OSCAR WILDE

Nga James JOYCE


Oscar Fingal O’Flahertie Wills
Wilde. Këta ishin titujt e bombastikë
që ai me krenari rinore, deshi t’i vendoste
në frontespicin e përmbledhjes
së tij të parë me vargje dhe me të
njëjtin gjest të lartë me të cilin besonte
të fisnikërohej, skaliste ndoshta
në mënyrë simbolike, shenjën e
pretendimeve të tij të kota dhe fatin
që e priste. Emri i tij është simbol:
Oscar, nipi i mbretit Fingal dhe i biri i
vetëm i Osianit në odisenë e paformë
kelte, vrarë në mënyrë të dhimbshme
nga dora e bujtësit të vet, ndërsa ishte
në gosti: O’Flahertie, tribu mizore
irlandeze, fati i së cilës ishte të sulmonte
portat e qyteteve mesjetare,
emri i së cilës, duke kallur tmerr tek
paqësorët, shkruhet ende në fund të
faqes, në lutjet e vjetra të shenjtorëve
mes murtajës, zemërimit të
Perëndisë dhe shpirtit tradhtar në
dashuri „prej O’Flahertie të egër, libera
nos Domine“. I ngjashëm me atë
Oskar vetë ai, në moshën e rinisë,
duhej të takonte vdekjen civile, ndërsa
ishte në gosti i kurorëzuar nga gjethet
e rreme dhe duke diskutuar për
Platonin: i ngjashëm me atë tribu të
egër duhej të fliste për gojëtarinë e
vet paradoksale kundër radhëve të
konventave të kota: dhe të dëgjonte,
mërgimtar dhe i çnderuar, korin e të
drejtëve të përmendin emrin e tij
bashkë me atë të shpirtit të papastër.
Oscar Wilde lindi 50 vjet më parë.
Babai i tij ishte një shkencëtar i zoti
dhe u quajt babai i otologjisë moderne:
nëna e vet mori pjesë në lëvizjen
revolucionare letrare të vitit ‘48, duke
bashkëpunuar me organin kombëtar
me pseudonimin Shpresa me poezitë
e veta dhe artikujt që nxitnin popullin
në marrjen e kështjellës së Dublinit.
Ka rrethana që lidhen me shtatzëninë
e Lady Wilde dhe fëmijërinë
e të birit, që për mendimin e disave,
shpjegojnë pjesërisht maninë e trishtë
(nëse lejohet të quhet kështu)
që e çoi më vonë në rrënim dhe është
e sigurt të paktën që fëmija u rrit në
një mjedis çrregullsish dhe dorëlirësish.

