Poezia e Arben Shehit, një rrugëtim i vazhdueshëm drejt lirisë

Sulejman Mato

Ka një arsye për të mbërritur gjer te mërmërima e fjalës së shkruar. Thonë që poetët janë qenie të ndjeshme, por ndjesia nuk është një privilegj vetëm i poetëve. Diçka tjetër ndodh me ndjesitë e disa individëve të veçantë të cilët marrin guximin të hedhin mbresat e jetës në letër. Eshtë habia, ka thënë një shkrimtar i njohur, një cilësi fëmije që jeton gjatë vetëm te poetët e vërtetë dhe i bën ndjenjat të murmurijnë, për t’i çuar gjer te fjala. 
Kjo gjë ka nodhur dhe me mikun tim Arben Shehi, me profesion arkitekt,i cili gjen kënaqësi dhe ngushëllim herë te poezia e herë te piktura. 
Përse shkruajmë? Përgjigjja më e saktë do të ishte:”Sepse... Një fjalë pa kuptim, ose me shumë kuptime. 
Për Arben Shehin si poet, por dhe si njeri, do të citoja fjalët e shkrimtarit Arben Iliazi: “Nuk ka trokitur thuajse kurrë nëpër redaksi gazetash, rrallëherë ka marrë pjesë në aktivitete zyrtare të poezisë, pak është ftuar nga organizatorë apo botues institucionesh të letërsisë, por edhe kur kjo ka ndodhur, ai i ka refuzuar modestisht, me heshtje.” Po ç’ rëndësi kanë të gjitha këto për një poet i cili i njeh vlerat e veta dhe është i vetedijshem për diagramin e rritjes së personalitetit të vet poetik, nga njeri libër në tjetrin.Arben Shehi nuk është një poet mediatik, ndonëse është një person publik mjaft i njohur , jo vetëm si arkitekt por dhe për funksionet publike dhe shoqërore që ka pasur gjatë gjithe këtyre viteve.Ai gjen kohën të merret me dy arte njëherësh, me poezinë dhe pikturën. I thjeshtë ,i ndjeshëm, modest dhe fjalëpak, fisnik dhe bujar, i heshtur kur duhet, dhe tepër energjik kur është fjala për të treguar qytetarinë e vet tradicionale si publicist dhe aktivist i shoqërisë në të cilën jetojmë...Të gjitha këto cilësi i gjen të reflektuara në poezitë e tij, të cilat kudo dhe në çdo rast janë plot emocione, plot vizione jetësore të përshkruara nga një nostalgji humane. ”Poezia është rrugëtimi im i vazhdueshëm drejt lirisë, thotë autori. “Një ide mjaft interesante, koncepti i poezisë me lirinë ka kuptim të dyfishtë, ajo nuk ka të bëjë vetëm me lirinë e shprehjes, por dhe me lirinë si shkëputje nga e rëndomta, poezia është një univers brenda të cilit jetojnë dhimbja dhe trishtimi, realiteti dhe iluzioni, poezia bën lidhje të fshehta me retë dhe me shirat, me ëndrrën dhe me lirinë që jeton në sferat më të fshehta të ndërgjegjes sonë. Këtë Olimp ka prekur Arben Shehi ditën që preku poezinë. 
* * * 
Ajo që të bie menjëherë në sy sapo lexon poezinë e parë të kësaj përmbledhjeje poetike është ndjesia e veçantë që autori ka për vendlindjen,Shkodren e mbretërve siç shprehet ai, prej të cilës burojnë dhe poezitë më të mira të këtij libri. 
Më ka rritur ky ajër,- pohon autori.-Kur frynte egër murlani.. 
Megjithatë, 
jam ndier mbret në këto shkallë, nën këto çati, 
me çerdhe pëllumbash që i ndërtonim vetë 
dhe i ruanim po vetë....... 
Karakteristikë e poezisë së Shehit, sidomos kur përshkruan gjendje, është eliptizmi dhe imazhi si mjet artistik, një kombinim i bukur i ndjenjës dhe imazhit, pa rënë grackën e imazhinizmit. 
Ja disa nga vargjet që e ilustrojnë këtë mendim: 
“Një frymë larg, në Veri 
Është Kosova. 
“Në muzg nxitoja të thërrisja shirat... 
“E mbështes kokën 
te pikëllimi i syve të tu të përlotur.” 
Poezisë së tij duket sikur i mungon diçka. I mungojnë fjalët e zhurmshme. Poezia e tij duket e thjeshtë: por ne fakt shume e thelle 
Poezia e tij ushqehet me dhimbje.”Çfarë nuk dhëmb nuk është jetë” thotë poeti amerikan E.Muir. Dhimbjet njerëzore Shehi i shndërron në burim të poezive më të mira të këtij libri. Shumë prekëse dhe mbase, të denja për t’u futur në një antologji të përzgjedhur të poezisë shqipe, janë disa poezi kushtuar nënës, njërën prej të cilave dëshiroj ta citoj të plotë: 
Po shuhet ngadalë nëna ime. 
Si flaka e qiririt po dridhen ditët e saj. 
Më vështron në heshtje 
Dhe me sytë e mekur 
Një tufë zogj të ndrojtur 
I zbret në parvazin e saj të perëndimit. 

Si fletë e zverdhur vjeshte 
Dridhet drita në dritare mbi qelqet e holluara nga vitet, 
Që mund të krisin nga çasti në çast. 

Së shpejti ajo do të fluturojë 
Së bashku me zogjtë. (Nënës) 
Poezia e Arben Shehit ka diçka përjetësisht të parealizuar në kohë, e cila jeton në kujtime, kjo gjë vërehet te vjershat e dashurisë,ndonëse, në vjershën “E shkruar vetëm për time bijë” ai vetë e pohon, se në jetën e tij ka pasur vetëm tri Gra “ 
Nëna ime, 
vajza e nënës sime, 
Nëna jote... 
Në libër ka pak poezi sociale, të mbarsura me shqetësimin e te sotmes, te ditës.Ai lundron me varken e femijerise ne ujrat e se ardhmes , gje qe e ben poezine e Shehit edhe me vizionare dhe universale.Por kur ai vezhgon te perditshmen e eger, lenda e perpunuar eshte ngjethese.Një prej tyre është pershembull poezia “Hienat” në të cilën përshkruhet gjendja e punëtorëve të cilët “ Presin më kot te Ushtari i Panjohur, të papunë, të mardhur e të lagur./Ndërsa perëndimi me shkrepje vetëtimash/ ngutet të ndezë avujt e leckave të tyre/ si qirinj përshpirtjesh në këtë buzëmbrëmje. Magjepsja poetike ka ardhur kesisoj me nje pende migjeniane . 
* * * 
Duke mos pretenduar i bëj një analizë të poezisë së këtij poeti trondites , i cili shkon pa u vënë re nga kritika jonë letrare (per fatin e saj te keq), madje as nga mediat, të cilat vërtitet si fluturat rreth dritave të rreme, jam i të njëjtit mendim me shkrimtarin Arben Iliazi, kur thotë që poezia e tij “është një poezi thellësisht lirike dhe plot kontraste, një pasqyrim i plotë i lirisë, si dimension i tij i qenësishëm” Më shumë se nostalgji për jetën te poezia e tij ndjehet malli, malli për vendlindjen, malli për njerëzit e dashur të familjes, mall për rrugët ku ka shkelur këmbëzbathur dikur, mall për një pritje, pas qelqeve, në avullin e magjishëm të ndarjes, mall për shirat “mbi çatitë flurore të mjegullës”...Mall për gjithçka të bukur ka kjo jetë. Mall dhe për të papërsëriturën, po qe universi poetik i Shehi e ben që te përsëritet mjeshterisht. Por, ajo që e veçon poezinë e tij nga poezitë e tjera që lexojmë rëndom nëpër libra poetikë e gazeta është mënyra se si ky autor e përthyen ndjenjën në prizma imazhesh. “Zogjtë ikacakë të vjeshtës janë ulur mbi thërrimet e mallit tim.” “”Do të shkoj më së fundi të bëhem erë” “Në muzg nxitoja të thërrisja shirat...”. janë disa nga vargjet me të cilat dua të ilustroj mendimin tim, për një poezi fine, të kulluar, tronditese, brilante,..... një poezi me “bukuri pranuese”, ashtu si e quan autori nënën e vet, gje qe askush me pare ne poezine shqipe nuk e ka bere. Dashuria për njerëzit i kthehet në vlerë, i praron mendimet, i kthjellon imazhin. 
Ka poetë që hyjnë me bujë në poezi dhe, po me bujë e mbyllin ciklin e vet letrar.Arben Shehi nuk bën pjesë te këta lloj poetësh. Atë nuk e shqetëson as emri, as lavdia, as zhurma që duhet të bëhet rreth poezisë së tij. Ai ka zgjedhur heshtjen si reflektim. Ai ndjek rrugën e poetëve të shquar që kanë jetuar larg zhurmës së fjalëve. Eshtë detyrë e studiuesve dhe e kritikës letrare, për të thënë fjalën e fundit, rreth vlerave tronditese te ketij poeti.

Related Posts: