Nji ndërrim brezash

Opinion

Hans-Joachim Lanksch*



Çmimi i Madh i Letërsisë iu dha Agron Tufës (42 vjeç), çmimi për prozën e shkurtë iu dha Romeo Çollakut (37 vjeç), Ardian Vehbiu (50 vjeç) e rrëmbeu çmimin për esenë e tij mbi shqipen totalitare, poeti i pushkatuem prej diktaturës, Vilson Blloshmi, u nderue post mortem (23 vjet mbas vrasjes së tij) me Çmimin Lasgush Poradeci, Ben Blushi (41-vjeç) e mori çmimin për romanin. Me këtë në dhanien e Çmimeve kombëtare për letërsi ndodhi nji ndërrim brezash. Asht hera e parë që Çmimi i Madh (ish-Penda e Artë) iu dha nji autori të letërsisë së mbas 90-es. Njikohësisht kjo do me thanë dhe nji ndërrim paradigmash. Kësaj here nuk u vlerësue “suksesi“ i autorit, i matun simbas sasisë së botimeve dhe numrit të kopjeve të shituna plus numrit të përkthimeve jashtë vendit. Prioritar ka kenë prurja e tij në letërsi. Kriterin sasior e zëvendësoi kriteri cilësor. Laureati i Çmimit të Madh nuk asht shkrimtar prej ditës së djeshme. Qysh në vitet e 90-ta ai dhe brezi i tij hyni në letërsi si alternativë letrare ndaj trashëgimisë kobzezë të socrealit dhe u angazhue për trashëgiminë vërtet të vyeshme të letrave shqipe (Koliqi, Camaj etj.). Lufta e vazhdueshme  për vlera letrare që e banin Agron Tufa dhe kolegët e tij, edhe ata jashtë rrethit të tij letrar, injorohej me konsekuencë të madhe dhe u shpërblye tash për herë të parë dhe me të drejtë. Ndërrimi i paradigmave u ba edhe në nji vështrim tjetër. Ndërsa ma parë dekoroheshin në radhë të parë pendat që merreshin me brengat kollektive (“fati tragjik i popullit shqiptar”), letrarët e mbas 90-s si: Agron Tufa, Rudian Zekthi, Arian Leka, Romeo Çollaku, Gentian Çoçoli, Ervin Hatibi, Azem Qazimi, Mimoza Ahmeti, Gazmend Krasniqi, Ridvan Dibra, Ardian Kyçyku, Gëzim Hajdari dhe shumë të tjerë merreshin dhe merren me tematikë individuale a abstrakte e cila asht njikohësisht dhe universale (preokupimet individuale a abstrakte u përkasin dhe u interesojnë të gjithë njerëzve anembanë botës dhe jo vetëm atyne që interesohen për fatin e zymtë të popullit shqiptar).

Me shpalljen e rezultateve të  këtij konkursi kombëtar letrar lidhen disa shpresa: - Deri më  tash pendat e mbas 90-es kanë pasë fansat e vet (ndër të  cilët figuron dhe autori i këtyne rreshtave), por duket se nuk janë  lexue edhe ndër shtresa ma të gjana lexuesish. Shpresojmë që të gjanësohet rrethi i lexuesve për brezat e reja shkrimtarësh.

- Agron Tufa asht nji autor fort i rrahun në shtigjet e leximit. E njeh jo vetëm letërsinë  shqipe të tashme e të traditës, por edhe letërsitë  europiane e botnore deri te letërsia “jozyrtare” të mistikëve të mëdhenj të letrave botnore. Shpresojmë që ky horizont i gjanë dhe gati moikomzeqjan të jetë sa ma infektues.

- Duket se po i këndohet trombonit të fundit periudhës socrealiste në letrat shqipe. Shpresojmë që kjo të mos jetë vetëm nji përshtypje e çastit, por nji realitet i qëndrueshëm. Strukturat e vjetra të periudhës së sapopërmendun kanë monopolizue vetveten për shumë dekada tue shtypë rreptësisht çdo rrymë tjetër. Shpresojmë që të mos vijë deri te nji monopolizim i ri nga ana e avangardës së vjetve të 90-ta, e cila sot, mbas afro 20 vjetësh, vuni pak bark.

- Nuk asht e thanun që duhet me kenë rreth të 40-ave për me kenë autor jo socreal. Shpresojmë që juritë e ardhshme të çmimeve kombëtare letrare të kenë parasysh që ka autorë mbi moshën 60 vjeçe që kanë shkrue dhe shkruejnë letërsi jokonvencionale, moderne.

- Nuk asht e thanun as që  duhesh me pasë së paku 40 vjet për me kenë i denjë për çmimin kombëtar. Shpresojmë që instancat përkatëse dhe juritë e ardhshme të jenë të vetëdijshme që ka penda të denja për stimulime dhe nderime edhe në moshën nën 40 vjet dhe bile nën 30 vjet.

- Zeja e të shkruemit duket se asht zonë peshkimi e gjinisë mashkullore. Shpresojmë  që në t'ardhmen patriarkët e vjetër e të rinj të letrave shqipe të kujtohen për pendat femnore që i ka me bollëk. Le të përmend, kjoftë edhe për punë inati, vetëm disa sosh: Rita Petro, Flutura Açka, Mimoza Ahmeti, Luljeta Lleshanaku, Olimbi Velaj, Brikena Smajli, Ledia Dushi deri te emna tashma ende ma pak të njohun si Anila Xhekaliu, Alisa Velaj, Mariklena Niço, Adriana Cera e mjaft të tjera.

Në fund due me shprehë  edhe nji shpresë dhe dëshirë të madhe: që juritë  e ardhshme ta ndreqin padrejtësinë e madhe që u asht ba deri më tash dy figurave të mëdha të letërsisë shqipe me injorimin e tyne total – Kasëm Trebeshinës dhe Frederik Rreshpes.

* Përkthyes


G. Shqip