Josif Papagjoni
Romani “Ku je?” është një rrëfim i ndjerë për fatin e njeriut nën diktaturë. Një memorie letrare më shumë për një periudhë të mbrapshtë, me dashuritë e bryllta, të ndaluara apo fatale, që do të kërkojë kohë, shumë kohë të pikturohet, ashtu ngjethëse siç ka qenë
Flutura Açka është një grua-shkrimtare me vullnet dhe ambicie për t’i thënë vetes “po”. Ose, sipas maksimës së Fromit, “unë jam – unë kam”. Shpirti i saj është krijimi dhe prandaj “është”, jeton për të. Dhe prandaj “ka” shumëçka që tjetërkush s’e ka. Ka veprat e saj, vëllimet me poezi dhe… dhe katër romane. Ky i fundit ka për titull një pyetje sa të rëndomtë të bisedave të përditësuara në jetë, aq edhe ndën tisin filozofik të ekzistencës: KU JE? Unë do ta përthyeja ndryshe, do ta ktheja në kohën e shkuar: Ku ke qenë? Dhe një tjetër pyetje shtesë: Si ke qenë? Është fjala jo për rrugën dhe kuzhinën e së përditshmes sonë, por për atë kohë kur shpirtrat e shqiptarëve mardhnin nga marritë e diktaturës, nga mungesa e lirisë, nga paradokset e qëndrimeve absurde, nga klima polare që të brymonte krejt, nga gogolët që vrisnin ëndrrat, nga “kulakët” alla shqiptarë, nga pushkatarët e poezisë, nga gjithë ajo dhe ata që shtrigëronin mirësinë, që ndalonin arratinë e mendjes kah bukuria, nëpërmjet turravrapit të fantazisë, tej vijave të bardha, tej bunkerëve ideologjikë e kloneve estetikë. Shkurt, një roman i mbirë thellë në kujtesën e autores, ende fëmijë asoherë, përplot mbresa, dhimbje, dufe, urrejtje, dashuri, neveri, hakërrima, çudira, siç vetë jeta ish. Dhe me patos, doemos. Shumë patos. Për njerëzit që vuajtën. Që u mrrolën. Për njerëzit që u drobitën territ dhe dhunës së institucionalizuar. Për ata që sakrifikuan dhe u sakrifikuan. Që vdiqën kampeve të internimit. Që “heshtën” çmendinave. Që u çmeritën nga sloganet dhe kopeja sociale. Nëse do të përveçoja thelbin e këtij romani, mbase katër antinomi do të krijonin ballinën e brendisë së tij: dashuri në dhimbje, liri në kufizim, jetë në vdekje, ëndërr në zhgjëndërr. Ndoshta dhe të tjera antinomi mund të shtohen, afër mendsh. Leximet janë ngaherë shumështresore.
