Luftojnë me personazhe të padukshme, hidhen nga krevati, shëtisin nëpër korridoret e shtëpisë, dalin në rrugë duke fjetur. Janë personat që vuajnë nga çrregullimet e gjumit, madje ndonjëherë mund të ketë edhe pasoja dramatike, si në rastin e burrit nga Uellsi, i cili somnambul vrau gruan në gjumë
Zoti Xhejms shëtit me qenin e tij në një park të madh të Amerikës. Duket shumë elegant me pizhamet e tij me vija, ndërsa kthehet në shtëpi pas mesnate me këmbët e zbathura, i drejtuar nga qeni i tij i cili e njeh përmendsh rrugën. Zoti Xhejms është ngritur somnambul.
Një zotëri tjetër ëndërron sikur sulmohet nga një hajdut, hidhet nga shtrati dhe thyen hundën. Pastaj sulmon gruan e tij dy herë në shtrat: herën e parë ajo arrin ta zgjojë me ëmbëlsi, të dytën i jep një pëllëmbë fytyrës, dhe ai zgjohet duke qarë. Rasti i tij quhet ‘Rbd’ (Rem sleep behaviour disorder): çrregullime të sjelljes gjatë gjumit, faza në të cilën fillojmë të ëndërrojmë.
Zonjën Luiza e zgjon pothuajse çdo natë bashkëshorti i saj 60-vjeçar: kur është në gjumë ajo ëndërron sikur po lufton me dikë, pastaj e sheh sulmuesin në fytyrë dhe e dallon që është i shoqi. Pas asaj rrëmuje fillon të ëndërrojë sikur bën dashuri me të dhe papritur zgjohet… por lumturia shuhet menjëherë, sepse vërtet që ai jo vetëm që i ka kthyer kurrizin, por po gërhet për shtatë palë qejfe. Flet, kushedi çfarë dhe kë ëndërron!
Janë shqetësime të gjumit, ndonjëherë të parrezikshme, por ndonjëherë mund të çojnë në tragjedi. Në shumë familje flitet për somnambulizmin e fëmijëve, që prek 5 deri në 6 për qind të popullsisë. Zakonisht, somnambulizmi zhduket rreth moshës 16-vjeçare. Të gjithë kemi parë babanë me pizhame duke qëndruar në ballkon, ose vëllain që shëtit në mes të natës në korridor. Në pjesën më të madhe të rasteve gjithçka merr fund pas një shëtitjeje të gjatë nëpër shtëpi. Por ka edhe të rinj që bien nga dritaret, të tjerë që ulërasin nga ankthi i një ëndrre, dhe nga ata që rrahin me grushte e shqelma gruan në shtrat. Ndonjëherë dhuna nuk mund të fshihet, siç i ka ndodhur 59-vjeçarit nga Uellsi, Brajan Tomas: në korrik të 2008-s, në oborrin e shtëpisë, mbyti në gjumë gruan e tij të dashur, Kristinë, duke menduar se ishte sulmuar nga një bandë keqbërësish. Në nëntor të vitit të kaluar, gjyqi i Suensisë e liroi, sepse mbrojtja tregoi se në atë moment Tomas ishte somnambul dhe nuk i kontrollonte veprimet e tij. Kur ishte zgjuar, kishte njoftuar menjëherë policinë. Gjatë pushimeve i kishte ndërprerë barnat e gjumit dhe parkinsonit, sepse e bënin impotent. Sa keq, sepse në fund të fundit ishte një tragjedi që mund të shmangej. Ky rrezik privat, nga turpi ose injoranca, mbetet i fshehur derisa të ndodhë diçka serioze. Xhorxh Ueik, përgjegjës i laboratorit të gjumit në departamentin e shkencave neurologjike në Universitetin e Bolonjës, pohon se vetëm prej pak vitesh shkenca ka filluar t’i njohë këto sëmundje. Ai kujton gjithashtu rastin e një tifozi futbolli që e kishte zënë gjumi në stadium gjatë një ndeshjeje dhe kishte rrahur një polic i cili e kishte zgjuar. “Burri u arrestua dhe u dënua me tre vjet burg. Pasi kishte mbaruar dënimin, mjekët zbuluan se vuante nga një çrregullim mendor, i cili shfaqej me reagime të dhunshme, por të pavetëdijshme kundër atij që përpiqej ta zgjonte gjatë krizave”. Kjo sëmundje ka arritur të identifikohet falë disa aparaturave moderne, të cilat filmojnë gjumin e pacientëve. Sëmundjet e gjumit, pasi identifikohen, mund të kurohen. Dy pacientë të doktorit, të prekur nga “Rbd”-ja, kanë vendosur të tregojnë historitë e tyre. Arsyeja? “Sepse është mirë të dish që mund të dalësh nga kjo situatë. Unë kam pasur shumë frikë: nëse do të lindte nevoja për të ndihmuar dikë që është vërtet keq, do ta bëja me shumë dëshirë”, thotë njëri prej tyre.
