Si bëhet një intervistë me Borgesin

JORIDA PASKU

Intervista të shkrimtarit argjentinas dhënë gazetarit Osvaldo Ferrari në dhjetor 1984. Çfarë donte të dinte Ferrari në 30 bisedat e bëra dhe çfarë rrëfeu Jorge Luis Borges dy vjet para vdekjes? Një rrëfim për lumturinë, fitoren mbi të pamundurën, ngjizjen e krijimit dhe letërsinë e përbotshme


Në dhjetor të 1984-s, gazetari Osvaldo Ferrari, kishte të ftuar në studion e radios "Municipal" të Buenos Airesit, shkrimtarin e njohur argjentinas Jorge L. Borges (1899-1986). Dy vjet para vdekjes, Borgesi i fali gazetarit kënaqësinë e lirisë së pyetjeve mbi jetën, udhëtimet, letërsinë e tij dhe të të tjerëve, si lind dhe merr formë ajo, mbi kuptimin e simboleve të veprave të tij, estetikës, kinemasë, mbi bashkëkohësit në Argjentinë, dhe ata që krijuan larg tij, në Evropën e kulturuar, mbi Greqinë e lashtë dhe mitologjinë, Romën, Platonin dhe Aristotelin, Danten, Kafkën, Fernandezin, Leopoldo Lugones, Adolfo Bioys Casares, për Ricardo Guiraldesin, poeteshën Silvana Ocampo, për mikun e tij Alfonso Reyes, Pedro Henriquez Urenan, deri tek shkrimtari indian Rudyard Kipling.


Ferrari arriti deri aty sa të vilte prej tij ndjesitë, të mësonte kur ia behte lumturia, për sa kohë lejonte veten të kaplohej nga zymtia, dhe nëse e kishte përulur verbëria, burrin 85-vjeçar. 
Intervistat janë përmbledhur tek "Biseda", botim i "Tirana Times", të shqipëruara nga Urim Nerguti.


Një dialog që vë në pah njeriun Jorge Luis Borges, me natyrën e tij të të menduarit dhe të shijuarit, me etjen për udhëtime, dhe shkrimtarin Jorge Luis Borges që nga momenti që i mbërrin muza (ai e quan shpallje), e deri kur "ai hedh në erë" gjithçka (që ka shkuar).
Dialogu i tyre, një oaz kulture dhe njohjeje, fton për të shijuar gjithçka që thuhet, që ngjall të bukurën në çdo pasazh, dhe nuk është i lodhshëm asnjë çast. Të gjitha arrijnë tek lexuesi, pasi bashkëbiseduesit zotërojnë një aftësi për t'u admiruar: thjeshtësinë.


Borgesi ka përpara një bashkëbisedues gjithë kulturë, e rreptësisht të thjeshtë në pyetjet që bën dhe që kanë për qëllim njohjen e shkrimtarit, jo demonstrimin e dijeve të intervistuesit. 
Ferrari nuk i zë besë dijeve të tij, iu referohet shumë të tjerëve që kanë shkruar për Borgesin.


Ai nuk ka kufij në tematikën e pyetjeve që bën, njeh në detaje ato që shkrimtari ka thënë në librat e tij, tezat që ka mbrojtur vazhdimisht. Ai ka aftësinë që të ndërhyjë aty ku duhet, në masën që duhet. Është kjo arsyeja pse biseda e tyre i ngjan sonetit. 
E duket që të dy janë të kënaqur nga kjo.


Ja sesi shprehet Jorge Luis Borges në fund të këtyre bisedave: "Në vijim të bisedave, kam vënë re se dialogu është një lloj letrar, një mënyrë e tërthortë të shkruari. Detyra e të gjitha gjërave është kënaqësia; nëse ato nuk janë kënaqësi, atëherë janë të panevojshme ose të dëmshme. Këto biseda, në këtë pikë të jetës sime, unë i shoh si kënaqësi.


Polemikat janë të kota, sidomos nëse biseda kuptohet si një polemikë, nëse ajo shihet si një lojë ku ka një fitues dhe një humbës. Biseda duhet të jetë një hetim dhe pak rëndësi ka që e vërteta të dalë nga goja e njërit apo tjetrit.


Jam përpjekur të mendoj duke dialoguar, dhe nuk ka kurrfarë rëndësie që ju apo unë të kemi të drejtë, e rëndësishme është të arrihet në një përfundim; që ky përfundim të vijë nga kjo apo ajo anë e tavolinës, nga kjo gojë apo nga ky emër, kjo nuk peshon aspak ".


Nga ana tjetër, Ferrari shprehet: "Ne kemi filluar të flasim duke menduar për valët e padukshme të radios, por më vonë, teksti i bisedave tona, u botua çdo javë, në gazetën "Tiempo Argentino".


Aq sa do të duhej përmendur kjo shprehje e Mallarmé: "Gjithçka përfundon në një libër", ose gjithçka përfundon duke u shndërruar në një libër, që Borges pëlqen ta citojë". Po sjellim këtu, pak nga ajo çka u bisedua mes tyre në dhjetorin e 1984-ës.

Jeta e një evropiani në Mërgim


Ndodh, jo rrallë, që jeta e vdekatarëve të jetë më e madhërishme se vepra e artit. Kurse tek Jorge Luis Borges nuk e ndan dot cila është më e madhërishme se tjetra. I lindur në Buenos Aires më 1899, pohon se është një evropian në mërgim.


Duke cituar shkrimtarin Octavio Paz, Ferrari, në krye të bisedave të tij, i drejtohet Borgesit: "Paz shton se europianizmi juaj nuk është një çrrënjosje dhe as një rikthim në të shkuarën, por një orvajtje për krijuar një hapësirë kohore, përballë një hapësire te zhveshur nga koha, dhe ai përdor fjalën "mishëroj"."


Borgesi konfirmon: "Kjo është një ide e bukur dhe besoj gjithashtu një ide e saktë. Mendoj të njëjtën gjë, domethënë që unë ndihem europain në mërgim, por ky mërgim më lejon të jem europian në mënyrë më të gjerë sesa ato që, fare thjeshtë janë lindur në Europë, në fakt nuk jam i sigurtë që të lindim në Europë, besoj më tepër se lindim në Angli, në Itali, në Spanjë, në Norvegji, në Islandë, por Europa është një koncept mjaft i gjerë.


Por ne mund t'i ndiejmë këto trashëgimi të ndryshme, ne mund t'i harrojmë caqet politike, kufijtë e një vendi apo të një tjetri, dhe ne duhet të përpiqemi ta meritojmë këtë kontinet të gjerë dhe të pasur nga i cili kemi trashëguar, në një farë mënyre, pikërisht ngaqë nuk jemi lindur aty".


Në këto biseda, edhe pse gazetari duket se nuk për synim zbulimin e jetës private, Borgesi flet pa droje edhe për të, duke i rrëfyer dëgjuesit në Buenos Aires, dhe gjithkujt që i lexon intervistat 25 vite më vonë, madhështinë e shpirtit të tij. 85- vjeç ai nuk dorëzohet.


"...Tani ndjej një farë padurimi; më duket se duhet të vdes shpejt. Se kam jetuar shumë. Dhe pastaj ndjej një kureshtje të madhe. Besoj se, por nuk jam fort i sigurtë për këtë, se vdekja duhet të ketë një farë arome; ajo duhet të jetë ajo gjëja e veçantë që nuk e kemi ndjerë kurrë". Në këtë çast, Ferrari gjen fjalët e duhura për të ndryshuar humorin e mikut të tij.


"Megjithatë, pamja juaj pas kthimit nga ky udhëtim, fytyra juaj e përgënjeshtron aftësinë e kobshme për të cilën flisni". 
Në këtë pikë të bisedës së tyre, janë të çiltër, e orët së bashku duket i kanë afuar me njëri-tjetrin.


Është shkurtuar rruga e zakonshme që ndan intervistuesin nga i intervistuari. Jorge Luis Borges ndihet fare i çlirët për të folur për jetën dhe lumturinë, për veten jashtë letërsisë.
Ai ka arritur të ruajë të mirën brenda vetes, të jetë mirënjohës për 84 vitet e jetuara, ka arritur të gjejë paqen.


