Roli i letërsisë në shtegun drejt paqes


Për të nderuar djalin e tij të vrarë nga një palestinez, Elias Khoury ka bërë përkthimin në arabisht të një prej romaneve më të njohura të Izraelit. Titullohet "A Tale of Love and Peace," dhe është shkruar nga Amos Oz, një prej shkrimtarëve më të spikatur të vendit. Dhe synimi është t’i jepet një shans paqes duke e humanizuar tjetrin, duke treguar rrëfimet e historisë që i rrethon ata.

Nga CHRISTIANE AMANPOUR, CNN  
CHRISTIANE AMANPOUR: Zotërinj, ju faleminderit shumë që keni pranuar të flasim për këtë histori të mrekullueshme. 
Z. Khoury, nëse mund të ju pyes, çfarë ju ka shtyrë ta përktheni librin e Z. Oz në arabisht?
ELIAS KHOURY, prokuror palestinez: 
Siç e dini, e kam humbur djalin tim më 19 mars, 2004, derisa ai po vraponte. Ai ka qenë student në Universitetin Hebre. Dhe është qëlluar nga palestinezët, të cilët pretendonin se po bënin diçka heroike. 
Në atë kohë, u njoha me një mik, një mik i përbashkët i imi dhe Z. Oz, i cili erdhi të na vizitonte në atë kohë. Dhe po flisnim rreth asaj se si mund ta mbanim kujtesën e djalit tonë në një mënyrë që të ruhej për një kohë të gjatë. 

AMANPOUR: OK. Më lejoni të ju pyes Z. Oz. Çfarë keni menduar kur Z. Khoury ka kërkuar ta përkthejë në arabisht veprën tuaj themelore "A Tale of Love and Darkness,"?
AMOS OZ, shkrimtar
: U preka shumë nga propozimi fisnik i Z. Khoury për të përkthyer në arabisht "A Tale of Love and Darkness" me shpenzimet e tij. Dhe unë mendova se është një mënyrë shumë e fuqishme për të përkujtuar Georg Khoury-n, djalin e vrarë të Zotëri dhe Zonjës Khoury, sepse e ndjeva se ky libër i veçantë, "A Tale of Love and Darkness," mund të hapë shumë zemra në botën arabe dhe mund të largojë shumë klishe të përhapura në botën arabe. 

AMANPOUR: Z. Oz, vetëm ma përshkruani përmbajtjen dhe pse keni menduar se mund të ketë atë ndikim në botën arabe?
OZ: 
"A Tale of Love and Darkness" është kombinim i historisë familjare, muzikës së dhomës dhe gjithashtu, në të njëjtën kohë, sagë e lindjes së kombit izraelit. Është i vendosur në Palestinën hebreje të viteve dyzetë dhe në Izraelin e viteve pesëdhjetë. Dhe përshkruan historinë e hebrenjve në këtë vend në një mënyrë joheroike dhe në një mënyrë që gjithnjë është e vëmendshme ndaj gjendjes së vështirë të palestinezëve dhe ndaj perspektivës dhe pikëshikimit palestinez. 

AMANPOUR: Pra, Z. Khoury, çfarë ka pasur tregimi për jetën hebreje në Izrael që ju e keni ndjerë aq të rëndësishëm për ta përkthyer në arabisht? Pse? Cili ka qenë motivimi juaj?
KHOURY:
 Para së gjithash, mendoj se të njohësh anën tjetër është diçka e rëndësishme, qoftë nëse duam ta luftojmë apo nëse duam të bëjmë paqe me të. Dhe dija është drita, për të mirë dhe për të keq. 
Prandaj, për të krijuar ura ndërmjet dy kombeve sa më shpejt, ne duhet ta njohim anën tjetër. 
Ndjenja e tyre e përkatësisë së një grupi, kombit hebre, dhe mënyra se si ata kanë qenë të gatshëm të sakrifikojnë, dua që populli im të shohë se si mund ta bëjmë edhe ne këtë, si kanë qenë ata të organizuar dhe si kanë funksionuar institucionet në atë kohë dhe si ka ardhur deri në hapin përfundimtar, kur u lind shteti i Izraelit. 

AMANPOUR: Me lejoni t’i drejtohem lidhur me këtë çështje Z. Oz. Z. Khoury po tingëllon si shpirt shumë bujar që dëshiron të mësojë nga të tjerët, të mësojë nga historia tjetër. Ju keni thënë rreth shkrimeve tuaja se jeni përpjekur ta vendosni veten tuaj në vendin e të tjerëve në mënyrë që secila anë të mund të kuptojë rrëfenjën e anës tjetër. 
Më lejoni të ju pyes, kur e keni vizituar Z. Khoury në shtëpinë e tij në Jerusalemin Lindor, çfarë keni vërejtur rreth standardit të tij jetësor dhe cilësisë së jetës në krahasim me tuajin në Izrael?
OZ: 
Z. Khoury, i cili jeton në Jerusalemin verior në kufi me Bregun Perëndimor, është bërë mik i afërt i imi dhe i familjes sime. Ai është, siç thatë edhe ju, një njeri shumë bujar. Por, për më shumë, ai është njëri largpamës. Ideja e përkthimit të librit "A Tale of Love and Darkness" dhe shpërndarjes në tërë botën arabe, të botuar në Bejrut, që teknikisht është territor armiqësor, është një ide zemërgjerë. E imagjinoj këtë libër duke u lexuar nga arabë të ndjeshëm, mendjehapur në Bejrut, në Aman, në Kajro dhe, më kryesorja, në Palestinë. Dhe mendoj se çdo arab që e ka lexuar këtë libër do ta ketë më të vështirë t’i urrejë hebrenjtë sesa para leximit të tij. 

AMANPOUR: E dini, ju po flisni rreth njohjes së njëri tjetrit. Siç e dini, tani, nënkryetari i SHBA-ve ka qenë në Izrael, ka folur rreth përpjekjes për të rifilluar procesin e paqes dhe ka paraqitur një lloj kundërshtimi kur ministri i brendshëm i Izraelit ka lajmëruar për 1600 banime të reja në Jerusalemin Lindor. 
Z. Oz, derisa flisni për fisnikërinë e përpjekjes për të njohur anën e njëri tjetrit, çfarë mesazhi mendoni se jep kjo – më shumë koloni në një kohë si kjo? 
OZ:
 Kjo e jep mesazhin më të keq të mundshëm. Është një shpullë në faqe të Palestinës dhe një shpullë në faqe të Shteteve të Bashkuara dhe me furi e kundërshtoj idenë e krijimit të vendbanimeve hebreje, shtëpive hebreje, kolonive hebreje përtej vijës së gjelbër. 
Besoj se Palestina duhet të jetë një shtet i pavarur pranë Izraelit dhe besoj se Jerusalemi duhet të jetë dhe do të jetë kryeqytet i të dyve, Izraelit dhe Jerusalemit. 
E dini, është vështirë të jesh profet në një vend të profetëve, por më lejoni t’ua jap një profeci. Një ditë, do të kemi një ambasadë palestineze në Izrael dhe një ambasadë izraelite në Palestinë dhe këto dy ambasada do të jenë në një distancë të vogël larg njëra tjetrës sepse njëra do të jetë në Jerusalemin Lindor dhe tjetra në Jerusalemin Perëndimor. 

AMANPOUR: Z. Khoury, ju sapo e dëgjuat Z. Oz çfarë tha rreth së ardhmes. Biri juaj është vrarë në një prej këtyre kolonive, duke vrapuar, siç thatë ju, në të ashtuquajturin Pirgun francez. Babai juaj është vrarë. Të dy të vrarë nga njerëzit tuaj. Dhe pastaj ju keni thënë gjithashtu se toka e familjes suaj ishte marrë nga izraelitët. Kështu që ju keni pasur aq shumë humbje nga të dy popujt. Si e shihni të ardhmen e një pajtimi? 
KHOURY: 
Mendoj, për momentin, situata nuk është optimiste. Dua të them, nuk jam optimist në zgjidhjen e shpejt të konfliktit të tanishëm izraelito-palestinez. Dhe mendoj se të dy anët duhet të japin maksimumin për të krijuar një besim ndërmjet udhëheqësve dhe ndërmjet kombeve. Çfarë ka bërë Izraeli, çfarë po bën shteti izraelit tani në territoret e okupuara dhe në Jerusalemin Lindor, nuk ndihmon në krijimin e një besimi të tillë ndërmjet palëve. Kështu që na duhet të tentojmë të gjejmë mënyra të tjera për të filluar një rrugë të re në të cilën ndoshta do të krijoheshin institucionet e shtetit palestinez dhe ndërkohë, të tentojmë të lehtësojmë situatën që po ndodh në rajon. 

AMANPOUR: Më lejoni të ju pyes, Z. Oz. Ky përkthim i librit tuaj, siç kemi folur, është një mundësi për arabët, për palestinezët të mësojnë rreth historisë hebreje në Izrael. A ka ndonjë mundësi të ngjashme për izraelitët të kenë historinë e të dy anëve, rrëfenjat e të dy anëve të kuptuara nga secila anë? 
OZ: 
Janë disa përkthime të letërsisë dhe poezisë palestineze në hebraisht, por jo shumë. Dhe unë jam një besimtar i madh, Christiane, se përkthimi i letërsisë është një prej mënyrave më të mira për t’i larguar klishetë dhe për t’i afruar armiqtë ndërmjet veti, sepse leximi i letërsisë së tjetrit në të vërtet është vizitë në dhomën e ndejës së tjetrit, në kuzhinën e tjetrit, në dhomën e fëmijëve të tjetrit dhe madje edhe në dhomën e fjetjes së tjetrit. Lexuesi dërgohet në dhomat e fjetjes, në çështjet intime të jetëve të njerëzve të tjerë.
Kështu që unë jam besimtar i madh në përkthimet letrare ndërmjet armiqve si ilaç, si metodë e largimit të klisheve dhe zëvendësimit të urrejtjes me – jo domosdoshmërisht dashurinë, jo domosdoshmërisht një çift vëllezërish duke u përqafuar sikur të kishin qenë vëllezër të humbur, “Oh, vëlla, më duaj, kujt po i ha palla për shtetin.” 
Kjo nuk është ajo qç e pres dhe kjo nuk është ajo që do të ndodh. Por do të përmirësojë aftësinë për të përfytyruar tjetrin dhe unë mendoj se përfytyrimi i tjetrit është cilësi morale. 

AMANPOUR: Amos Oz dhe Elias Khoury, ju faleminderit shumë që ishit me ne në këtë bashkëbisedim magjepsës. 
KHOURY: Ju faleminderit.
OZ:
 Faleminderit që na patët, Christiane.

Marrë nga CNN
Përktheu: A. Beka