Jonila Godole: Drama në Shqipëri, një zanat “burrëror”

“Njeriu prej rëre”, një dramë e lojës psikologjike u vlerësua nga juria ndërkombëtare e konkursit austriak të dramës shqipe me çmimin e parë. Vepra fokusohet në konfliktin mes gjeneratave, atë at e bir, përmes karaktereve që s’kanë identitet

Vështirësive të vetë zhanrit të dramës, mospjesëmarrjes së deri më tanishme në konkurse, Jonila Godole i shton edhe paragjykimet e këtij zanati si mashkullor. E shpallur fituese e konkursit austriak të Dramës Shqipe më 1 mars me “Njeriu i rërës” nga një juri ndërkombëtare, Godole shprehet se vështirë të konkurronte nëse ky organizim do të ishte tërësisht shqiptar. Mënyrën e saj të të shkruarit e sheh paksa të vështirë për realitetin dramatik në Shqipëri. Konkurrimi i saj me një pseudonim atë të Junia Ruvinës, një emër i panjohur në botën letrare shkaktoi pak pështjellim, por Godole(e sprovuar në prozë, përkthim dhe pedagoge në Fakultetin e Gazetarisë) shprehet se ka ardhur koha që autorët të vlerësohen përmes veprave të tyre e jo veprat nga emri.
“Njeriu i rërës” u shpall drama fituese e konkursit austriak për vitin 2009. Çfarë përcjell kjo dramë?    
Titulli “Njeriu i rërës” është përkthimi fjalë për fjalë i “Der Sandman”, një prej novelave më të njohura të shkrimtarit romantik gjerman, E.T.A Hoffmann. Kësisoj, shpjegimi i tekstit tim bëhet i vështirë që në fillim për ata lexues që nuk e njohin novelën. Njeriu i rërës në botën gjermanishtfolëse është një figurë paralele me  gogolin që ne përdorim për të trembur fëmijët. Në një rrafsh psikologjik, përfaqëson një presion të vazhdueshëm që ne si individë apo shoqëri e ndiejmë gjithnjë të pranishëm. Ka gjithnjë një gogol, të cilin nuk e di sa afër e ke, por je në një konflikt të vazhdueshëm. Çfarë lidhje ka kjo me pjesën time teatrale? Përveçse Hoffmann futet tek autorët që unë kam përkthyer dhe që i njoh shumë mirë, është shumë afër atij tharmi letraro-psikologjik, të cilin unë e trajtoj. Vërtet në dramën time pjesa e dukshme e ajsbergut përshkruan një konflikt mes gjeneratave, at e bir p.sh. Por në fakt filli i kuq që përshkon dramën kërkon të thotë se ky konflikt është pa skaje të përcaktuara, A dhe B, dhe C dhe D: sekush prej nesh mund të jetë edhe njëri, edhe tjetri. Babai yt mund të jetë krimineli i djeshëm, por në të njëjtën kohë edhe viktima. Nga ana tjetër, je ti mbase viktima e djeshme, por edhe keqbërësi i sotëm, e kështu me radhë. Unë kështu e shoh jetën, kështu i shoh edhe karakteret që krijoj, nuk ka aty pole të prera me thikë, bardh e zi: ne, të gjithë mund të jemi të gjithë. Karakteret e mia janë karaktere pa identitet të caktuar. Në dramën time 5 personazhe luajnë disa të tjerë. A nuk kemi edhe ne të gjithë të paktën edhe një personalitet tjetër brenda vetes?
Ju e keni firmosur këtë dramë me emrin Junia Ruvina, e po me këtë emër keni konkurruar. Pse zgjodhët një pseudonim?   
Qëkur kam filluar të shkruaj në moshë të re kam ndërruar disa emra letrarë (nuk janë për mua pseudonime). Kjo mua më duket diçka krejt normale, dhe as e kam vrarë shumë mendjen ndonjëherë për këtë. Për mua rëndësi ka stofi letrar që unë trajtoj apo edhe lexoj nga të tjerët, emri i autorit vjen mandej, autorin e nuhas nga stili i tij, pasi e njoh. Deri në fund të të njëzetave tregimet e mia i firmosja jo rrallë me një emër mashkullor, mandej siç duket e kalova këtë kompleksin e emrit (qesh), femër-mashkull. Junia Ruvina(në origjinal Junia Rufina, është emri i një gruaje shumë fisnike që ka financuar rindërtimin e pusit të nimfave në Butrint, me të cilën kam ndjerë prej shumë kohësh një afri të çuditshme dhe të pakuptueshme) ishte në një farë mënyre vazhdimi i “lojës” së karaktereve të ndryshme të dramës sime. Përditë çfarë bëjmë ne? Komunikojmë mes të tjerash në një botë virtuale me një emër shajni, dhe ky gjithsesi është një komunikim. Kjo nuk se ishte mungesë besimi, edhe pse drama mbetet për mua zhanri më i vështirë letrar, ku ti, edhe me idenë më gjeniale, mund të rrëshqasësh lehtë në klishe. Por ajo që doja të arrija me këtë “lojë” ishte të provoja cilësinë e tekstit tim, dhe jo Jonila Godolen si emër. Sfida pse mora pjesë në këtë konkurs, të cilin duhet të pranoj se nuk mendoja ta fitoja për shumë arsye, ishte vetëm që të shihja nëse tekstet dramatike që unë shkruaj janë apo jo konkurruese në krahasim me evoluimin modern të dramës sot.
Në fakt, ky pseudonim, i panjohur në fushën e krijimtarisë, bashkëpunimi juaj i mëparshëm për përkthimin e dramës “Forca e zakonit” të Thomas Bernhard vënë në Teatrin Kombëtar, kanë sjellë pështjellim e deri diku edhe paragjykime...
Paragjykimet janë pjesë  e çdo konkursi. Fatmirësisht juria përbëhej nga 5 anëtarë  (2 shqiptarë dhe 3 profesionistë gjermanë), katër prej të cilëve e kanë vlerësuar numrin 12 si tekstin më  modern të paraqitur në konkurs. Kjo më ka gëzuar vërtet. Rrethi i artistëve i tillë është, i vogël, dhe kudo, jo vetëm në Shqipëri ku pothuajse të gjithë artistët njihen me njëri-tjetrin, por po të merreshim me paragjykime, atëherë i binte të mos bëheshin më konkurse, ose që piktorët më të mirë të mos i vlerësonin më kolegët e tyre pak më të mirë, por bojaxhinjtë e rëndomtë; që poetët dhe shkrimtarët t’i vlerësonin fjalim-shkruesit e politikanëve; që dramat t’i vlerësonin gazetarët etj. Një tekst letrar për fat njësoj si piktura është një vepër që ekziston, që duhet parë apo lexuar në rastin tonë dhe pastaj specialistët e fushës gjykojnë, por që nuk mund të presësh të përmbushë shijet e të gjithëve. Dhe të them të vërtetën, kisha menduar të mos e zbuloja se kush qëndron pas emrit Junia Ruvina derisa ajo të vihej në skenë p.sh., për të treguar që ka ardhur koha të mos merremi me emrat konkretë, por me veprat. Vepra është ajo që flet.
Pse nuk keni konkurruar më parë me veprat tuaja? Përbënte garanci për ju fakti që ishte një iniciativë e huaj dhe një juri ndërkombëtare?  
