Një letër për fisnikun Aleksandër Prosi!

Nga Dr.Përparim Kabo




I nderuar mjeshtër, po të shqetësoj, dua të bisedojmë sepse ditët kanë rrjedhur dhe vitet një pas një, që nga 24 marsi i 1985-ës. Ishte një e diel tragjike, “Një pranverë e hidhur”, si edhe titullohej filmi që kishte nisur të xhirohej! Ty nuk të kishte ngrohur ky titull, tek e mbaje skenarin në duar shpesh kishe thënë “se si më duket ky titull”! I tillë rezultoi, kishte mbërritur të paralajmëronte largimin tënd nga bota fizike, nga njerëzit e dashur, nga kolegët, nga skena e teatrit, nga sheshet e xhirimit. E hidhur mjeshtër, e pasur nga një e hënë me një shi të tmerrshëm, kur të gjithë me një pikëllim të thellë të përcollën për në banesën e fundit, qanin të gjithë shqiptarët këtej dhe andej kufirit, kudo që ishin. Zemrat e tyre ishin plagosur rëndë. Po përcillnin Ismail Qemalin e tyre, Dhaskal Todrin, Dajë Vranën, Sefedinin e “Gjeneral Gramafonit”, me pengun që duheshin zbërthyer fjalët e tija me litar në fyt: “O popull, sa gjëra bëhen në emrin tënd, madje edhe naltmadhënia flet në emrin tënd”! Vërtet Sandër (të lutem më ndje që po të flas kështu në një konfidencë njerëzore), ç’është marrëdhënia e njërit me popullin?! Ky ekuacion nuk mund të zgjidhet pa një të dhënë thelbësore, pa atdheun dhe vendin që zë ai në vetëdijen e njeriut! Populli ka atdhe, njeriu ka vendlindje, sepse secili nga ne ka ardhur në këtë jetë një ditë pa lejen e tij dhe largohet një tjetër me miratimin e tij, dhe kjo ndodh vetëm kur misioni i jetës është përmbushur, dhe ti e ke jetuar atë me ideale atdhetare dhe me vlera civile, i palëkundur përballë sfidave dhe me dashuri njerëzore në çdo rrethanë. U bënë 25 vjet, mjeshtër që ndodhesh në botën e shpirtrave, por ne të kemi pothuaj çdo mbrëmje në vatrat tona familjare. Sepse, një herë na vjen si Dr.Kristo Borova (më pëlqen ky emër, edhe Krisht edhe Borova martire që u dogj nga gjermanët nazistë), po je i mirëseardhur edhe si inxhinier Abdyl Sharra, edhe si drejtori i shkollës së Debatikasve edhe si Jaho Labi! E bukur ajo historia mjeshtër, kur i veshur si personazhi bujte tek kafeneja dhe “të zotët” nuk të njohën dhe të pandehën një të zbritur nga mali e nuk të shërbyen kafenë! Ishte gjetur figura dhe ishte ndërtuar tipi social i nevojshëm. Por, edhe si profesor Mirashi tek “Dora e ngrohtë”, ti vjen i ngrohtë, njerëzor, zemërbardhë, por edhe i prerë ndaj vesit vrastar që mund t’i futet njeriut si një krimb dhe ta brejë gjatë gjithë jetës.
