Romani i Salinger-it i magjeps të rinjtë amerikanë në fillim të viteve pesëdhjetë, ndërsa italianët e zbulojnë dhjetë vite më vonë. Problemi i pazgjidhshëm i ‘momentit të duhur’
Nga Umberto Eco
Me rastin e vdekjes së Salinger-it lexova ripërkujtime të ndryshme të ‘Il giovane Holden’ (titulli në italisht i ‘Tha Catcher in the Ray’ – v.p.) dhe pashë se ndaheshin në dy kategori: e para ishin kujtesat e ngazëllyera të atyre për të cilët romani kishte qenë një eksperiencë e mrekullueshme adoleshenciale, e dyta ishin reflektimet kritike të atyre që (ose tepër të rinj ose tepër të vjetër) e kishin lexuar siç lexohet një roman çfarëdo. Leximet e tipit të dytë që të gjitha ishin plot mëdyshje dhe pyeteshin nëse ‘Holden’ do të mbetej në historinë e letërsisë apo përfaqësonte një fenomen të lidhur me një epokë dhe me një gjeneratë. E megjithatë askush s’kishte parashtruar probleme të tilla duke rilexuar ‘Herzogun’ pas vdekjes së Bellow apo ‘Nudoja dhe i vdekuri’ pas vdekjes së Mailer. Pse me ‘Holdenin’?
Ma ha mendja se është një eksperiment i mirë. Romani u botua më 1951, u përkthye vitin tjetër në italisht nga Casini me titullin pak inkurajues ‘Vita da uomo’ (‘Jetë njeriu’), kaloi i pavërejtur dhe korri sukses vetëm në vitin 1961 kur u botua nga Einaudi si ‘Il giovane Holden’ (Djaloshi Holden’). Është pra ‘madeleine’ pruustiane e atyre që ishin adoleshentë në fillim të viteve gjashtëdhjetë. Unë në atë kohë isha tridhjetë vjeç, merresha me Joyce-n, e Salinger-i më është shmangur. E kam lexuar, pothuajse nga detyrimi dokumentar, vetëm nja dhjetë vite më parë dhe kam mbetur indiferent ndaj tij. Qysh vallë?
Para se gjithash s’ma kujtonte ndojfarë pasioni adoleshencial; në radhë të dytë, me gjasë ajo gjuhë rioshe që e kishte përdorur në mënyrë aq origjinale, tashmë ishte tejkaluar (dihet, të rinjtë e ndryshojnë zhargonin çdo stinë), prandaj tingëllonte fals; dhe në fund, nga vitet gjashtëdhjetë deri më sot ‘stili Salinger’ kishte pasur asi fati dhe ishte rishfaqur në shumë romane të tjera sa s’mund të më dukej pos manieror, e për çdo rast hiçfare i panjohur dhe provokues. Romani ishte bërë pak interesant sherri i suksesit që kishte pasur.
Kjo nxit të mendojmë se sa, në historinë e ‘fatit’ të një vepre, kanë rëndësi rrethanat, kontekstet historike në të cilat shfaqet dhe referimet në vetë jetën e lexuesit. Një shembull në një nivel tjetër: unë s’i përkas ‘Tex generation’-it dhe mbetem prore i habitur kur dëgjoj dikë që deklarohet së është rritur me mitin e Tex-it. Shpjegimi është i thjeshtë, tex u shfaq më 1948 dhe në atë kohë unë, tashmë në lice, kisha pushuar së lexuari fumetti (romanet vizatimore) dhe do të rifilloja t’i lexoja kah mosha tridhjetë vjeçare, në epokën e Charlie Brown, e rizbulimit të klasikëve si Dick Tracy apo Krazy Kat dhe me fillimin e traditës së madhe italiane të Crepax-ve dhe Pratt-ve. Në të njëjtën mënyrë Jacovitti im ka qenë ai i Pippo-s, Pertica e Palla (vitet dyzet) e jo ai i Cocco Bill-it.
Por le të jemi të kujdesshëm të mos e tkurrim gjithçka në probleme personale. Është e natyrshme se dikush mund ta urrejë Komedinë Hyjnore ngase, në kohën kur duhej ta studionte, ishte duke vuajtur nga një zhgënjim i llahtarshëm dashurie, ama kjo mund t’i ndodhte edhe me filmat e Toto-s. Mirëpo nuk duhet të lëshohemi në vesin pseudo shkatërrues sipas të cilit nuk ekziston asnjë kuptim i një teksti dhe gjithçka varet nga mënyra se si lexuesi e interpreton. Mund të trishtohemi duke e kujtuar ‘Toto, Peppino e la malafemmina’, ngaqë vajza jonë na ka lënë bash atë ditë që kishim shkuar ta shikojmë, ama kjo nuk e përjashton mundësinë që, në një analizë të ftohtë, episodi i letrës drejtuar Dorian Grey-t të rezultojë një kryevepër me ritëm dhe me dozim efektesh komike.
Atëherë, po qe se vlera artistike e një vepre mund të vlerësohet pavarësisht nga rrethanat e receptimit tonë personal, mbetet çështja e arsyeve të suksesit të tij apo josuksesit në një epokë të caktuar. Sa mund të lidhet suksesi i një libri me periudhën (dhe me kontekstin kulturor) në të cilën shfaqet? Pse ‘Holden’ magjeps të rinjtë amerikanë në fillim të viteve pesëdhjetë, por në atë periudhë i lë indiferentë të rinjtë italianë, të cilët e zbulojnë sall dhjetë vite më vonë? E nuk mjafton të mendohet prestigji më i madh botues dhe zotësia reklamuese e Einaudi-t në krahasim me Casini.
Do të mund të citoja shumë vepra që kanë fituar popullaritet të gjerë dhe vlerësim kritik, të cilin s’do ta kishin gëzuar po të ishin botuar dhjetë vite më parë ose dhjetë vite më vonë. Disa vepra duhet të arrijnë në momentin e duhur. E që nga filozofia greke e tutje dihet se ‘momenti i duhur’ apo ‘kairos’ konstituon një problem serioz. Të pohosh se një vepër shfaqet ose nuk shfaqet në momentin e duhur, nuk do me thënë të mund të shpjegosh pse ai është pikërisht momenti i duhur. Bëhet fjalë për ato probleme të pazgjidhshme si të parashikosh ku do të jetë të mërkurën topi i ping pongut të cilin të hënën e kishin përlarë valët e detit.
(Përktheu: Arben Idrizi)