Oliverta Lila
Shkrimtari gjerman, i lindur në Dresden të Gjermanisë në vitin 1962, filloi të botojë vetëm pas viteve ’90. Schulze ndodhet në Tiranë për të bërë promovimin e librit të tij në shqip “Adami dhe Evelina” dhe për të vendosur kontakte të afërta me shkrimtarë shqiptarë
Shkrimtari gjerman, i lindur në Dresden të Gjermanisë në vitin 1962, filloi të botojë vetëm pas viteve ’90. Schulze ndodhet në Tiranë për të bërë promovimin e librit të tij në shqip “Adami dhe Evelina” dhe për të vendosur kontakte të afërta me shkrimtarë shqiptarë
Në vizitën e tij të parë në Tiranë, shkrimtarin gjerman, Ingo Schulze, e josh ideja se ky vend ka pasur të njëjtin sfond historik si i tiji: ka përjetuar komunizmin. “Popuj të tillë kuptohen më mirë me njëri-tjetrin”, thotë ai, teksa është i pranishëm në tri ditë lexime letrare të librit të tij më të fundit “Adami dhe Evelina”, i pari që ka ardhur në shqip nga Ardian Klosi. Schulze e ka rimarrë mitin e tundimit dhe mëkatit, për të ritreguar përmes një çifti historinë e dilemës së madhe gjermane në shembjen e Murit të Berlinit më 1989. Njëzet vjet më pas, shkrimtari gjerman që atëkohë ende nuk e kishte zbuluar këtë dimension të tijin, vë në dyshim Perëndimin dhe lirinë e fituar. “Jam kurioz të hetoj varësitë e reja që njerëzit kanë fituar”, thotë ai teksa e sheh një problem madhor ekonomizimin e çdo aspekti shoqëror.
Ju keni filluar të botoni vetëm pas viteve ’90. Cila ka qenë arsyeja që ju nuk jeni shfaqur më parë si shkrimtar?
Libri im i parë është botuar në vitin 1995. Kam provuar dhe kam dashur gjithmonë të shkruaj, por nuk e di pse nuk kam botuar më parë. Ndoshta sepse duhet të arrija një farë pjekurie, ndoshta duhet të përjetoja disa eksperienca, përfshirë këtu edhe ndryshimet e mëdha të 1989-s. Asnjëherë nuk ia kam dërguar dikujt dorëshkrimet e mia, ka qenë thjesht një lloj pamundësie.
Ju keni jetuar në Gjermaninë Lindore para se Muri i Berlinit të shembej. Si e keni përjetuar ju këtë ngjarje?
Çdo eksperiencë e re në jetë të bën t’i kthehesh së shkuarës. Rënia e Murit të Berlinit ka qenë një ngjarje e madhe e jetës sime. Për mua, e për të tjerë që vinin nga Gjermania Lindore ndryshuan jo vetëm paratë, ushqimi, veshja, televizioni, por ndryshoi gjithçka. Madje ndryshoi edhe dashuria e koncepti i saj. Tashmë, 20 vjet më pas ne kemi humbur shansin për të ndryshuar ashtu si duhej disa gjëra. Kapitalizmi nuk e solli zhvillimin në rrugën e duhur, sepse çdo aspekt i shoqërisë u ekonomizua, gjithçka është shndërruar në biznes: mjekësia, edukimi, aspekti social, kultura dhe mendoj se ky është një problem i madh.
Në deklaratat tuaja jeni shfaqur shpesh kritik për rrjedhën që kanë marrë sot gjërat...
Në vitin 1989 unë nuk isha ende një emër i njohur, por gjithsesi dhashë kontributin tim, të paktën në qytetin e lindjes, për atë që ne mendonim si ndryshim të madh. Para këtij viti askush nuk thoshte bashkëshorti im kujdeset për familjen. Sot, paraja luan rolin madhor. Të jesh kritik ndaj së shkuarës, do të thotë gjithashtu të jesh kritik edhe për të tashmen.
Ju keni lindur në Dresden. Çfarë gjeni sot kur ktheheni atje?
Dresden është kthyer në një lloj Disneyland. Ky është një model arkitekturor i eksportuar dhe i komercializuar. Nga ana tjetër, banesat e ndërtuara 100 apo 200 vjet më parë ofrojnë një tjetër model. Sot në Dresden ke në një dorë qendrat e mëdha komerciale dhe në dorën tjetër një Disneyland. Ne e kemi humbur shpirtin e arkitekturës dhe sensin e kohës. Qyteti i mëparshëm, i përzier mes stalinizmit dhe barokut, të cilin atëkohë nuk e pëlqeja, sot më duket si një hapësirë humane, që më së shumti ka marrë vlera muzeore.
