POEZIA RUMUNE MODERNE

Esse nga Kopi Kyçyku



















I papërsëritshmi Dostojevski, krahas veprave madhore,
na ka lënë edhe mjaft
thënie-perla për nga
hijeshia e thellësia e mesazhit. Ja
njëra syresh: „Bukuria do ta shpëtojë
botën”. E, sikurse dihet, njëra
nga këto bukuri, poezia, mbetet gur
prove për imazhet plot dritë e beftësinë
e stileve. Në hapësirat e
imagjinares, e përfytyrimit, përftohet
„minuta e amëshuar”, ndjesia e
„bllokimit” të kohës, ndjesia e
dëshirës për ta pavdekësuar shembëlltyrën
e gjithçkaje që vdes apo që
është e vdekshme. Poezia, kjo „pasqyrë
magjike e kohës”, zhbiron epoka,
qënie, gjendje shpirtërore dhe i
fikson në „celuloidin” e vet imaterial.
Aq këndellës mund të bëhen
vargjet, saqë të shtyjnë të mendosh
se mrekullitë e botës nuk janë shtatë,
por të panumurta: mjaft të
përpiqesh t’i zbulosh tek një Dante,
një Shekspir, një Gëte, një Pushkin...
Jo rastësisht poezia rumune është
cilësuar nga kritika evropiane si një
ndër më të fuqishmet e novatoret në
Kontinentin Plak e jashtë tij. Buruar
nga një folklor ballkanas me epje
më tepër lirike se sa epike, kjo poezi
nxori gjatë dy shekujve të fundit një
sërë viganësh të vargut, të cilët bënë
të mundur jo vetëm ngjizjen e rumanishtes
moderne, por edhe të një
poetike krejt të veçantë.
Në dallim nga poezitë e mjaft
vendeve të tjera, në poezinë rumune
mund të thuhet se është shkak habie
kur del ndonjë poet i rëndomtë
e jo një i pazakontë. Veç talenteve
dhe këndvështrimeve nga më befasueset,
poezinë rumune e mbështet,
por edhe e udhon, në kohë e në
hapësirë, një kritikë letrare tejet serioze,
e cila tradicionalisht ka hequr
dorë nga cakimet e ngushta, për t’iu
kushtuar kryekëput mbarëvajtjes së
kësaj pasurie kombëtare, poezisë
pra, që e ndihmon rumanishten të
mos ndihet “gjuhë e vogël” në koncertin
e gjuhëve të qarkullimit
ndërkombëtar.
Vlen të theksohet se, megjithë
përkimet, shkëmbimet dhe huazimet
e ndërsjella e të natyrshme që poezia
rumune kryen me poezinë e madhe
të vendeve dhe të gjuhëve të tjera,
bie në sy një dukuri mjaft interesante:
përpara se të ndikohet nga
vizionet dhe risitë e sssimotrave të
tjera, poezia rumune i zbulon ato
në vetvete, në bërthamat e poezisë
së folur e të kënduar vendase.
Deri më sot, pa zënë në gojë
përkthimet e shumta nga vepra e
Emineskut, Eftimiut, Argezit etj,
shqipes i janë dhuruar edhe poetë
të tjerë të nivelit evropian, si Nikita
Stënesku, Marin Soresku, Ana Blandiana,
Xheo Bogza, por më fort krijime
autorësh jo dhe aq të njohur,
që shqipëruesit përkatës i kanë
tërhequr vëmendjen.
Në Rumani, qysh në vitet ’20 të
shekullit të kaluar janë botuar disa
antologji të poezisë kombëtare. Në
dhjetëvjetshin e fundit, tri kanë qënë
antologjitë më të pranuara e njëherazi
më të diskutuara: „megaantologjia”
e kritikut të njohur Laurenciu
Uliç (10 vëllime, 300 autorë,
1001 poezi, Bukuresht, 1997), “Antologjia
e shkurtër e poezisë rumune”
e kritikut tjetër rumun Dan-
Silviu Boeresku (1 vëllim, 66 autorë,
66 poezi, Bukuresht, 1999) dhe
“Poezia e pyllit” (10 vëllime, 300 autorë,
Bukuresht, 2001) e poetit dhe
botuesit rumun Radu Kërneç.
Kuptohet që zgjedhja e autorëve
nga gjiri i një populli, që ka pasur e
ka një yllësi të vërtetë poetësh, mes
tyre edhe tre kandidatë për Çmimin
Nobel, - poetët Luçian Blaga, Nikita
Stënesku e Marin Soresku, - nuk
është e lehtë.
