Portat e vërteta të një libri





Mendime për librin e autorit Esat Ruka “Mati - vështrim etnomuzikor” (Gjurmime, studime, vlerësime)



Namik Selmani

Të gjithë librat e letërshkruesve kudo ku ata paraqiten në Shqipëri e në botë janë në një fare mënyre porta të vërteta. Nuk dua të përsëris sot urtësinë shekullore se librat janë dritare të reja, ku ne shohim në një mënyrë të re botën.

Bashkë me këtë simbolikë të njohur për të gjithë do të thosha se, kur librat i drejtohen një komuniteti të caktuar, një krahine të caktuar e kur kanë një shtrirje të gjerë kohore, atëherë Statusi i Portës për të është më se i besueshëm. Kjo përshtypje më lindi që në hapat e parë të ngjizjes së këtij libri. Edhe tani i kujtoj jo pa emocion dy ndjenjat që e shoqëronin Esatin në të tërë ditët e shkrimit të librit, pa folur për emocionet e librit kur ai është në shtypshkronjë. Ai rrinte pranë Lëndinës së Trëndafiltë të Kompjuterit e njëri pas tjetrit radhiste fakte, argumente, data, çmime, dështime të rastit, vende, zakone, rrëfenja, mbresa, kujtime, emra njerëzish, artistë, që deri atëherë njiheshin në rrethe shumë të mbyllura njerëzore, që do të bëheshin më vonë personazhet e librit të tij. Dashuria, me të cilën është ngjizur fjala e tij, e bën atë shumë më emocional e më të matur se në jetën e përditshme, ku një humor i bukur e fisnik matjan largohej disi para asaj maturie që kërkon shkrimi i një libri. Nga ana tjetër, shqetësimi krijues për ta ngritur sa më bukur Kalanë e Fjalës së tij për një krahinë ku ai ka pasur dhe ka kujtimet e tij të fëmijërisë, ku ka palcën e këngës e të ëndrrës së artit, të cilit i ka kushtuar të gjithë jetën e tij, e bën atë edhe më të besueshëm për atë që po shkruante. E ja tani, kur e kemi në duar këtë libër, na duhet që ta urojmë me gjithë zemër për këtë nismë të bukur, të lavdërueshme e bukur të dobishme.

Sërish më shkon në mendje motivi emblematik i Portës kur prek, kur shfletoj e kur jetoj emocionalisht si shqiptar i mirë me këtë libër interesant të Esat Rukës.

