Nasho Jorgaqi, botohen “5 letrat” e Spiro Xhai

Fatmira Nikolli

Botohen në një libër dy novelat e njohura të shkrimtarit Spiro Xhai, "Pesë letra" dhe "Dashuri cigane". Të konsideruara si veprat e tij më të mira, ato vijnë për lexuesin nga shtëpia botuese "Ombra GVG". Novelat, që mishërojnë dhe pasqyrojnë vlerat më përfaqësuese të krijimtarisë së autorit, nxjerrin në pah prozatorin e talentuar, aftësinë e çmuar të të rrëfyerit, një ndjesi lirike të admirueshme, zotësinë për të depërtuar në botën e brendshme të personazheve. Sipas Nasho Jorgaqit, "pavarësisht nga veçoritë që paraqesin secila nga dy novelat, 'Pesë letra' dhe 'Dashuri cigane', kanë merita të përbashkëta: së pari, se trajtojnë tema krejt të virgjëra në letërsinë shqiptare dhe mjedise të panjohura, siç ishin ato të etnisë greke dhe komunitetit rom në Shqipëri, dhe së dyti, ato i bashkon fryma e thellë dhe perceptimi lirik i jetës dhe botës shpirtërore të njerëzve". Spiro Xhai ka meritën të jetë një nga pionierët dhe themeluesit e letërsisë së minoritetit grek në Shqipëri, patriark i saj për dekada të tëra. Shkrimtar i talentuar, intelektual me interesa të gjera dhe njeri i veprimit, punëtor i palodhur dhe modest, ai mbetet një nga emrat simbol të miqësisë vëllazërore të minoritetit grek me popullin shqiptar. Ata që e njohën nga afër nuk mund të harrojnë faktin që për të ishte i huaj çdo lloj shovinizmi e nacionalizmi, që ai u qëndroi besnik me një konsekuencë të admirueshme idealeve të vëllazërimit të popujve tanë. Sipas Nasho Jorgaqit, krijimtaria e tij në radhë të parë do të qe pasqyrë besnike e jetës së minoritetit, por ajo do të kishte dhe një gjeografi më të gjerë, ku shpalosej përgjithësisht realiteti shqiptar. Në këtë pikëpamje, Spiro Xhai, veçanërisht me tematikën e veprave të tij, do të ishte një zë origjinal. 
Botimi 
"Pesë letra" ishte libri i parë i shkrimtarit, vepra që shënoi debutimin e tij të suksesshëm në letërsinë e kohës, një zë origjinal që vinte nga bashkësia e minoritetit grek. Fakti që vinte prej andej shpjegon dhe trajtimin e një teme të tillë, siç ishte tema e kurbetit. Për Spiro Xhain, kurbeti do të përbënte një nga plagët e dhimbshme të vendlindjes, të Dropullit të tij aq të dashur, me të cilin ai do të mbante lidhje të ngushta gjatë tërë jetës. Pikërisht nga ky mjedis Spirua do të merrte subjektin e novelës, ngjizur e ngritur nga fati i rëndë i shumë familjeve dropullite. "Ishte kjo një dramë që ai do ta njihte dhe përjetonte thellë, dhe falë kësaj do të lindte historia e dhimbshme e dashurisë që shpërfaqet në këtë vepër. Është dashuria e dy të rinjve dropullitë, e Avjeros dhe Kiços, që kurbeti i ndau dhe i largoi nga njëri-tjetri. Në këtë ndarje të shtrirë në hapësirë e në kohë, do të zhvillohej drama e tyre", -shprehet Nasho Jorgaqi. Një dramë që sipas tij, është e mbushur plot dashuri e mall, me vuajtje dhe dhimbje, me shpresa dhe zhgënjime. Ata do të jetonin në botë të ndryshme dhe do të kalonin vite pritjeje. Në këto kushte, e vetmja mundësi komunikimi në mes tyre do të ishte korrespondenca, letrat që ata shkëmbejnë me njëri-tjetrin. Dhe, janë këto letra, hapësira e vetme në të cilën shkrimtari thur veprën e tij. "Spiro Xhai ia ka dalë me sukses që në kufijtë e pesë letrave të shpalosë tërë historinë e dashurisë së tyre, të japë situata dhe prova që zbulojnë karakterin dhe botën e tyre. Është jeta shpirtërore e dy njerëzve të thjeshtë, drama që ata kalojnë në vetmi dhe në largësi, në të cilën lexuesi ndjen aq dashuri e mall, po aq dhimbje e vuajtje", - mendon Nasho Jorgaqi. Ashtu si novela "5 Letra", edhe novela "Dashuri cigane" ka në themel temën e dashurisë, por trajtuar në një mjedis krejt tjetër, siç është ai i komunitetit rom, gjë që i bën ata krejt të veçantë e tepër interesantë. Autori i ka njohur nga afër, është futur në mes tyre, ka depërtuar në jetën dhe psikologjinë e njerëzve të kësaj bashkësie, e ndryshme në disa pikëpamje nga shtresat e tjera të shoqërisë. Këtë realitet shkrimtari e zbulon dhe e mishëron në fatin e një grupi muzikantësh shëtitës. "Ky është vetëm sfondi i subjektit, sepse në fakt boshtin e saj e përbën një trio personazhesh, Ramua, Zyhraja dhe Shabani, mbi raportet e të cilëve ngrihet dashuria dhe konflikti i tërë novelës. Ramua bie në dashuri me Zyhranë, por në mes tyre hyn Shabani, i cili e dëshiron dhe e lakmon vajzën e bukur", - shpjegon Nasho Jorgaqi. Kulmin e vet, mjeshtëria artistike e autorit e arrin në skenat aq piktoreske e të hetuara psikologjikisht, kur dy personazhet antagoniste garojnë dhe rivalizojnë me njëri-tjetrin përmes ekzekutimit të muzikës së tyre. Një linjë tjetër kuptimplote e novelës është ajo e xha Bilbilit, e romit që i kundërvihet disa traditave konservatore të komunitetit, duke bërë jetë të ndryshme prej tyre. Ai braktis jetën endacake dhe ndërton shtëpi, duke ju përshtatur kushteve urbane. Ai është njeri shpirtmirë dhe bëhet mbështetja kryesore në fatin e Zyhrasë. "Kanë kaluar disa dekada, kur 'Pesë letra' dhe 'Dashuri cigane' panë dritën e botimit dhe njohën një pritje shumë të ngrohtë nga lexuesit. Duke i rilexuar tani, emocionohesh dhe kupton se ato i kanë qëndruar denjësisht kohës, jo vetëm me kumtet fisnike dhe humane që japin, por dhe me vlerat e çmuara artistike. Spiro Xhai është një shkrimtar, që me prozën e tij di t'u flasë bukur dhe mençurisht të gjithë brezave të lexuesve", - shprehet Nasho Jorgaqi.

Related Posts: