Pashko Gjeci: Ja dorëshkrimet që do shohin dritën e botimit

Fatmira Nikolli

Ndonëse ka pak kohë që është ndarë prej nesh, Pashko Gjeçi pas vetes ka lënë një vepër të madhe, një punë të admirueshme, falë së cilës kryeveprat botërore flasin shqip. E jo vetëm kaq. Flasin në një gegnishte letrare me tingull e timbër, që vetëm Pashko Gjeçi mund t'ia jepte. Sot, kur ai nuk është më, e kësisoj ai nuk mund të marrë më penën e të shkruajë, dorëshkrimet e tij të lëna pa botuar do të mund të shohin dritën e botimit nga "Argeta LMG". Drejtori i kësaj shtëpi botuese, Mehmet Gëzhilli na rrëfen shkrimet e panjohura të Gjeçit, apo përkthimet e bëra prej tij, që akoma kanë mbetur në copëza letrash a fletoresh me kaligrafinë sqimatare të të zotit. Andromaka, në një gegnishte letrare, dorëshkrimet e "Faustit" me korrigjimet e tij mbi të, disa poezi të rinisë së hershme, kritika për Fishtën, Nolin, Poradecin, por edhe shkrime dedikuar atij, janë vetëm disa prej botimeve që do të "risjellin" mes nesh Pashko Gjeçin. Tashmë, pas ndarjes së tij nga jeta në datën 20 janar, fjala ia ka lënë vendin heshtjes, meqenëse dora që mbante penën me të cilën u përkthye në shqip "Komedia hyjnore", ka ndalur përgjithnjë. Ndërkohë që ai iku i heshtur, pa zhurmë e bujë, ata që e njohën dhe e deshën, vënë në dukje cilësitë, rrëfejnë kujtimet dhe dhimbjen. Ai u nda nga jeta, pasi ishte ndarë më parë nga njerëzit e kujtimet për shkak të sëmundjes së sklerozës, e cila e pati ndarë me detajet, momentet, miqtë e të afërmit. Emri i Pashko Gjeçit i ka tejkaluar tanimë përmasat kombëtare, duke tërhequr vëmendjen dhe gëzuar respektin edhe të presidentit italian Ciampi, i cili e ka dekoruar atë në vitin 2004 me dekoratën "Ordine de la stela, de la solidarita italiana". Po ashtu, Pashko Gjeçi është laureant edhe i disa çmimeve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare. Në kuadër të 90-vjetori të lindjes, përkthyesi i shquar Pashko Gjeçi nderohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me Çmimin Kombëtar të përkthimit "Fan Noli", për kontributin e madh dhe vlerat që ka përcjellë në kulturën shqiptare me përkthimin mjeshtëror të veprës "Fausti" të shkrimtarit të shquar gjerman Gëte.
Kanë kaluar dy javë që nga dita kur Pashko Gjeçi është ndarë nga jeta. A ka lënë vepra në dorëshkrim ai?
Së pari, dua të them se edhe pse ai ka ikur nga jeta, ne na ka lënë një pasuri të madhe kulturore e shkencore. Kam pasur fatin ta njoh nga afër sepse i kam botuar dy libra. Unë, përveç "Komedisë Hyjnore" të cilën e kam botuar e më pas ribotuar, kam punuar edhe për "Faustin" e Gëtes. Unë kam një peng për këtë vepër. Ai ka lënë edhe dorëshkrimin e tij të "Faustit", ku shihen qartë korrigjimet që ai ka bërë here pas here në përkthimin e veprës. Duke e ditur se sa vlerë ka dorëshkrimi i këtij përkthyesi shqiptar, kam vendosur që të botoj 50 kopje të kësaj vepre, ku do të pasqyrohen dorëshkrimet e tij së bashku me korrigjimet që vetë Pashko ka bërë. Siç thashë, do jenë pak kopje që do të botohen për nxënësit, dashamirësit e të afërmit e tij. E bëj këtë për respektin që kam ndaj këtij korifeu të përkthimit. Përveç veprave që njihen si të përkthyera prej tij, ai ka përkthyer edhe "Andromakën". Para pak kohësh, në një bisedë me bashkëshorten e tij, Nezo Gjeçin, më tha se Pashko përveç "Komedisë hyjnore", "Faustit" etj, kishte përkthyer edhe "Andromakën", të cilën e kishte shumë për zemër, e që herë pas here recitonte pjesë të saj. Ajo është bërë gati për botim dhe besoj se brenda këtij gjashtëmujori do të dalë edhe "Andromaka" e Pashko Gjeçit. Për herë të parë kjo vepër ka ardhur në shqip nga Prokop Gjergo.
Në ç'dialekt e sjell atë Pashko Gjeçi?
Nuk ka shumë rëndësi dialekti, në një kohë që redaktorët që e kanë parë e kanë vlerësuar shumë. Vepra ka rëndësi të madhe për miqtë e përkthimit. Duke pasur në shqip dy përkthime të së njëjtës vepër, do mund të krahasojnë e të shohin secilin përkthim e të mësojnë prej tyre. Megjithatë, Gjeçi e ka sjellë atë në një gegërishte letrare. Ka disa vepra që ecin shumë bukur përkrah nuancave të gjuhës. Ndre Mjeda dhe vepra e tij tingëllojnë shumë bukur në gegërisht, ashtu si "Bagëti e Bujqësi" në toskërisht. Përkthimet e Pashkos na vijnë përmes një gjuhe shkodrane të pastër, që tingëllon shkëlqyeshëm me vargjet dhe strofat. Ka disa vargje që të shijojnë në një gjuhë të caktuar.
Përveç këtyre dy botimeve, a do të keni diçka tjetër për të nxjerrë në dritë nga Pashko Gjeçi?
Po, kam edhe një botim tjetër, një vëllim me tri pjesë. Ky është një libër që aktualisht është në proces botimi dhe me siguri do të dalë nga fundi i muajit maj. Pjesa e parë e këtij vëllimi është me krijime origjinale të tijat. Këto janë disa poezi të rinisë së tij të hershme, por veç tyre ka disa shkrime kritike për Gjergj Fishtën, Lasgush Poradecin, e disa shkrime për poezinë popullore. Të gjitha këto përbëjnë pjesën e parë të librit, më pas ka një sërë poezish që ai i ka përkthyer nga autorë të ndryshëm, të huaj. Janë disa poezi që Pashko Gjeçi i ka përkthyer së bashku me Arshi Pipën në vitet 1940. Akoma nuk është e qartë se kush prej tyre ka përkthyer një apo një tjetër. Kësisoj, ne do t'i botojmë siç i ka lënë Pashko me të dy emrat. Pjesa e tretë e librit do të përfshijë të gjitha shkrimet që janë botuar për Pashkon mbas vdekjes së tij. Këtu do të ketë shkrime të Shpëtim Çuçkës, mik dhe student i tij; Pëllumb Xhufit, po ashtu mik e student, si edhe shkrime nga Kosova, një shkrim nga përkthyesi Amik Kasoruho. Kjo tregon që populli ynë e ka njohur dhe e ka dashur atë dhe përkthimin e tij. Duke bërë këtë punë, ne vëmë në vend një padrejtësi që i është bërë figurës së Pashkos, duke e lënë atë në harresë. Tashmë jemi ne që kemi nevojë për të dhe punën e tij, e jo ai. Veç kësaj, unë gjatë takimeve që kisha në Shkodër, ku dhurova disa libra për zonat e përmbytura, në bisedat me drejtues të pushtetit vendor u hodh ideja që ndonjë shkolle atje t'i vihet emri i tij.

Related Posts: