Fatmira Nikolli
Një jetë e kaluar në vuajtje nga agimi gjer në muzg, e megjithatë ai u bë i madh. Ndonëse nuk u kuptua sa duhet në të gjallë të vet, tashmë si i vdekur është vepra e tij që flet e tregon madhështi. Dekada të tëra e lanë në harresë, e të tjera e lodhën dhe e stërmunduan. Por, sipas Behar Gjokës, autor i librit "Kuteli dhe letrarja", i sapobotuar nga "Argeta", pasi u varros për së gjalli, ai jetoi mes të gjallëve e të vdekurve, e ky do të ishte udhëtimi i tij makabër. Ajo që vëren Gjoka si studiues, është se ka kaluar shumë e ka ardhur momenti që të marrë fund keqkuptimi jo vetëm me Kutelin, por edhe me shkrimtarë të tjerë.
Ju sapo keni botuar librin "Kuteli dhe letrarja". Para pak vitesh ju keni shkruar edhe një libër tjetër për këtë shkrimtar, përse iu rikthyet atij?
Kuteli vazhdon të jetë një autor që më tërheq, për arsye të misterit që mbart figura e tij dhe krijimtaria. Kur them figura me mister, flas për faktin që ai është varrosur për së gjalli dhe është kjo arsyeja që shqiptarët atij ia kanë një borxh që nuk po ia kthejnë. Ndërsa krijimtaria e tij e diskutuar, në shumë raste ka qenë e keqkuptuar. Kjo e bëri të pakthyeshëm tek krijimtaria letrare. Kontributi i tij si shkrimtar në prozë, ku është edhe kulmi i tij, por edhe kontributet e tij në shkrime kritike, përkthime, botim i të tjerëve. Këtu duhet të mendojmë faktin se pa Kutelin, ne ndoshta nuk do kishim tekstet poetike të Lasgushit, Nolit, Emineskut. Mund të flitet që Kuteli përbënte shpirtin e mendimit të viteve '30, por padyshim ky kontribut për letraren shoqërohet me prozën e tij, novelat, tregimet. Ka pasur një lloj heshtjeje absurde për Kutelin si lëvrues i romanit. Për herë të parë këtë na e ka zbuluar Martin Camaj. Sa të drejtë kishte mjeshtri për këtë mjeshtër të letërsisë shqipe! Është e vërtetë që është kujtuar, është futur nëpër tekste dhe është përmendur, por ka edhe një të vërtetë tjetër që gati-gati e harrojmë: ai prodhoi shkollë letrare. Kuteli së bashku me Koliqin krijuan shkollën e parë të letërsisë shqipe. Proza e deri atëhershme krejtësisht mediokre, futet në hullinë e mirëfilltë artistike, madje edhe në atë të ligjërimit modern. Ajo përbën shkollë letrare edhe për faktin se pas prozës së Kutelit vjen plejada e shkrimtarëve të njohur si Trebeshina, Kadareja, Laço, e sigurisht që të gjithë shkrimtarët prozatorë të pas viteve 1944.
Cilat janë risitë që sjell vepra që ju sapo keni botuar?
Libri ka dy pjesë. E para merret me raportet që ai ka me letraren, e asaj harrese do thosha tragjike për shumë kohë. Përmendja e tij vetëm në raste përvjetorësh nuk është ndonjë gjë e madhe. Ai për mua është në një farë mënyre jo vetëm ndërgjegje e kombit, por edhe ndërgjegje letrare e tij. Padashur të krijoj pohime të fundme, do thosha që Kuteli është gjurma që ka shënuar kthesën e ligjërimit modern të letërsisë shqipe, sidomos në prozë. Libri rimerr edhe pjesën e botuar në vitin 2004 me ndryshime e, duke e parë tashmë Kutelin ndryshe, në raport me letraren. Nga kjo mënyrë shikimi rezulton se është një autor që sa herë që ta lexosh, do të zbulosh një gjë të re, sa herë që ta lexosh, do gjesh mënyra e teknika rrëfimi, mënyra letrare. Energjia e tij e fjalës është gati-gati e përputhur me energjinë e njeriut. Ai vjen i pakeqkuptuar.
Ju thoni se përmes këtij botimi sillni Kutelin e pakeqkuptuar. Përse shpreheni në këtë mënyrë?
Deri para '90-ës nuk gjenden shumë shkrime për Kutelin e letërsinë. Pas '90-ës ka tentativa për ta rreshtuar në shkrimtarët e groteskut, por nuk janë thënë gjërat aq mirë, sepse ai ka qenë i lidhur me letërsinë popullore. Ka pasur përpjekje akademike për ta keqkuptuar, keqlexuar e keqinterpretuar. Ai është ndër të mistershmit sepse është një përvojë e thjeshtë në pamje, por jo kaq e përtypshme për ta lexuar. Duhet të marrë fund keqkuptimi jo vetëm me Kutelin, por edhe me shkrimtarë të tjerë. A do të ishte e nevojshme t'i thoshim Kutelit, ti nuk i bërë mirë gjërat, kur ai nuk mund të përgjigjet?
Sa i takon varrosjes së tij për së gjalli, sa mendoni se ka ndikuar në krijimtarinë e tij?
Unë do të thosha, ai i ka provuar të gjitha për së gjalli. Mendoni për një moment sa tragjik që është ky akt, që të bën të kujtosh se çka ka përjetuar ky njeri, çfarë ka përjetuar ky shkrimtar e kjo figurë. Duhet thënë se të afërmit, deri pas viteve 1990 nuk e kanë ditur këtë çast të jetës së tij dhe e kanë marrë vesh nga dëshmitarët. Ai ka qenë në Maliq në kohën ajo që na duket si legjendë, a përrallë, varrosja për së gjalli. Pas kësaj ai u përpoq që të ndërtojë diçka tjetër, por që nga ai moment jetoi mes të gjallëve e të vdekurve, mes botës reale dhe asaj tjetrës. Ai nuk e donte komunizmin dhe nuk donte t'ia dinte as për të, as për urdhrat e diktatet e tij.
A shihni ndokund mosvlerësim të figurës së tij?
Po. Po të shkoni tek Banka e Shqipërisë, mund të shihni portretet e të gjithë atyre që kanë punuar aty, por mungon figura e Kutelit. Emri i tij nuk përmendet, ndërkohë që ai është mbrojtësi i monedhës shqiptare, më 1943-in e më 1946-ën. Pas këtyre kohëve filloi udhëtimi makabër mes jetës e vdekjes.
Home »
» Behar Gjoka: Kuteli jetoi mes të gjallëve e të vdekurve





