Fundi i Perandorisë së dashur
Më 21 shkurt të vitit 962 Mbreti i Gjermanisë, Otoni i Madh merrte në Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë kurorën perandorake nga duart e Papës Gjoni XII. Ky është akti themelues i Perandorisë së Shenjtë Romake gjermanike. Kjo perandori, e cila lind në një epokë ku pranë Kishës dominonte ideologjia e një orbis christianus universalis, do të zhduket zyrtarisht në vitin 1806, në një moment në të cilin Europa është e gjymtuar nga trazira revolucionare dhe nga luftërat napoleonike, si dhe vlerat kristiane janë vënë nën sulm nga filozofia e Iluminizmit.
Në momentin në të cilin kurorëzohet Otoni i Madh, mendimi i Perandorisë Romake është akoma i gjallë pranë njerëzve të kishës dhe njerëzve të kulturuar dhe një kujtim i tillë është i pranishëm në rite dhe në shprehje të caktuara: përpara se të bëhet perandor, Mbreti i Gjermanisë mban titullin e "Mbretit të romakëve". Pikërisht siç do të përcaktohet në vijim trashëgimtari i fronit perandorak.
Me të njëjtën mënyrë, pallati i Frankfurtit, ku zgjedhësit caktojnë perandorin mban emrin Römerhaus. Traditës romake i shtohet trashëgimia kristiane, pasi që pas Kostandinit, Perandoria Romake ishte bërë kristiane. Më pak se katër shekuj pas përfundimit të Perandorisë Romake të Perëndimit, Papati kish restauruar Perandorinë në vitin 800 në favor të Karlit të Madh, Mbret i frankëve dhe kjo renovatio romani imperii kishte mbijetuar deri në vitin 887. Kështu, restaurimi i vitit 962 është për t'u vendosur në vijueshmërinë e kurorëzimit të Karlit të Madh.
Perandoria e Shenjtë Romake, në të cilën mbretëron Otoni i Madh, është më pak e zgjeruar se ajo Karolinge. Mbretëria e Gjermanisë përfaqëson zemrën e strukturës dhe perandori ka qenë gjithmonë princ gjerman. Dominimi i saj shtrihet drejt lindjes dhe i ka kufijtë e saj pak a shumë përkues me ato të Francia orientalis të Traktatit të Verdunit të vitit 843, pasi përfshin edhe dukatin sllav të Bohemisë, pasi Duka Bolesllav është njohur vasal i Otonit.
Përtej Mbretërisë së Gjermanisë, Perandoria e Shenjtë Romake e shtrin sovranitetin e saj mbi Francia media e lashtë (Lotaringinë), domethënë mbi dukatet e Lorenës së Poshtme dhe të Sipërme, mbretëritë e Burgonjës e të Arlesit dhe Mbretërinë e Italisë, e kufizuar në fakt vetëm në Italinë veriore, për sa Italia qendrore është nën dominimin e Shtetit të Kishës dhe Jugun e Siçilinë, për një kohë të gjatë objekt kontestimi midis bizantinëve dhe arabëve, do të bëhet në fund të shekullit XI Mbretëria normane e Dy Siçilive (teorikisht vasale e Papatit). Në të kundërt, Francia occidentalis nuk është më pjesë e Perandorisë së Shenjtë dhe me ngjitjen në pushtet të Kapetingëve në vitin 987 transformohet në një mbretëri plotësisht të pavarur.
Perandoria e re, më pak e shtrirë se ajo karolinge, paraqet megjithatë një karakter universaliteti të pakontestueshëm, në funksion të larmisë së popujve dhe gjuhëve që e përbëjnë. Gjermanë, flamingë, sllavë, italianë, francezë jetojnë në brendësi të territorit të saj, ku zënë hapësira homogjene nga pikëpamja gjuhësore. Në ndryshim nga Perandoria Karolinge, ajo e Otonit karakterizohet edhe nga mungesa e një pushteti qendror të fortë. Jo vetëm mbretëritë periferike gëzojnë autonomi shumë të madhe administrative, por edhe në vetë Mbretërinë e Gjermanisë pushteti real ndodhet më shumë në nivelin e dukëve dhe të vasalëve të tyre. Kjo shpjegon se pse Otoni i Madh dhe pasuesit e tij janë mbështetur mbi peshkopët për ta konsoliduar autoritetin e tyre. Së fundmi, Perandoria e Shenjtë Romake është një perandori kristiane dhe për Kishën e epokës misioni i perandorit është ai i realizimit të orbis christianus.
Aleanca midis Kishës dhe perandorisë i jep perandorit një autoritet moral mbi tërësinë e kristianizmit latin, të paktën deri në shekullin XIII. Deri në vdekjen e Frederikut II Hohenstaufen, perandoria konsiderohet si forca morale dhe politike më e madhe e perëndimit. Kreu i Perandorisë së Shenjtë Romake, i konsideruar si kreu i "Res Publica" kristiane, ushtron një lloj primati honorifik mbi monarkët e tjerë. Pavarësisht konflikteve që do ta kundërvënë Papatin me perandorin, me rastin e Grindjes për Kurorëzimet (1073-1122) apo me çkishërimet e dhëna Pederikut II (1212-1250), prestigji i perandorit do të mbesë praktikisht i paprekur.
Gjatë tri shekujve të para të ekzistencës së saj, Perandoria e ka zgjeruar bazën territoriale të saj. Nën Otonët (936-1024) dhe Dinastinë Salike (1024-1125), ungjillëzimi i popullsive pagane të lindjes ka ecur me të njëjtin hap me pushtimin dhe gjermanizimin e zonave të ndodhura përtej Elbës. Ky Drang nach Osten është shoqëruar me zhvillimin e influencës së Perandorisë në shtetet e pavarura dhe të kristianizuara vonë të Hungarisë e të Polonisë. Por është ndoshta nën Federikun II të Svevisë që është rrezikuar të realizohet ëndrra e vjetër e krijimit të një orbis christianus universalis. Trashëgimtar nga ana e nënës i Mbretërisë normane të Dy Siçilive, Federiku II e ka integruar de facto me Perandorinë pothuajse të gjithë Italinë. Duke vazhduar në rrugën e Dominium mundi, svevi arrin në vitin 1229 që të rekuperojë paqësisht pjesën më të madhe të Vendeve të Shenjta në Palestinë, fakt që i jep mundësinë të kurorëzohet Mbret i Jeruzalemit.
Me Federikun II, Perandoria e Shenjtë Romake del si perandoria e vetme kristiane, pasi që në atë moment Perandoria Kristiane e Lindjes ndodhet në dekompozim të plotë. Megjithatë, për Papatin, Federiku II është një kërcënim ndaj pushtetit shpirtëror të tij dhe për këtë arsye do të luftohet në mënyrë të ashpër.
Pas vdekjes së Federikut II dhe masakrimit të trashëgimtarëve të tij (nën nxitjen e Papatit), Perandoria e Shenjtë Romake futet në një periudhë të gjatë paqartësie dhe trazirash. Nga viti 1250 deri më 1273 verifikohet një periudhë "interregnum", gjatë së cilës kolegji i princave zgjedhës, i gjymtuar nga përçarjet e fuqishme të brendshme, ia ofron në suksesin kurorën Mbretit Alfonsi X të Aragonës dhe Rikardit të Kornuollit. Zgjedhja e Rudolfit të Habsburgëve në vitin 1273 sjell një qetësi të caktuar në Gjermani dhe marrëdhëniet me Papatin gjejnë një përmirësim të fortë, pikërisht pse Rudolfi I çinteresohet për Italinë, ku agjentët e Papës e kishin dobësuar autoritetin perandorak.
Pas vdekjes së Rudolfit I në vitin 1291, Gjermania fillon të ndeshet sërish me një periudhë paqëndrueshmërie. Froni perandorak diskutohet midis Habsburgëve, të forcuar nga blerja e Austrisë, shtëpisë së Luksemburgut dhe Vitelsbakëve të Bavarisë.