Si është për ju Gjermania sot?
Mendoj se si shumica e vendeve të Europës Perëndimore synohet vetëm zhvillim, zhvillim, zhvillim. Kjo është rruga e gabuar. Njëzet vjet më parë varfëria nuk ishte një problem. Prej 10 vjetësh është kthyer në një shqetësim të madh, sepse shumë njerëz fitojnë 300-350 euro në muaj dhe është shumë e vështirë të jetosh me kaq para në Gjermani.
“Adami dhe Evelina”, i përkthyer edhe në shqip, tregon një histori dashurie në përpjekjen për t’u arratisur drejt Perëndimit në vitin 1989. Pse keni zgjedhur pikërisht këtë mit?
Kjo nuk është karakteristikë vetëm e këtij libri. Mendoj se letërsia i rimerr herë pas here dhe i ritregon historitë e vjetra duke vënë eksperiencën personale në këtë histori. “Adami dhe Evelina” është rimarrja e mitit të tundimit, e dilemës së madhe që solli viti 1989 jo vetëm për gjermanët: të rrinin apo të iknin? Kam dashur të rimarr edhe njëherë argumentin e përjetësisë, vdekjen dhe frikën ndaj saj. Nëse Adami dhe Eva ishin veçse një hap larg nga Parajsa, tashmë njerëzit ishin veçse një hap larg nga fëmijëria, nga përgjegjësia për ta marrë vetë në dorë jetën. Të gjitha këto gjëra erdhën bashkë në këtë roman, të cilin e kam shkruar gjatë 2007-2008.
Na ndihmon letërsia të mos harrojmë?
Letërsia ka një ndikim të mirë në kujtimet tona. Sigurisht që në kohën e diktaturës, për të cilën jam shumë i gëzuar që mbaroi, letërsia kishte një rol më të madh, sepse nuk kishte as gazeta, as radio dhe as televizion. Normalisht letërsia duhet të jetë kritike dhe të mos ketë kufizime. Por ndonjëherë, kryesisht në Gjermaninë Lindore, disa shkrimtarë u persekutuan për veprat e tyre. Pas vitit ‘89 askush nuk pyeti më për ta, ata mund të kenë vepra, famë, por nuk kanë mundësi të jetojnë mirë.
Cilat janë argumentet që ju interesojnë artistikisht?
Unë kam dëshirë të shkruaj për vitet ’90, për atë që kam jetuar dhe për kthesën e madhe të popullit tonë. Më intereson të di se çfarë ka ndodhur me Perëndimin kur ra Muri i Berlinit, kam dëshirë të hetoj se si kanë ndryshuar varësitë e njerëzve. Është shumë e lehtë të thuash se viti 1989 ishte koha kur populli kaloi nga diktatura në liri, por në fakt nuk është kështu. Në Gjermaninë Lindore ka pasur një thënie: mund të thuash gjithçka për shefin tënd, por asgjë për sekretarin e Partisë. Pas viteve ’90 mund të thuash gjithçka për sekretarin e parë të Partisë, por kurrgjë për shefin.
Ju e vizitoni për herë të parë Shqipërinë. Cilat janë përshtypjet e para?
Unë kisha dëgjuar për Shqipërinë kohë më parë. Dikur koleksionoja pulla dhe kisha shumë të tilla prej Shqipërisë. Për ne Shqipëria ishte vend i mbyllur, një nga vendet e shumta që s’mund t’i shihnim, një vend i çuditshëm që s’ishte as Lindje as Perëndim.
Jam gjithmonë i interesuar për vende me të cilat kemi të njëjtin sfond historik, që vijmë nga komunizmi. Normalisht gjërat për Shqipërinë ishin shumë më të vështira, por ne arrijmë të kuptohemi shumë më mirë sesa ato vende të cilat nuk kanë të shkuarën tonë. Sot kohërat kanë ndryshuar. Ashtu si edhe te ne, këtu ka mjaft biznesmenë të huaj që kanë ardhur të investojnë dhe në këtë kuadër mendoj se kemi shumë më shumë të përbashkëta tani. Dua të di më shumë për këtë vend. Kam vetëm pak kohë këtu, por kam lexuar dhe kam dëshirë për ta njohur sa më shumë.
Keni plan që të përkthehet një libër i dytë në shqip?
Po mendojmë për përkthimin e librit tim të parë me tregime “33 çaste lumturie”, por gjithçka mbetet për t’u diskutuar.