45 vjet më parë, më 13 mars
të vitit 1965, lajmi i ikjes së Nolit nga kjo botë,
mbërriti me vonesë, pothuaj i shuar.
Tek ecja mendueshëm në muzg me
hapa të ngadaltë nëpër trotuarin e
rrugës së Kavajës, dëgjoja kumbimin e
përvajshëm të kambanave të Kishës
Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Në
mbrëmje vonë shënoja në ditar: „ Jo! S’ka
më Fan Nol…Mbi buzët e tij prehet heshtja.
Dora e tij e lëshoi penën e artë. Iku e na la
vetëm në këtë botë mundimesh e fluturoi në
pambarim për të zbukuaruar kostelacionin e
yjeve tanë të pashuar, pranë De Radës, Samiut,
Naimit, Mjedjes, Fishtës, Konicës...
E ç’humbje më e madhe mund
t’i ndodhte këtij vendi se sa ikja e
Nolit? Ndërsa dëgjoj në muzgun e
mbrëmjes këmbanat e përzishme e të
vetmuara Nolin tonë atje larg Atdheut,
një brerore e artë dhe e shenjtë paqeje
e ka qarkuar, kurse ne një hidhërim i
rreptë na ka pushtuar. Veç një besim
na ngroh zemrat, se vepra e tij e madhe,
do të jetë diell për Shqipërinë.“
Ajo kishë e dhunuar nga diktatura
më 1967, tashmë u është kthyer
besimtarëve shqiptarë, por mjerisht,
aty mungon shtatorja e Peshkopit
Theofan, ndryshe nga Katedralja Shën
Gjegj në Boston, me bustin e bukur
në hyrje dhe portretin e lartë në holl,
ku si Shënjtor ai buzëqesh.
Në vitin 1906 në Boston, do të
niste veprimtarinë kushtuar çështjes
së madhe të lirisë dhe pavarësisë së
atdheut, patrioti i madh demokrat
shqiptar, peshkopi, poeti, shkrimtari,
shqipëruesi-krijues, historiani, muzikanti,
shtetari dhe oratori i paharruar,
Fan S Noli. Nëse dikush do të hulumtonte
veprën e tij, do të ndodhej
përballë një mali të lartë. Pasi Noli
ndërroi jetë, njerëzit nisën të
numërojnë librat e botuara. Numërimi
arriti shifrën 44. Por a janë gjetur
të gjitha, ndër to edhe dorëshkrimet,
në shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht,
greqisht, spanjisht, danisht etj?
Merita për për mbledhjen dhe
botimin e veprave të Nolit, i përket
studjuesit Ali Rexha në Prishtinë,
qysh më 1968 me 7 vëllime:1-Albumi
Dyzetëvjeçar në Amerikë. (Më 1988
dhe Albumi II) 2-Ligjerime, introdukte.
3-Bethoveni dhe Revolucioni
francez. 4-Gjergj Kastrioti,
Skënderbe. 5-Izrailitë dhe Filistinë. 6-
Autobiografia. (përkthyer nga Abdulla
Kajradgiu) 7-Ndër bashkëkohësit.
Vetëm pas 20 vjetësh në vitet
1987-89 „profesorët përzgjedhës“, të
ngarkuar nga Akademia e Shkencave
e RPSSH, sipas detyrës së caktuar nga
lart, u orvaten të pakësonin numërin
e librave të Fan S Nolit, duke i ndrydhur
brenda në Veprat kinse të „plota
në 5 vëllime“, ndër to Albumin-I 1948
me poezitë origjinale. Pas tyre shqipërimet,
Korbi, Anabel Li, poema Skenderbeu,
Rubairat dhe disa përkthime
të pakta. Në vijim Historia e Skënderbeut
në tre versione: e para e vitit 1921
me shqipen e Nolit, e dyta e vitit
1947, e përkthyer nga anglishtja në
shqip, e treta e vitit 1950, me shqipen
e Nolit, më tej Princi i Makiavelit,
Bethoveni dhe Revolucioni, gjithashtu
në shqip, përkthyer nga Xh. Lloshi,
dhe publicistika, kurse Albumi-II 1966
nuk u botua kurrë. U lanë jashtë seritë
e shqipërimeve, Hamleti, Makbethi,
Jul Qesari dhe Otello, të cilat u përfshinë
në antologjitë e veprave të Shekspirit,
tok me përkthyes të zakonshëm.