Njëfarë stabiliteti kthehet me Perandorin Karli IV i Luksemburgut (1346-1378), por periudha e mëparshme e krizës e Perandorisë së Shenjtë Romake ka pasur për pasojë një erozion territorial të rëndësishëm. Mbretëritë periferike janë shkëputur. Mbretëria e Burgonjës është absorbuar në mënyrë progresive nga Kapetingët dhe nga Valuatë e Mbretërisë së Francës. Në vitin 1480 do të jetë radha e Mbretërisë së Provansës, prej disa kohësh e pavarur de facto. Në Itali autoriteti perandorak, tashmë i kufizuar në veriperëndim të gadishullit, është më shumë teorik sesa real. Në shekullin XIV, Perandoria tenton gjithnjë e më shumë të tërhiqet mbi hapësirën gjermanike dhe vazhdon ekspansionin e saj në lindje me integrimin e Pomeranisë dhe të Silezisë, ndërsa duke filluar nga viti 1226 Kalorësit Teutonë krijojnë një shtet të pavarur në trojet pagane të Livonisë dhe të Prusisë, një shtet që afirmohet në shekullin XIV si një bastion i kulturës gjermane në brigjet e Balltikut.
Delimitimi i Perandorisë së Shenjtë Romake me botën gjermane shoqërohet nga një ripërkufizim i institucioneve. Pas krizës së shekullit XIII dhe XIV, në një Gjermani ku zhvillimi i aktiviteteve artizanale dhe tregtare kërkon paqe sociale, me promulgimin në vitin 1356 të Bulës së Artë, Perandori Karli V fikson rregulla të qëndrueshme dhe të sakta për zgjedhjen e sovranëve. Pinjoll i shtëpisë së Luksemburgut, letrar në korrespondencë me Petrarkën, ky sovran është krijuesi i Rajhut gjerman. Bula e Artë konfirmonte parimin e monarkisë së zgjidhshme, por fiksonte në mënyrë të qartë dhe të saktë modalitetet për zgjedhjen e monarkut. Perandori, Mbret i Gjermanisë, duhet të zgjidhet nga anëtarët e Kolegjit të Princave Zgjedhës (Kurfursten), i përbërë nga 7 elementë, 3 ekleziastë (arqipeshkët e Këlnit, Magoncës dhe Trevirit) dhe 4 laikë (Mbreti i Bohemisë, Zgjedhësi i Saksonisë, Konti Palatin i Renit dhe Margravi i Brandenburgut). Kandidati që siguron votat e të paktën 4 zgjedhësve bëhet "Mbret i romakëve" përpara se të zgjidhet perandor, për të cilin konfirmimi papnor nuk është më i nevojshëm. Princat zgjedhës bëhen "Këshilltarët e përhershëm të Mbretërisë".
Megjithë parimin e theksuar zgjedhës, perandorët do ta caktojnë gjithmonë pasuesin gjatë mbretërimit të tyre, duke investuar në përgjithësi djalin e tyre apo kushërinjtë më të afërt dhe duke i çelur kështu rrugën një trashëgimie të kurorës perandorake. Për sa i përket Dietës, duhet pritur fundi i shekullit XV që të marrë organizimin përfundimtar të saj me tri Kolegje, atë të Princave Zgjedhës, atë të Princave dhe atë të Qyteteve të Lira.
Zgjedhja si perandor në mars të vitit 1438 e Albertit II të Habsburgut shënon një moment vendimtar në evolucionin e Perandorisë. Nga ai moment, kurora perandorake do të jetë pothuajse gjithmonë mbi kokën e një habsburgasi, me përjashtim të intermexos së shkurtër bavareze të Karlit VII Vitelsbach (1742-1745). Politika tradicionale e Habsburgëve ka qenë gjithmonë ajo e rritjes së posedimeve të drejtpërdrejta nëpërmjet martesave dhe aleancave. Të fortë nga prestigji i sjellë prej titullit perandorak, habsburgët privilegjojnë shpesh interesat e shtëpisë respektivisht atyre të perandorisë. Kështu, Frederiku III (1440-1493) - perandori i fundit i kurorëzuar në Romë nga një Papë - i imponon djalit Maksimilian martesën me Marien e Burgonjës, trashëgimtare e Dukës Karl Guximtari. Në këtë mënyrë, hyn në pasurinë habsburge pjesa më e madhe e trashëgimisë burgonjase, edhe me koston e shpërthimit të një lufte me Francën.
