Një sulm i paprinciptë ndaj botuesve që e duan librin dhe mendimin shqiptar

Nga Ndriçim Kulla


Shkrimi është një letër publike drejtuar redaksisë së “Gazetës Shqiptare”, e cila prej dy ditësh, po zhvillon një kryqëzatë kundër botuesve që promovojnë letërsinë dhe mendimin shqip dhe që janë bërë pjesë e një projekti për pasurimin e bibliotekave të shkollave


Ashtu siç është në stilin tim të gjithë këtyre 20 viteve, ku jam munduar të kontribuoj qoftë në anën intelektuale si gazetar, qoftë në anën private si botues, unë jam shprehur publikisht, dhe po njësoj kërkoj të shprehem edhe për këtë zallamahi që m’është krijuar mbi pasurimin e bibliotekave me libra jashtëshkollorë. Do të doja që po publikisht të shpreheshin edhe frymëzuesit e këtij shkrimi, të cilët me marifetet dhe dredhitë e tyre kanë arritur ta shpien në gabim, e pse jo, ta kthejnë në “viktimë” redaksinë e gazetës suaj. Pasi realiteti që ata shprehin jo vetëm është i pasaktë në shifra (shumë e ekzagjeruar shuma e përmendur, që u është shpërndarë bibliotekave, pasi shumë fonde janë djegur), por edhe i padrejtë për vlerën që unë kam me këto fonde, e për më tepër i dëmshëm në frymën që kërkohet të shtypet dhe ndalohet me këto shkrime. Është jo vetëm meskine, por edhe një goditje e ulët, nga ato që dinë të bëjnë vetëm njerëzit e paaaftë për të konkuruar, që nuk dinë të jenë korrekt në biznes, që u kanë borxhe klienteve (midis të cilëve dhe mua) e që për t’u mbrojtur përdorin lidhjet me shtypin dhe fijet e pushtetit që zotërojnë që nga kohët e vjetra. Por problemi më i madh është pse redaksia juaj ra pre e kësaj ankese dashakeqe dhe xheloze dhe nuk dëgjoi një minutë më shumë. Shprehjen e përkatësisë sime politike, ose “një botuesi të lidhur me pushtetin”, para 10 ditësh e kam dëgjuar për herë të parë në jetën time pas 20 vitesh veprimtari publike dhe private, në ambjentet e një librarie nga pronarët e saj. Nuk u shqetësova aspak, sepse gjithcka jo vetëm që s’është e vërtetë, por për këtë mjafton të lexohen shkrimet e mia publike, qoftë edhe në gazetën tuaj, gjatë gjithë këtyre viteve të fundit, madje për ironinë e fatit, pikërisht për problemin e librave nëpër biblioteka. Mirëpo tani shoh që mllefi dhe xhelozia e një personi qenkërka ngritur në media e shtyp. A nuk është për të ardhur turp? Ja pse po ju them të kishit pritur vetëm 1 minutë më shumë përpara se të më etiketonit si “botues i mbështjellë me pushtet” e do ta kuptonit menjëherë se ky etiketim nuk qëndron. Nuk dua ta përdor ndarjen tuaj botues i majtë/botues i djathtë, sepse jo vetëm që është e ulët profesionalisht, por është edhe e dëmshme në frymën që përcjell. Po sqaroj vetëm problemin e raportit të një botuesi me pushtetin. E përsa i përket këtij raporti unë mund t’u them se unë jam krenar që s’jam botues as i majtë e as i djathtë, por jam botuesi i mendimit shqiptar, i librave cilësorë mbi historinë e Shqipërisë, i kolanave elitare të filozofisë, psikologjisë dhe sociologjisë, i programit për fëmijë “Të njohim Europën” e kështu me rradhë, të gjitha shteg-shënjuese në editorinë shqiptare. Ky është etiketimi im, e këtë etiketim unë e kam provuar me veprimtrarinë botuese e me dalje të shpeshta publike. Mirëpo ju s’jeni treguar korrekt me këtë qëndrim. As keni përdorur të njëjtën masë apo kut në peshimin e gjërave. Më vjen rëndë të përdor kritere të tillë ndarës, por ja që kur të zënkërkan në gojë të duhet edhe t’i përdorësh. Ky na qënkërka skandal, përpara skandalit që nuk është zënë fare në gojë për shumat vërtet në miliona euro të librave të Unicefit, ku përkatësia politike luajti rol vendimtar dhe të tjerët mbeten me 1 ose asnjë libër; po për shuma me qindra mijë euro të bibliotekave të Sllovenisë, që përdorën po këtë kriter partiak, por për asete të tëra (ambjente të shitura për një lek, ambjente me qira qesharake, etj) të shpërndara po me këtë kriter, po vite të tëra që Bibliotekat shkollore janë vërshuar me libra të të gjitha llojeve, po me këtë kriter ndarës. Unë as kam folur e as jam përfshirë në sistem. Edhe gjatë gjithë këtyre viteve të qeverisjes së djadhtë, kam konkuruar në tregun e librave shkollorë, një treg shumë herë më i madh e vërtet i pasur për xhepin e Shtëpive Botuese, por jam tërhequr në hisen që më ka takuar, pasi lufta dhe përpjektet për drejtësi, norma dhe kritere, nuk kanë arritur të triumfojnë. Mos vallë ky është fati i atyre që janë të lidhur me pushtet? Apo fati i atyre që konkurrojnë si të pavarur nga pushteti?


