Prof. dr. Andromaqi Gjergji
Librat e rinj
Studiuesi dhe atdhetari
Ka do muaj që ka dalë në qarkullim vëllimi me titull “Nga jeta dhe vepra e Jovan Adamit”, libër me më shumë se tetëqind faqe, i botuar me kujdesin e trashëgimtarëve dhe nën redaktimin e zonjës Donika Omari. Shkrimet e përfshira në këtë libër janë fryt i më shumë se 40 viteve pune të palodhur e plot përkushtim, që prekin një tematikë të gjerë, të lidhur ngushtësisht me probleme të shumta ekonomike dhe shoqërore të vendit. Libri përmban një lëndë të larmishme për nga tematika, të shkruar me një stil të rrjedhshëm, gjuhë të pasur, sidomos në pjesën e parë të tij, por që bëhet më profesionale në shkrimet me karakter shkencor edhe pse mbetet gjithnjë e qartë, madje tërheqëse për lexuesin. Shpeshherë nga vendosja e saktë në kohë dhe në hapësirë e të dhënave që po lexon ke përshtypjen se po njihesh me faqe nga historia e mënyra e jetesës dhe e problemeve të përditshme të popullit, në skaje të ndryshme të atdheut. Le të kujtojmë vetëm titujt e disa shkrimeve: “Që nga drita e pishës gjer te drita elektrike”, “Pyjet dhe qytetërimi”, “Ligji i rrugëve”, “Si mund të mbahen rrugët e shtetit tonë”, “Pse nuk zhvillohen skelat e Shqipërisë”, “Mbi rregullimin e Devollit dhe tharjen e liqenit të Maliqit”, “Rregullimi i Bunës dhe i Drinit”, “Vaditja e Fushës së Korçës”, “Reforma agrare” etj. Këto janë shkrime relativisht të shkurtra dhe të botuara në shtypin e kohës. Sidoqoftë në to ndjehet dëshira e sinqertë e një intelektuali të ri, të sapokthyer nga studimet e larta në Austri për të kontribuar në zgjidhjen e shumë problemeve të kohës. Dashuria për atdheun, ashtu i varfër dhe i prapambetur si është, për këtë inxhinier të ri patriot dhe idealist, është një shtysë e vazhdueshme për punë. Për shkak të profesionit të tij si inxhinier ndërtimi, ai udhëton shumë, me kalë e më këmbë, në shumë zona të vendit dhe ka rastin jo vetëm të zbulojë e të shijojë bukuritë e rralla natyrore të vendit, por edhe të vlerësojë pasuritë e mëdha të tokës e të nëntokës shqiptare, të klimës, të ujërave e të pyjeve etj. E kështu ai mund të flasë me kompetencë e të japë sugjerime të dobishme për rregullimin e lumenjve e kullimin e fushave të lëna djerrë, apo për shfrytëzimin e pyjeve, të ujërave termale etj. Duke kaluar vitet, fare natyrshëm lind revolta e brendshme tek inxhinier Adami, se përse ky vendi ynë, me gjithë këto pasuri vazhdon të mbetet i varfër e të përparojë ngadalë, fare ngadalë.
Për pothuaj 30 vjet me radhë, Jovan Adami ka punuar në administratën shtetërore në Drejtorinë e Punëve Botore në Prefekturën e Korçës, të Vlorës, të Elbasanit e në vitin 1938 është vendosur në Tiranë. Gjatë këtyre viteve ka ndërtuar dhjetëra ura, ka projektuar e ndërtuar me dhjetëra kilometra rrugë (si rrugën Durrës-Elbasan-Korçë më 1926). Më pas mban definitive rrugën Elbasan-Qafa e Thanës, cakton trasenë e rrugës nga Maliqi në Lozhan e Gramsh etj., apo paraqitën më 1930 ofertën e tij për planin rregullues të qytetit të Shkodrës. Duke udhëtuar shpesh në zona të ndryshme të vendit, zbulon shumë gjurmë ndërtimesh më të vjetra, pjesë rrugësh dhe urash të rrënuara, por edhe rrënoja kalash, kishash e varresh apo ndërtimesh të tjera kulti. Për të, këto gjurmë paraqesin një interes të posaçëm sepse e ndihmojnë të krijojë gradualisht të kaluarën historike të vendit. Herë arrin t’i datojë, por shpesh konsultohet edhe me vepra autorësh të huaj, që kanë udhëtuar nëpër Shqipëri në dy-tre shekujt e fundit, siç dëshmojnë qartazi shënimet e duhura bibliografike që shoqërojnë gjithnjë shkrimet e tij. Këto referenca, të cilat – le ta themi - nuk janë aq të rregullta në shkrimet e autorëve të tjerë, u japin shkrimeve të tij më shumë vërtetësi shkencore, por tregojnë edhe horizontin e tij të gjerë kulturor e profesional. Mbas çlirimit të vendit, në vitin 1948 fillon të punojë në Institutin e Shkencave, në sektorin e Arkeologjisë. Këtu puna bëhet më interesante, sepse shpejt krijohet një kolektiv i vogël, por me njerëz të kualifikuar, të cilët kanë përvojë pune, si arkeologët Hasan Ceka e Skënder Anamali, studiuesja e artit mesjetar, Viktoria Puzanova, njohësi i pasionuar i kulturës popullore, Rrok Zojzi etj., me të cilët vendosën shpejt marrëdhënie bashkëpunimi e lidhje shoqërore. Unë pata fatin të bëhem pjesë e këtij kolektivi vetëm dy-tre vjet para se inxh. Jovan Adami të ndahej nga jeta. Ato ishin vite të një pune shumë intensive për të plotësuar koleksionet muzeale dhe kjo bëhej zakonisht me anë ekspeditash informative në të katër anët e vendit. Kishte fare pak kohë që ishte çelur Muzeu Arkeologjik-Etnografik në Tiranë, por megjithatë vazhdonin përpjekjet e pandërprera për pasurimin e fondeve të domosdoshme muzeale për të identifikuar objektet me vlera të veçanta që duheshin sjellë në muze, por edhe ata që rrezikoheshin nga dëmtimet duheshin marrë masa urgjente dhe për këtë njerëzit më të kërkuar ishin padyshim inxhinier Jovan Adami dhe arkeologu Hasan Ceka. Kjo ishte një periudhë e ngarkuar, jo vetëm me vështirësitë e kohës e të terrenit, por edhe nga përgjegjësitë e mëdha që ata merrnin ndaj trashëgimisë kulturore. Unë e konsideroj atë si një kryqëzatë të vërtetë për shpëtimin e shumë vlerave të papërsëritshme, të cilat mund t’i kishim humbur po të mos kishte qenë puna e tyre plot vetëmohim. Janë ruajtur vetëm një pjesë e raporteve me shkrim që jepnin punonjësit kur ktheheshin nga shërbimi, në ç’gjendje fizike u gjet ky apo ai objekt, një vlerësim shkencor paraprak dhe masat që duheshin marrë për mbrojtjen ose shpëtimin e tij etj., dhe në libër janë dhënë më tepër se 100 faqe nga të tilla raporte. Jovan Adami për probleme të bujqësisë në Shqipëri ka botuar dy studime, në fillim të viteve ‘40. I pari, me titull “Bujqësia shqiptare” në kohët e para, është botuar në nr. 2 dhe 3 të “Buletinit teknik”, (viti 1943), që nxirrte Ministria e Ekonomisë dhe i dyti me titull “Myzeqeja”, studim kulturo-historik mbi fushën më të madhe të Shqipërisë, është botuar në nr. 44 të vitit 1940, të revistës “Ekonomia kombëtare”. Por përpara këtyre në shtypin e kohës Adami pati botuar edhe një varg shkrimesh të tjera ku trajtonte aspekte të rëndësishme të zhvillimit të bujqësisë, si për vaditjen e fushës “Reforma agrare”, “Çifligjet, “Bujku dhe reforma agrare”, “Atje ku ha pula gurë”, shënime kritike për revistën “Bujku i ri” etj. Adami, jo vetëm udhëtonte shumë, por edhe vrojtonte mirë llojin e tokave, relievin, bimësinë, ujërat etj., para se të projektonte sistemimin e tokave bujqësore të një zone a të një fshati. Adami la edhe studimin “Historia e rrugëve” të Shqipërisë, vepër që ishte pasioni i tij për vite me radhë, ndoshta edhe që nga vitet e studimeve në Austri. Gjatë viteve 1949-1951 unë i kam parë jo rrallë Adamin dhe Cekën, që kur ktheheshin nga ndonjë pushim i shkurtër rreth orës 11 e vinin rishtas në zyrat e tyre, të ndalonin përpara një harte të madhe në një korridor të katit të dytë të Muzeut. Diskutonin për gjurmë rrugësh të vjetra e shpesh edhe për të famshmen Via Egnatia. Për lidhjet e tij të ngushta me këtë rrugë vetë Adami (në fq. 323) shpjegon: se në vitet 1920-1922, ai ka trasuar dhe goditur rrugën publike Elbasan-Peqin, nga ka kaluar Rruga Egnatia dhe ka pasur rast të zbulojë disa pjesë të saj dhe me që e njihte mirë udhën… deri në Qafën e Thanës nga ka kaluar rruga antike …ai është përpjekur të japë një trase sa më të qartë të asaj rruge, e cila “është një prej monumenteve më të shquara të së kaluarës së vendit tonë”. Kjo vepër mbi rrugët e Shqipërisë është shkruar me një impenjim të plotë nga ana e autorit dhe kjo i ka dhënë një frymëmarrje të gjerë studimit, duke e bërë sa interesant aq edhe instruktiv leximin. Në veprën e titulluar “Nga jeta dhe vepra e Jovan Adamit” ka edhe shumë pjesë të tjera që meritojnë të trajtohen e të komentohen më gjatë nga të tjerë autorë, që do ta marrin ta lexojnë këtë vepër.
*Anëtare e Akademisë së Shkencave