Porta e parë ku na fut miqësisht Esati është porta e detyrimit moral e jetësor, që ka e duhet të ketë një njeri, një krijues, një intelektual për vendlindjen e tij kudo ku ai jeton qoftë edhe në skajin më të largët të botës. Një pinjoll i nderuar i fisit të Canametëve të Rremullit si është edhe Mateu Arif, ndoshta do të ketë qenë për këtë libër një nga udhërrëfyesit shpirtërorë më të mirë të kësaj rruge të re krijuese të Esat Rukës. Edhe nëse nuk do ta shkruante këtë libër, me atë që ka bërë Esati në llogoren e bukur të këngës, të skenës, të ekzekutimit të veglave muzikore, do ta kishte pa asnjë mëdyshje e me shumë bujari një vend nderi në kulturën e vendlindjes së tij. Pa folur më hollësisht për vlerat e tij, do të shtronim në pyetje retorike: “Kush do ta bënte më të saktë e më të besueshëm përpara një auditori të gjerë profesionistësh këtë libër. Kujtesë për këtë traditë muzikore të Matit gati për një shekull të tërë sa Esat Ruka”. Nuk besoj se po nxitoj të them se këtu është një nga pikat e forta të këtij libri. Edhe studiues të tjerë mund të kishin një prapavijë shumë të fortë dokumentesh arkivore, mund të bënin shumë e shumë intervista në shtyp e në televizionet shqiptare që edhe emrin nuk ua mban dot mend, mund të rreshtonin pa fund emra të tërë artistësh, por kurrë nuk do të kishin shpirtin matjan si të Esat Rukës, pa zemërdridhjen e tij artistike për këtë traditë matjane, për këto lugina e fshatra që janë vënë në sup të njëri-tjetrit si vëllezër të mirë, pse jo edhe pa lotin e besueshëm që mund të pikë një artist pas një suksesi të caktuar. Në këtë gjysmë shekulli, Esati ka qenë në të njëjtën kohë aktor e autor, në skenë e pas saj, ka qenë në shfaqjet e në passkenat e saj, ka qenë fitimtari e drejtuesi më i lartë organizator në shkallë vendi, ka qenë ideatori dhe organizatori, ka qenë kompozitori e këngëtari, ka qenë poeti dhe studiuesi i saj, ka qenë instrumentisti dhe drejtuesi i orkestrës, ka qenë e mbetet edhe një artist me një prapavijë familjare të spikatur muzikore për ta pasur zili. E këto nuk janë pak. Jo dhe jo. Kur lexon për artistë të tillë që janë jo vetëm pasuri e Matit, por edhe mbarë kombit si muziktarët Skënder Frashëri, Munir Shehu, Sabri Aliaj, Naim Gjoshi, Xhevat Lishi, Shefqet Mera, Fatmir Leka, të këngëtarëve Feride Kurtit, Hysni Hysnelaj, Fatmira Likmeta, Drita Suçi, Shkëlqim Farrici, të instrumentistëve popullorë si Ymer e Behar Neli, Qamil Beshku, Enver Kurti, të rapsodëve Qamil Gjika, Nezir Neli, Ymer Toçi, Hajrulla Ceni, Vitore Gjeçi etj., e kupton se brenda një thesari të vërtetë që do të ketë vlerë në shekuj.

Porta e dytë, ku na fut Esat Ruka në këtë libër është mbulimi në masën më të mirë të një djerrine që ka pasur deri tani për këto botime të plota e me një sens profesionistësh i kësaj fushe të artit popullor. Në mungesë të kahershme të një përmbledhjeje të folkut gojor të Matit duket se libri i Esat Rukës është një Enciklopedi në miniaturë për të tërë këtë rrugë të lavdishme të artit matjan. Në këtë risi duket se edhe mendimi i specialistëve të muzikës Prof. Dr. Sokol Shupos dhe Prof. i asoc. Roland Çene e ka bërë më të besueshëm rrëfimin e këtij studiuesi.

E për këtë rrjedhë historie të artit matjan buron e duhet të burojë mirënjohja e të gjithë brezave të Matit, por edhe më gjerë, në shkallë kombëtare për këtë kontribut të vyer. Libri rreket që të bëhet kështu një kujtesë e nderuar e të tërë atyre artistëve popullorë të tingullit, të këngës, të instrumentit, të drejtimit të kësaj muzike të paktën në 60 vitet e fundit, ku tradita nuk ka qenë e pakët. Nëse ky libër nuk do të shkruhej, padyshim kanceri i anonimatit do ta gërryente kujtesën popullore e do të vyshkëte dhimbshëm identitetin krahinor, si pjesë e identitetit kulturor kombëtar që ka ndodhur jo rrallë në këtë vend në krahina të shumta. Porta e tretë ku kërkon që të na futë Esat Ruka me librin e tij është bashkëbisedimi me studiuesin e kësaj kulture. Në këtë portë vetë Esati nuk futet si një amator aq më tepër si një njeri që i gëzohet thjesht një balline të zbukuruar, ku është gdhendur emri i tij. Ai është tepër i motivuar dhe konkurrues së pari me veten e me të tjerët në këtë ndërmarrje të madhe. Në morinë e fakteve argumentuese do të kujtoja kontaktet e para me të në vitet e shkollës pedagogjike “Luigj Gurakuqi” para gati dyzet viteve, kur ai me djersën e tij, me pasionin e tij të një artisti të ri, pa përkrahje artificiale nga të tjerët, me shumë emocione artistike niste me shumë sukses një rrugë të tillë. Në vite që erdhën më pas duket se ambicia për të thënë një fjalë sa më të saktë e sa më të mençur nuk u nda nga jeta e tij. Duket se shkrimet e ndryshme në shtypin shqiptar kanë qenë të mjaftueshme që ai t’i futej kësaj ndërmarrjeje të tillë me kaq guxim e saktësi. Nëse do ta përfytyroja këtë libër pas disa viteve, me plot gojë do të thosha se ai do të jetë një libër nën jastëku për këtë fushë ashtu si është sot libri i studiuesit të njohur matjan Dilaver Kurti, të cilit i referohen pa asnjë mëdyshje arkeologë, historianë, pushtetarë, arkitektë, mësues e të tjerë.