Pilo mullixhiu, tek filmi “Njeriu me top” është i dashur për ne dhe batuta e Birçe Haskos: “Ti kauri i derrit, mbylle gojën, je i ardhur në fshatin tonë”! Jo më kot u ndala këtu, Aleksandër Prosi. U bë rreth 20 vjet që kishat e xhamitë në Shqipëri janë hapur sërish dhe njerëzit venë të lirë të dielave dhe të premteve. E dëgjojmë këmbanën e kishës dhe zërin e myezinit të xhamisë, por vend dhe shoqëri laike kemi mbetur. Po ndodh ndonjëherë që kur je në teatër dhe mbërthyer gjendesh duke dëgjuar fjalët e aktorit, dhe bashkë me to të vijnë dhe ato të atij që lëshon pallën në xhami! Vitin që kaloi Sandër, po shikoja “Trojanët e Euripidit”. Ekuba, gruaja e Priamit (lexo i pari jam) ishte-Margarita Xhepa. Po qante me ligje dhe kërkonte trupin e të shoqit, Mbretit të Trojës për ta varrosur. Kur në mes të atij funebriteti, vinte edhe jehona nga Xhamia: -Pse rënkove mjeshtër!? E kuptoj, të dhemb në shpirt! Margarita është siç e ke lënë, margaritar në skenë e fuqishme emocionale, me pathos dhe vlagë njerëzore në shpirt. Eh, do më thuash mjeshtër! “Hajde baba të më tregosh arat”! Ajo Dezdemona tek “Otello”! Ka qenë vërtetë një mrekulli ajo shfaqje! Më prano i nderuar Mjeshtër, të të përmend nja dy-tri fakte, paçka se juve nuk ju kanë pëlqyer kurrë lavdërimet. Mi mirëkupto si një detyrim ndaj kujtesës institucionale prej së cilës ushqehet kujtesa historike dhe merr jetë kujtesa kombëtare. Katër vjet punuat për të realizuar ‘Otellon’. Katër vjet ne ujërat shekspiriane duke thënë e rithënë tekstin e ‘Otellos’, por edhe të Dezdemonës, aq sa i mësoi edhe djali yt i vogël aso kohe, Aristidhi dhe kur vinin miqtë në shtëpi, i fshehur poshtë tavolinës i thoshte si pa të keq.
Po qesh mjeshtër?! E ndiej! Sa më kishte marrë malli për atë qeshje të thellë dhe të pastër tënden, e cila vinte rrallë, por kur derdhej sillte një shpirt njerëzor të sinqertë dhe mjaft human. Sot kryevepra vihen në skenë Sandër i dashur, por për katër muaj dhe shpesh cilësia humbet, mesazhet nuk kuptohen dhe vlerat universale ka raste që zbehen. Eh, mjeshtër, nuk është ashtu si në atë kohë! Pylli i blertë i vlerave teatrore sa vjen e rrallohet. Nga regjisorët e parë jetojnë ende Mihal Luarasi e Piro Mani, por ky i fundit larg teatrit, ka shkuar në Amerikë. Para nja tre viteve u mblodhëm në Teatër (Teatri Kombëtar e quajmë tani, dhe jo popullor mendoj se është më mirë kështu apo jo?!) për të kujtuar largimin tënd nga jeta fizike. Pirua kishte dërguar një letër nga matanë oqeanit, shumë prekëse dhe e mbushur me mallëngjim. Po t’i përmend dy fjalë të saj: “Për të vyerin Sandër Prosi”! Më fal o “fisnik i skenës” se të vura në mendime, apo jo?! Po më pyet se ku e gjeta këtë epitet “FISNIK I SKENËS”?!
Ky është emri që të ka vënë kolegia dhe mikja jote e skenës, partnerja jote e sa e sa premierave, gruaja e mençur dhe artistja e formatit logjik, Drita Pelinku. Të gëzova apo jo, kështu m’u bë sikur dëgjova të thosha mjeshtër! Sa e sa herë në rolet ‘burrë dhe grua’! tek vendosa të bisedoja me ju, Artisti i Popullit Aleksandër Prosi, nuk kisha se si mos i drejtohesha Dritës sonë të mrekullueshme! Ajo nxori shënimet e saj dhe më lexoi me mall dhe me një dhimbje njerëzore shumë nga shënimet e mbajtura. Por, ato që lidhen me fisnikërinë tënde i nxori si ‘perla nga kujtesa e gjallë’. I edukuar me një ‘edukatë gjermanike’ që shprehej në mirësjelljen ndaj kujtdo, kujdesit në komunikim për të këshilluar pa të lënduar, sinqeriteti për të vlerësuar punën e kolegëve si dhe përkujdesja ndaj veprave të mëdha për t’u sjellë me theks aktual! Do të dëshiroja të të shpie përmes kujtimeve tek disa detaje në pamje të vogla, por që si thoshte Oscar Wild, ato tregojnë ‘karakterin e njeriut’. Ju bashkë me Zonjën Pelinku, dolët nga teatri atë ditë, vijonin provat për pjesën e dramaturgut rumun, Karexhata (nëse nuk gaboj në artikulimin e emrit të tij), e titulluar “Letër e Humbur”!
