Arjola Hekurani
Në 45-vjetorin e vdekjes së Fan Nolit, Mehmet Gëzhilli, bibliograf e studiues i figurës së tij, njëkohësisht edhe botues, bën me dije se ka të përkthyer në dorëshkrim veprën e plotë kushtuar 50-vjetorit të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Ky libër është shkruar e botuar në vitin 1960 prej vetë Nolit. E pasuruar me rreth 147 fotografi, si dhe me autobiografinë e mitropolit Nolit, kjo vepër vjen nën përkthimin e Avni Spahiut dhe pritet të botohet për herë të parë e plotë brenda këtij viti
Dritëro Agolli e ka quajtur një ndër figurat më të shquara, por edhe më të çuditshme të jetës së letërsisë, kulturës dhe shoqërisë shqiptare. Sot mbushen plot 45 vite nga shuarja e tij. Fan Stilian Noli ndërroi jetë në Amerikë më 13 mars të vitit 1965. Sot, të pakta janë veprimtaritë kushtuar këtij personaliteti të nderuar që dha shumë jo vetëm për letërsinë, për çështjen shqiptare, por edhe për atë fetare. Një konkurs skulpture financuar nga Ministria e Kulturës, organizuar nga Galeria Kombëtare e Arteve, që dje shpalli fituesin, është i vetmi aktivitet zyrtar. Dëshira për të dhënë më shumë për Nolin megjithatë nuk mungon. Nismat private mbeten gjithaq të vlerësuara e të mirëpritura edhe pse edhe ato kërkojnë mbështetje. Prej disa vitesh, Mehmet Gëzhilli, studiues e bibliograf i figurës së Theofan Stilian Nolit, si dhe botues i shtëpisë botuese “Argeta LMG”, po përgatitet për të sjellë për lexuesin veprën e plotë të Nolit “50-vjetori i Kishës Ortodokse shqiptare në Amerikë, 1908-1958”, botuar në gjuhën angleze në vitin 1960 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pjesë të veçanta të këtij libri janë përkthyer e botuar në shqip, ashtu sikundër edhe një vëllim jo i plotë botuar në Kosovë në vitin 1988 nga “Rilindja” e Prishtinës. Vepra u përkthye nga Avni Spahiu. Firmën e tij mban edhe përkthimi i plotë të cilin botuesi Gëzhilli e ka ende në dorëshkrim. “Dëshiroj shumë që ky libër i shkruar prej kësaj figure me kaq merita për kulturën e historinë shqiptare të vijë i botuar në dy gjuhë, shqip e anglisht. Këtë libër ne e kemi përgatitur dhe e kemi gati për botim. Ai është redaktuar me seriozitetin e profesor Xhevdet Lloshit. Një meritë e veçantë i takon edhe redaktorit shkencor Nelson Qirjaku, i cili ka bërë plotësimet e nevojshme që mungonin nga përkthimet e para”, thotë Mehmet Gëzhilli, i cili i ka kushtuar personalisht një pjesë të mirë studimit të Nolit. Ky libër i shkruar e botuar nga vetë Noli përmban historinë e kishës ortodokse shqiptare. Ndonëse i shkurtër, ky është vështrimi më i thukët që është shkruar për këtë temë. Gjithashtu, vëllimi është i pasuruar edhe me një autobiografi të mitropolit Noli. “Madhësia e këtij libri nuk e lejoi një biografi të plotë. Andaj, ajo është pak a shumë më e hollësishme nga viti 1882 deri në vitin 1908, viti i shugurimit të Fan Nolit, meqë shumë pak dihet për të kaluarën e tij. Biografia është pothuajse e skicuar pas vitit 1908. Ka shumë gjasa që kjo zbrazëtirë të plotësohet në të ardhmen. Nga ana tjetër, lista e plotë e veprave të Nolit është dhënë këtu për herë të parë”, shkruhet në parathënie prej kompiluesit. Më tej gjendet aty edhe historia e kishave lokale të Dioqezës Ortodokse shqiptare në Amerikë, një përmbledhje e gjerë e fotografive të klerikëve dhe laikëve, të cilët kanë luajtur një rol në historinë e kishës shqiptare, si dhe një listë e biografive të klerikëve dhe laikëve të cilët drejtpërdrejt ose jo i kontribuuan idealit të rilindjes së kishës shqiptare. Fan Noli kishte dashur që këtë libër ta botonte në vitin 1958, pikërisht atëherë kur ishte edhe përvjetori i 50-të i themelimit të kishës ortodokse shqiptare në Amerikë. Por, siç sqaron vetë ai, botimi u vonua ngaqë kompilimi dhe grumbullimi i materialit të pasur i mori më se dy vjet. “Kjo pjesë e jetës, që nga koha kur veshi zhgunin e priftit, angazhimet fetare, krijimi i kishës ortodokse autoqefale shqiptare në Amerikë me ndihmën e priftërinjve rusë, mendoj se është pjesë mjaft e rëndësishme në veprimtarinë e Nolit ndaj çështjes shqiptare. Sikur asnjë varg të mos kishte