Porta e katërt ku na fut Esat Ruka me librin e tij është ajo e dashurisë, me të cilën ai shkruan në çdo rresht. Nuk mund të më kundërshtojë njeri që edhe libra të mirëfilltë shkencorë apo edhe publicistikë duan jo vetëm një mendje të ftohtë, por edhe shumë dashuri. E kur flasim për një libër të tillë, që tregon rrugën e artit popullor të Matit, nuk mund të bëhej pa dashurinë për shkronjën që duket se edhe këtu është fort e përkëdhelur, por edhe dashuri për ata njerëz, për të cilët ti shkruan. Me këtë rast m’u kujtua një dialog i tij me një artist të moshuar, të cilin unë e kam cituar në një portret që ia kam bërë në librin tim të fundit “Ujëvara e tingujve”, që për rastësi të bukur, doli në të njëjtën ditë nga botimi me librin e tij. I ishte drejtuar një artist i moshuar Esat Rukës: “Shkallët e skenës të duken të lehta, moré bir, po janë ca shkallë të padukshme që, po punove e po e deshe artin tënd, po deshe këngën e popullit tënd, atëherë nuk të çojnë vetëm te një skenë e dritëzuar. Ato të ngjisin në një Qiell të lartë respekti e dashurie që të lumturojnë aq shumë sa edhe qielli do ta kishte zili”.

Porta e pestë ku na fut ky libër është ajo prapavijë e fuqishme ku mund të futen me lehtësi edhe krijuesit e arteve të tjera, kryesisht ato të letërsisë. Shumë fabula të librit, ndodhi, personazhe të spikatur të tij e bëjnë që me pak kujdes të krijosh tregime të rralla për tematikën e intrigën letrare që ata ngërthejnë. Të shkruash skica brilante që nuk po lëvrohen shpesh në letërsinë bashkëkohore, por që duan shumë profesionalizëm. Poetë të rinj e të vjetër mund të futen lirisht te lëndinat e librit e të frymëzohen për atë përkushtim të brezave artistë, për atë sakrificë të tyre, për atë virtuozitet të tyre që artistët e rinj do ta kishin fort zili. Edhe studiues të tjerë më të rinj si etnografë, koreografë, historianë të artit, drejtues të rinj të kulturës në bashki e në të gjithë komunat e rrethit, punonjës të muzeve lokale e krahinore do ta kishin këtë libër një lloj Modeli të pagabuar për të zgjidhur shumë pikëpyetje që mund t’iu dilnin në punën e tyre. Lexojmë këtë libër e një tjetër mesazh që marrim nga ai është largimi nga ajo kotje gjumëndjëllëse ku po na fut sot shumë e më thellë nostalgjia e së kaluarës. Le ta quajmë këtë libër edhe një “djep” të bukur, të fortë e të sigurt, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë të folklorit tonë popullor përballë atij transformimi objektiv e subjektiv që po ndodh. Me këtë gazmim, me këtë artdashje ku na fut libri i Esat Rukës doemos fytyra na skuqet të gjithëve. Nuk është vetëm krenaria që na përkëdhel bukur e do të na përkëdhelë edhe për shumë breza të tjerë, por edhe ajo punë e madhe që duhet të bëjmë të gjithë për ta mbajtur gjallë këtë pjesë të identitetit tonë lokal e kombëtar.