I bërë perandor në vitin 1493, Maksimiliani pa i lënë mënjanë interesat habsburge kërkon që t'i rijapë forcë Perandorisë, e shkatërruar nga luftëra të brendshme të favorizuara nga një pushtet qendror pak efikas. Në vitin 1495 miraton një Edikt Paqeje të Përjetshme, me të cilin ndalon luftërat private; më pas krijon Gjykatën Supreme të Perandorisë, gjykatë apeli e vërtetë për vendimet apo gjykimet e marra nga princat dhe qytetet e lira. Por Maksimiliani ndjek edhe politikën tradicionale të martesave, duke e martuar djalin Filipi i Bukur me Xhovanën e Çmendur, që do të bëhet më vonë trashëgimtare e kurorës së Spanjës.
Nga ky çift mbretëror lind në vitin 1500 Karli V i ardhshëm, i cili duke filluar nga viti 1516 mbretëron në Spanjë dhe në posedimet italiane dhe amerikane të saj. Vëllai i Karlit V, Ferdinandi, martohet me Ana Jagelonen dhe motra e tij, Maria e Austrisë, martohet me Luigji Jagelonin, trashëgimtarë të froneve të Bohemisë dhe Hungarisë, që në vitin 1526 do të futen e të bëhen pjesë e trashëgimisë së Habsburgëve.
Në këtë pikë, Perandoria e Shenjtë transformohet në një komponente, veç të tjerash më pak e pasur, e perandorisë habsburge të sapolindur.
Me vdekjen e Maksimilianit I në vitin 1519, Kolegji Zgjedhor e skarton kandidaturën e Mbretit të Francës, Francesku I, si jogjerman dhe e orienton zgjedhjen e tij nga Karli V, tashmë "Mbret i Spanjave", pasi është trashëgimtar gjaku i Maksimilianit dhe i pajisur me mbështetjen e bankierëve gjermanë.
Padron i një perandorie të pafundme, Karli V kultivon ambicien që të rivendosë unitetin e botës kristiane dhe të ndërmarrë një kryqëzatë të re kundër kërcënimit osman. Por ideali i një Perëndimi kristian të bashkuar nën flamurin perandorak është më shumë një utopi, në një epokë në të cilën "shumëkristiani" Mbret i Francës, Françesku I, është bërë aleat i turqve. Edhe uniteti fetar i Perëndimit është gati për t'u prishur, sidomos pasi që në vitin 1517 predikimi i Martin Luterit kish shkaktuar një turbullirë të madhe në Perandori. Princat gjermanë, të cilët kishin zgjedhur të mbështesnin Reformën, kishin shpalosur flamurin e revoltës kundër Perandorit dhe nuk ngurronin që t'i kërkonin ndihmë Mbretit të Francës. Ëndërra e pamundur e Karlit V për të bashkuar të gjithë Perëndimin kundër turqve është pa shpresa dhe, për të sjellë një dukje paqeje civile në Gjermani, perandori duhet të dorëzohet dhe të pranojë Paqen e Augustas të vitit 1555, e cila bën zyrtar luteranizmin.
Pas abdikimit të tij në vitin 1556, që gjeneron një ndarje të posedimeve midis djalit të tij Filipi II, kreu i degës spanjolle të habsburgëve dhe vëllait të tij Ferdinand, të degës austro-gjermane, rënia e Perandorisë bëhet gjithnjë e më e dukshme; tashmë nuk është gjë tjetër veçse një konfederatë princash dhe qytetesh mbi të cilat perandori nuk posedon kurrfarë mjeti për të imponuar autoritetin e tij.