Mund të them se në lëmin e
përkthimeve u futa me pasion, zell
e durim qysh në fillimvitet ’60 të
shekullit të shkuar, kur guxova të
përkthej e të botoj në shtypin rumun
poezi të Nonda Bulkës. Vazhdova
me shqipërime të krijimeve të
mjaft autorësh turq, italianë, rumunë,
rusë, maqedonas, francezë etj dhe
vetëm paskëtaj mendova se isha në
gjendje dhe gëzoja të drejtën të dilja
para bashkëkombësve të mi me një
antologji me 100 poetë rumunë, të
cilën e dorëzova në Tiranë, në Shtëpinë
Botuese „Mësonjëtorja” (me
sugjerimin entusiazt të poetit Xhevahir
Spahiu) e më pas (2001) edhe
në Shtëpinë Botuese „Toena”...
Koha rrodhi e unë nuk ndenja
duarlidhur. Antologjinë e mësipërme
e pasurova ndjeshëm dhe mendoj se
tani ajo është edhe më e plotë, edhe
më e arrirë. Si gjithmonë, kam bërë
kujdes që të jem „traduttore”, jo
„traditore”, pra përdorimin e begatisë
shprehëse, të figurave letraro-
artistike dhe gjuhësore-stilistike
të shqipes, të mos e bëj në kurriz të
vlerave origjinale të poetëve përkatës,
por duke respektuar me fanatizëm
shkencor përmbajtjen, frymën, traditën,
formën, metrin, rimën e mesazhin
e secilit. Se sa ia kam dalë
mbanë, fjalën shpresoj ta thonë lexuesit,
njohësit e rumanishtes e të
shqipes, kritikët e studiuesit e letërsisë,
në veçanti të poezisë.
Jam përpjekur që secila nga „moshat”
e lirikës rumune të përfaqësohet
nga një numur bindës autorësh
dhe krijimesh. Poetët, që tashmë
konsiderohen klasikë, përbëjnë
padyshim mbështetjen e natyrshme,
pa të cilën krijuesit e rinj pasmodernë
as që do të kishin arritur të
shfaqeshin në arenën e letërsisë. Në
këtë vështrim kjo antologji duhet
lexuar edhe si një homazh, aspak
polemik, për moshat poetike që
tashmë janë historizuar nga pikëpamja
estetike.
Përzgjedhja nis me disa autorë,
që paraprijnë më të rëndësishmin
poet modern rumun, Mihai Emineskun.
Sidomos në raport me veprën
e tij, poetët e periudhës dyzetetetë
(Heliade, Grigore Aleksandresku,
Kërlova), madje edhe më i
hershmi ndër ta, Dosoftei (1624-
1693), na shfaqen si paramodernë.
Me Emineskun gjendemi para
njësimit tronditës me hierarkinë e
poezisë së madhe, përtej kufijve të
një vendi apo të një historie të letërsisë.
Prandaj poezitë e përzgjedhura
për këtë antologji shpalosin në tërësi
veprën lirike emineskiane, e cila gjallon
përherë në situatën e rimarrjes
së elementëve poetikë dhe protopoetikë
të mëparshëm e të krijimit
njëheresh të tharmit të ndryshimeve
të mëpasme në lirikën rumune. Kjo
sintezë fillestare, njëherazi retrospektive
dhe perspektive, gjen shprehje
të jashtëzakonshme në një krijimtari
tejet të ngjeshur dhe tepër
domethënëse.
Ndikimi i Emineskut mbi disa
poetë shqiptarë shfaqet në mënyrë
të natyrshme mbi bazën e mjaft të
dhënave ontologjike që i kanë të
përbashkëta të dyja kulturat tona:
kërkimi i identitetit, kulti i „Motit
të Madh” (tek Eminesku – koha protohistorike
dake), kalimi nga kanuni
ritualor i orientalizuar, në diskursin
social dhe kombëtar të pjekur
në poezinë shqiptare të gjysmës së
parë të shekullit XIX (poetë shqiptarë
të mëvonshëm, që do të trajtonin
të njëjtat tema e motive, do
të gjenin në „Letrat” e Emineskut
një model). Përveç kësaj, Eminesku
besonte në ekzistencën e një nënshtrese
kulturore të përbashkët
iliro-trake: „Trakët dhe ilirët ishin
popuj të farefisnuar. Pasardhësit e
ilirëve janë shqiptarët e sotëm, në
Trakë janë lindur rumunët. Miklosich
na ka kumtuar nja pesëdhjetë
fjalë, një pjesë e të cilave kanë
në të dyja gjuhët trajtë dhe kuptim
të posaçëm. Një numur i madh
fjalësh latine kanë kaluar nga rumunët
jo vetëm në gjuhën bullgare, por
edhe në të gjitha gjuhët e Gadishullit”
(Shih: Eminesku-tretem në flakë,
Dialogje me emineskologë të shquar
të botës, realizuar nga Mihai Çimpoi,
Shtëpia Botuese Litera-David,
Kishinjev-Bukuresht, 1999, f. 129).
