Nga Alfred Beka
Libri “Histori të tmerreve 1998-1999 – Dosje krimesh të luftës, rrëfime të grave” i autores Sanije Gashi, me parathënie të William Walker, paraqet rrëfime të grave që përjetuan tmerre çnjerëzore gjatë luftës në Kosovë.
Ky libër, i cili përmban rrëfime rrëqethëse të grave dhe vajzave kosovare, të cilat kanë përjetuar tmerre të papara gjatë luftës së vitit 1998-99, u promovua të enjten në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare, në prani të shumë grave, një pjesë e madhe e të cilave ishin vet protagoniste të librit.
Duke i shpjeguar arsyet e botimit të këtij libri, autorja në hyrje thotë se i ka përmbledhur rrëfimet e grave dhe vajzave në mënyrë që “të paraqitet dhe të kuptohet më mirë drama e Kosovës, dokumentim ky i drejtpërdrejtë, që duhet të mbetet pjesë e historisë së Kosovës për brezat e ardhshëm, që të mos harrohet një periudhë e rëndë e shqiptarëve nga një regjim i egër serb”.
Për këtë libër, parathënien e të cilit e ka shkruar ambasadori William Walker, ish udhëheqës i Misionit Verifikues për Kosovën të OSBE-së në vitin 1998-99, folën Akademik Pajazit Nushi, Dr. Don Lush Gjergji dhe shkrimtari Ramiz Kelmendi.
Akademik Pajazit Nushi tha se kjo vepër, krahas situatave dramatike, paraqet edhe sjelljet e 32 grave shqiptare dhe përjetimet e tyre të kujtuara vite të tëra pas përfundimit të luftës në Kosovë. “Pikërisht në këtë raport ‘situatë dramatike e jetës ose e vdekjes-sjelljeve të gruas shqiptare ndaj vrasësve dhe ndaj fëmijëve, familjes e shoqeve të tyre, si edhe ndaj vetes’, përbën karakteristikat dhe veçantinë e kësaj vepre”, tha Nushi.
Duke e konsideruar si të parën e këtij lloji në botimet e gjertanishme për krimet e luftës, Nushi tha se situatat individuale të dramave të përjetuara nga ana e grave tona kanë vënë në sprovë të pashoqe karakteret dhe tiparet qendrore të femrës shqiptare, qëndrueshmërisë e njerëzores te këto femra. “Situata të ngjashme te ne ka pasur edhe para kësaj lufte, por këto nuk janë shënuar me kaq kujdes dhe me kaq përpikëri si kësaj radhe në veprën e Sanije Gashit.
Megjithëse situatat e mëhershme nuk janë shënuar nga askush dhe askund, populli shqiptar i këtij mjedisi të gjerë i ka mbajtur në mend dhe prej tyre ka dalë fjala e urtë e mendimit sintetik e popullit tonë, sipas së cilës ‘vlerat e arit në zjarr provohen, vlerat e njeriut në rrezik kuptohen’” theksoi Nushi.
Ndërkaq, Dr. Don Lush Gjergji këtë libër e konsideroi si shumë të çmuar dhe mjaft të qëlluar. Duke e shqyrtuar, siç tha ai, nga këndvështrimi i trefishtë, ai tha se me këto rrëfime, përshkrime dhe përjetime, takohemi me njerëz, ngjarje, situata për të cilat pak kemi ditur në hollësi. “Protagonisti i parë është fatkeqësisht dhuna, urrejtja, e keqja, do të thoja ‘garimi dhe krijimtaria për të keqe’, nga ana e ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë. Dhe deri sa kam shfletuar dhe lexuar këto komunikime kaq të dhembshme të tmerrit, shpesh jam ndalur dhe e kam pyetur veten time: A është e mundshme që të ketë ndodhur kjo me bijat, motrat dhe nënat tona? Pastaj edhe pyetja vijuese: Përse ne edhe më parë nuk e kemi njohur këtë histori jete, dhembjeje, flijimi, poshtërimi, por edhe krenarie, guximi dhe flijimi për lirinë tonë?”, u shpreh Gjergji. Dhe fill pas kësaj, ai shtroi edhe pyetjen tjetër, më brengosëse dhe shqetësuese: “Çka kemi bërë ne, çka bëjmë sot, për t’i zbuluar, zbutur, lehtësuar, mjekuar dhe shëruar plagët e shpirtit, të cilat janë aq të thella dhe gjithnjë lëngojnë dhe gjakojnë, e ne, unë dhe ti, as që e dimë këtë?”.
Protagonisti i dytë, sipas Gjergjit, janë bijat, motrat dhe nënat tona anembanë Kosovës, të moshave, profesioneve, niveleve kulturore të ndryshme, por të lidhura dhe të ndërlidhura me fijen e pësimit dhe dhunës.
“Nëpërmjet rrëfimeve të tyre ato komunikojnë çastet më të rënda, sfidat jetësore, të cilat shpeshherë njeriun e detyrojnë të mbyllet, të vetmohet, të tërhiqet, deri te lodhja, mërzia, dëbimi, dorëzimi dhe dëshpërimi”, tha Gjergji.
Ai shtoi se në këtë libër Sanije Gashi gjeti ‘çelësin’ e derës së zemrës së copëtuar, për të hyrë në brendinë e tyre, mënyrën e rrëfimit, për të komunikuar me gratë dhe familjet e tyre, duke na bërë edhe neve sadopak pjesëmarrës në këto ngjarje shpesh trishtuese dhe tmerruese.
Gjergji shtoi se protagonistët e tretë do të duhej të ishim ne, lexuesit, edhe më gjerë, mbarë Kosova. “Ne të cilët mes protagonizmit krejtësisht negativ, dhunës dhe luftës, dhe atij pozitiv, qëndresës dhe përballjes me të keqen, nëpërmjet femrave tona, vuajtjeve të motivuara dhe të flijuara, duhet ta gjejmë vetveten”, tha Gjergji.
Referuesi i tretë, shkrimtari Ramiz Kelmendi, u shpreh se “duke lexuar librin, që sapo pa dritën, të emblemës së gazetarisë femërore ndër ne, gazetares veterane, publicistes, editores, themelueses së dy revistave nammëdha për femra dhe luftëtares së paepur për emancipimin e gruas, zonjës Sanije Gashi, librin e saj me titull ‘Histori të tmerrit 1998-1999, një dosje krimesh të luftës me rrëfime rrëqethëse të grave’, shkurt – u tmerrova. U lemerita”.
“M’u kujtuan, saora, edhe tragjeditë e Shekspirit, edhe ‘Ferri’ i Dantes, edhe ‘Ditari’ i Ana Frankut, edhe pale sa e sa drama e tragjedi, kujtime e memoare të krimeve të njerëzimit në përgjithësi, e të krimeve serbe në veçanti”, tha Kelmendi.
Duke folur me pikëllim dhe një ndjenjë shumë të rëndë ankthi e tmerri shpirtëror, Kelmendi tha se kurrë në përvojën e tij 64 vjeçare që merret me shkrime, absolutisht kurrë, nuk ka lexuar libër më tronditës, më të trishtueshëm, më të tmerrshëm e më lemeritës se librin e Sanije Gashit “Histori të tmerrit 1998-1999”.
Në fund pati edhe paraqitje të protagonistëve të librit si dhe të të pranishmëve të tjerë, ndërsa me një fjalë u paraqit edhe vet autorja e librit, e cila i falënderoi të pranishmit, por edhe ata që i kanë ndihmuar si dhe gratë dhe femrat që kanë pranuar t’i rrëfejnë përvojat dhe historitë e veta rrëqethëse.