Antoni, 45 vjeç, është këpucar. Prej 23 vjetësh është i martuar me Ritën, ka një djalë të vogël dhe një dyqan ku punon. Bënte një jetë të qetë deri para një viti kur pa në ëndërr sikur e sulmoi një hajdut. “U hodha nga krevati dhe kur e pashë veten, po qeshja. Edhe gruaja ime filloi të qeshte. Për fat të mirë nuk isha vrarë”. Hera e dytë ishte më e rëndë: u ngrit nga shtrati, dhe kur gruaja e thirri për ta zgjuar, ai përplasi kokën pas dyshemesë dhe theu hundën. Në korrik, situata u përkeqësua: pa në ëndërr një avion sikur u rrëzua mbi shtëpinë e tij. Ai filloi të bërtiste dhe gjuante me shqelma dhe grushte. Në mbrëmje e shoqja i vuri një dyshek të vogël poshtë krevatit që kur të hidhej sërish të mos vritej. Por situata e Antonit ishte më e rëndë nga çmendohej: ai ishte i terrorizuar, madje një natë tjetër i theu krahun të shoqes, ndërsa ëndërronte sikur luftonte me një ushtar. Ai ndihej gjithnjë i lodhur, kishte frikë sa herë binte për të fjetur. Edhe pse kishin ndodhur kaq shumë gjëra, e shoqja vazhdonte t’i qëndronte afër, zihej me mjekët, sepse kërkonte shërbimin më të mirë për të. Përmes disa miqve zbuloi qendrën e gjumit në Bolonja. Xhorxh Ueik e mori përsipër për ta kuruar. I kërkoi të flinte dy ditë në laboratorin e tij, i cili ishte plot elektroda dhe telekamera. Diagnoza e tij ishte: çrregullime të sjelljes gjatë gjumit (Rbd).
Gjumi REM (Rapid eyes movement) është ai i orëve të para të mëngjesit, ku normalisht, muskujt janë atonikë, të palëvizshëm. Ndërsa në rastet e “Rbd”, mekanizmi që ndan trupin nga truri, eksperiencat që ëndërrohen, jetohen.
Ja çfarë tregon një tjetër pacient i doktor Ueik, 63 vjeç, i cili merret me prodhimin e protezave ortopedike. Zotëria është i martuar, ka dy vajza dhe një grua të mrekullueshme. “Kam ëndërruar vdekjen: ishte e veshur me të zeza dhe po vinte drejt meje. Ndieja krevatin që po ngrihej në ajër dhe unë isha i paralizuar”. Pastaj ai filloi të lëvizte në gjumë, të hidhej nga krevati dhe dy herë e kapi gruan prej fyti, sepse pandehte se po luftonte me një hajdut. “Jam shumë i shqetësuar. Mendoni që kam edhe një kopsht të madh, si ai zotëria që vrau të shoqen pa dashje në gjumë”, thotë ai.
Sëmundja “Rbd” prek pothuajse gjithmonë meshkujt: “Simptomat e para shfaqen rreth moshës 50-vjeçare”, shpjegon drejtori i një qendre mjekësie në Milano. “Në 90 për qind të rasteve bëhet fjalë për meshkujt. Më parë mendohej se kjo gjë u detyrohej hormoneve, por hipoteza ra poshtë. Është e çuditshme se si këta persona mund të kthehen në bisha kur janë në gjumë”, shpjegon eksperti.
Personat e prekur nga këto çrregullime kur zgjohen e kuptojnë çfarë kanë bërë dhe shpesh u vjen turp për këtë; ndërsa ata që ngrihen somnambul, që i përjetojnë eksperiencat e tyre gjatë orëve të para të gjumit, kur zgjohen janë konfuzë, nuk kujtojnë asgjë dhe mund të kenë reagime të dhunshme. “Për fëmijët duhen marrë masa të rrepta: nuk duhet të kenë krevate të larta, dritaret duhet të jenë të mbyllura mirë dhe dera e madhe të jetë e mbyllur me çelës. Ndërsa për të rriturit gjërat ndryshojnë: rregulli parë dhe më i rëndësishmi është të mos abuzojnë me alkoolin, sepse ky i fundit e lehtëson somnambulizmin”, përfundon doktori.