FATE TË TRISHTA
Romani “Ku je?” është një rrëfim i ndjerë për fatin e njeriut nën diktaturë. Ira Gjormi, bija e një politikaneje komuniste të ndëshkuar nga kupola, vuan mungesën e lirisë dhe, përtej saj, pritjen e makthshme të vdekjes tinëzare nga sëmundja e pashërueshme e kancerit në gji. Ky karusel jetësor dhemb, sepse ajo, Ira, s’është veçse një fidan i porsambjellë. Dhe fatalisht do të thahet, kur në gulsh e neps i frymonte e bukura dashuri (për Ilirin), jeta e pajetuar dhe ëndrra për letërsinë. Shkrimtarja është frymëzuar nga një histori e njohur, më konkretisht nga fati i së bijës së ish-anëtares së Byrosë Politike, Liri Belishova, me jetën-picir që familja e saj shkoi për shumë vite në internim, në punë të rënda bujqësie. Edhe Ismail Kadare e shfrytëzoi këtë fabul ngjethëse të historive të trishta shqiptare, në romanin e tij të fundit “E penguara”. Sido që pikënisjet kanë afri, madje edhe raporti i krijuesit me diktaturën, përkundrazi, shtjellimet, stilet dhe optikat janë të ndryshme. Kadare ka një roman të kahut introjektiv, ku sintagma lidhet ngushtë me mitin, si edhe procesin krijues të këqyrur si vetëdije e epërme e lirisë, ndërsa F. Açka rreket drejt romanit tablor, disashtresor, me ndërkalljen e një database politike jo pak agresive në shpjegimin e fateve të personazheve të saj, sikundër me synimin për të bërë operacione në kurmin e plaguar të shoqërisë së deformuar prej dhunës dhe mungesës së lirisë, posaçërisht në organin më delikat e më pak të mbrojtur të saj: Dashurinë. Ka tri dashuri njëherit dhe të tria fatale. Ira dashuron Ilirin, por vashën e merr vdekja; Artur Robja dashuron aktoren Klara Daiu, por edhe këtë e futin në çmendinë për ta zhdukur (lloj vdekjeje dhe kjo); Sara dashuron Artur Robjen, por gruan karrieriste e gëlltit politika dhe qëndrimi cinik i të atit, që për të ruajtur pozitën e vet në hierarkinë e pushtetit okult, e detyron të bijën të bëjë një krim ndaj të shoqit duke e ndarë dhe denoncuar atë si të çmendur. Dashurinë e parë e vret fati, të dytën diktatura, të tretën po diktatura, por në një tjetër trajtë (si mungesë e guximit për të tejkaluar veten; dhe mandej pozita dhe përkatësia politike, cinizmi, moskomunikimi, frika për të sakrifikuar, ujdia me të keqen). Përpos jetës së ngulfatur nga kufizimi i lirisë, romani sjell faqe të bukura të raportit të artistit me kohën, e këqyrur më fort në prirjen anarkiste të Artur Robjas, e kuptuar si liri absolute dhe rebelim ndaj formave të ngurtësuara të artit.
Ka një përqasje filozofike për raportin e jetës me vdekjen, jo aq në sensin transhendental se sa atë ontologjik real, i përditësuar në brengat dhe lëngatat e personazheve. Flukse të tilla bëhen harmonjëse në rastin e Ira Gjormit, të cilat i adresohen një çasti ëndërrimi dhe meditimi të saj për sëmundjen vdekjeprurëse dhe nepsin për jetën (f. 264-272). Lufta jetë-vdekje, e shumëfishuar në tërë qenien njerëzore, shndërrohet në paradigmë ekzistencialiste, si mbivendosje e njërës te tjetra, gjithashtu si përjashtim i njëra-tjetrës, si antinomi dhe si shartesa paradoksale. Vdekja kundrohet si betejë jo vetëm e molekulës dhe e qelizës trupore, pra si vdekje fiziologjike, por si digresion filozofik që ka penguar nëpër shekuj mendimin, si sfidë ndaj harresës. Kjo është pikërisht mallëngjyese. Andaj vdekja bëhet jetë, kur kjo e fundit e sfidon të parën dhe nga liri (për Artur Robjan) e mirësi (për Ira Gjormin) kthehet në kujtesë dhe nostalgji (për Lina Beshirin, Ilirin, Klara Daiun, Ed Zagorinë etj). Në fakt, të marra veçmas, meditimet e thelluara filozofike dhe estetike me përjetimet e personazheve gjegjës në trajtën e monologëve, janë nga faqet më të bukura të romanit, p.sh. 246-256 (përsiatja e Sara Ziut mbi dashurinë e ngatërruar të saj ndaj të shoqit), 295-304 (Artur Robja dhe Klara Daiu në shkrirjen dashurore), 264-272 (Ira Gjormi dhe filozofia e jetë-vdekjes). Lexuesi e kupton se këtu ka një bashkëjetesë të mendjes së shkrimtares me atë të personazhit të saj, paçka se caqet janë shkrirë dhe rrëfyesi me të rrëfyerën janë bërë njësh. Shkrimtarja do të më lejonte t’i sugjeroja se përsiatja e personazheve lipset të jetë më pranë tyre si vetvete, se sa të shkrimtares si narratore. Niveli i të menduarit të Irës është si tepër epëran.
