Virgjil Muçi
Për të gjithë ata që e kanë njohur sadopak Jusuf Vrionin, qoftë nga afër, qoftë nga larg, libri i tij, që mbart titullin kuptimplotë “Kujtimet e një europiani”, ngjall një kërshëri të shumëfishtë dhe të shtyn ta përpish me një frymë. Shkruesi i këtyre radhëve ka pasur nderin dhe kënaqësinë të punojë me z. Vrioni dhe të çmojë ndër shumë e shumë veti e virtyte, të rralla sot e gjithë ditën jo vetëm ndër bashkëkombasit e mi, por edhe në botën e madhe, modestinë, e cila shkëlqente si një gurë i vyer. Të linte vërtet gojëhapur përunjësia dhe thjeshtësia e pashoqe e atij njeriu (çka krijonte një kontrast humneror me vanitetin e injorantëve gjithfarësh që shkëlqenin me kokëboshësinë e tyre), dijet dhe kultura e të cilit ishin përnjëmend enciklopedike, si në gjerësi ashtu edhe në thellësi. Ndaj tingëllon gati-gati cinike dhe e padrejtë të vlerësuarit e tij si një përkthyes dhe aq (ndonëse vetë Jusufit nuk i vinte zor nga profesioni që ushtronte), ndërkohë që edhe lexuesi më i thjeshtë mbasi të ketë lexuar këtë libër kujtimesh, do të jetë në gjendje të pikasë e të kuptojë që ka të bëjë me një stilist elegant dhe shkrimtar të dorës së parë, i cili, medet, nuk na la vepra të tjera përveç këtyre shënimeve. Kujtimet e Jusuf Vrionit ngrihen mbi tri blloqe të mëdha që ngërthejnë në vetvete tri faza vendimtare në jetën e këtij njeriu. Blloku i parë rrok fëmijërinë dhe rininë, periudhën më të hareshme e më të larmishme të jetës së tij, e cila, ashtu si në një roman rus ose frëng të shekullit të nëntëmbëdhjetë, zhvillohet në vende të ndryshme të Europës, ku pjesa më mbresëlënëse janë vitet e kaluara në Paris dhe më pas në Itali, teksa Shqipëria shfaqet aty-këtu me një farë ekzotike lindore; blloku i dytë përmbledh vitet e kaluara në Shqipëri pas kthimit në atdhe nga Italia, më 1943 dhe shtjellon më së shumti vitet e burgut gjatë regjimit komunist; në bllokun e tretë do të përfshija atë segment të jetës së tij që njohu shkëlqimin e merituar të punës si një përkthyes i jashtëzakonshëm i veprave të Ismail Kadaresë, por edhe të diktatorit Hoxha, si dhe të shpalosjes së plotë, edhe pse në kushtet ndrydhëse të një regjimi të egër totalitar, të personalitetit të tij shumërrafshësh si njeri i letrave e i kulturës europiane. Në qoftë se do ta konceptonim këtë libër si një pjesë simfonike, atëherë duke u shprehur me gjuhën e muzikologut do të thoshim se ajo është kompozuar kësisoj: 1) allegro, 2) andante con tristezza dhe 3) allegro ma non troppo. Duke shfletuar librin të krijohet ndjesia sikur je duke parë një film të vjetër dokumentar dhe para syve të parakalojnë për mrekulli, gjë e rrallë kjo, ngjarje madhore jo vetëm nga historia e Shqipërisë, por edhe nga ajo e Francës, Italisë dhe mbarë Europës, në mos botës. E jashtëzakonshme është se ndryshe nga ajo çka ndodh me kësi filmash të atyre kohëve, ky i Jusuf Vrionit nuk është bardhë e zi, por me ngjyra të forta e të ndezura falë një stili të këndshëm të të shkruarit dhe aftësisë për të përshkruar ngjarje e për të përvijuar karaktere personazhesh historikë për shumëkënd të njohur. Nuk di të them nëse Jusuf Vrioni ka qenë ndonjëherë adhurues i Çehovit, por mund të them me siguri se ai ka mishëruar në mënyrë shembullore shprehjen e famshme të shkrimtarit rus kur thoshte se, njeriu mund të gënjejë në politikë, madje edhe në dashuri, por s’mundet kurrsesi të gënjejë në letërsi. Me këtë dua të them se në kujtimet e Vrionit has një sinqeritet (naivitet mund ta quante ndokush) që të bën përshtypje, sidomos po të kemi parasysh se në rastin konkret nuk flitet për ndonjë vepër fikcionale, po për kujtime, pra për jetën e tij dhe jo vetëm për atë, por edhe të njerëzve më të afërt për të: prindërve, vëllait, motrës, gruas, miqve e mikeshave, të cilët janë përshkruar e vizatuar me dashuri doemos, por edhe me një realizëm që do t’ia kishte zili çdo shkrimtar i madh realist. Insight-et që kanë të bëjnë me botën e brendshme shpirtërore e gjendjet psikologjike janë të pamëshirshme, madje brerjet e ndërgjegjes vijnë e bëhen vende-vende therëse, siç ndodh kur ai flet për vanitetin e jetës në sferat e larta të shoqërisë ku hyjnë personazhe historikë si Eda Mussolini dhe pjesëtarë të familjes Agnelli, në një kohë kur bota po digjej e shkatërrohej në flakët e Luftës së Dytë, ndërsa ai jetonte ku-rafsha-mos-u-vrafsha në plazhet dhe hotelet e Italisë.
Gjatë lëçitjes së shënimeve të Vrionit përftova po atë ndjesi që m’u ngjall dikur edhe me kujtimet e Eqrem bej Vlorës, një tjetër pinjoll i dyerve të mëdha të Shqipërisë së asokohshme. Këta dy libra, por jo vetëm këta, të ndihmojnë të kuptosh se realiteti i klasës së bejlerëve, aq fort i nëmur dhe i nomatisur nga historografia zyrtare e regjimit monist dhe letërsia e realizmit socialist, produkt i propagandës politike dhe i ideologjisë së atij regjimi, ishte shumë më kompleks nga ç’na është paraqitur deri më sot. (Këtu kam parasysh edhe ato përpjekje donkishoteske në anakronizmin e tyre, të bëra pas viteve ‘90, për ta paraqitur gjithçka që mishërohej tek ajo klasë si të përkryer në kundërvënie ndaj komunizmit.) I gjithë ky kuadër më shtyn të mendoj se historianët duhet ta shohin në një dritë të re, më objektive rolin dhe veprën e përfaqësuesve më në zë të saj, tej e larg skemave bardhë e zi të mendësisë totalitare, madje të çfarëdolloj mendësie të molepsur e të matufepsur nga politika. “Në fund të fundit Shqipëria e sotme (dhe kjo është drama e saj) ka hequr dorë nga kujtesa e vet. Ajo nuk do të kujtojë. Të gjithë, apo thuajse të gjithë, e shtrembërojnë të mëparshmen; disa të tjerë e përçudnojnë, madje të kaluarën e afërt ose e përmbledhin në dy ose tri faza si për ta hequr më mirë qafe”. Lypset thënë që këto fjalë të Jusuf Vrionit nuk janë një mbresë thjesht vetjake, por një vëzhgim i hollë dhe anamnezë e saktë e njërit prej defekteve të karakterit tonë kombëtar, prej të cilit kemi vuajtur dhe vuajmë edhe sot e kësaj dite.