Megjithatë nga ajo burgosje
mizore, ato shqipërime të shkëlqyera
do të arratiseshin si tufa pullumbash
drejt lirisë. Edhe Don Kishoti i
Mançes, Armiku i Popullit, Kasollja,
mbetën gjithashtu jashtë Veprave të
„plota“ të Nolit. Qysh pas vitit 1990
me botimim e veprave të Nolit janë
marrë disa shtëpi botuese private dhe
redaktorë të shumtë, jashtë institucioneve
shkencore Në vitin 1996 nga
N. Jorgaqi, u botua vëllimi-6 (Autobiografia),
përkthyer nga A.Kristo,
shkëputur nga libri „Pesëdhjetëvjetori
i Kishës Orthodokse Shqiptare në
Amerikë-1908-1958“, edhe ky mbetur
jashtë veprave. Në vëllimin e 6-të u
përfshi vetëm një pjesë e ligjërimeve
dhe e letërkëmbimit, poashtu në shqip,
përkthyer pjesërisht nga një grup
përkthyesish. Në vitin 2002 nga Shtëpia
botuese Dudaj dolën në
qarkullim ligjërime më të plota në
shqip, disa të përkthyera. Ende nuk
dihet fati i librave të tjera letrare, fetare,
muzikore, i letërkëmbimit si edhe
i dorëshkrimeve.
Duke shfletuar në kohë të ndryshme
enciklopedi të shumta amerikane,
angleze, gjermane, greke, italiane
etj. vihet re, se në Webster’s Biographical
Dictionary-1965, Fan S Noli
reshtohet krahas shqiptarëve të tjerë
të shquar në histori, si Gjergj Kastrioti-
Skenderbe, Klementi XI, Aleksandër
Albani, Jovan Gjergjilame,
Mehmet Ali Pasha, Jovan Bardi, Ali
Pasha, -Luani i Janinës, Aleksandër
Moisi, Gjergj Fishta, Mbreti Zog- (Skenderbe
i III). etj. Edhe në një nga
enciklopeditë e mëdha botuar në
Londër, Noli cilësohet si pararendës i
Rugovës dhe i Berishës.
Deri më sot nga historianët e shkrimtarët
tanë, nuk po shohim asnjë
shkrim apo roman ku të tregohet e
vërteta për jetën e veprën e këtij kolosi
të kulturës shqiptare, megjithëse
kanë si burime të pastra veprën e tij,
shkrimet e bashkëkohësve si Faik
Konica, Mitrush Kuteli, Andon
Frashëri, Qerim Panariti etj.
Sipas Sotir Pecit, Noli ishte apostull
i madh i dërguar nga Krishti, për
Shqipërinë; sipas Baba Rexhepit „thesar
i diturisë“; sipas Andon Frashërit,
fjalimet e tij „të drithërojnë e të japin
zemër; këtu të ngrejnë në qiell, aty të
përplasin për tokë, të ndezin, por dhe
të zbusin e të qetësojnë dhe dendur
të bëjnë të qeshësh e të derdhësh lotë
gëzimi.“ Shto kundërshtarët, qofshin
dhe ata më të rreptët që pas qendrimesh
të padrejta u përulën me
nderim para tij.
Ashtu si veprat e Shekspirit edhe
ato të Nolit kanë mbijetuar fuqishëm,
plot freski me tërë vlerat patriotike,
shoqërore dhe artistike për të gjitha
kohët. Të shkruara në kohë të ndryshme,
shkrimet tij i shërbyen kombit
për çështjen e madhe të pavarsisë më
1912, shërbyen edhe më 1941 ndër
librat e shkollave shqipe në Shqipëri,
edhe më 1943, kur Mitrush Kuteli
nxori në dritë librin Mall e Brengë me
krijimet e Nolit. Me botimn e Albumit-
I- në Boston më 1948, në kulmin
e diktaturës në Shqipëri, ato do
të merrnin një kuptim krejtësisht të
ri. Shumëkush ndër to do të shijonte
jo vetëm artin, por do të gjente edhe
ndjenjat e mendimet e veta liridashëse.
Të tilla ishin poezitë, Hymni i Flamurit,
Moisiu në Mal, Syrgjyn Vdekur,
Shpellë e Dragobisë, Marshi i
Barabajt, Rent o Marathonomak, Anës
Lumejve, Sulltani dhe Kabineti etj.
Kundër përcaktimeve fyese e shtrëmbërimeve
të „përzgjedhësve“ socrealist,
ai është Krishti e Muhameti,
Omar Khajami e Shekspiri të ringjallur,
që flasin me gjuhën e bukur shqipe.
