Nga Thanas Mustaqi
Në vitin 2006 në qytetin e Sankt-Petërburgut doli në qarkullim “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, romani i parë i Kadaresë, por lavdisjellësi në shkallë botërore, i përkthyer drejtpërdrejt nga gjuha shqipe. Në të vërtet, universiteti i Sankt-Petërburgut ka një katedër albanologjike nga më të mirat në botë dhe atje ai studjohet më tepër se shkrimtarët e tjerë shqiptarë.
Në kopertinën e romanit është vënë reklama e Çmimit britanik Man Booker International. Pas Londrës, ku mori çmimin përurues i cili u hapi rrugën botimeve të shumta në botën anglishtfolëse, tani Kadareja mirëpritet dhe në Rusi, me romanin e tij të shkruar fill pas largimit nga Moska. Fakti i botimit në ish-kryeqytetin e perandorisë cariste është domethënë.
Në të vërtetë, botimi i Sankt-Peterburgut është i dyti pas variantit të shkurtuar, në vitin 1989, në revistën e njohur letrare “Inostrannaja literatura” (Letërsi e huaj), me këmbënguljen e kryeredaktorit të saj, shkrimtarit autoritar dhe me emër ndërkombëtar, i përkthyer në shumë vende të botës, Çingiz Ajtmatov (laureat
çmimesh letrare, deputetet, ambasador, nismëtar i lëvizjes ndërkombëtare të intelektualëve “Forumi intektual” etj, lindur më 12 dhjetor 1928 në fshatin Sheqer të Kirgizisë).
Në këtë numër të gazetës po botojmë me pak shkurtime parathënien e romanit, ku lexuesi shqiptar mund të hasë në ndonjë pasaktësi lidhur me pritjen në Shqipëri të romanit apo me peripecitë e përkthyesit në frëngjisht të Kadaresë, Jusuf Vrioni
Mjaft të zëvendësohet fjala “Shqipëri” me “Çeçeni” apo “Afganistan”*
Nga parathënia e botimit rusisht të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”
Nga Vasili Tjuhin
Si u botua për herë të parë romani në Bashkimin Sovjetik
Kur fillova të përkthej “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, nuk kishte kurrfarë shansesh që ky roman të botohej në Bashkimin Sovjetik. Kjo ndodhte në mesin e viteve ’80, tashmë kishte nisur perestrojka, por ekzistonte ende BRSS-ja, dhe të gjitha vendimet e rëndësishme në vend merreshin në KQ të PKBS-së. Në vend ishin ende dy përkthyes, që mund ta përkthenin “Gjeneralin” nga shqipja, por jetonin në Moskë. Përkthyesit moskovitë janë njerëz seriozë dhe nuk merren me punë pa leverdi, ata përkthejnë vetëm atë, që mund ta botojnë, dhe vetëm me kontratë me shtëpinë botuese. Është e dëshirueshme me këtë rast të marrësh dhe paradhënie.
Atëhere dukej se pushteti sovjetik do të ishte i përjetshëm, dhe në njëqind vjetët më të afërt nuk do të ndryshonte asgjë...
Prandaj njerëz seriozë, që kishin lidhje në KQ të PKBS-së, më bindën në mënyrë autoritare: Ismail Kadareja nuk do të botohet kurrë në Bashkimin Sovjetik... Botimet e Kadaresë në BRSS janë një gjë krejt e pamundur. Ishte person non-grata. Për më tepër që pushteti sovjetik e arsimoi (kishte bërë stazh në Institutin e Letërsisë në Moskë), kurse ai, pas ndërprerjes së marrëdhënieve mes BRSS-së dhe Shqipërisë, shkroi disa romane, në të cilat dha opinionin vetjak për qëndrimin e udhëheqësve sovjetik të atyre kohëve, domethënë kishte bërë “trillime shpifëse për rendin shtetëror dhe shoqëror sovjetik”, sipas kodit penal të atëhershëm. Sipas pikëpamjes së pushtetit sovjetik, ai ishte tradhtar.
Me sa duket, s’isha mjaft serioz, si dhe merresha me përkthim gjithë frikë dhe rrezik. Thjesht më pëlqeu romani. Ato kohë Kadareja ende nuk kishte emigruar në Francë, ende s’ishte propozuar për çmimin Nobel, s’kishte marrë ende çmimin “Man Booker International”, kritikët ende nuk e kishin krahasuar me Homerin, por ishte tejet e qartë se ky shkrimtar nuk është thjesht i nivelit evropian, por botëror. Prandaj herët a vonë duhet të fillonin ta botonin jo vetëm në Francë, Itali, SHBA dhe shumë vende të tjera, por edhe në BRSS. Për këtë isha tepër i sigurt. Unë, natyrisht, nuk e dija, por së shpejti nuk do të kishte më kurrfarë BRSS-je.
Jeta ndryshoi me shpejtësi të pabesueshme – ajo, që në vitin 1985 dukej fare e papërfytyrueshme, në vitin 1986 shkaktonte dyshime të bazuara, në vitin 1987 u shqyrtua seriozisht në redaksinë e revistës “Inostrannaja literatura” (rusisht “Letërsi e huaj” – përkthyesi), kurse në vitin 1989 u bë fakt: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u botua, qoftë dhe në një variant reviste disi i shkurtuar. Ndërkaq përkthimi u bë sipas njërit prej varianteve të hershme të romanit, botuar në Jugosllavi në gjuhën shqipe. Thjesht nuk kishte të tjera.
Pastaj filluan vite të turbullta: shtëpitë botuese u riorganizuan, u privatizuan, shtypnin në ethe libra antisovjetikë të ndaluar më parë, pastaj libra të huaj dedektivësh më të leverdisshëm nga ana komerciale, romane pornografike mbi jetën e përditshme të miliarderëve... Letërsia serioze s’kishte si futej në kornizat e gjinive komerciale. Dhe megjithatë kam besuar se dikur lexuesit nuk do të marrin në dorë as libra ironikë njëpërdorimësh dedektivësh, as thrillera dhe vepra të tjera ngushtësisht zhanri, por thjesht libra të mirë, të shkruar me gjuhë njerëzore nga shkrimtarë të gjallë të vërtetë, dhe që nuk janë të afërt me “projekte botuese” kolektive. Libra, që madje mund t’i rilexosh ndonjëherë. Dhe mes këtyre librave një vend të denjë do të zenë veprat e Ismail Kadaresë.
Si e mësoi bota se Kadareja është shkrimtar i madh
Kadareja mund të mbetej i panjohur për cilindo, meqë ishte shkrimtar, që jetonte në një vend të vogël ballkanik, nëse nuk do ta ndihmonin rrethanat. Në Shqipëri e botonin pak, kurse jashtë vendit nuk kishin dëgjuar asgjë për të. Ndodhi një befasi. Pas Luftës II Botërore në Shqipëri u kthye Jusuf Vrioni, emigrant, që ishte arsimuar në Francë. Ai ëndërronte të merrte pjesë në rimëkëmbjen e atdheut të vet pas luftës. Autoritetet komuniste nuk e vlerësuan vrullin e tij atdhetar. E burgosën menjëherë si armik të klasës. Thjesht që të mos çmendej, filloi të përkthejë në frëngjisht librat e Kadaresë. Me sa dukej, ai ra në një burg të përshtatshëm, ku i jepej mundësia të merrej me punë letrare. Nëse do të punonte në gurore nga mëngjesi deri në mbrëmje, ka gjasa, fati i Kadaresë do të merrte një rrugë krejt tjetër. Vrioni përktheu të gjitha veprat e Kadaresë, që u botuan deri në vitin 2002, kur dhe vdiq përkthyesi besnik.
Përkthimi i “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” u dërgua fshehurazi në Francë dhe u botua atje, pastaj e botuan në Itali, dhe, sipas motiveve të tij u xhirua filmi me Marçelo Mastrojanin në rol kryesor... Isamil Kadaresë iu dha një lloj karte: “mbrohet nga shteti” –praktikisht ishte i vetmi shqiptar, për të cilin flitej jashtë kufijve të atdheut të vet, pa llogaritur Enver Hoxhën. Fillimisht iu desh të çonte ilegalisht në Francë dhe romanet e tij të tjera, të maskuara si përkthime nga gjermanishtja, dhe pastaj të emigronte dhe vetë në Francë.
Çmimi ndërkombëtar “Booker” – gara e klasikëve të gjallë
Çmimi “Man Booker International” është konsideruar prej kohësh si shenjë e cilësisë për shkrimtarët anglishtfolës, me këtë çmim nderohen romanet më të mira të botës anglishtfolëse (që për britanikët dhe amerikanët është sinonim i një bote të qytetëruar).
Dhe ja, një ditë të bukur organizatorëve u erdhi në kokë mendimi i shkëlqyer se shkrimtarët e mëdhenj mund të jenë jo vetëm në Angli dhe SHBA, por dhe në vende të tjera, ngandonjëherë madje tejet ekzotike. Ndonëse, kuptohet, fjala është vetëm për ata, veprat e të cilëve janë përkthyer në anglisht. Sepse shkrimtar i madh, klasik i letërsisë botërore mund të jetë vetëm ai, që është përkthyer në anglisht. Kjo është e kuptueshme vetiu. Sepse, nëse, për shembull, në xhunglat tropikale të Afrikës ndodhet një shkrimtar gjenial dhe shkruan romane të mëdha në një gjuhë që askush nuk e njeh, mundohet më kot – është mëse e qartë se nuk i japin çmimin “Buker”. Ai ndodhet jashtë kontekstit kulturor.
Për t’u përfshirë në listën e kandidatëve për të marrë të parin në histori “Man Booker International” u zgjodhën shkrimtarët më të mirë në botë nga cepat më të ndryshëm të rruzullit tokësor. Ndërkohë u përfshinë gjithashtu shkrimtarë anglishtfolës, pavarësisht se ata kanë “Booker-in” e tyre më vete. Nga njëra anë, edhe pse kjo gjë do të ishte shkelje rregullash, nga ana tjetër, e vë “Man Booker International” në një shkallë edhe më të lartë krahasuar me Çmimin “Booker” të rëndomtë britanik të përvitshëm. Kështu, në listë ishin të tillë titanë si kolumbiani Gabriel Garsia Markes [Gabriel Garcia Marquez], nobelisti tjetër në letërsi Gynter Gras [Gunter Grass], amerikani Xhon Apdajk [John Updike], shkrimtari çek që jeton në Francë Milan Kundera, polaku Stanislav [Stanislaw] Lem, egjiptiani Nagib Mahfuz [Naguib Mahfouz], japonezi Kenzaburo Oe dhe shumë shkrimtarë të tjerë: Doris Lesing [Lessing], Jen Makjuen [Ian McEwan], Mjuriell [Muriel] Spark...
Klasiku i letërsisë amerikane Soll Bellou [Saul Bellow], i përfshirë në këtë listë, fatkeqësisht, vdiq para se të jepej vendimi i jurisë, dhe u hoq nga lista: çmimi u jepet vetëm klasikëve të gjallë.
Dhe ja, çmimi iu akordua Kadaresë – ka gjasa, ka lojtur rolin e vet rrethana se tashmë ai 15 herë është propozuar për çmimin Nobel në letërsi, por që nuk e mori dot. Kadaresë iu dorëzuan 60 mijë funta stërlina dhe e drejta për t’i dhënë edhe 15 mijë funta stërlina njërit prej përkthyesve të veprave të veta (u nënkuptua, ndonëse nuk u fol drejtpërdrejt, pikërisht në anglisht). Përkthyesi e mori çmimin, ndonëse nuk dinte shqip dhe kishte përkthyer nga botimet në frëngjisht. Në rrjetin tonë të internetit, me që ra fjala, është tejet popullore fraza asgjësuese: “Выучи албанский! – Mëso shqipen!”, që nënkupton mosrealizmin e sigurtë të këtij rekomandimi. Pra, në universumin anglishtfolës nuk ka përkthyes letrarë të kualifikuar, që zotërojnë gjuhën shqipe (domethënë, teorikisht ka njerëz që do të mund ta bënin këtë, por ata nuk ka pse të punojnë për ato para, që u paguajnë përkthyesve të letërsisë artistike)...
Vështirësitë e ripërkthimit
Shumica e përkthimeve të romaneve të Kadaresë në gjuhë të ndryshme është bërë nga përkthimet klasike në frëngjisht të Vrionit, që e pa sërish Francën vetëm para se të vdiste në vitin 2002. Ndërkaq, ngandonjëherë romanet e Kadaresë janë përkthyer drejtpërdrejt nga gjuha shqipe, për shembull, në Gjermani dhe Rusi (kam parasysh, natyrisht, ja këtë përkthim).