Një prefekti në fushatë zgjedhjeje (Aleksandër Prosi –interpretonte prefektin) i kishte humbur një letër dashurie, sigurisht jo për gruan, ndaj rrezikohej reputacioni i tij! Dhe Drita ishte e mërzitur sepse nuk po arrinte ashtu si dëshironte rolin. Ecnit dhe këmbët ju shpunë tek shtëpia jote e vjetër, diku andej nga (ish-Kinema 17 nëntori)! Pse them ish, mjeshtër më fal, por e kanë shembur! Kohë të këqija kanë ardhur, ndryshe quhen “kohët e tregut”, tregtohet çdo gjë, mallra, ndjenja, personalitete, poste shtetërore, madje shiten edhe ëndrra e përralla. Jetojmë në kohën e transaksionit mjeshtër!
Nejse, e ftove Dritën për një kafe dhe u rehatuat në oborr dhe dikush nga familja juaj solli një kafe që ajo të dilte nga ajo gjendje ankthi! Drita nuk e mbante mend se kush, ndoshta motra juaj apo nënë Aspasia, ajo grua fisnike që kur ndërroi jetë të tronditi shumë. E përcolle me nderime, por po atë natë shkove në shfaqje në teatër! Më kujton kjo ngjarje një ndodhi të ngjashme. Aleksandër Moisiu ndodhej në Amerikë dhe ishte duke bërë ngrohjen e zërit para shfaqjes, kur i dhanë një telegram. E lexoi dhe e futi në xhep. Shfaqja mbaroi me sukses. Pas saj ai vajtoi lajmin që kishte sjellë telegrami për vdekjen e njërit nga prindërit. Por le të kthehemi tek ngjarja që po flisnim. Donit të qetësonit Dritën.
E më tej, çfarë ndodhi?! Ju morët violinën mjeshtër dhe filluat t’i binit për kolegen dhe partneren. Violina dashuria juaj e parë artistike, ajo që të ishte besuar qysh në rininë shkollore nga mjeshtri shqiptar, Ludovik Naraçi, ish-studenti i “mjeshtrit të madh” çek (violinisti dhe metodisti më i shquar për kohën), Shevçik. I re për Dritën, ajo u qetësua sepse terapia muzikore është e pazëvendësueshme.
Drita më kujtoi fjalët e tua: “Shko në shtëpi, mos e hap tekstin, qetësohu dhe do të shohësh se gjithçka do të rregullohet”! Ashtu vërtetë ndodhi! Nuk e di Sandër nëse keni dëgjuar, por po ta rikujtoj, se edhe babai i tragjedisë greke, Sofokliu fillimisht kishte studiuar muzikë dhe më tej hyri në detin e gjerë të teatrit. Ai, ndryshe nga Euripidi nuk i bëri kompromise autoritetit të shtetit dhe institucioneve fetare, si të thuash nuk pranoi të konfirmohej. Ja pikërisht këto ditë është vënë në skenë Elektra e tij! Regjisori është nga Elbasani, por me emër dhe mbiemër nga antikiteti, Adonis Filipi, por me rrënjë voskopojari. M’u vegua sikur ishe në sallë edhe ti, veshur me të bardha atje në llozhë në këmbë, si edhe e kishe zakon që ndiqje po me aq dashuri punët e kolegëve. Kur shfaqja mbaroi, bëra të të afrohesha e të të flisja, por u trete dhe u largove duke thënë: “Bukur”! A nuk të duket se ke një gen artistik prej Sofokliu mjeshtri ynë! Fillimisht muzika e më tej teatri, ti Aleksandër Prosi në të gjitha rolet iu shmange ideologjisë, politikës, sistemeve pushtetore, dhe zgjodhe role ku në qendër ishte njeriu atdhetar apo kundra atdhetar, por kurrsesi partiak! Ja përse arti yt 25 vjet pas largimit tuaj me moskthim, jo që nuk është vjetruar - përkundrazi është 25 vjet më i ri, ndaj jo vetëm që nuk u harrua, por përkundrazi është ngulitur fort në ndërgjegjen artistike civile e