Lufta 30-vjeçare (1618-1648), e lindur nga revolta protestante e Bohemisë, u shndërrua menjëherë në luftë evropiane, në të cilën Mbreti i Francës dhe Mbreti i Suedisë morën një rol të rëndësishëm në punët e brendshme të Perandorisë.
Mund të pohohet se pas vitit 1648, Perandoria e Shenjtë Romake pushon së ekzistuari si fuqi politike. Traktati i Vestfalisë ridizenjojnë hartën politike të Perandorisë, duke i hequr Alzasën dhe tri peshkopata. Constitutio westphalica mbështetet tashmë mbi baza të reja midis Perandorit dhe princave. Perandori zgjidhet gjithmonë nga princat zgjedhës, të bërë 8 me futjen e Bavarisë në Kolegjin Zgjedhor, por pushtetet e pakta që ai ruan janë ngushtësisht të kufizuara nga capitolazione perpetua. Me tri Kolegjet e saj, Dieta mblidhet gjithmonë me kërkesën e sovranit, vazhdon të votojë rezoluta që bëhen ligje të Perandorisë vetëm pas miratimit nga ana e Perandorit. Por sistemi nuk mund të funksionojë përveçse nëpërmjet marrëveshjes midis Perandorit dhe anëtarëve të Dietës dhe ky mirëkuptim regjistrohet vetëm në raste të jashtëzakonshme. Constitutio westphalica u akordon princave avantazhe substanciale: të pavarur faktikisht, ata disponojnë tashmë "superioritet territorial" (Landeshoheit), domethënë të "drejtën për të përfunduar midis tyre dhe me fuqi të huaja traktate për garancinë dhe sigurinë reciproke të tyre", bile me rezervën formale që "këto traktate të mos jenë të drejtuar as kundër Perandorit, as kundër paqes publike të Perandorisë".
Disa princa, si ato Hohenzollern, nuk do të vonojnë të paraqiten si rivalë të vetë Perandorit gjatë shekullit XVII. Pavarësisht kësaj, ideali në origjinën e Perandorisë së Shenjtë Romake nuk ka vdekur krejtësisht. Praktikisht, kur në vitin 1683 turqit rrethojnë Vjenën, të gjithë princat e Perandorisë së Shenjtë Romake, katolikë dhe protestantë, përveç Mbretit të Polonisë, Johan Sobieskit dhe Karlit V, Dukë i Lorenës, vrapojnë në ndihmë të Perandorit Leopoldi I.
Të gjithë dërgojnë trupat që do t'i detyrojnë turqit, të mundur në Kahlberg, që të tërhiqen, por në këtë grup nuk bën pjesë shumë kristiani "Mbreti Diell" Luigji XIV i Francës, që deri e ka detyruar fisnikërinë franceze që të veprojë me titull personal në mbrojtjen e kristianizmit të kërcënuar. Por kemi të bëjmë me një përpjekje të fundit pa të nesërme. Perandoria nuk është më shumë se një simbol, i asaj të një të kaluare të lavdishme, por tashmë të përfunduar.
"Perandoria e Shenjtë Romake e dashur", siç e quan Gëtja, futet atëhere në një agoni të gjatë që do të zgjasë dy shekuj e gjysëm, deri sa do të shuhet përfundimisht kur Perandori i fundit i saj, Françesku II do të deklarojë në mënyrë solemne më 6 gusht të vitit 1806 heqjen dorë të tij "nga kurora e Perandorisë së Shenjtë Romake të Kombit Gjerman". Dy vjet më parë kish bashkuar posedimet e Shtëpisë së Habsburgëve në një Perandori të Austrisë, i së cilës ishte shpallur Perandor me emrin Françesku I. Në këtë mënyrë, nën goditjet e njëkohshme të Napoleonit dhe të "klientelës" së tij të "mercenarëve" gjermanë, zhdukej pas 8 shekujsh e gjysëm Rajhu i Parë i themeluar nga Otoni i Madh.
Përgatiti
ARMIN TIRANA