Dramat e një shkrimtareje


Sarah Kane


Qartësia gjendet në qendër të trazirave, aty ku turma konsumohet prej shpirtit të ndarë më dysh. E njoh veten. E shikoj atë. Shpirti im është i zënë në kurth si në një rrjet arsyesh të endura nga një mjek për të shtuar numrin e të shëndetshmëve. Në 4 e 48 do bie të fle për t’u shëruar. Ti je doktori im, shpëtimtari im, gjykatësi im i plotfuqishëm, prifti im, Zoti im, kirurgu i shpirtit tim. Dhe unë jam dishepulli yt drejt qartësisë... Për të realizuar qëllimet dhe ambiciet, për të kaluar pengesat dhe për të arritur një standard të lartë, për të rritur vetëvlerësimin duke shfrytëzuar talentin tim, për të kapërcyer dobësitë, për të pasur kontroll dhe ndikim te të tjerët, për t’u mbrojtur, për të mbrojtur hapësirën time psikologjike për të afirmuar unin tim, për të pasur kujdes, për t’u parë dhe dëgjuar, për të eksituar, habitur, tërhequr, tronditur, argëtuar, pritur apo joshur të tjerët, për t’u çliruar prej kufizimeve të shoqërisë, për t’u bërë rezistencë detyrimeve dhe dhunës, për të qenë e pavarur dhe për të vepruar për të ndjekur dëshirat e mia dhe për të shmangur dhimbjen, për të shmangur turpin, për të zhdukur poshtërimet e pësuara prej veprimeve të reja, për të ruajtur respektin për veten, për të shprehur frikën, për të kaluar dobësinë për të qenë pjesë dhe për t’u pranuar, për të rezultuar tërheqëse dhe lumturisht e paguar për këtë, për të biseduar në mënyrë miqësore, për të rrëfyer histori, për të shkëmbyer ndjesi, ide sekrete, për të qeshur e bërë shaka, për të fituar dashurinë e Tjetrit të dëshiruar, për të shijuar marrëdhënie seksuale me Tjetrin, për t’u ushqyer, ndihmuar, mbrojtur, përkëdhelur, mbështetur, kuruar apo shëruar, për t’i dhënë jetë një marrëdhënieje të bukur, të gjatë, solidare reciproke me Tjetrin të barabartë me ty, për t’u falur, dashuruar, çliruar.... Këto janë fjalët e Sarah Kane në veprën e saj titulluar “Psikoza e 4:48”. Për shumë vite ajo luftoi kundër depresionit, i cili megjithatë nuk arriti t’i mposhte dot dëshirën për të krijuar. Shkrimtarja dhe dramaturgia britanike, lindi më 3 shkurt të vitit 1971. Ajo është autore e teksteve të shumta teatrore, shumë prej të cilave mjaft të përfolura për shkak të temave që ka trajtuar (përdhunime, kanibalizëm, sëmundje). Tekstet e Sarah Kane plot me tepri skenike dhe verbale qysh prej fillesave të saj me veprën e titulluar “Të mallkuarit”, që në vitin 1995 shënoi një gur të rëndësishëm në dramaturgjinë e re angleze, bënë që autorja të vendosej në qendër të një zjarri kontrovers si një paladinë e një të shkruari të ri dhe vizionar. Shtypi i shkonte gjithnjë pas, në të mirë dhe në të keq. E megjithatë, për shkrimtaren që ndërroi jetë vetëm një vit më parë ende nuk është zhvilluar një studim i plotë mbi veprën që la pas, e cila u plotësua me të fundmen “Psikozë e 4:48”, ku sjell në vëmendjen e të gjithëve temën tronditëse të vetëvrasjes që prej kohësh e mundonte. Edhe titujt që ajo ka zgjidhur janë po aq domethënës e që zgjojnë polemika. Në të gjithë veprën e kësaj autoreje që u zhduk në moshë të re, është e pranishme ideja e skenës si një fushëbeteje, e heshtur kryesisht në veprimet që zhvillohen. Gjatë rrugëtimit të saj Kane kishte shprehur qartë (sidomos me veprën e saj të fundit) vullnetin që të mos i vihej vula përmes një imazhi të vetëm të stereotipizuar. Aty, kompleksi i identitetit të saj, lihet jashtë loje përmes ndryshimeve të herëpashershme dhe tronditëse mes pranimit dhe refuzimit të vetvetes. Mendimi i kritikës mbi këtë autore ndryshoi megjithatë vetëm pas botimit të veprës së saj të katërt të titulluar “Ethet”. Fillimisht ajo u botua nën pseudonimin Marie Kelvedon, në mënyrë që kritikët ta vlerësonin si një vepër më vete dhe jo si veprën e një autoreje personazhet e së cilës i kishin nxjerrë sytë njëri-tjetrit dhe që kishin pjekur në zgarë organet e tyre gjenitale. Falë kësaj vepre të vlerësuar nën një tjetër emër, kritika vendos t’i rivlerësojë gjithë sa kishte botuar më parë ajo. Sarah Kane krijon në këtë mënyrë një imazh të ri për veten dhe personazhet e saj që cilësohen tashmë si komplekse e me një dhimbje të madhe si psikologjike ashtu edhe fizike. Sarah u rrit në një familje intelektualësh. Të dy prindërit e saj ishin gazetarë dhe envagjelistë të devotshëm. I ati ishte kryeredaktor i "Daily Mirror" për zonën lindore, ndërsa e ëma u largua nga puna për t’u kujdesur për të dhe vëllain. Sarah ishte inteligjente. I pëlqente të studionte dhe e kundërshtonte haptazi besimin fetar. Kur ishte ende adoleshente ajo ishte pjesë e një grupi teatror lokal, si regjisore e veprave të Cechov dhe Shakespeare. Pas diplomimit, ajo shkon në universitetin “Bristol” për t’u diplomuar në teatër me qëllimin për t’u bërë aktore. Në shumë pak kohë u bë mjaft e njohur mes studentëve dhe jetonte me shumë gëzim homoseksualitetin e saj, por pavarësisht talentit si aktore e regjisore, diçka e shtyu dalëngadalë drejt të shkruarit. U cilësua edhe skandaloze. “Nuk ka dyshim që ndonjëri pyet veten nëse do të ishte më mirë që paratë, ajo t’i shpenzonte në terapi rikuperimi”, shkruan për të kritiku Jack Tinker në gazetën "Daily Mail". Në mbrojtje të Sarah Kane dalin Harold Pinter dhe Edward Bond që shkruajnë: “Humanizmi i “Të mallkuarit” më ka tronditur. Më vjen keq për ata që janë shumë të zënë ose kaq të humbur sa nuk arrijnë të shikojnë humanizmin e saj. Si shkrimtar teatri jam shumë i tronditur nga aftësitë e një shkrimtareje kaq të re”. Pavarësisht suksesit që kishte, depresioni te kjo autore e re kishte mbërritur në nivele tepër të larta që mund të kuptohen vetëm te vepra “4.48 Psychosis”, një tekst në të cilin një personazh i paidentifikuar, i mbyllur në një spital për shkak të depresionit rrëfen të gjithë etjen për të jetuar e dashuruar dhe në të njëjtën kohë flet edhe për dëshirën për t’u vetëvrarë. Pasi e shkruan këtë tekst, ajo pi 150 pilula antidepresive dhe 50 qetësues. Të afërmit e gjejnë në kohë dhe e dërgojnë me urgjencë në King's College Hospital. Pas dy ditësh, e mbetur vetëm për një orë, gjendet e vetëvarur në banjë. Ishte 20 shkurti i vitit 1999. porsa kishte mbushur 28 vjeç.