Eshtë Bethoveni vetë; është flamuri
„fushëkuq e shkabëzi“ i cili
„bashkon islamin me krishterimin“;
është „shkaba“ me krahët hapur që
vigjëlon nga lartësitë e maleve mbi të
gjithë Shqipërinë Etnike dhe sodit me
shpresë e besim perëndimin e artë nga
i cili priste të shfaqej dielli i demokracisë.
Poezia dhe proza e Nolit i ngjajnë
një pylli të dendur në kohë pranvere,
plot larushi ngjyrash e tingujsh,
i gjallëruar në zgjim me cicërima,
këngë jete; diku me fëshfërima lulesh
e gjethesh, diku me krisma e bubullima
të largëta, mërmërima krojesh e
gurgullima ujërash të pastër. Mjafton
të japim disa copëza nga këto krijme
të dala nga pena e tij e artë, të cilat
pas leximit, madje edhe kur dëgjohen
mbeten të pashlyera në kujtesë:
Hymni i Flamurit
„O Flamur gjak, o flamur shkabë
O vënd e vatr’ o nën’ e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.“
Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamn’ e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.
———
Moisiu në Mal
„Ngjitet përpjetë Malit të shkretë
Kryeprofeti, trimi me fletë,
Të bisedonjë me Perëndinë
Për Palestinë.“
————
Kështu mund të thuhet edhe për
prozën e Nolit që shpesh merr ngjyrimet
e një poeme madhështore, siç
është „Kthimi i Skënderbeut në Krujë“:
„Qindra vjet më parë, kur Shqipëria
nxirrte vetëm trima dhe luanë në qytetin
e dëgjuar të Krujës , te kështjella e
Kastriotëve, rrinte pranë zjarrit, mbi poltronëveneciane,
njëzonjëbujaremeflokë
të bardhë e me rroba të zeza, me një fytyrë
të hequr, të tharë të vijosur prej
hidhërimeve, si ndonjë e shenjtë
madhështore që vuan e mundohet, por
s’e thotë. Qe pincesha Vojsavë, e veja e
Gjon Kastriotit, e ëma e Skënderbeut.
Jashtë veriu i egër i maleve të Shqipërisë
po frynte si i tërbuar, vërshëllente
si i marrë nëpër vrimat dhe
mazgallat, përziente valët e Adriatikut
të fryra, perçe-shkumë , që
përpiqeshin si kuçedra, fishkullonte
si me kamxhik, shkëmbinjtë e lartë
që oshëtinin dhe gjëmonin. Qyteti i
Krujës, qe si i shkretuar. Në fortesë
valonte flamuri i Turqisë.
Brenda në kështjellë mbretëronte
një qetësi , si një heshtje varri. Asgjë
s’pipëtin. Njerëzit atje s’flasin dhe
baresin ngadalë në majë të gishtërinjëve,
sikur ka ndonjë të vdekur në
shtëpi. Zonja me flokë të bardhë e me
rroba të zeza i afrohet më tepër e më
tepër zjarrit që të ngrohet, por më kot.
E ka zemrën të ngrirë. Shtëpia e saj ka
mbetur pa burrë, pa zot. Katër djemtë
që kish ia mori Sulltani si peng, tridhjetë
vjet më parë. Tre prej syresh të
helmuar; i katërti s’dihet a është gjallë.
Po dhe në rron, a do të kthehet vallë
ndonjëherë? Vallë a e mban mend
t’ëmën, t’anë, Krujën , Shqipërinë, se
qe çilimi kur ia rrëmbyen nga krahët?
Dhe princesha Vojsavë qan e i lutet
Perëndisë duarlidhur zemërthyer:“ Tre
m’i more për mëkatet e mia, të katërtin
ma fal, mos ma merr o Zot; mos
na e mbyll shtëpinë.“
Në mur, përsipër vatrës, varet një
shpatë e kohëve të vjetra, që s’e ngre
dot njeri i sotmë as me dy duar. Qe
palla e Kastriotëve, e mbajtur brez pas
brezi prej trimave që nxori ajo derë e
shkëlqyer. Turqit e shkelin dhe e plaçkitën
kështjellën, por pallën s’e nga
në, se asnjë s’qe i zoti ta përdorte.
Vojsave e varfër ngre kryet shpesh,
sheh atë shpatë dhe sytë i mbushen
me lot. Qan nëna për një bir, qan shpata
për një burrë! Ç’u bë ai djalë, ku është
ai trim? Gjer kur do të valojë mbi
fortesën e Krujës ai flamur i urryer i
tiranit të huaj? Gjer kur do ta presë nëna
të birin, Kruja të zotin, Shqipëria t’anë,
bota trimin që s’ka shok?