Eminesku ka dëshmuar një
dashuri të madhe ndaj Shqipërisë
dhe ndaj popullit shqiptar. Për
shembull, në gazetën „Timpul”
(1880), kur bënte fjalë për familjen
Gjika, nga e cila rrjedhin princi Albert
dhe Dora d’Istria, ai shkruan:
„Ndër sundimtarët fanariotë, vetëm
një familje është shquar për dashuri
ndaj viseve rumune, për vetëflijim
me jetë dhe për integritetin e atdheut:
Gjikajt. E po mirë, Gjikajt nuk
kanë qënë fanariotë të mirëfilltë, por
shqiptarë”. Ca më shumë: Eminesku
ka pohuar se i pëlqente jashtë mase
gjuha shqipe dhe se ishte duke e
mësuar (shih Xh. Kalinesku, Jeta e
Emineskut, monografi e përkthyer
në shqip nga Kopi Kyçyku dhe e
botuar në Tiranë më 1993). Në poezinë
„Dojna”, ku „Që nga Nistri gjer
në Tisë / Qënka nderë perde e zisë / Dhe
rumuni qan me lot, / Nga të huajt s’po
çan dot”, apo në „Letrën I”, Eminesku
nuk i përmend e nuk i trajton shqiptarët
si të huaj.
Cekëm pak më lart faktin që
Eminesku ka pasur ndikim në poetët
shqiptarë. Në bazë të të dhënave
që kemi grumbulluar, del se në periudhën
midis dy luftrave, Eminesku,
ashtu si në mbarë Evropën,
edhe në Shqipëri është cilësuar
njëzëri si poeti më i madh i rumunëve,
madje, për rezonancën e fuqishme
të fjalës së tij, duke u cilësuar
jo vetëm poet rumun, por evropian,
me kalimin e kohës Eminesku
u bë gjithçka e vlefshme që ka Rumania
si përmasë shpirtërore.
Shumë shqiptarë, njerëz të kulturës,
shkrimtarë etj, kanë shprehur
admirimin për nivelin e lartë të
mendimit e të ndjesisë së poetit kombëtar
rumun. Qysh në bankat e
shkollës së lartë në Bukuresht, poeti,
prozatori dhe përkthyesi i shquar
shqiptar, Dhimitër Pasko (me pseudonimet
Mitrush Kuteli e Dr. Pas),
kur vazhdonte aty studimet në Akademinë
e Shkencave Ekonomike,
botoi një studim për veprën e Emineskut,
sidhe artikuj e shënime që
i bëjnë jehonë mesazhit të poetit të
madh rumun. Në vitet që u mor me
përparësi me filologjinë romanike,
Eqrem Çabej, i cili do të bëhej gjuhëtari
më i madh shqiptar, mbajti
në Tiranë një kurs të posaçëm për
gjuhën e figurat e stilit emineskian.
Më 1959, duke u vënë në ballë
të përpjekjeve për botimin e një vëllimi
poetik, që synonte të rrokte
pjesën më të madhe të veprës së Emineskut,
Lasgush Poradeci (1899-
1987), që mbahet si liriku më i madh
shqiptar, i formuar në Austri e në
Rumani, ka dëshmuar se, gjatë tërë
karrierës së vet letrare, e pat bërë për
vete sidomos kompleksiteti i
domethënieve dhe i vlerave letrare të
përfshira në veprën emineskiane.
Qysh më 1930, i ndodhur në Bukuresht,
L. Poradeci ka shprehur admirimin
e pamatë për Poetin rumun, çka
e nxiti të shqipërojë afro 5000 vargje
të tij. Ndërkaq, Dh.Pasko botoi dhjetra
të tjera, poezi të plota ose fragmente
poemash.
Po të shqyrtojmë ndikimin e
Emineskut mbi romantikët shqiptarë,
por edhe mbi poetët e sotëm,
mbase do të hapnim një dritare në
letërsinë e krahasuar. Është gati-gati
e papërfytyrueshme një histori moderne
e mendimit eurojuglindor në
dhjetëvjetshin e nëntë të shekullit
XIX, pa ndërmarrë një studim të
hollësishëm të ndihmesës që ka
sjellë në këtë fushë Mihai Eminesku.
Ndër poetët ballkanas, mbi të cilët
Eminesku pati ndikimin më të prekshëm,
përmendim në radhë të parë
Asdrenin. Te ky i fundit ndjehet fuqishëm
toni i poezisë sociale emineskiane.
Asdreni mbante në vend
nderi në bibliotekën vetjake veprat
e plota të Emineskut. „Poezia e tij
ka qënë për mua libër jastëku”
shprehej Asdreni. Modeli emineskian
i huazuar nga Asdreni është
njëherazi social dhe etik.
Rasti e solli që vetmimi i dy poetëve
të shquar të letrave shqipe e
rumune, Lasgush Poradeci e Mihai
Eminesku, me të dhëna të afërta apo
të ngjashme në jetëshkrimet e në
veprimtarinë krijuese, poetë që
hullojnë e udhojnë vijat orientuese
të të dyja letërsive të sapopërmendura
në etapat përkatëse të zhvillimit
të tyre, të mos i pengojë të bëhen
të ndjeshëm ndaj problemeve madhore
të bashkëkohësisë. Ashtu si
Eminesku, edhe Lasgush Poradeci ka
qënë liridashës, antifashist dhe, në
vitet ’20 të shekullit të kaluar, kur
ekzistenca e kombit ishte vënë në rrezik,
i kushtoi vargje sublime Pavarësisë
së atdheut, të fituar me aq sakrifica
e mundime shumëshekullore.
Eminesku dhe Poradeci janë poetë
të natyrës e të dashurisë. Në këto
„treva letrare” bie në sy fare qartë se
liriku shqiptar është ndikuar thellësisht
nga ai rumun. Në një numur
të madh poezish, Poradeci e merr si
model Emineskun, me të cilin ishte
lidhur shpirtërisht. Kështu, „Ku shtrohet
vala”, „Mërgim” , „Malli” ,
„Që larg” etj, janë shkruar në lidhje
të drejtpërdrejtë me „De-as avea”
(Sikur të kisha), „Din strainatate”
(Që jashtë vendit), „Speranta”
(Shpresa), „Dorinta” (Dëshira)...
Nën ndikimin e Emineskut, Lasgush
Poradeci e pasuroi fondin leksikor
të gjuhës letrare shqipe me
terma e kuptime të reja. Të tilla janë,
bie fjala, mall, magji, dhemkë etj, për
të cilat ka pasur një dobësi të
veçantë, si të ishin fjalë kyçe, sikurse
ve në dukje studiuesja Luçia Xhamo-
Diakonicë edhe për rastin e Asdrenit,
me domethënien dor, durere,
farmec etc. Që ta shtjellojmë më tej
këtë ide, në poezinë e Lasgush Poradecit
fjala mall nuk mbart vetëm
kuptimin e dëshirës së fuqishme për
të parë dikë apo diçka, por, si në gjuhën
rumune, ka edhe kuptimin të
dashurosh, të vuash nga dashuria,
por sidomos kumton edhe dëshirën,
aspiratën, shpresën (kuptime polisemantike,
që i ka të vetat gjuha poetike
e Emineskut). Pó nën ndikimin e
poezisë emineskiane, në krijimtarinë
e Lasgush Poradecit termi magji e ka
zgjeruar frymëmarrjen tematike duke
nënkuptuar edhe çmësyshje, lidhje intime,
ngazëllim, mrekullim,
ngazëllim, shkrehje çlodhëse, shijë
qiellore, tundim, ngasje, cytje, bukuri,
harmoni, kënaqësi...
Duke qënë të dy studentë në
Austri e në Gjermani, Eminesku dhe
Lasgush Poradeci u ndikuan nga
Zhan Pol Rihter, Hëlderlin, Shkolla
e Jenës, Novalis, Shkolla e Hajdelbergut.
Nga ana tjetër, Eminesku
dhe Lasgush Poradeci u dhanë fort
pas kozmogonisë indiane. Në të
vërtetë, tërheqja e kësaj force krijuese
ka një fuqi të pamatë, përmes
së cilës mjegulla e përjetshme shpërbëhet
në shirita (Shih Amitha
Bhose, Kozmogonia indiane dhe
Eminesku, Letra I). Bota, hëna, dielli
dhe fantazmat shfaqen nga lugjet
e mjegullt të kaosit. Pra, kjo është
lidhja midis qënies dhe mosqënies.