Tani le të vimë tek problemi i hapur nga ju. Kam vite të tëra që luftoj nëpër dyert e Ministrive dhe nëpër faqet e gazetave, që ma kanë lënë të hapur mundësinë për të shkruar, në lidhje me shpërhapjen e frymës së mendimit shqiptar të viteve 30-të, të nevojës urgjente që ka shoqëria dhe veçanërisht shkolla jonë ta njohë e të bjerë në kontakt me këtë mendim. Kam qenë polemik me këtë pushtet e me të gjitha pushtetet, në lidhje me këtë problem. Kam një seri shkrimesh dhe qëndrimesh publike që e vërtetojnë këtë gjë. Atëherë ç’mbështetje pushteti paskërkam pasur? Vetëm vitin që shkoi, e gjithë kjo veprimtari, për të qenë të drejtë, e mbështetur nga shumë kolegë, pushtetarë, studiues dhe akademikë të të gjithë spektrit politik, arriti të piqet e të marrë udhë. U organizua në Maj, për herë të parë një konferencë shkencore mbarë-kombëtare, u arrit në një qëndrim akademik dhe u sugjeruan mënyra për pasurimin e bibliotekave me këtë mendim. Në këtë konferencë morrën pjesë të gjitha Drejtoritë Arsimore. U organizuan në këtë frymë seminare shëtitës, me shpenzimet e mia personale, nëpër disa Drejtori të afërta Arsimore, të cilat i përgëzoj që u frymëzuan dhe vendosën të marrin iniciativën e pasurimit të bibliotekave me libra të mendimit shqiptar. Tashmë, pas dekadash në hije ishin formuar kushtet dhe klima që e gjithë kjo punë më në fund t’i jepte frytet e saj.