Po menjëherë hapet dera dhe
hyn brenda një luftëtar i hijshëm, fisnik
dhe madhështor, hundëshkabë,
sypetrit, me mjekër të gjatë e të
dredhur, i veshur me çelik i armatosur
gjer në dhëmbë, statuja e gjallë e Marsit.
Vojsave kthehet , e shikon, përpiqet
të ngrihet, po qëndron si e ngrirë nga
ajo pamje e papritur. Fërkon sytë, se
mos sheh ëndërr. Luftëtari që hyri është
gjallë i shoqi, Gjon Kastrioti, po më i
ri , më i bukur, më i lartë…
-Në mos je hije a fantazmë që vjen
të gënjesh një plakë të vjetër, një qyqe
të neveritur, ti je im bir, ti je Gjergji
im, Fol! Mos më mundo!
Po luftëtari nuk flet dot. Ai, që s’i
ishin vrejtur sytë kur i binin shigjetat
dhe gjylet, si breshër mbi supet; me qindra
të vrarë e të plagosur rrotull, qan
tani si çilimi, bie më gjunjazi, i puth
dorën princeshës së nderuar, po lotët e
mbytin dhe s’thotë dot: Unë jam!
Po nëna e mori vesh. E njohu nga
syri, e njohu nga fytyra, e njohu nga
sjellja. Pastaj e njohu më mirë Shqipëria
dhe bota nga ajo që bëri. Ai qe
i tërë dhe i gjallë Gjergj Kastrioti, Princi
i Krujës, Konti i Matit, dhe Zoti i
Dibrës, që u quajt Skënderbej nga
Sulltani, Mbreti i Shqipërisë, dhe i
Maqedonisë prej Papës.“
Në rrjedhën e kohës shqipërimet
e Fan S Nolit kanë mahnitur
mijëra bashkëatdhetarë dhe tërhoqën
vemendjen e dhjetra albanologëve.
Fan S Noli njerëzor, i dashuruar
pas lirisë dhe armik i çdo diktature
në mbarim të jetës la një poezi kryevepër
me titull „Sulltani dhe Kabineti“,
e cila nga një varg kritikësh të socrealizmit
u shpjegua ndryshe nga
vërteta, kinse drejtohej kundër mbretit
Zog, me të cilin ai qe pajtuar qysh më
1933. Kjo del e qartë si drita e diellit
nga „Jetëshkrimi i Nolit“, i paraqitur
nga Qerim Panariti tek „Albumit –II
„, Boston-1966 i cili gjatë viteve të
diktaturës nuk u botua asnjëherë, për
shkak të përmbajtjes së papranueshme.
Po në atë kohë nuk u botua
as „Vështrimi panaromik“, një shkrim
i përkryer i Mitrush Kutelit marrë nga
libri „Mall e brengë“ -1943 si hyrje
tek Albumi-I -1948 i Nolit,. ku ndër
të tjera shkruante: „Vjersha e Nolit nuk
ka ondulacionin e valëve në mezin e detit,
po përplasjen e tyre anës, me zhurmë,
gjithëmonë të përsëritur. Në botën e arkitekturës
ajo nuk u përngjan pjesave
të rumbulla, por çipeve të mprehta.
Sepse Noli nuk gdhend në mermer, po
në krastë. Nuk limon me daltë, po pret me
sëpatë dhe me çekan të rëndë.“
Vetëm pas shembjes së sistemit
komunist, Albumi II do të shihte
më në fund dritën e botimit. Veçse
për çudi „Jetëshkrimi i Nolit“ nga
Qerim Panariti, u përfshi tepër i cunguar
në vëllimin e parë të veprave të
Fan S Nolit më 2003 nga shtëpia
botuese Dudaj. Në jetëshkrimin e
plotë në origjinalin Albumi II – Boston-
1966 del sheshit e vërteta se për
kë u shkrua poezia e parafundit, „Sulltani
dhe Kabineti“. Nga çdo lexues i
vëmendshëm i kësaj kryevepre të stilit
Orvelian, qysh në dy strofat e para
kuptohet lehtë se ajo drejtohej kundër
diktatorit E. Hoxha dhe qeverisë së
tij. Në atë kohë gazeta Dielli, botonte
edhe një karikaturë kuptimplote
nga piktori Xhafo.