Jeta publike e Oscar Wilde nisi
në Universitetin e Oksfordit, ku në
kohën e regjistrimit të tij, një profesor
solemn me emrin Ruskin, udhëhiqte
trupa efebësh angloskasonë drejt
tokës së premtuar të shoqërisë së
ardhme, pas një karroce.
Temperamenti i ndjeshëm i
nënës jetonte tek i riu; ai vendosi të
vinte në praktikë, duke filluar nga vetja,
një teori të bukurisë me pjesë të
nxjerra nga librat e Pater-it dhe
Ruskin-it dhe pjesërisht origjinale.
Duke sfiduar shakatë e publikut
shpalli dhe praktikoi reformën estetike
të veshjes dhe të shtëpisë.
Mbajti cikle konferencash në
Amerikë dhe në provincat angleze
dhe u bë zëdhënës i shkollës estetike,
ndërsa përreth tij, po formohej
legjenda fantastike e apostullit të së
bukurës. Emri i tij evokonte në mendjen
e publikut një ide të vagullt me
sfumatura delikate, një jete të zbukuruar
me lule: kulti i lulediellit, lulja e tij
e preferuar, u përhap mes dembelëve
dhe populli i vogël dëgjoi të tregohen
histori për shkopin e tij të famshëm
prej fildishi të bardhë shndritës me
gurë bruzi dhe prerjen neroniane të
flokëve të tij.
Sfondi i këtij kuadri verbues ishte
më i varfër sesa e imagjinonin
borgjezët. Medalje, trofe të rinisë akademike,
ngjiteshin herë pas here në
malin e shenjtë që e ka emrin
mëshirë; dhe gruas së re të epigramatikut
iu desh të kërkonte nga një
fqinje paratë për një palë këpucë.
Oskar Wilde u gjend i detyruar të pranonte
vendin e drejtorit të një gazete
shumë të shpëlarë dhe vetëm me
shfaqjen e komedive të tij të shkëlqyera
ai hyri në fazën e shkurtër të
parafundit të jetës së vet: luksi dhe
pasuria. „Erashka e Zonjës Windermere“
e pushtoi krejtësisht Londrën.
Wilde duke hyrë në atë traditë letrare
të komediografit irlandez, që u shtri
që nga ditët e Sheridan-it e Goldsmith
- it, deri tek Bernard Shaw, u bë, njëlloj
me ta, gaztor oborri për anglezët.
U bë një arbitër elegancash në
metropolin dhe të ardhurat vjetore, të
ardhurat e shkrimeve të tij, arritën në
gjysmë milioni frangash. E
shpërndau floririn e tij mes një numri
miqsh të padenjë. Çdo mëngjes bleu
dy lule të shtrenjta, një për veten,
tjetrën për karrocierin e vet, bile dhe
në ditën e procesit të tij të famshëm
shkoi në gjykatë me karrocën e tij,
me dy kuaj, me karrocierin e veshur
për festë dhe me shërbëtorin e
pudrosur.
Rënia e tij u përshëndet nga një
thirrje gëzimi puritane. Nga lajmi i
dënimit të tij turma popullore, e
mbledhur para gjykatës, filloi të kërcente
një valle në rrugën e përbaltur.
Redaktorët e gazetave u futën në inspektorat
dhe përmes dritares së
vogël të qelisë së tij, mundën të kullotnin
me shfaqjen e turpit të tij. Shirita
të bardhë mbuluan emrin e tij në reklama
teatrore; miqtë e tij e braktisën;
dorëshkrimet e tij u vodhën, ndërsa
ai në burg, vuante dënimin e dhënë
për dy vjet me punë fizike. Nëna e tij
vdiq me një emër turpi: gruaja e tij
vdiq. U shpall në gjendje falimentimi,
mjetet personale u shitën me
ankand, fëmijët e vet ia morën. Kur
doli nga burgu huliganët të nxitur nga
markezi fisnik Queensberry e prisnin
në pritë. U nxor përjashta si një lepur
nga qentë, nga njëri hotel tek tjetri.
Njëri bujtës pas tjetrit nuk e pranuan
në derë, duke mos i dhënë ushqim
dhe strehë dhe në të ngrysur mbërriti
më në fund poshtë dritareve të vëllait
të vet, duke qarë dhe belbëzuar si një
fëmijë.
Epilogu arrit shpejt në fund dhe
nuk ia vlen barra qiranë të ndjekësh
të palumturin nga lagjet napolitane
në hotelin e varfër në lagjen latine, ku
vdiq prej meningjitit në muajin e fundit
të vitit të shekullit të nëntëmbëdhjetë.
Nuk ia vlen më ta ndjekësh siç
bënë spiunët parizianë: vdiq si roman
katolik, duke i shtuar shembjes së
jetës së tij civile përgënjeshtrimin e
doktrinës së vet krenare. Pasi i
shpotiti idhujt e forumit, ra në gjunjë,
duke qenë i dhembshur dhe i trishtë,
ai që një ditë ishte këngëtar i hyjnisë
së gëzimit: e mbylli kapitullin e rebelimit
të shpirtit të vet me një akt dedikimi
shpirtëror.
Ky nuk është vendi për të hetuar
problemin e çuditshëm të jetës së
Oskar Wilde, as të përcaktimit deri
në çfarë pike atavizmi dhe forma epileptike
e nervave të tij mund ta shfajësojnë
prej asaj që ai u dënua. I pafajshëm
apo fajtor për akuzat që iu
bënë, ishte padyshim një kokë turku.
Faji i tij më i madh ishte ai se provokoi
një skandal në Angli; dhe dihet
fare mirë se autoritetet angleze bënë
të pamundurën për ta nxitur të largohej,
para se të nxirrnin kundër tij një
fletë arresti. Vetëm në Londër, deklaroi
një nëpunës i Ministrisë së
Brendshme, gjatë procesit, më
shumë se 20 mijë veta janë nën survejimin
e policisë, por janë në ndjekje
të lirë, derisa të mos shkaktojnë një
skandal. Letrat e tij për miqtë u lexuan
para Gjykatës dhe autori i tyre u
denoncua si një i degjeneruar, i fiksuar
nga shthurje erotike. „Koha po
lufton kundër teje; është xheloze për
zambakët dhe trëndafilat e tu.“ Më
pëlqen të të shoh të endesh nëpër
lugina vjollcë, shkëlqimtar me flokët
e tu ngjyrë mjalti.“ Por e vërteta është
se Wilde, larg të qenit një përbindësh
pervesitetesh i lindur në mënyrë të
pashpjegueshme në mes të
qytetërimit modern të Anglisë, është
produkti logjik dhe i nevojshëm i
sistemit kolegjial dhe universitar anglosakson,
sistem burgimi dhe fshehtësie.
Fajësimi i prokurorit merrte
shkas nga shumë akuza të komplikuara;
por nuk ishte reaksioni i
thjeshtë i një ndërgjegjeje të pastër.
Ai që i studion me durim mbishkrimet
në mure, vizatimet e guximshme,
gjestet shprehëse të popullit,
do të hezitojë ta besojë si botë të
dhembshur.
Ai që e ndjek nga afër jetën dhe
fjalimet e njerëzve, si në dhomën e
madhe të ushtarëve, ashtu dhe në
zyrat e mëdha tregtare, do të hezitojë
të besojë se, të gjithë ata që hodhën
gurin kundër Wilde, ishin të panjollosur.
Në fakt secili ndihet mosbesues
në të folur me të tjerë për këtë argument,
duke u ndrojtur se ndoshta
bashkëbiseduesi i tij di diçka më
shumë. Vetëmbrojtja e Oskarit tek
„Scots Observer“ duhet të konsiderohet
e vlefshme para kangjëllave të kritikës
së qetë. – Secili, - shkroi ai, - e
sheh mëkatin e vet tek Dorian Gray
(romani më i famshëm i Wilde). Cili
ishte mëkati i Dorian Gray-t askush
nuk e thotë dhe askush nuk e di. Ai
që e zbulon e ka kryer.
Këtu po prekim qendrën lëvizëse
të artit të Wilde: mëkatin. U zhgënjye
të quhej mbartës i lajmit të mirë të
një neopaganizmi për njerëzit e munduar.
I futi të gjitha cilësitë e tij karakteristike,
cilësitë (ndoshta) të racës
së vet, mprehtësinë, impulsin bujar,
zgjuarsinë aseksuale në shërbim të
një teorie të së bukurës që duhej, sipas
tij, të sillte moshën e artë dhe
gëzimin e rinisë në botë. Por në fund
të fundit, nëse ndonjë e vërtetë del
nga interpretimet e tij subjektive të Aristotelit,
nga mendimi i tij i paqetë, që
ecën me sofizma dhe jo silogjizma,
nga ngjashmëritë e tij me tjetër
natyrë, të huaja nga e tija, si ato të
kriminelit dhe të përulurit, është kjo e
vërteta e pandarë në shpirtin e katolicizmit:
që njeriu nuk mund të mbërrijë
në zemrën hyjnore vetëm përmes
ndjenjës së ndarjes dhe përhumbjes
që quhet mëkat.
Në librin e tij të fundit „De Profundis“
përulet para një Krishti gnostik, i
rilindur nga faqet apokrife të „Shtëpisë
së shegëve“ dhe
atëherë shpirti i tij i
vërtetë, i dridhur, i
ndrojtur dhe i trishtuar,
shk
ë l q e n
p ë r m e s
mantelit të
Eliogabal
o s .
Legjenda e
tij fantastike,
vepra e tij, një variacion
polifonik mbi
marrëdhëniet mes artit
dhe natyrës, përndryshe
një zbulim i psikikës së tij,
librat e praruar, shkëlqyes
të atyre frazave epigramatike
që e bënë, në sytë e
çdonjërit, folësin më të
mprehtë të shekullit të shkuar,
janë tashmë një plaçkë
e ndarë.
Një varg i shkurtër i librit
të Jobit është skalitur në një
gur varri në varrezat e varfra
në Bagneux. Lavdëro gojëtarinë
e tij „eloquium suum“,
mantelin e madh legjendar që
tashmë është një plaçkë e
ndarë. E ardhmja mund të gdhendë
aty një varg tjetër, më
pak fodull, më mëshirues: „Partiti
sunt sibi vestimenta mea et
super vestem meam miserunt
sortes.“
Ky artikull është shkruar në
italisht nga James Joyce është
botuar në „Piccolo della Sera“ të
Trieste-s më 24 mars 1909.