Është njëlloj si me dëshirën e Kamas
si lëvizje intelektuale dhe shtysë
e së tashmes. E, pra, Kama është
e pranishme në të dy poetët.
Sikurse ka vënë në dukje akademiku
Mihai Çimpoi (Shih: Eminesku
– tretem..., v. cit., f. 134),
Eminesku, Asdreni dhe Poradeci
dëshmojnë unitetin kulturor të
hapësirës iliro-trake.
Pjekuria artistike, inkandeshen

ca, vertikaliteti, guximi, çiltërsia e
mendimit emineskian kanë frymëzuar
edhe autorë shqiptarë të ditëve
tona, çka u jep një përfytyrim të ri
vendit e përmasave të Emineskut në
botën shpirtërore shqiptare. Mund
të thuhet se Eminesku është simbol
dhe motiv poetik. Një motiv i verifikimit
dhe i konsolidimit të vetëdijes
estetike, etike, sociale dhe simbol
(model) i përfaqësueshmërisë, i eksponencialitetit
të veprës poetike në
kuptimin e romantikëve të shquar.
Krahas botimit të një numuri të
madh poezish të Emineskut, të përfshira
në vëllime të ndryshme të vëna
në qarkullim në dhjetëvjetashat e
gjysmës së dytë të shekullit të kaluar,
janë transmetuar edhe mjaft emisione
radiotelevizive, artikuj e studime
etj. Vitet e fundit hulumtues
shqiptarë janë marrë seriozisht me
nxjerrjen në pah të disa anëve thelbësore
të krijimtarisë emineskiane.
Dua të theksoj se poezitë e kësaj
antologjie, që jam përpjekur të mos
i prek as me „pambuk”, janë një
mendim i gjallë, i drejtpërdrejtë, i
kumtuar me masë e me natyrshmëri,
me freskinë e figuracionit të begatë e
të larmë, me gjerësinë e thellësinë e
përfytyrimeve, por edhe me një ton
bashkëbisedor në rrafshin ndjesor.
Shpirti u flet shpirtrave, ngaqë për
këta mjeshtra të penës shpirti mbetet
më i rëndësishëm se gërma, e cila
jo rrallë ndodh të vetizolohet, të vetmohet,
të ngurtësohet.
Nga një lexim i vëmendshëm i
vargjeve të poetëve rumunë, por edhe
i krijimeve popullore, nuk mund të
mos shquash piktoresken si element
i përbashkët e mbizotërues i tyre, pavarësisht
nga tematika a stili i autorit
përkatës. Këtë element e rigjejmë
edhe në mjaft piktorë rumunë,
të cilët kur i bëjnë portretin një
malësoreje apo një malësori, sikur
„pengohen” të depërtojnë në thellësi
të qënies, në individualitetin e modelit,
sepse i magjeps, madje i
„robëron” bukuria e kostumeve,
motivet dhe ngjyrat e tyre e, kësisoj,
ndalen te kësula që mban malësori,
apo te shalli që i mbështjell qafën
malësores...Fill paskëtaj, „të
çlodhur” gjatë asaj „ndalese”, e kanë
më lehtë ta përshkojnë udhën që i
çon drejt shpirtit të fshatarit dhe i
japin plotësisht të drejtë poetit të
madh rumun, Luçian Blaga, që ka
thënë se përjetësia ka lindur në fshat.
Këtë ka parasysh, me sa duket, edhe
hulumtuesi italian Xhulio Karlo Argan
kur thotë se nuk duhet të flasim
thjesht për folklor, po për një
qytetërim të vërtetë fshatar. Ndërsa
një italian tjetër, shkrimtari Xhorxho
Basani, ka nxjerrë në pah faktin
që pikturat kishtare për rumunin
kanë luajtur qysh herët rolin që
kanë gazetat në kohët moderne.
Piktura ka ngjyrat, muzika-notat,
ndërsa poezia-figurat artistike.
Bota po kalon sot nëpër një moment
shpirtëror që ka nevojë për ato pasuri
që vetë qëndrimi plot mirëdashje
i ka shpëtuar dhe i ka ruajtur
të pacënuara. E tillë është edhe
poezia rumune e të gjitha kohrave,
që ka vlagën e dheut amtar e shkëlqimin
e modernes së mirëfilltë.