Nuk e di të jenë organizuar këtu konkurse drame, mbase ka ndodhur vite më parë kur unë jetoja jashtë vendit. Por për t’ju qetësuar disi, “Njeriu i rërës” nuk është drama e parë që kam shkruar, edhe pse e para dramë me të cilën unë konkurroj në mënyrë publike në Shqipëri. Vështirësia shtohej pse drama këtu te ne është kryesisht një zanat “burrëror”, të cilin vetëm burrat mund ta realizojnë. Personalisht e pashë këtë shans si një mundësi personale për të ofruar një tekst modern, të cilin do ta kisha të vështirë ta ofroja te një juri kryekëput shqiptare që mbështetet dhe ngrihet mbi një shkollë teatri të caktuar, por që ndryshon disi nga shijet e mia estetike që frymëzohen nga Strindberg, Beckett, Bernhard, Pinter, Jelinek, por edhe autorë klasikë si von Kleist, Büchner, Schnitzler etj. Këto janë modelet e mia dramatike, ndaj edhe pjesëmarrja në një konkurs me juri ndërkombëtare me shumë përvojë më dha ndjesinë se mund të guxoja të provoja të konkurroja si autore.
“Njeriu i rërës” është shkruar posaçërisht për këtë konkurs?  
Këtë dramë e kisha nisur pak përpara konkursit. Nuk ishte një gjë  urgjente, por një ide që e kisha hedhur nga një prozë  e gjatë që kam në duar. Më ndodh shpesh që  nga prozat të ndërtoj automatikisht copëza teksti teatral të  cila t’i lë mënjane për t’iu kthyer dikur më vonë. Kur u shpall konkursi isha në mëdyshje për pjesën me të cilën do të konkurroja, meqë konkursi kishte një tematikë të caktuar dhe mua dhënia e një teme si detyrë shtëpie nuk se më pëlqente. Por kuptova shpejt se çfarëdo teme që unë trajtoj merret me kufijtë dhe kapërcimin e tyre qofshin këto të dukshëm, ose të padukshëm.
Ke nisur ta shkruash shqip apo gjermanisht?
Dikur nuk i mbaj mend se si i nis, por është e sigurt që tekstet e mia përfundojnë  më së shumti në shqip. Disa pjesë madje qëndrojnë më mirë në gjermanisht, pasi kjo është gjuha në të cilën e strukturoj lëndën, por shqipja mbetet gjuha në të cilën e ekzekutoj atë, pra janë në një ndërshkëmbim të vazhdueshëm.
Çmimi fitues parashikon botimin në 11 mijë kopje dhe shpërndarjen e tyre në botën gjermanishtfolëse. Sa stimuluese është për ty?
Kjo është një nga gjërat më me vlerë që sjell ky konkurs për mua. Unë nuk bëj pjesë te ata njerëz që mendojnë  se konkurset të ndryshojnë jetën. E vlerësoj mendimin e jurisë, sidomos vlerësimin e saj në lidhje me stilin modern të veprës, por më shumë më gëzon prezantimi i tekstit në Burgtheatër, teatri më i madh i Vjenës ku janë luajtur autorë si Thomas Bernhard dhe Jelinek. Por mbetem me këmbët në tokë, ky konkurs ishte një sfidë për të më thënë se ato tekste që kam mund të kenë një të ardhme nesër, dhe nuk do mbesin në sirtar.
Ndërkohë, nga Teatri Kombëtar është thënë se kjo dramë  mund të bëhet pjesë e sezonit artistik teatror. Si ju duket kjo?
Fantastike, ç’mund të them tjetër.
A humbet teksti dramatik kur vihet në skenë?
Unë lexoj vazhdimisht drama nga klasikët te më të rinjtë dhe duhet të pranoj që qasja ime e parë me këtë zhanër është  e ajo e rrafshit letrar, unifikimit estetik dhe ideor, lojës psikologjike etj. I gjithë suksesi i një vepre skenike, varet mandej jo vetëm nga autori, i cili e shkruan tekstin në vetmi, në terrodën e tij letrare, por i një grupi të madh njerëzish që funksionojnë si një familje me detyra të përcaktuara dhe ndara mirë dhe nga kjo varet pastaj suksesi i veprës.

Oliverta Lila