"Në thelb bota ka qenë zemërgjerë me mua, nuk besoj të kem armiq vetjakë, dhe pastaj kur arrin tetëdhjetë e katër vjeç, jemi ndoshta tashmë, në një farë mënyre, pas vdekjes dhe mund të na duan pa rreziqe të mëdha, pa fort pengesa, çka kjo është padyshim një nga format e pleqërisë".


E më pas ai flet për lumturinë: "Po, jam i sigurtë se jam më i lumtur tani sesa kur isha i ri. Kur isha i ri përpiqesha që të isha fatkeq, për arsye estetike, për arsye dramatike: doja të isha princi Hamlet apo Raskolnikov, apo Byron , apo Poe, apo Baudelaire...tani jo.


Tani nënshtrohem të jem ai që jam, dhe në thelb, nuk e di nëse kam arritur nganjëherë lumturinë-askush nuk e arrin atë, por kam arritur nganjëherë në një farë paqësie, dhe kjo tashmë është shumë. Dhe pastaj kërkimi i paqësisë më duket një ambicie më e arsyeshme sesa kërkimi i lumturisë.


Tani i jam nënshtruar jetës, i jam nënshtruar verbërisë, i jam dorëzuar më në fund jetëgjatësisë, që është një tjetër e keqe. Por unë besoj se nuk ka ditë nga jeta ime që nuk gjej ca çaste të paqta, çka kjo është shumë. Edhe pse, natën, ankthet vijnë të më vizitojnë, më të afërta me tmerrin se me lumturinë", thotë ai.


Kohën e fundit të lumtur të jetës së tij, e kalon në udhëtim, për të mos u ndjerë i burgosur në terrin e tij. "Nëse rri në Buenos Aires, le të themi se jeta ime është...e varfër, më duhet të diktoj pa pushim, të trilloj. Përkundrazi, në udhëtim, nuk pushoj së kapuri përshtypje të reja, dhe e tëra kjo me kalimin e kohës, shndërrohet në letërsi".


Universi vetjak


Një nga rrëfimet që shijohen me tëpër ndër këto biseda është rrëfimi për krijimin e veprës letrare, që Borgesi e quan "shpallje". "Besoj se është gabim të kërkosh një temë: kjo më tepër një gabim gazetari sesa shkrimtari; një shkrimtar duhet të presë që temat ta kërkojnë, ai duhet të fillojë t'i shtyjë ato; dhe pastaj, i nënshtruar, ai mund të shkruajë para se të kalojë në të tjerat".


Më tej shkrimtari tregon se në rastin e novelës, kur ndjen përafrimin e muzës, vjen fillimi dhe fundi i saj, kurse në rastin e poemës, vjen vetëm vargu i parë. Dhe autorit i ngelet vetëm ta mbushë këtë hapësirë. "Pra, diçka më është dhënë dhe pastaj ndërhyj unë, dhe ndoshta hedh në erë gjithçka".


Pasi ka kaluar kjo fazë, në mendjen e krijuesit vijnë problemet: "Për shembull: a është mirë të tregoj në vetën e parë apo të tretë? Pastaj duhet kërkuar epoka". Ai përmend një batutë interesante që e shoqëron këtë gjetje: "Për mua dhe kjo është revolucion vetjak, epoka më e përshtatshme është dekada e fundshekullit të XIX-të. Nëse bëhet fjalë për një tregim "porteno" (banor i Buenos Airesit), unë zgjedh cepe në rrethinat e Palermos, Barracas apo Turderas. Përsa i përket datës, le të themi 1899, vitin kur kam lindur. Përse?


E kush mund ta dijë si flisnin, në atë kohë, banorët e këtyre lagjeve? Askush. Pra mund të punoj krejt i qetë. Po nëse një shkrimtar zgjedh një temë bashkëkohore, lexuesi shndërrohet në vëzhgues dhe vendos që: "Jo, në të tilla lagje nuk flitet kështu, njerëzit e kësaj klase nuk përdorin këto shprehje".


Kurse unë, përkundrazi duke zgjedhur një epokë më të largët, një vend më të harruar, ruaj lirinë time, mund të...ëndërroj...apo edhe të shtrembëroj. Mund të gënjej pa e kuptuar askush, dhe sidomos pa e kuptuar as vetë, pasiqë është e nevojshme që autori i një fabule - sado fantastike të jetë - të besojë, në atë çast, në realitetin e fabulës".