Në Holandë autoritetet u dhanë rrogë të mirë dy përkthyesve me përvojë në një periudhë dyvjeçare për të shkuar në Shqipëri, ku të mësonin gjuhën shqipe dhe të mundnin pastaj të përkthenin në mënyrë të kualifikuar librat e Kadaresë. Në Francë vazhdon botimi i përmbledhjes së veprave të Kadaresë paralelisht në dy gjuhë – shqip dhe frëngjisht, dhe deri tani kanë dalë 12 vëllime.
Në botën anglishtfolëse nuk u gjetën përkthyes dhe çmimin e mori ripërkthyesi (retranslater) [anglisht në origjinalin rusisht] Dejvid [David] Bellos – kështu e quajti ai veten në artikullin e tij “The Englishing of Ismail Kadare”, duke pranuar me ndershmëri se u muar me këtë punë, të paparë, për një mjedis përkthyesish profesionistë (ndonëse nuk e zotëronte këtë “gjuhë të çuditshme dhe të ndërlikuar”), vetëm sepse kryeveprat e Kadaresë duheshin botuar pa tjetër në anglisht, dhe gjithashtu sepse vetë autori nuk e kundërshtoi aspak këtë gjë. Autori, them unë, mund të ketë pasur edhe një përfytyrim merkantalist – Shqipëria aderoi në konventën e të drejtave të autorit vetëm në vitin 1994, dhe gjithçka, që ishte botuar në Shqipëri në gjuhën shqipe para kësaj, është pronë publike dhe gjithsesi nuk ruhet. Kurse të drejtat e autorit në frëngjisht ruhen dhe botuesit francezë kujdesen që autori të marrë honorarin që i takon. Për një shkrimtar, që ende nuk e ka marrë çmimin Nobel, kjo ka shumë rëndësi.
Gjenerali dhe ushtria e tij e vdekur
Kadareja e mori çmimin “Booker” për të gjitha veprat, ai ka shkruar një një numër të madh romanesh, vëllimesh me artikuj, sprovash letrare dhe madje përmbledhjesh poetike. Ja, për shembull, në vëllimin e tij të parë me vjersha lirike (“Frymëzime djaloshare”, 1954) ai përdor me bollëk si epigrafe strofa të Pushkinit, Lermontovit, Svetlovit, bie në dashuri me Moskën (ku ai atëhere nuk mundi të jetë), dhe shokut Stalin, i cili “jo, nuk ka vdekur, por vazhdon të jetojë dhe të na frymëzojë me fjalë të urta”. Është mëse e dukshme se ky vëllim i poetit 18-vjeçar nuk figuron në listën e kryeveprave të disidentit shqiptar dhe klasikut të letërsisë botërore. Askush dhe asnjëherë nuk do të përkthejë këto vargje në asnjë nga gjuhët e botës. A për qëllime thjesht të studimit të letërsisë - mos vallë, qenka e vërtetë se nga një tog plehrash rriten laureatë të “Booker”!
Më pak se dhjetë vjet pas këtyre vargjeve optimiste komuniste, Kadareja botoi tregimin e gjatë me dyzet faqe (ose, në daçi, novelën) “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili pas një sërë ripunimesh, bëhet roman, që u botua në vitin 1963, i përkthyer fillimisht në Bullgari, pastaj në Francë, më tej – kudo...
Megjithatë, Kadareja është figurë mjaft e ndërlikuar. Nuk mund të thuhet se ai vuajti fort nga ndrydhjet e regjimit komunist – ndonëse në mesin e viteve 70 tre romane të tij nuk u shtypën gjithsesi ato botoheshin, një kohë ishte madje deputet i Kuvendit Popullor dhe shkonte rregullisht jashtë shtetit. Ndaj tij vetë shoku Enver Hoxha mbante një qëndrim të mirë. Ndonëse, natyrisht, në jetën e shkrimtarit, që jetonte në një vend socialist, ka shumë çaste të pakëndshme – pjesëmarrja e detyrueshme në mbledhje partie, kritika “shoqërore” e sivëllezërve letrarë, krijimi i detyrueshëm i veprave “aktuale” etj. Dashje pa dashje bëhesh thellë në shpirt disident dhe që përgatitesh moralisht që në rastin e parë të volitshëm të kërkosh strehim politik atje, ku mund të ulesh i qetë mëngjeve në lokal, të pish kafe dhe të shkruash në bllok gjithçka të vjen në mend.
