Papiloma virus, e pranishme edhe te meshkujt

Pas një studimi është vërtetuar se shkakton abortin e parakohshëm te femrat

HPV-ja prek edhe meshkujt: 4 për qind të personave të shëndetshëm dhe 11 për qind të atyre që janë sterilë. Tashmë një studim shkencor thekson se spermatozoidet që transportojnë ADN-në virale në vezë modifikojnë fertilizimin dhe zhvillimin e embrionit, duke u bërë shkaku kryesor i një aborti të parakohshëm

Edhe një herë, papiloma virus tregoi se është armiku i shëndetit seksual, si te meshkujt ashtu dhe te femrat. Në fakt jo vetëm që është përgjegjës për kancerin e qafës së mitrës, por edhe për ndonjë incident që ka lidhje me abortin. Gjithçka varet nga spermatozoidet që transportojnë HPV-në në vezë. Pasi ka hyrë, ADN-ja virale modifikon fertilizimin dhe zhvillimin e embrionit. Ai që ka identifikuar lidhjen mes papilomës dhe abortit është profesori Carlo Foresta, nga Universiteti i Padovas, së bashku me ekipin e tij të punës. “Shumë njerëz mendojnë se papiloma virus prek vetëm femrat, por në të vërtetë është një virus që infekton edhe meshkujt. Zakonisht, në popullsinë e zakonshme, papiloma virus gjendet në spermën e 4 për qind të meshkujve, ndërsa ata që janë sterilë, përqindja rritet duke arritur 10 deri në 12%, ndërkohë që përqindja e personave të cilët shkojnë me femra të infektuara me HPV është dhe më e lartë, 40%. Në këto raste HPV-ja, kur është e pranishme në spermë, lidhet me spermatozoidet, redukton lëvizshmërinë dhe mund të shkaktojë një modifikim të pjellorisë dhe abortit”, shpjegon profesori.

Rezultatet paraprake të studimit do të bëhen të ditura në edicionin e njëzeteshtatë të Konferencës për Mjekësinë e Riprodhimit, më 26 dhe 27 shkurt 2010 në Universitetin e Padovas. Por sipas ekspertit, studimi do t’i dorëzohet komunitetit ndërkombëtar shkencor. Duhet theksuar se aftësia e spermatozoideve të infektuar në laborator me grimca virale, të afta që të fekondojnë vezët, janë testuar falë një analize laboratori. ADN-ja virale brenda vezës replikohet dhe modifikon sintezën e proteinave virale, duke bllokuar procesin e riprodhimit.

“Këto rezultate janë shqetësuese, sidomos nëse spermatozoidet me HPV përdoren për teknikat e fekondimit artificial”, thotë profesori. “Në fakt, kalimi i ADN-së virale në vezë është i mundur dhe shoqërohet me mungesë të zhvillimit të embrionit ose abort të parakohshëm”. Problemi bëhet edhe më i rëndësishëm në momentin kur HPV-ja gjendet në mostrat e spermatozoideve që ruhen në laborator, qeliza që domosdoshmërisht janë kundër proceseve të fekondimit artificial. Ekipi vuri re se 7 për qind e pacientëve që kishin “ngrirë” spermën e tyre rezultuan pozitivë ndaj HPV-së, dhe në këto raste mikroinjektimi i spermatozoidit të sëmurë, mund të sjellë mungesë fertilizimi ose abort të parakohshëm.

“Duke arritur në këtë pikë, nevojitet kujdes maksimal nga ana e specialistëve për të analizuar papiloma virus në spermën e subjekteve që janë sterilë, para çdo ruajtje në laborator. Gjithashtu specialistët duhet të kenë parasysh edhe meshkujt, të vaksinohen, sepse edhe ata janë të prekshëm nga HPV-ja (mund ta marrin nga partneret). Tashmë është vërtetuar edhe lidhja mes virusit dhe tumorit të qafës së mitrës. Tek meshkujt, HPV-ja mund të jetë shkaku i shqetësimeve që lidhen me riprodhimin.

“Sot, mund të tregojmë se 20 për qind e tumoreve shkaktohet nga një infeksion, madje e dimë që është një përqindje që rrezikon të rritet edhe më shumë. Unë shpresoj që shumë shpejt, sepse ashtu siç na mëson rasti i virusit të Hepatitit B apo i papilomës, se nëse njohim lidhjen mund të krijojmë mjete efikase për t’i parandaluar. Njohja e këtyre agjentëve mund të çojë në një revolucion total të diagnozës, në parandalimin dhe kurimin e tumoreve. Jam i bindur se do të dalin në dritë shumë më tepër lidhje mes viruseve dhe kancerit. Madje edhe lidhje indirekte si në rastin e HIV-it që lejon zhvillimin e tumorit të Kaposit. HIV-i nuk është shkaku kryesor, por pa të, ky lloj kanceri nuk do ishte zhvilluar. Sipas kësaj rruge, mund të gjejmë shumë lidhje të tjera. Falë vaksinës, gratë janë të mbrojtura 70-80 për qind kundër kondilomave, por duhet të bëjnë edhe "Pap testin" për të qenë 100 për qind të sigurta. Po ashtu më duhet të theksoj se është e vërtetë se çmimi i vaksinës është shumë i lartë, sidomos në vendet në zhvillim dhe për këtë, më vjen me të vërtetë keq. Për mua duhet të ishte falas”, përfundon profesori.

Zbulimi i papiloma virus

Gjatë studimeve universitare, profesori Harald zur Hausen zbuloi këtë fenomen që lejon gjenomën e një bakteriofagu specifik të hyjë në ADN-në e qelizave bakteriologjike dhe të modifikojë kështu karakteristikat. Atëherë ai mendoi se edhe kanceri mund të kishte një zhvillim analog, d.m.th që gjenoma e një virusi mund të hynte në qelizat kancerogjene ose në qelizat e shëndetshme dhe mund t’i modifikonte ato. Për këtë arsye, studioi këtë fenomen. Pas analizimit të virusin “herpes simplex” nga analizat gjenetike mbi qindra qeliza tumorale, nuk rezultoi që ky virus të përfshihej në gjenezën tumorale. Ky zbulim i dha atij mundësinë që të thellohej më shumë te shenjat dhe kondilomat që papiloma virus mund të shkaktonte në qafën e mitrës. Megjithatë vetëm në vitet 1983-10884 arritëm të gjenim Hpv16, që ishte më i pranishmi në qelizat kancerogjene.