qytetare të shqiptarëve, aq sa shumë nuk e dinë se ju nuk jetoni më! Nëse nuk vdes vepra historike e Ismail Qemalit, ashtu nuk mund të vdesë edhe vepra juaj Aleksandër Prosi! Jemi në vitin 2010. Pas dy vjetësh do të festojmë 100- vjetorin e pavarësisë. Por do të festojmë edhe 30-vjetorin e filmit “Nëntori i Dytë”, ku Ismail Bej Vlora jeni Ju! Kam përshtypjen se nëse takoheni andej monopateve të eterit me të, ai do të të thotë: “Ju jeni ai sozia ime artistike?! Je i përkryer, madje më ke zbukuruar e mençuruar shumë o mjeshtër, që linde në Shkodër me gjak nga Elbasani dhe me rrënjë nga vllehët e mençur shqiptarë, që i kanë prenjtë ekzistencialë të jetës nga përzierja e romakëve me ilirët”! E, ma do mendja se do t’ia kthesh, se ajo që keni sjellë ju në pelikulë është shumë, shumë pak nga ajo që bënë patriotët, ata që ndërtuan Shqipërinë “e vetme, të lirë e të pavarur”! Thuaj Ismail Beut se edhe vonesa e Isa Boletinit u rregullua! Tash dy vjet edhe Kosovën e kemi të pavarur shtet më vete nga Serbia, por me një simbolikë diçka ndryshe, në festa festojnë me flamurin e Skënderbeut, por si flamur zyrtar kanë një “krijesë europiane”. Jemi po ai komb me rrënjë dhe deje nga pellazgo-ilirët, arbnorët e shqiptarët, por me dy shtete. Europa, Ismail Bej Vlora, Europa, Aleksandër Prosi-Ismail Qemali, ende nuk çlirohet nga makthet e marrëzive të saj që zunë fill në Konferencën e Ambasadorëve në Londër të 1912-1913-ës! Do t’i bindim Ismail Bej, o kryeministri i parë europian i Shqipërisë, do t’i bindim o Ismail Qemali i filmit shqiptar, që kur e xhirove atë film ishe 62 vjeç dhe në një vapë përvëluese 40 gradë celcius qëndroje ashtu i veshur dhe i trukuar për orë të tëra, sepse ishte shumë pak përballë asaj që kishin bërë heronjtë e vërtetë të kombit!
Kemi një gjak e një gjuhë shqiptar e kosovar, shqipen o Dhaskal Todri, sepse gërmat që ti solle që nga Alemanjë, megjithëse Ndrio të vrau, nuk u kalbën në ujët e Dushkanit. Tunxhi, biri yt (vërtet Bujar Lako, miku yt më i mirë është shndërruar në një bir aktrimi yti, Sandër. Ai ka një karrierë brilante në teatër, por sidomos në kinemanë) nuk e la të humbte ajo pasuri! Kemi edhe një histori që tregon se jemi nga popujt më të vjetër në këto troje e pjesë e saj është edhe historia kulturore, ndaj dije Aleksandër Prosi; këtë emër tëndin mjeshtër mban prej disa vitesh ende pa ardhur pavarësia e Kosovës, Teatri i Dramës në Mitrovicë! Ai quhet “Teatri i Kombeve Aleksandër Prosi”! E duam dinjitetin ne shqiptarët dhe nuk jepemi për të as me lajka, as me aspra, kjo sedër e ka mbajtur shqiptarin!
Si thoshe ti mjeshtër i skenës tek interpretoje muzikantin Miler të Shilerit në kryeveprën “Intrigë e Dashuri”: “Ju jeni kryeministër i vendit, por jo zoti i shtëpisë sime”. Dhe bija jote, Luiza Miler (Yllka Mujo) është bërë e tillë si e dëshiroje ti Sandër i shtrenjtë. Një yll i skenës, një artiste e shquar, e pjekur, vitale dhe tejet cilësore. Është fryt i denjë i brezit tuaj! Vitin që shkoi interpretoi Filomena Marturanon e De Filipos! Një mrekulli skenike si pathos, si përjetim, si komunikim, si ndjenjë, si veprim, si gjestikulacion, si meditim!
Emri Filomena të ngacmon mjeshtër! Gruaja jote e jetës quhej ashtu, ajo heroina që si the ti kur t’u dha titulli “Artist i Popullit”, gjysma e tij i takonte asaj gruaje fisnike që gjithnjë i shpije lule dhe i puthje duart! Ej ‘kalorës i ndjenjës dhe skenës e ekranit’, i mungon trotuarit në anë të Hotel “Dajtit” (të lutem mos pyet për hotelin, se më vjen turp të të përgjigjem) ai çifti buzë mbrëmjes, Sandri dhe Filomena që çuçurisnin si dy zogj! Si ata zogjtë që ti i mbaje në shtëpi me aq dashuri. Ndoshta se edhe të parët tanë pellazgët krahasoheshin me shpendë si lejleku apo se zogjtë janë shumë besnikë të dashurisë në çift dhe jo poligamë si shumë qenie të tjera të botës shtazore. Filomena ishte frymëzimi jot i vetëm, gruaja e dashurisë dhe bashkudhëtare shembullore. Ndoshta do të ketë treguar për nipin që emrin e ka (s) Andri, ndërsa emrin e pagëzimit e ka Aleksandër, si gjyshi! Do të ketë treguar Filomena pa dyshim se si i sheh filmat e tu dhe si shkrehej në vaj kur mendonte se nuk të kishte takuar në këtë botë!
Më duket se të lodha o fisnik i skenës! Por se do duhet t’i themi edhe ca gjëra të tjera jo më pak të rëndësishme. Shpesh të imagjinoj se je me Naim Frashërin; ai Hamleti dhe Ti Horaci! Me ato pauzat e tua që drithëronin me heshtjen, me shikimin dhe me monologjet e brendshme. Të shoh me Loro Kovaçin; Ti Moisi Golemi e ai Skënderbeu, të shoh me mikun tim të shtrenjtë Prokop Mimën dhe me Violeta Manushin, me Kadri Roshin dhe Sulejman Pitarkën, me Ndrek Lucën e Bexhet Nelkun, o zot jeni shumë, aq sa më duket se Panteoni është andej, këtu kanë mbetur disa gjurmë të një historie që quhet Teatri Shqiptar! Mihal Luarasi ka shkruar disa libra sepse është shumë i shqetësuar dhe njërin prej tyre e ka titulluar “Teatri në udhëkryq”. Të lutem Sandër, mblidhuni në një ‘tubim engjëjsh’ dhe dërgoni një peticion me firmën e “Zeusit pellazg” si edhe thoshte Omeri; që të tregoni se bota lindi nga teatri, se politika erdhi më vonë, se ajo e shpjegon botën e administron atë ose edhe manipulon atë, ndërsa arti me teatrin në krye e ndryshon botën, sepse ai e krijoi dhe e rikrijon njeriun nga virtyti dhe nga vlerat! Të shoh me sytë e mendjes se si rrini me orë të tëra me Viktor Gjikën dhe Vath Koreshin. Ndoshta doni të realizoni atë filmin për Bajram Currin, ose atë për gjakmarrjen! Vitin që shkoi ishte 85-vjetori i vrasjes së At Shtjefën Gjeçovit nga xhandarët serbë. Po ashtu 85-vjetori i ngjarjeve të vitit 1924, vrasja e Avni Rustemit, 95-vjetori i largimit të Princ Widit, “mbretit të shqiptarëve”! Por, filma për ta nuk pati. Thuhet se në Amerikë po punohet për një film për Skënderbeun, paçka se këtu në mëmëdhe ka ca gjakprishur që thonë se ai luftoi për hakmarrje, se ai është me gjak serb, dhe plot broçkulla të blera tek “pazari i pleshtave”! Ej heronj të artit, mbase kujtoheni Ju që të xhironi një film për poetin Naim Frashëri, që këtë vit në maj mbush 110 vjet që është larguar nga jeta, apo një film për Nënë Terezën, që këtë vit mbush 100 vjet nga dita e lindjes!
***
Tani, i dashur Sandër do të vemi bashkë diku në një vend, ku do të doja të bisedonim krejt në vetmi. Ishte e mërkurë, 20 mars 1985. Bashkë me Aristidhin po shkonit drejt stacionit të trenit sepse të prisnin në Durrës për xhirimet e filmit “Pranvera e hidhur”, ku ju interpretonit fotografin që fiksonte momentet e pushtimit të vendit në 7 prill 1939, nëse nuk gaboj, me regjisor Muharrem Fejzon!