Është e vështirë të thuhet sa herë e ka rishkruar Kadareja “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”. Jo një herë, kjo është e saktë. Kam përkthyer një nga variantet e para të romanit në fillim të viteve 80 të shekullit të klauar (u botua me disa shkurtime në revistën “Inostrannaja literatura”) – thjesht sepse këtë munda të marr, ma sollën nga Jugosllavia. Ky përkthim është bërë sipas botimit të fundit në shqip, ndonëse Kadareja tani nxjerr në Paris një përmbledhje në shumë vëllime në dy gjuhë gjuhë, shqip dhe frëngjisht. Ja në këtë botim, padyshim, do të jetë varianti më përfundimtar, si të thuash, akademik, i romanit. Nëse autori nuk vendos të fusë edhe ca ndryshime më vonë.
Kështu që unë e di me saktësi të plotë, fjalë për fjalë, si të thuash, çfarë ndryshimesh ka bërë Kadareja në tekstin e romanit dhe mund të bëj përgjithësime paraprake.
Ndryshimi më i dukshëm është ndryshimi i pikëpamjes së autorit. Jo në kuptimin “ishte mirë, u bë keq” apo “i kënduam komunizmit, kurse tani e shajmë”. Kategori të tilla janë të papajtueshme për krijimtarinë e Kadaresë në parim. Por në kuptimin – nga se niset për të shqyrtuar ngjarjet e ndodhura. Kur ai shkroi variantin e parë, jetonte në Shqipëri, kurse vendet e huaja ishin për të përtej perdes së hekurtë, Nëse, natyrisht, nuk konsiderohet vendi i huaj Bashkimi Sovjetik, ku ai bëri stazh në Institutin e Letërsisë. Por ne e dimë mirë se Bashkimi Sovjetik nuk është kurrfarë vendi i huaj, kurse një Shqipëri e tillë ështe vetëm e madhe.
Varianti i parë është romani, i shkruar nga një autor shqiptar për shqiptarët (madje nuk do të shqyrtojmë faktorin e pranisë së censurës komuniste – kjo në kontekstin e dhënë nuk është relative) mbi një të huaj që ka ardhur në Shqipëri. Domethënë, gjithçka, që ndodh në Shqipëri është e natyrshme dhe e rëndomët, është një farë realiteti, në të cilin bie personazhi i çuditshëm nga një vend i huaj anonim. Domethënë, nuk na duhet të shpjegojmë se ç’ është komiteti i partisë i rrethit, ne jetojmë këtu, dhe për ne është interesante të përfytyrojmë se çfarë mund të mendojë për të gjitha këto gjenerali i huaj që ka ardhur.
Varianti i fundit është romani për një Shqipëri misterioze, romani i shkruar nga një shkrimtar evropian për evropianët. Prej kohësh Kadareja kalon tashmë më shumë kohë në Paris se në Tiranë, dhe ajo, që atij i përfytyrohej si një vend i huaj i largët, është bërë për të një përditshmëri e rëndomtë. Kurse lexuesit evropian të ekzotikës së vërtetë
Janë zhdukur nga romani pasazhet për qytetërimin dhe komfortin, që jepnin synimet e fshehta të autorit për t’u shkëputur nga grija komuniste në jetën me dritë të vendeve të huaja – ndonëse ka mbetur personazhi episodik, i cili shkruan diçka me këmbëngulje në një fletore të trashë, i ulur në barin e hotel “Dajtit”, pothuajse i vetmi mjedis në Shqipëri, që mund të kishte vezullimin e një vendi jashtë shtetit. Këtu, në të vërtetë, lejoheshin vetëm të huajt, që kishin valutë të konvertueshme. Ka gjasa, sipas shkallës së njohjes, lejoheshin dhe shkrimtarë me emër. Dyshoj se ky është ai vetë, Kadareja, rri ulur atje, duke u kënaqur me komfortin evropian, duke u sjellë si shkrimtar evropian, dhe shkruan romanin e tij, dhe vëren se si u fut në bar një gjeneral me uniformë të huaj madhështore. Tani Kadareja shkon çdo mëngjes në të njëjtën kafene pariziane në qoshe të rue de Medicis dhe bulevardit Sent-Michel dhe pi atje kafe, i përkulur mbi një bllok. Ëndrra e tij u jetësua. Në fakt, ai u bë shkrimtar i njohur evropian.
U zhduk krejt një skenë fantazmagorike, të cilën dy gjeneralë të dehur të NATO-s, në një dhomë hoteli, shkaktojnë luftë mes dy ushtrish të vdekura – në hartën e vizatuar luftojnë ushtarë, të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sigurisht, botuesit francezë korrektë politikisht i kanë dhënë të kuptojë autorit se kjo është gjë e stisur. Dhe, ndoshta, autori vetë vendosi ta heqë këtë skenë me një shikim më të pjekur.
U zhdukën imtësi të shumta të realitetit, që lidhen me periudhën gjysmëshekullore komuniste të historisë së Shqipërisë, vendi u bë i pakohshëm, një Shqipëri e moçme, ku marrëdhëniet farefisnore dhe kodi i sjelljes së malësorit janë më të rëndësishme se vendimet e plenumit të fundit të komitetit qendror të partisë ose rekomandimet e komisarëve të Këshllit të Evropës.
Në të njëjtën kohë gjuha e romanit u bë më shqiptare – autori ka zëvendësuar me zell shumë fjalë mbarevropiane më sinonime në shqip....
... romani u bë më evropian nga përmbajtja dhe më shqiptar nga gjuha. Në përgjithësi, jam i mendimit se Kadareja më së shumti ka krijuar gjuhën e sotme letrare shqipe ashtu si te ne Pushkini. Kur ai të vdesë, tekstet e tij këtu do të bëhen kanonike dhe në bazë të tyre do të krijohen fjalorët normativë shpjegues të gjuhës shqipe. Ndërkaq, kështu po ndodh dhe tani.
Aktualizimi i tekstit
Për ta bërë romanin sa më bashkëkohor dhe që prek pikat më të sëmura të shoqërisë sonë, mjafton që kudo në tekst të zëvendësohet fjala “Shqipëri” me fjalën “Çeçeni”. Apo “Afganistan”. Po, në thelb, nuk ka pse të aktualizohet asgjë – ushtarët [sovjetikë - përkthyesi], që kanë rënë gjatë Luftës së Madhe Patriotike, ende nuk janë gjetur të gjithë dhe nuk u janë kthyer të afërmve. Po ta flasim ndershmërisht, në nivel shtetëror askush nuk është përpjekur posaçërisht për këtë gjë. Dhe nëse fillojmë e mbledhim nëpër Evropë ushtarët tanë të rënë, nuk do të bëhet fjalë për një ushtri, por për fronte të tëra, për miliona varre të vogla dhe karvane të pafundme kamionësh, që i çojnë në atdhe. Ndofta, dikur kjo do të ndodhë.
Mes Xhojsit dhe Kafkës
Në raftet e librarive britanike – jo në ato, ku qëndrojnë bestsellerët më të famshëm të javës së fundit, atje ku është letërsia klasike – romanet e Kadaresë qëndrojnë, si të ishin vendosur në rend alfabetik, mes veprave të Xhejms Xhojsit [James Joyce] dhe Franc Kafkës [Franz Kafka]. Një fqinjërim tejet i denjë, ndonëse, po t’u besojmë kritikëve, vendi i Kadaresë është pak më majtas – më pranë Homerit. Është diçka e çuditshme të mendosh se lexuesi rusishtfolës nuk ka praktikisht kurrfarë përfytyrimi për krijimtarinë e klasikut të letërsisë botërore, që e krahasojnë me Homerin. Shpresoj se kjo gjendje do të ndryshojë dhe librat e Kadaresë do të zenë vendin që u takon në raftet e librarive ruse – do të jetë interesante të shohësh se librat e kujt do të fqinjërojnë me të.
*Përkthimi me disa shkurtime, titulli është i gazetës, nëntujt janë të origjinalit
SKEDA
Përkthimet në rusisht të veprave të Kadaresë
1. Lirika. Përkthimi nga shqipja, redaktimi dhe parathënia nga D. Samojlov. Moskë: Izdatelstvo inostrannoj literaturi (Shtëpia botuese e letërsisë së huaj), 1961.
2. General armii mjortvih (Gjenerali i ushtrisë të të vdekurve, kurse në vitin 2006: General mjortvoj armii – Gjenerali i ushtrisë së vdekur). Përkthyer nga Vasil Tjuhin // Revista “Inostrannaja literatura” (Letërsi e huaj), 1989, № 6.
3. Surovaja zima (fjalë për fjalë “Dimri i ashpër” për “Dimri i madh”). Përkthyer nga I. Voronina dhe V. Modestov. Moskë: Hudozhestvennaja literatura (Shtëpia botuese e Letërsisë artistike). 1992.
4. Vestnik bedi (Lajmëtari i fatkeqësisë). Islama nox. Përkthyer nga O. Kolpakova // Revista “Inostrannaja literatura” (Letërsi e huaj), 1992, № 8.
5. Velikaja stena (Muri i madh). Përkthyer nga L. Milko // Revista “Inostrannaja literatura” (Letërsi e huaj), 1995, № 9.
6. General mjortvoj armii (Gjenerali i ushtrisë së vdekur). Përkthyer nga Vasil Tjuhin. SPb. (Sankt Peterburg): 2006.
Ç’është Çmimi “Man Booker International”
Çmimi “Man Booker International” u jepet autorëve, që kanë dhënë kontribut të shquar në letërsinë botërore. Kryetari i jurisë, John Carey, e quajti Kadarenë një shkrimtar universal, i cili ka mundur të përfshijë mbarë kulturën në veprën e tij, historinë, pasionet, folklorin, politikën, fatkeqësitë.
Çmimi “Man Booker International”, i cili u krijua në vitin 2005, është i hapur për autorë nga të gjitha vendet e botës, vepra e të cilëve është shkruar ose përkthyer gjerësisht në anglisht. Çmimi jepet për krijimtarinë letrare në përgjithësi të shkrimtarit dhe jo për një vepër të vetme.
Çmimi “Man Booker International” është varianti ndërkombëtar i çmimit prestigjioz britanik me te njejtin emër, që u jepet vetëm shkrimtarëve britanikë, irlandezë ose të vendeve të Komunuelthit.
Kandidatët për Çmimin “Man Booker International” 2005:
Ismail Kadare
Margaret Atwood
Saul Bellow, Nobel më 1976
Gabriel Garcia Marquez, Nobel më 1982
Gunter Grass, Nobel më 1999
Milan Kundera
Stanislaw Lem
Doris Lessing, Nobel më 2007
Naguib Mahfouz, Nobel më 1988
Tomas Eloy Martinez
Ian McEwan
Kenzaburo Oe, Nobel më 1994
Cynthia Ozick
Philip Roth
Muriel Spark
Antonio Tabucchi
John Updike
A.B. Yehoshua
Librat e Kadaresë të përkthyer në anglisht:
Gjenerali i ushtrisë së vdekur (The General of the Dead Army)
“Ura me tri harqe” (The Three Arched Bridge)
“Prilli i thyer” (Broken April)
“Kronikë në gur” (Chronicle in Stone)
“Kush e solli Doruntinën” (Durontine)
“Dosja H” (The File on H)
“Koncerti (The Concert)
“Pallati i ëndrrave” (The Palace of Dreams)
“Pranvera shqiptare” (Albanian Spring)
“Priramida” (The Pyramid)
“Këngw zie për Kosovën” (Elegy for Kosovo),
“Lulet e ftohta të marsit” (Spring Flowers, Spring Frost)
“Pasardhwsi” (The Successor)
“Vajza e Agamemnonit” (Agamemnon's Daughter)
“Kështjella” (The Siege)
FILMOGRAFI
Gjenerali i ushtrisë së vdekur
Titulli frëngjisht: Le général de l’armée morte
Titulli italisht: L’armata ritorna
Regjia: Luciano Tovoli
Subjekti: nga romani i Ismail Kadarésë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”
Skenari: Luciano Tovoli, Jean-Claude Carrière, Michel Piccoli
Operatorë: Luciano Tovoli, Giuseppe Tinelli
Montazhi: Noëlle Boisson
Prodhimi: Enzo Porcelli për Antea Cin.ca, RAI – Radiotelevisione Italiana (Romë), Film 66, Antenne 2, Union Genérale Cinématographique (Paris)
Muzika: Gustav Mahler e dirigjuar nga Vaclav Neuman
Piktor i filmit: Alessandro Dell’Orco
Kostumet: Giulia Mafai
Interpretojnë: Marcello Mastroianni, Anouk Aimée, Michel Piccoli, Gerard Klein, Sergio Castelletto, Daniele Dublino, Carmine De Padova, Roberto Micco, Cosimo Calabrese, Salvatore Bucolieri
Kohëzgjatja: 94’
Origjina: Itali/Francë 1983





