Ç’është e vërteta, titulli i këtij shkrimi është shkëputur nga një fragment dialogu mes dy protagonistëve të vetëm të këtij romani, a thua se në një grimë kohe ata u esëlltësuan dhe, pa një pa dy, e pikasën kotësinë e asaj që po përjetonin dhe që, falë një personazhi të tretë, autorit, u rrekën t’ua përcjellin të tjerëve, thënë ndryshe, lexuesve. Në thelb ajo çka ngjiz atë që mund të quhet subjekti i këtij romani është një histori dashurie që mjerisht përfundon në tragjedi pas vrasjes së djalit nga dikush për shkak të trillit të vajzës, së dashurës së tij, e cila, siç e pohon edhe vetë gjatë “rrëfimit”, gjakonte që t’i shihte meshkujt të ziheshin e mundësisht të rriheshin e gjakoseshin për të. Tek e fundit, ky pasion i saj i marrë rezulton fatal dhe përfundon me vdekjen e të dashurit, që pas shumë rropatjesh e marifetesh femërore e ka kandisur të martohet me të. Bukur fort! Deri në këtë pikë ngjan sikur kemi të bëjmë me një dramë dashurie, gati-gati klasike, që mund të rrëmbejë e të bëjë për vete adoleshentët, amvisat dhe vejushat e pangushëlluara që ndjekin telenovelat sentimentale në ekranet e televizorëve (kjo është suaza artistike që arrin të ndërtojë shkrimtari), sikur e gjithë kjo histori të mos zhvillohej në një kohë dhe një vend krejt të pazakontë, çka shkon e krijon një alogjizëm të pashoq, që s’do të mbante e përligjte dot as edhe një përrallë ose një rrëfenjë që ngrihet mbi absurdin e dyfishtë: varreza dhe mesnatë. Por ajo që e bën edhe më të pagjasë këtë histori është se si djali (në rastin tonë receptuesi), ashtu edhe vajza (kallëzimtarja), janë dy persona të panjohur për shoqi-shoqin, të cilët takohen për herë të parë ndërkohë që ai ka shkuar të vizitojë varrin e gjyshes (i cytur nga një ëndërr e çuditshme, të cilën, e ëma mbasi ia ka dekodifikuar, i sugjeron gjithë seriozitet të shkojë në varreza e të ndezë një qiri), ndërsa ajo ka shkuar të vizitojë varrin e të dashurit të humbur, siç thamë, në rrethana tragjike. Dhe siç ndodh në asi rastesh, kur grotesku e absurdi nuk njohin kurrfarë caku, djaloshi i përndezur në një çast nga hiret e femrës që ka përkundruall, tundohet aq keq sa i hidhet përsipër me dëshirën për ta shtënë në dorë atë femër ngashënjyese, e cila, deri pak më parë, ishte krejt e panjohur për të. Dhe në ç’dekor zhvillohet kjo skenë pasionesh shpërthyese? Në varreza, mbi rrasën e varrit të të dashurit të vajzës, ose mbi atë të gjyshes së vdekur (në këtë pikë autori nuk është shumë i qartë) dhe në pikun e natës. E pra, duket sheshit që autori e ka humbur sensin e masës dhe të drejtpeshimit jo vetëm e thjesht artistik, por edhe të logjikës së thjeshtë, e cila na shërben si themel për të ndërtuar ngrehinën artistike.
Herë pas here, autori i vë të dy personazhet në pozitat e sforcuara të të filozofuarit në një kohë që as njëri, as tjetri nuk e kanë atë prirje dhe petk filozofi, duke i angazhuar në tema të mirëfillta debati ekzistencialist: vdekja, dashuria, tradhtia, paraja, përjetësia etj., ndërkohë që mendimet e tyre tingëllojnë jo vetëm të njohura e të stërpërdorura, por shkojnë dhe e rëndojnë pa vend dialogun, e nxjerrin dhe e zhvendosin jashtë kontekstit, si dhe u japin një peshë karaktereve që në realitet s’u shkon për shtat, as për moshën që kanë, as për formimin, duke e bërë të lodhshëm e të mërzitshëm romanin nga të gjitha këto zvargie të pajustifikuara. Nga ana tjetër, teksti është i mbushur me tepri me një duzinë fjalësh të huaja: aprovova, tentova, total, hezitova; fund e krye të panevojshme, që shqipja letrare, por edhe e përdorimit më të gjerë, i ka nxjerrë jashtë përdorimit dhe i ka zëvendësuar bindshëm prej kohësh, ndoshta qysh nga vitet shtatëdhjetë dhe që paradoksalisht i has dendur në prozën e gjatë të Veizit, i cili, pas disa librash në prozën e shkurtër dhe atë të gjatë, mund të thuhet që ka një përvojë të përfillshme në këtë lëmë. Ndaj dhe duke qenë mish i huaj, ato kërcasin dhe nuk e përligjin aspak praninë e tyre të papërligjur në një tekst letrar të shqipes.
Mbasi e ke përfunduar së lexuari librin, ndjen një farë nguti në këtë roman të fundit të Leonard Veizit, një ngut për të botuar medoemos diçka me peshë, pra një roman, paçka se ashtu si në veprën paraardhëse të këtij autori, “Surpriza e natës së fundit”, lënda e mbledhur dhe e përpunuar prej tij nuk ka mjaftuar për të mbushur skeletin e një vepre me përmasat e romanit, pavarësisht numrit të faqeve (madje, për hir të së vërtetës, lypset thënë se përmasat e një vepre dhe cilësia e saj nuk përcaktohen nga numri i faqeve). Ky ngut për “të pjellë” një orë e më parë ka bërë që ky libër të jetë në një farë mënyre shtatanik (po përdorim një term të zbutur, për të mos thënë dështak), sipas gjykimit tonë kritik. Madje është pikërisht ky ngut që vepra, ashtu si brumi i papunuar aq sa duhet për të qenë i arrirë në masën e duhur për ta futur në furrë e për ta pjekur e bërë bukë, shfaq cene edhe në një sërë elementesh të tjerë artistikë të dorës së parë, siç janë, fjala vjen, karakteret e papërpunuar të personazheve, subjekti i patjerrë e i palëvruar sa e siç duhet, po ashtu dhe gjuha e varfër, si e zbërdhulur, pa kurrfarë ngjyresash stilistikore në gojën e personazheve. Ndërkohë që stili proliks i shkrimtarit, çka spikat veçanërisht në dialogë (autori ngjan më i kursyer në rrafshin deskriptiv), bën që lexuesi ta humbasë interesin e të gogësijë sikur ndodhet para ekranit dhe po sheh një film të soditur për të kushedisatën herë dhe, ç’është më e keqja, tmerrësisht të mërzitshëm.