Nga Flamur Maloku
Sa herë lexohet poezia, shpirti përqafon gjuhën e infinitit. Në gjuhën e infinit shkrimi hapë njohjen për jetën e dashuruar, që në poezi ribëhet pa kufinj. Poezia është Jeta, ndërsa Jeta është Poezi.
Poezia përherë frymon nga figura. Poezia jeton dhe shtrihet në universale te logosi e figura. Logosi/Figura, i japin shpirt/trup poezisë. Apo thënë më shkurt, Logosi bëhet Trupi e Figura bëhet Shpirti. Poezia jeton nga ky binom aksiologjik e antropologjik. Aksiologjia lind e formulohet pambarim nga Përshtatëshmëria e pjesëve në kuadrin e diskursit të Poiesisit, që njëherësh nënkupton estetikën e jetësimit. Nga kjo intencë strukturore e metafizike, përherë universaliteti i poezisë shkrin brenda gjuhës se motivuar Veta të mundshme. Figura kurrë njëherë nuk e duron veten personale. Marrë në këtë përhershmëri të arki-gjenezës krijuese, bota e shkrimit/poezisë, vetvetiu hapë rrjetet brenda domenit/figurës, andaj veta personale përherë shkrihet në kërkim të universales, sepse Jeta /Bota në poezi kurrë nuk mbyllet në vetvete, edhe atëherë kur i referohet jetës personale. “Poezia, kur i referohet jetës në një kohë e ambient, e universalizon atë; koha bëhet pseudokohë, konteksti-pseudokontekst. Hapësira e koha e letërsisë, edhe kur tregojnë referenca të hapura janë fiksionale; atë e bënë gjuha, që është shenjë, esencë e ekzistencë e veçantë”. Kështu në këtë konceptim e njohje së shkrimit/fiksionit, aq më shumë në poezi, vetat bëhen hipotetike, sepse diskursi i poezisë e njeh universalen, jeton për universalen, duke formuluar në vazhdimësi Lojën e Figurës së pretendimit. “Poiesisi pretendon të banojë bindshëm në lojë, duke krijuar kosmologjitë e logoseve të veta dhe marrëdhëniet e veçuara me logosin. Kështu, poiesisi bëhet reprezentim kualitativ i lojës duke u shfaqur si manifestim intencional, fiksional, por në mënyrën e vet edhe si imagjinare, si poezi e gjithëpranisë”. Pra, është loja fiksionale, lojë intencionale e ekzistenciale në hapësirë, që përherë asimilon veta e (Une) personale. Lojën e figurës këtu duhet kuptuar edhe si lojë të gjuhës/shkrimit. Duke qenë kjo intencë e vazhdueshme për lojë fiksionale, shkrimi do të asimilojë zëra/une, siç thotë Barti: “Shkrimi është një hapësirë neutrale, përzierje, thurje, nga e cila rrëshqet subjekti ynë, është pra negativiteti ku humbet i tërë identiteti, duke filluar me humbjen e identitetit të vetë trupit shkrues”. Shkrimi në intencën e përgjithshme të humbjes së identitetit, të trupit shkrues, është nga perceptimi i lojës së gjuhës. Aty ku ka gjuhë të lojës ka Letërsi/Poezi. Andaj, kur themi loja e gjuhës duhet potencuar vetvetiu se para nesh e lexuesit të mundshëm, del në pah anonimiteti në shkrim. Mbi këtë gjuha e Letërsisë/Poezisë i kundërvihet kushtimisht autorit, pra thyen rregulla, sepse është në pyetje figura dhe loja e përhershme diskursive.
2. Poezia /gjuha
Gjuha e figurës është gjuhë e iluzionit/fiksionit. Kështu, në ecje të ngadalshme të filozofisë, vërehet se poiesisi jeton në vorbullën e anonimitetit si vetë personale, duke të dhënë gjithnjë zeron e shkrimit. Zeroja e shkrimit/poezisë është gjuhë që ia kthen përherë shpinën personales, duke e dashur gjithnjë figurën, kushtimisht metaforën si ekzistencë. “Gjuha papushim i vë në pikëpyetje të gjitha origjinat”. Pra, një gjuhë që e kërkon vetveten hapësirave/gnosiseve, në tërheqje e sipër gjatë shkrimit, siç thotë edhe esteti Ilhan Berk: “Është kjo një gjuhë që tërhiqet në vetvete, një gjuhë që e krijon vetveten universale”. Poezia gjuhë e logoseve të mëdha universale, gjuhë që prish skemë/ideologji/vetë, për të krijuar përherë rend të Gnosisit/Aksiologjisë, përballë një botë që jeton dhe krijon kozmosin e saj, rendin e tërësisë ekzistenciale me një ndjeshmëri të plotë.
3. Aksiologji e rrafshimit
Nëse në poezi flasim për temë personale, në esencë jemi duke folur vazhdimisht për temë universale. Tema personale kushtimisht e jetës/unit, kur i nënshtrohet figurës e fiksionit, gradualisht në aksiologji të rrafshimit bëhet temë universale. Bota e shprehur në poezi, e cila është ndërtuar vazhdimisht në figurë të rrafshimeve, e motivon diskursin për ikje personale. Në këtë ikje të vetes/unit, tema personale kërkon kohën, hapësirën e jetësimit, universin e jetësimi. Edhe atëherë kur gjuha e poezisë në lexim të duket se është autoreferenciale, që në mënyrë singulare është një pseudoreferenciale. Prandaj, shpesh në poezi zhytemi me një perceptim të gabueshëm, duke e parë poezinë të lidhur ngushtë me autorin, me temën e tij. Kjo në esencë e mbytë poezinë, pra ia zë frymën diskursit të saj.
Gjendja subjektive në poezi e shoqëruar me urtësinë/filozofinë/humanitetin, e bënë poezinë të artikulojë dhe të definojë shumë gjëra të prekshme jetësore, me një ligjërim, pse jo edhe emocional, po aq edhe universal mbi atë, se çfarë është identifikimi dhe cilat janë arsyet e këtij përjetimi në shpirtin e subjektit, çdoherë në përhershmërinë neutrale. Këtu personalja është në metafizikën e përhershme si gjakim shpirtëror-individual.
Kjo është poezia dhe bota e poezisë, e cila njeh individualitete krijuese, personale e universale, që të bënë të identifikohesh në kohë dhe hapësirë. Duke shkuar kah jeta, në të veçantën personale dhe në të përgjithshmen, për të gjetur Vetveten/Njerëzoren/Jetën. E përtejshmja tani në botën e letrave shtrihet, kërkohet, sepse vetë shpirti dëshiron të jetojë në hapësirën e përgjithshme. Të jetosh në kohën reale dhe të kërkosh hapësirën e pakufishme të të jetuarit, nënkupton të mos vdesësh kurrë në botën e shkrimit/letërsisë/poezisë. Prandaj, poezia në diskursin e saj do të shprehë autentiken e përhershme në hapësirë, ku koha dhe hapësira me dashuri të madhe, thyhen e përthyhen në diskursin e përgjithshëm-universal.