shkruar, sikur të mos ishte angazhuar në çështje të politikës, mjafton që krijoi kishën, që kreu të parën meshë në gjuhën shqipe, kjo për mua mbetet akti më i madh qytetar i tij. Me këtë Noli plotësoi të gjithë elementët e nevojshëm për një komb. Sepse kombi ka elementë të caktuar: gjuhën, territorin, varret dhe besimet që e përbëjnë. Besimet e tjera, ai mysliman e katolik, ishin të ligjëruar e të konsoliduar, ndërsa feja ortodokse ishte e ndërvarur nga patriarkana e Stambollit. Fakti që në Amerikë Fan Noli veshi zhgunin e priftit dhe tha fjalët e Zotit në gjuhën shqipe e bën këtë një prej pikave vendimtare të jetës së tij”, komenton Mehmet Gëzhilli. “Sot, në këtë 45-vjetor të vdekjes së Nolit të madh, do të dëshiroja shumë që kjo ditë të kthehej në një ditë veprimtarish tërësore kushtuar tij, duke nisur që nga mbajtja e një meshe në gjuhën e Nolit, pra në shqip (mendoj se do të ishte në nderin e vetë kryepeshkopit ta bënte një gjest të tillë në kishën e Korçës, pikërisht atje ku ai ka meshuar për herë të parë në shqip në vitet ‘20). Do të desha gjithashtu që institucionet të mbanin një mori veprimtarish kulturore. Nuk ka asnjë justifikim kjo heshtje që kalon vetëm me ndonjë artikull gazete, apo ndonjë aktivitet sporadik. Mendoj se jemi ne nevojtarë për mendjen e ndritur të Nolit. Çdo shqiptar do ta ndjente veten të lumtur e krenar sikur të merrte pak nga mençuria, dituria e atdhetaria e Nolit”, thotë më tej Gëzhilli. Ai prej dekadash, qysh kur ishte fëmijë, është njohur dhe e ka vlerësuar këtë personalitet. Me Nolin e lidhin disa kujtime të hershme. I ati emigrant në Turqi, mbante me vete vëllanë më të vogël, të cilin kur nuk ishte as 15 vjeç, e dërgon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kishte dëgjuar se kurbeti atje po shkonte më mirë. Për disa dhjetëvjeçarë ai punoi në kontinentin tjetër. Por erdhi të vdiste në Shqipëri. Dhe këtu vdiq. “Gjithë kujtimet që ruante që fëmijë mi tregoi si për të mi lënë amanet. Me vete kishte sjellë Kalendarin e Vatrës të vitit 1918, përgatitur nga vetë Noli. Atë e ruante si gjënë më të rrallë. Herë pas here xhaxhai e nxirrte Kalendarin e Nolit. Atëherë unë nuk kisha shkuar ende në shkollë, por nuk ngurroj të them se abetarja ime e parë ka qenë ai, kalendari i Nolit, të cilin kisha privilegjin ta shfletoja, por gjithmonë nën praninë e xhaxhait, sepse ai kalendar ruhej në familje si një gjë e shenjtë”. Kështu nisi për Mehmet Gëzhillin njohja me Fan Nolin, pasioni ndaj të cilit vijoi në vitet e rinisë, gjatë kohës kur ishte student në degën Gjuhë-Letërsi e që vazhdon ende, edhe tani që flokët e bardhë i kanë mbuluar kokën.
Kisha Ortodokse Shqiptare në Amerikë
Kisha Ortodokse Shqiptare në Amerikë ka filluar në vitin 1908 si kishë misionare nën juridiksionin e Kishës Ortodokse Ruse. Ajo u organizua si një dioqezë e pavarur në vitin 1919 dhe që atëherë është degë e pavarur e Kishës Ortodokse të Lindjes. Ajo është në ndërbashkësi me të gjitha kishat ortodokse të Lindjes, si me ato në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe jashtë tyre, por ajo nuk është nën juridiksionin e asnjërës prej tyre. Ajo është plotësisht e vetëqeverisur... Kisha Ortodokse Shqiptare e Amerikës është organizuar si dioqezë, me drejtorinë në Boston të Masaçusetsit. Nën juridiksionin e saj janë këto kisha: Katedralja e Shën Gjergjit, në Boston të Masaçusetsit; Shën Gjergji Hyjnor, në Boston të Masaçusetsit; Deklarimi i Shën Mërisë, në Natik të Masaçusetsit; Pranimi i Shën mërisë në Vuster të Masaçusetsit; Shën Nikolla në Sauthbrixh të Masaçusetsit; Shën Gjergji në Brixhport të Konektikatit; Shën Nikolla në qytetin e Nju Jorkut; Krishti Mbret në Albani të Nju Jorkut; Të Shenjtët Petri e Pali në Filadelfia të Pensilvanisë; Shën Gjon Gojatari, në Filadelfia të Pensilvanisë; Shën Premte në Klivlend të Ohajos; Shën Tomaj në Detroid të Miçiganit. Shërbimet bëhen në gjuhën shqipe e angleze... Kreu i dioqezës është mitropolit Fan S. Noli... Ne i dhamë popullit diçka që nuk ua dha kurrë Patriarkati i Kostandinopojës. Ne u dhamë Ungjillin në një gjuhë që e kuptonin, në shqip...






