Romani i Ornela Vorpsit, në më të mirët e 2010-ës

alma mile

“Shqipëria është një vend ku nuk vdiset kurrë. Fortifikuar nga orë të gjata në tryezën e darkës, ujitur me raki dhe dezinfektuar me speca djegës, me ullinjtë e mbushur, gjithnjë të pranishëm, trupat tanë janë kaq të fortë, sa asgjë nuk mund t’i shkatërrojë ata. Jemi në Shqipërinë, ku nuk bëhet shaka”.Tregimet shpesh shërbejnë si rrëfyes kulturorë. Me vetëm pak fjalë, Ornela Vorpsi arrin të thotë diçka sa satirike, aq edhe të thellë në lidhje me psikologjinë shqiptare. Sipas prestigjiozes “The Guardian”, ky libër është një fillim premtues për antologjinë “Best European Fiction 2010”, kuruar nga shkrimtari Aleksandar Hemon. Kolana “Best European Fiction 2010” për prozën e shkurtër përfshin 35 shkrimtarë nga 30 vende të ndryshme, duke gërshetuar emra në zë të letërsisë evropiane, me ata më të panjohurit. Janë prozë e shkurtër, apo ekstrakt romanësh. Sipas “The Guardian”, duke pasur parasysh se redaktori, Aleksandar Hemon, është një boshnjak, nuk është befasi që në këtë antologji, vihet re prania e madhe e shkrimtarëve të Evropës Lindore. Tematikat që ata trajtojnë janë të ngjashme, integrimi evropian, dilemat e identitetit, por pavarësisht se ata trajtojnë një lëndë të ngjashme (pasi e tillë është edhe historia e tyre), ata vijnë me profile të ndryshme. Disa prej tyre trajtojnë edhe temën e vdekjes, apo të humbjes së të afërmve. “The Guardian” e vlerëson këtë antologji, për mundësinë që i jep lexuesit, që të njihet jo vetëm me autorë të panjohur, por edhe me vende e mentalitete popujsh, që vijnë përmes këtyre veprave. Antologjia e më të mirave, fillon pikërisht me romanin e shkrimtares shqiptare Ornela Vorpsi, e cila për vite jeton jashtë vendit. “Shqipëria, vendi ku nuk vdiset kurrë”, i shkruar në gjuhën italiane e më tej i përkthyer në gjuhën frënge, gjermane, angleze, është një libër prej 155 faqesh, ku personazhi kryesor është një vajzë e vogël, e cila ndërron emër sipas moshës e sipas ngjarjeve. Fillon tregimin Elona, më pas Ornela, Ina dhe e mbyll Eva. Është një libër autobiografik, por që rreket të tregojë autobiografinë e gjithë Shqipërisë. Ornela Vorpsi nuk ka gjë për të fshehur e ndoshta ky është fakti pse libri i saj është pritur sa me interes, po aq sa ka ngjallur edhe debate, për mënyrën deri diku të ashpër, me të cilën ajo rrëfen Shqipërinë, atë të diktaturës. “Prej pluhuri e balte është bërë ky vend. Dielli djeg aq shumë sa gjethet e rrushit skuqen dhe arsyetimi fillon e shkrihet. Nga kjo lind një lloj efekti sekondar (besoj i pariparueshëm) megalomania, deliri, që përhapet si bar i keq. Prej kësaj dhe mungesa e frikës... Frika është një fjalë pa kuptim. E sheh menjëherë në sytë e tyre, që janë krijesa të pavdekshme. Vdekja është një proces i huaj”, shkruan për Shqipërinë, në librin e saj, Vorpsi. 
Ornela Vorpsi ka lindur në Tiranë, ku edhe ka studiuar në Akademinë e lartë të Arteve. Më 1991 iku, bashkë me të ëmën, në vendin fqinj, Itali, ku nuk e pati të lehtë për shkak se shqiptarët shiheshin shtrembër në ato vite. Natën punonte, për t’i dhënë vetes mundësinë të studionte. Në vitin 1997 vendoset në Paris. Nga artet vizive iu vu të shkruarit. Preferon të shkruajë në gjuhën italiane, ku jo vetëm ndihet e lirë të shkruajë, por edhe sepse fillimisht ka botuar në Itali. “Nuk sajoj gjë. Ajo çka shkruaj është ajo ç’më ka ndodhur, ose ç’kam parë”, është shprehur ajo. Me librin “Shqipëria, vendi ku nuk vdiset kurrë” (“Il paese dove non si muore mai”), Vorpsi ka fituar edhe çmime letrare, si ai “Grinzane” në vitin 2006 në Itali. Më tej vijon me romanin “La mano che non mordi” (“Dora që nuk kafshon”), ku tregon peripecitë fizike dhe emocionale të autores që i afrohet, pa arritur asnjëherë, atdheut. Bëhet fjalë për një vizitë një miku në Sarajevë, dhe në të njëjtën kohë së kaluarës së saj, atmosferës në Ballkan, njerëzve të ngjashëm. “Buvez du cacao Van Houten” është vepra e radhës, një përmbledhje me tregime, 13 gjithsej, me një gjeografi në kohë dhe hapësirë mes atdheut dhe vendeve ku ka jetuar autorja. Tregimi i parë, nga i cili merr edhe emrin libri, tregon historinë e një reklame makabre. Një të dënuari me vdekje, firma e kakaos i kërkon që fjalët e fundit të tij të jenë “Pini kakaon Van Huten”. 
Letërsia e kujtesës 
Ornela Vorpsi është një ndër emrat më të lakuar të letërsisë, viteve të fundit, jo vetëm në Itali, ku ka fituar çmime, por edhe në Francë e më gjerë. Librat e saj, provokues, që i referohen fëmijërisë nën diktaturë, kanë tërhequr vëmendjen e lexuesit dhe kritikës së huaj. Por Vorpsi është vetëm një nga shkrimtaret me origjinë shqiptare, që shkruan në ekzil. Një qark letrar shqiptar që u krijua në Itali, me emra si Gëzim Hajdari, Ron Kubati, Artur Spanjolli, Anilda Ibrahimi, për t’u hapur në Zvicër e më tej me Elvira Dones e Besa Myftiun. Pavarësisht viteve të kaluara jashtë vendit, jeta e tyre është pazgjidhshmërisht me të kaluarën e tyre, ndaj edhe ajo reflektohet gjerësisht në veprën e tyre. I referohen fëmijërisë, familjes, baballarëve të ashpër, mentalitetit, dramave sociale, zakoneve e kanuneve, por edhe diktaturës. Dhe kur flitet për histori gjakmarrjeje, apo diktature, lexuesi është gjithnjë i vëmendshëm. Madje këta janë edhe librat më të suksesshëm, të cilët janë pritur jo vetëm mirë nga lexuesi i huaj, por edhe nga kritika. Nuk kanë munguar edhe çmimet për shkrimtarët me origjinë shqiptare, duke i bërë ata pjesë integrale të letërsive të vendeve, ku ata kanë bujtur. Në një farë mënyre, duket se ata e kanë gjetur edhe çelësin e suksesit. Për rastin në fjalë, diktatura, apo e kaluara patriarkale e kanuni i Lekë Dukagjinit, kanë shërbyer për diçka pozitive.