Përktheu nga origjinali italisht:
Arjan Th. Kallço



DISHEPULLI

Oscar Wilde

Kur Narcisi vdiq, pellgu i kënaqësisë së tij ndryshoi, nga një
kupë ujrash të ëmbla, në një kupë lotësh të kripur, dhe Oreadat
erdhën me vajtim përmes pyjeve që të mund t’i këndonin pellgut
dhe t’i jepnin pak prehje.
Kur ato panë që pellgu kishte ndryshuar nga një kupë ujrash
të ëmbla, në një kupë ujrash të kripura, ato lëshuan kaçurrelat
e gjelbra të flokëve të tyre, i thirrën pellgut dhe i thanë: „Ne
nuk çuditemi aspak që ti do të vajtoje kësisoj për Narcisin, kaq
i bukur ishte.“
„Pse, Narcisi ishte i bukur?“ tha pellgu.
„E kush do ta dinte më mirë se ti?“ ja pritën Oreadat. „Ai na
kalonte pranë gjithnjë, por ti ishe ai ç’ka kërkonte të gjente
dhe, pasi të shtrihej në brigjet e tua e të shihej tek ti, në pasqyrën
e ujrave të tua ai do të reflektonte bukurinë e vet.“
Dhe pellgu u përgjigj: „Ndërsa unë e doja Narcisin
sepse, kur ai shtrihej mbi brigjet e mia dhe shihej tek unë,
në pasqyrën e syve të tij gjithmonë shihja të reflektohej bukuria
ime.“

Përktheu nga origjinali: Neli Naço