Pranë kolonelit të diktatorit

Gazetarët Dardan Gashi dhe Ingrid Stainer – Gashi, sjellin një libër sa rrëqethës, po aq edhe atraktiv. Libri i titulluar “Në shërbim të diktatorit”, sjell rrëfimin e kolonelit koreanoverior, Kim Jong Ryul, i cili pas 17 vjetëve të qëndrimit të tij në Austri, shpalos se kush me të vërtetë ishte vetë ai, si është të jetosh në regjimin e koreanoverior dhe pranë ish-diktatorit Kim Il Sung.


Nga Milot Hasimja


Të jetosh pranë një diktatori për shumë dekada është një sfidë. 
Ndërsa largimi prej tij do të thotë vetëvrasje, nëse jo për vetë personin atëherë për familjen.
Ishte koreanoveriori Kim Jong Ryul, i cili për 40 vite i qëndroi afër njërit prej njerëzve më të çeliktë që ka prodhuar kjo botë, diktatorit koreanoverior, Kim Il Sung. 

Luksin që e kërkoi ky diktator e sjelli dhe e realizoi vetë Kim Jong Ryul.
Rrëfimi i këtij njeriu del në pah pas 17 viteve, në një dhomë të vogël në afërsi të Vjenës. 

Ndërsa rrëfimi i tij është i shkruar në një libër, i quajtur “Në shërbim të diktatorit”, të autorit Dardan Gashi dhe Ingrid Stainer – Gashi. 
Libri dy javët e fundit ka bërë boom në Austri, ndërsa tashmë pritet ta vërshojë Korenë e Jugut, Japoninë por edhe shtetet e tjera. 

“Në vitin 1994, ky zyrtarisht është tërhequr nga jeta, duke inskenuar vdekjen e tij në Bratislavë. Në atë ditë, nga Bratislava, Kim Jong Ryul ka ikur për në Austri”, tregon Dardan Gashi, njëri nga dy autorët e librit “Në shërbim të diktatorit”. 

Për një vit, Gashi ka pasur negociata duke vërtetuar fakte dhe të dhëna se me të vërtetë ky njeri po tregon këtë histori sa të tmerrshme, po aq interesante. 
Dy vitet e para të jetës së Kim Jong Ryul në Austri ishin në një izolim të plotë, ndërsa më vonë bën një tërheqje pranë një fshati afër Vjenës, duke e paraqitur veten si një shkencëtar japonez. 

“Në vitin 1994, pas vdekjes së diktatorit Kim Il Sung, ai ka menduar se pasi ranë të gjitha sistemet komuniste si dhe Bashkimi Sovjetik, se edhe sistemi në Korenë Veriore do të bjerë. Por edhe 17 vjet më vonë, sistemi është aty ndoshta edhe më i fortë se atëherë”, shpjegon ai. 

Gashi për një kohë të gjatë ka punuar si gazetar duke e mbuluar fushën e Agjencisë Bërthamore në Vjenë, ku Koreja Veriore ka qenë njëra prej brengave të asaj agjencie duke u munduar ta pengojnë prodhimin e bombës atomike. 

Por në anën tjetër, ishte mu personazhi i librit të Gashit, Kim Jong Ryul, i cili përmes firmave të ndryshme në Austri, por edhe rreth këtij shteti, kishte blerë në mënyrë krejtësisht sekrete pajisje për këto uzina bërthamore. Në të njëjtën kohë, shumë shtete të Evropës vazhdojnë të kenë një embargo ndaj Koresë Veriore.

A janë të involvuar këtu edhe shumë kompani austriake, të cilëve tashmë iu ka dalë të themi e keqja në pah? 

“Janë së paku 10 kompani që ne i kemi numëruar, të cilat kanë qenë më të theksuara në këto biznese. Sigurisht që pas vitit 1994 janë futur në lojë edhe shumë kompani të tjera, të cilat ne nuk i kemi hulumtuar. Por sigurisht afro 20 kompani në Austri janë të involvuara në këto procese”, tregon Gashi. 

Kim Jong Ryul në momentin kur ka inskenuar vdekjen e tij, ai ka lënë në Kore të Veriut, gruan dhe dy fëmijë, fati i të cilëve sot nuk dihet, posaçërisht pas publikimit të rrëfimit të tij. 

Largimi i tij 17 vjeçar nga familja duket se ka ndikuar që edhe emocionet të humbin, por edhe t’i bëjnë atij të mundur tregimin e një rrëfimi interesant. 
Kim Jong Ryul është 75-vjeçar dhe sot gjendet nën përkujdesjen dhe mbrojtjen e shtetit të Austrisë. 
Por, cila është arsyeja e rrëfimit të tij? 

“Ky e citon një filozof kinez, i cili thotë ‘Tigri kur vdes, së paku lëkura e tij ka vleftë pas vdekjes’. E, ky njëri nuk ka dashur të vdesë sikur një anonim dhe të mos e dijë askush se kush është”, shpjegon Dardani. 

Ndërsa, vetë Kim Jong Ryul në një intervistë të dhënë dje për Yonhap, thotë se “Kur një njeri i arrin të ’70-at, atëherë mendon për vdekje. Ndërsa, unë e kam pyetur veten se a duhet të vdes kështu, apo duhet t’i ofroj disa fjalë të fundit. Andaj. edhe kam vendosur ta publikoj këtë libër”.