Ti i the Aristidhit, birit tënd: “Eja edhe ti nja tri ditë me mua në Durrës. Ai refuzoi sepse ishte në punë. Më tej i kërkove të paktën të vinte atë ditë që të hanit një drekë së bashku. Ai nuk erdhi! A mos vallë në atë drekë do t’i flisje për “bukën-trup dhe verën-gjak” si Jezusi?! Ti kishe lidhje me të sepse ke lindur më 6 Janar (të 1920-ës) ditën e hedhjes së “kryqit në ujë”! Udhëtove për herë të fundit me atë tren. Atje, si fotografi i vdekjes mbyllur në dhomën e errët ku zhvillohen negativat dhe zbardhen fotografimet, çfarë arshivove?! Ecje ato ditë buzë detit dhe dukeshe sikur mendimet e fshehura, ato meditimet e tua të thella i hodhe virtualisht në det... E ktheheshe sërish në fotografimet, që në film vinin përballë njeriun mes jetës dhe vdekjes sepse lufta po hynte në mes. Dhe ti hyre nga radha e të vdekurve që binin dëshmorë dhe me heshtjen e tyre nuk pranojnë të dëshmojnë. Ndërsa fituesit edhe mund të manipulojnë! Fillimisht u mendua që ajo pjesë që ishte xhiruar me ty, të mbetej dhe të hallkëzohej me atë që do të vijonte Rikard Larja. Më tej u hoq dorë nga kjo ide. Një ditë do të dua t’u kthehem atyre xhirimeve që ndoshta janë ende në arkivin e filmit. Atje, në ato çaste trishtimi dhe reflektimesh të thella përmes atij personazhi kam bindjen se do të lexoj mesazhet e pathëna, sekretin që përgjonte por nuk erdhi!
Sepse më vjen në mëndje që pjesa e parë që lidhet me Ty Sandër si njeri i skenës, ka qenë “Vilhelm Teli” në shkollën e mesme, këtu në gjimnazin e Tiranës, që parandjente pushtimin italian dhe u ndalua nga autoritetet. Ky gur qoshe në themel vjen e plotësohet si mbyllje karriere me një ‘gjysmëfilmi’ që rrëfente pritjen e fashizmit përballë njeriut të memories-fotografit. Arsyeja (Zeus-zëri i ndërgjegjes) në martesë me kujtesën Mnemosinë (fotografimi-kujtesa vizuale) lindën muzat, fillimisht muzikën (euterpën) ndoshta i dashur Sandër, në atë fluturim qiellor (si ‘njeriu i ajrit i Leonardo da Vinçit’) ke kënduar simfoninë nr.6 “Pastoralen e Bethovenit”, që e kishe aq përzemër atë himn të natyrës. Sot simfonia e tij e 9-të me fjalët e Shilerit në kohën e katërt, është shndërruar në himnin e Bashkimit Europian, por përballë dëmtimit të natyrës, himni global i rruzullit do duhet të jetë ajo pastorale. Ti e di Sandër se u edukove në Vjenë, si shprehej Bethoven, “po të mos ishte natyra, do të vrisja veten”! Pra njerëzit e mëdhenj të artit gjejnë arsye për të mos jetuar më dhe takohen me vdekjen duke krijuar art, si edhe ndodhi me Moxartin që krijoi Requiemin. Ndoshta largimi nga jeta pa thënë sekretet e fundit është ndarje artistike nga jeta si histori që nuk mund të lexohet! Edhe kjo është një muzë, e dyta për nga radha, që u quajt Klio, që sjell pas saj vdekjen, muzën e katërt për nga radha që është tragjedia-Melpomeni! Vdekja jote Aleksandër Prosi ishte një çift binjakësh Klio-Melpomeni, histori tragjike, si të thuash një binjakëzim muzash që mbeten për ne të gjallët admiruesit e tu, një brengë që pret të shkyçet!
Të faleminderit “Fisniku i skenës dhe i ekranit”! Në 25-vjetorin e largimit fizik dhe 90-vjetorit të ardhjes në jetë, kemi vendosur të mblidhemi në shtëpinë e kreut të shtetit, sepse “Kombi i nderon bijtë e vet”! Kjo është e lashtë sa teatri dhe epizmi i tij! Bota nuk mund të harrojë nga vjen, ku ndodhet dhe ku është nisur të shkojë! Vepra jote na ndihmon në këtë rrugëtim, që nuk zbehet me largimin e viteve!