Atëherë ku qenkërka “droga” e korrupsionit dhe klientelizmit që paska shpërthyer nëpër tenderat e librit shkollor? Mos vallë mendimin shqiptar, që ka marrë udhë dhe është sponsorizuar, për nderin e saj (e gjej rastin ta përgëzoj) nga një zonjë, asokohe Ministre, dhe sot në rangjet më të larta të PS, qeveria dhe Drejtoritë arsimore “të PD” duhet ta ndalonin apo pengonin? Mos vallë veprat e Zef Valentinit, që për herë të parë u sponsorizuan, atëherë në rolin e Ministrit, nga një zotëri që është sot në rangjet më të larta të PS, sot nuk duhet të gjenin vend nëpër bibliotekat e shkollave të rretheve ku Drejtoritë arsimore janë “të PD”. Kjo është fryma më e keqe që mund të përcjellë ky shkrim. Ky mendim quhet shqiptar dhe është pasuria më e madhe mendore që ne kemi. Mirëpo ju nuk u futët fare tek informacioni dhe nuk gërmuat në thellësi të tij, ju mbetët vetëm në sipërfaqe, tek listat e dy-tri rretheve, që për më tepër janë shteg-shënjuese të një rruge të madhe në të ardhmen, që duhet të përqafohet nga të gjithë. Aq më tepër që këto lista janë krejt publike e gjenden prej muajsh të tërë në Internet. Ju nuk u interesuat për problemin social dhe intelektual, ju ngelët tek niveli empirik. Juve ju interesonte lajmi i goditjes së qeverisë, pra lajmi politik, e në këtë vorbull etheje, nuk pritët një minutë që ta shoshisnit lajmin me sitën e profesionalizmit. Kjo nuk ju nderon si nivel gazetarie. Por gjetkë është e keqja më e madhe. S’ka të bëjë aspak me personin tim, por me literaturën që unë botoj. Një goditje e tillë, rrezikon ta rudhë qëndrimin dhe iniciativën ndaj mendimit shqiptar, që me aq mund u krijua, dhe të frenojë një rrugë që nisi mbarë. Atë mendim në shumë vëlllime dhe në shumë autorë, unë e kam botuar me xhepin tim dhe pa asnjë ndihmë tjetër shtetërore. Ç’të keqe paskërkam bërë që gjeta një mënyrë të ndershme, korrekte, për më tepër në ndihmë të shkollave dhe mësuesve, që edhe nga ana finaciare ta mbaj peshën e rëndë për supet e mia si botues, për ribotimin dhe qëndrimin në treg të tij, për të mirën e brezave. Mos vallë ju na dashkërkeni që ne as të mos flasim e as të mos e botojmë këtë lloj mendimi? As të mos përpiqemi ta popullarizojmë atë? E pse jo, edhe ta shesim atë? Ç’e keqe qenkërka që një pjesë të madhe të këtij mendimi e kam botuar unë e detyrimisht shumica e këtyre librave nëpër biblioteka të jetë e Shtëpisë sime Botuese. Unë kam me dekada të tëra që e përgatis këtë kolanë, pa përfituar kurrë. Cili është faji im, që kam numrin më të madh të librave të përfshira nëpër të dyja listat. Po nuk shkoi nëpër shkolla ky lloj libri nuk e mban dot veten, shuhet, humbet? Po përpara se interes publik, unë kam edhe një interes personal, privat, që në këtë rast përkon me interesin shoqëror. Ky është produkt i cilësisë dhe punës, kjo është vlera e konkurencës. Përkundrazi, në raport me numrin e librave të përfshira nëpër lista, vlera e librave që unë kam çuar nëpër biblioteka është qesharake, (jo më shumë se një e pesëdhjeta e shumës së lëvruar, kur numri i librave të mi që përfshihen në listën e shkollave të mesme është një e pesta e saj), ndaj them se informacioni është i padrejtë dhe i paekuilibruar. Ndaj them se edhe tani, kur ju na e quakeni të “bollshëm” këtë vit, të vetmin pas një pune me dekada, unë ndihem i diskriminuar në vlerën e përfituar në raport me punën e derdhur dhe cilësinë që ofrojnë këto libra. Ndihem i diskriminuar nga ndihma e pushtetit, pasi kam tre vjet që e denoncoj degradimin e procesit të pasurimit të bibliotekave në klientelizëm. Jo më vonë se vjet unë kisha zero libra të zgjedhur në shumë e shumë rrethe, kurse botues të tjerë (të majtë e të djathtë) disa miliona. Kam bërë lumë bisedash ne tv e shkrimesh në shtyp për ta ndryshuar gjendjen. E gjithçka, edhe sivjet, nuk erdhi nga pushteti, por nga bindja dhe intuita prej intelektualësh e disa drejtuesve Drejtorish që e kuptuan problemin dhe rëndësinë. Ky është meskiniteti që informacioni juaj i përgjithshëm përcolli. Pa lexojini njëherë titujt e listave e do të shikoni të vërtetën. Mirëpo ju na dashkeni të majtë ose të djathë si botues, që kur vjen njëra palë në pushtet, pjesa tjetër të falimentojë ose më mirë, të jetë e vdekur? Ju na dashkërkeni, pra, pas politikës, ose përndryshe të falimentuar e të vdekur? Çdokush ka bindjet e veta politike, ashtu si dhe unë, por kur analizohet diçka, një problem, një qëndrim, unë edhe publisht kam qëndruar sipër palëve, sepse kështu më ka diktuar ndërgjegjia ime prej analizuesi të pavarur. Mirëpo vjen një ditë dhe për hir të dy-tre Drejtorive që u frymëzuan dhe pasuruan bibliotekat me mendimin shqiptar, qenkërkam i etiketuar.


Askush nuk ka të drejtë të manipulojë opinionin, e një gazetë si e juaja duhet ta filtronte këtë manipulim. Por as edhe kjo goditje e pabesë dhe ziliqare, nuk ka për të më penguar ta çoj mendimin shqiptar jo më nëpër disa Drejtori Arsimore, por në të gjitha Drejtoritë Arsimore. Madje kjo duhet të kthehet në direktivë, në vullnet sepse është gjëja më e mirë që mund ti bëhet edukimit të fëmijëve tanë dhe është “dekretuar” nga pjesa më e mirë e njerëzve më të shquar të fushës në Aktet e botuara të konferencës shkencore mbarëkombëtare “Shkolla shqipe dhe mendimi shqiptar”, të organizuar në Maj të këtij viti.


Nuk e njoh kryeministrin, as kam pasur ndonjëherë kontakt me të, përveç disa letrave publike në shtyp, por gjej rastin ta përgëzoj për mbështetjen e shkëlqyer që i ka dhënë mendimit shqiptar, atij të traditës dhe fondeve që ka akorduar për pasurimin e bibliotekave me libra të tillë. Uroj ta mbështesë gjithmonë librin me fonde akoma dhe më të mëdha, ndoshta vërtet edhe me këtë shifër që përmend gazeta juaj, se do të ishte nderi më i madh që do t’i bëhej kulturës shqiptare. Sepse rrudhja e fondeve për librin në Ministrinë e Kulturës apo atij të bibliotekave në Ministrinë e Arsimit, është rreziku më i madh që mund t’i bëhet kësaj iniciative të shkëlqyer që pati qeveria e që unë u mundova ta frymëzoj që prej vitesh. Është hera e parë që një pushtet kuptoi se bibliotekat tona dëng me libra me përralla, gjëagjëza dhe fabula, të furnizuara prej vitesh të tëra nga shumica e botuesve në treg, por kurrë nga ana ime, sepse pavarësia e qëndrimit e ka një çmim (e ky çmim më ka takuar prej vitesh), duheshin pasuruar me një lloj tjetër literature, atë të mendimit shqiptar, të historisë, filozofisë, socilogjisë e kështu me rradhë. Raporti i saj 97% / 3% në favor të letërsisë për fëmijë ishte hera e parë që u ndryshua me një komision të ri, që solli edhe një ofertë të re librash për bibliotekat, pra një listë të re librash. Është mëse logjike që dhe raportet e furnizimit me libra ndryshuan dhe duhet detyrimisht të ndryshojnë, se fëmijët më shumë se me letërsi formohen me libra të shkencave humane dhe historike. Mirëpo u dashkërka që edhe ku proces të shtypet, pasi se lë konkurenca e ndryshkur që lidhet me pushtetet dhe për fat të keq gjen sup ku të qahet edhe te gazetat.


Kjo është nisma më reformuese e marrë nga Ministria e Arsimit, e cila lipset të vazhdojë në këtë rrugë, ta pasurojë këtë listë të dytë me librat më të mirë, e t’i japë asaj edhe një vullnet të caktuar, një përqindje të caktuar të fondit të saj në favor, pasi shkolla jonë duhet të jetë një shkollë e edukimit, jo e mësimit. Apo mos ky qënkërka qëllimi i kësaj zallamahie, bllokimi i kësaj iniciative, për hir të një konkurrence të fortë e të ndershme që na qenka shfaqur edhe në tenderat e pasurimit të bibliotekave. Është viti i parë ose i dytë i zbatimit dhe si cdo proces, ky i fundit kërkon më shumë rregulla, qëndërzim, kontroll e shumë gjëra që unë i kam shprehur publikisht. Por kurrësesi s’kërkon të mbytet nga një luftë e re dhe e kamufluar klasash e lobesh. Ne nuk mund të jemi të “vdekur” në zë dhe aktivitet, qoftë publik ashtu dhe privat. Në na dashkërkeni kështu, rruga ku jeni futur është një qorrsokak. Një zë i pavarur, pa pushtetin e parasë, por të dijes, nuk ka zot që e mbyll.


Me respekt Ndriçim KULLA