin, përmbajtjen, gjuhën e figurshme etj., (të cilat nxënësi i studion në ciklin 9-vjeçar), por nuk ka asnjë objektiv që lidhet me funksionin estetik të letërsisë, si dhe me veçantitë e veprave që u përkasin drejtimeve të ndryshme letrare. Përfytyroni, që në një fragment të Xhojsit nxënësi të mësojë rregullat e drejtshkrimit, në një kohë që kur në lëndën e letërsisë ai mëson se si prishen këto rregulla për efekte stilistike, apo te proza e Koliqit, nxënësi nuk mund të mësojë shkallët e mbiemrit, por se si përdorimi i dendur i epiteteve, i jep prozës së tij karakter simbolik. Integrimi nuk ka munguar nëpër tekstet e letërsisë, pasi kur komentohen dhe analizohen veprat, një vëmendje e veçantë i kushtohet analizës së gjuhës së autorëve të ndryshëm apo stilit të një drejtimi letrar (njohuri që lidhen me stilistikën gjuhësore dhe atë letrare). Në studimin e Gjuhës dhe të Letërsisë ka mjaft pikëtakime integrimi, përderisa Letërsia është art i fjalës, por nuk mund të prishet në asnjë rast objekti i secilës disiplinë.
Cilat janë  kriteret në të cilat, ju si autorë  teksti bazoheni për të përzgjedhur autorët nga letërsia shqiptare dhe ajo botërore që ofrohen në programet e reja?
Siç e thashë pak më  parë, nuk është se ka kritere të përcaktuara për përzgjedhjen e autorëve dhe të veprave, përveçse një listë e gjatë me autorë, që është shtuar në fund të programit. Për veprat e analizuara ofrohen me detyrim disa alternativa, prej të cilave duhet të zgjidhen nga 3-5 të tilla. Nëse autorët e teksteve do të zbatojnë pikë për pikë orët në dispozicion që kanë veprat letrare në programin e ri, në tekst nuk mund të përfshihen më shumë se 12 fragmente veprash; 7 nga letërsia shqiptare dhe 5 nga letërsia botërore (nga 90-100 vepra të rekomanduara në një listë që fillon nga antikiteti dhe mbaron te letërsia moderne). Cili autor teksti do të ndihej komod duke zgjedhur mes kryeveprave të letërsisë shqiptare dhe asaj botërore?! Çfarë të lësh e çfarë të heqësh midis tyre dhe si t’i komentosh këto fragmente apo si t’i lidhësh me njëra-tjetrën, duke kapërcyer epoka letrare dhe forma të ndryshme qoftë tregimtare, poetike apo dramatike? Kështu që domosdo në formimin letrar të nxënësit do të mbeten boshllëqe e mangësi të mëdha, (pa llogaritur këtu formimin e tij me letërsinë dhe kulturën shqiptare) vetëm e vetëm se dikujt i është shkrepur të justifikohet për këtë veprim në emër të integrimit të Gjuhës me Letërsinë.
Si qëndron raporti ndërmjet Gjuhës dhe Letërsisë?
Në programet e reja parashikohet 55% Edukim tekstor gjuhësor dhe 45% vepra letrare. Jam plotësisht dakord që nxënësi të ushtrohet në shkrimin e llojeve të ndryshme të teksteve që lidhen me gjuhën e aplikuar, por kjo nuk do të thotë se për hir të asaj, se nxënësit bëjnë shumë gabime në të shkruar, t’i heqësh atyre të drejtën më të qenësishme: studimin e Letërsisë në shkollë?!