Në 90-vjetorin e lindjes, shtëpia botuese “Princi” hedh në treg ribotimin e librit të vetëm poetik të Zef Zorbës, “Buzë të ngrira në gaz”. Është një botim më cilësor se ai i vitit 1994, ku botuesi lë shënimin se është edhe i përmirësuar, duke pasur parasysh shtimin në këtë krijimtari të një poeme të pabotuar më parë, “Baladë dritash për Lalin”, e shkruar më 29.03.1975. Duket sikur ky ribotim vjen pikërisht në këtë fundmars edhe dedikim përvjetori ndaj motrës së poetit.
Ky vëllim poetik shoqërohet me parathënie të Ismail Kadaresë, ndërsa si në botimin e parë, të ’94-s, në fund, libri mban pasthënien e shkruar nga vetë autori, Zorba, i cili ka strukturuar gjithë teknikën se si janë shkruar poezitë e tij, prej cilëve poetë është frymëzuar dhe pse ka rrjedhur aq hermetike dhe esenciale poezia në librin e vetëm që Zorba nuk e kishte menduar asnjëherë se mund të shihte dritën e botimit. Botimi i dytë mban dhe disa fotografi që vijnë për herë të parë për lexuesit.
Ky botim, siç edhe e ka cilësuar shkrimtari Stefan Çapaliku në botimin e ’94-s, në parathënie, është “një libër historie e shpirtit të sakatuar, që jeton duke përtypur shpresë e ironi të vetvetes”. Kjo krijimtari është e ndarë në disa cikle poetike, që i takojnë harkut kohor ‘45-‘80, si në botim edhe ribotim është respektuar përgatitja që ka lënë të gatshme autori për to. Me botimin e parë Zorba thuhet se ka dalë nga errësira, ndërsa ky ribotim duket se do të shërbejë më shumë për ridimensionimin e poetit, si përfaqësues unik i brezit të ’70-s, duke mos u konfonduar poezia e tij me kohën.
Mbajtur në fshehtësi të plotë, Zorba na la trashëgim veprën e parë, të plotë, të vetme si model estetik. Zorba lindi më 1920 në Kotorr të Malit të Zi, në një familje shqiptare. Mbas mbarimit të gjimnazit në Shkodër, më 1941 regjistrohet në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, dega e Studimeve Politike në Universitetin e Padovës në Itali. I ndërpret studimet më 1943 për arsye të Luftës së Dytë Botërore dhe kthehet në Shkodër, ku fillon punën si nëpunës banke. Në vitet ’45-’46, punësohet si regjisor në Shtëpinë e Kulturës së Shkodrës, ku vë në skenë mjaft pjesë dramatike me tingëllim të qartë disident si “Juda Makabe” e Fishtës, “Armiku i popullit” të Ibsenit etj. Ndoshta dhe për këtë arsye arrestohet më ’46 dhe burgoset nën akuzën e agjitacion-propagandës. Vuan dënimin në kampet e punës dhe “riedukimit” deri në vitin 1951. Ndërron jetë në janar 1993 në Shkodër.