STRUKTURA TREKËNDORE
Romani ka një strukturë të rrumbullakësuar, me gjithë krahëhapur kundruall informacionit estetik që vjen në rrafshin kohor, social, politik, gjeografik, filozofik etj. Nëse do ta përqasnim me termat gjeometrikë, ajo (struktura) i afrohet një trekëndëshi: Ira Gjormi, Klara Daiu, Artur Robja. Mund ta quash një trekëndësh dybrinjënjëshëm, me këndin puqës Ira Gjormin, kryesisht e kahut tragjik, ndërsa dy personazhet e tjera, paçka se të mëvetësishëm dhe jo pak të vëllimshëm, mbeten dytësorë. Për nga ngarkesa semantike dhe raportet me kolizionin politik të kohës – diktaturën dhe trysninë shfytyruese të saj mbi shpirtrat njerëzorë – struktura mund të përqaset edhe me trekëndëshin barabrinjës, ku të tre personazhet janë sa heronjtë e njëvlershëm kuptimorë të romanit, aq edhe të njësuar në domethënien dhe mesazhin gjithëpërfshirës të kritikës dhe të pasojave të diktaturës komuniste te njerëzit. Përtej këtij trekëndori, harta e veprimeve dhe përjetimeve prek edhe të tjerë personazhe, disa të portretizuar imtas, disa paksa e me furça karakteriale dhe shumë si një sfond shoqëror, si subjekte e histori bëmash njerëzore, si ndërveprime e bashkëshoqërime idesh etj. Në këtë kuptim mund të thuhet se struktura romanore rreket përkrah polifonisë a shumanshmërisë. Tonin e romanit e zotëron tragjikja dhe dramatikja (Ira, Arturi), ashtu sikurse zhbirilimi psikologjik dhe lundrimi në kthinat e terrta të ndërdijes nga autorja merr trajtën e një pulsimi të lartë, ku lexuesi humbullon e përthellohet në fshehtësitë e përjetimeve të personazheve (sidomos Artur Robjas) apo në përsiatje që nuk bëjnë dot jashtë e përkundër dufeve lirike (Klara Daiu, Iliri). Nuk lihet edhe qasja e dhimbjes së heshtur e nënës për bijën, në formën e sentimentit të rëndomtë (Lina Beshiri). Jo pak herë autorja krijon amalgama tunduese midis tragjikes dhe komikes, psikologjikes dhe poetikes, dramatikes dhe absurdes. Jetë-vdekja është kontrasti i parapëlqyer i F. Açkës, falë një skanimi që vjen sa nga kujtesa e freskët dhe e afektuar, aq edhe nga këqyrja e distancuar e atij realiteti ndrydhës, përputhur një politologjie pranë kohës ku jetojmë. Te kjo e fundit do desha të bëja me dije se shpesh mekanizmi tjetërsues që shkaktojnë diktaturat nuk vjen i tëholluar dhe me elegancë, kur njeriut i duhet të bëjë kompromiset e mbijetesës. Nganjëherë ngjan sikur njerëzit kanë më shumë guxim nga ç’duhet, duke e shkapërcyer kohën e tyre të njëmendtë. Në këtë pamje, krahas përjetimeve të Sara Ziut për dashurinë e humbur ndaj Artur Robjas dhe pendesën, mund të vinte në trajta edhe më dramatike çasti kur ajo e dorëzon në çmendinë për të shpëtuar “lëkurën”; një çast i rëndë, ku psika e sulmuar dhe e tjetërsuar do të mund të pikturonte shëmtinë që imponohej nga ligjet çnjerëzore. Sepse shpirtrat janë hone ku drita kapërthehet me errësirën. Ose shpotia ndaj diktaturës bëhet prore haptazi, si një përtallje e pabesueshme, kur dihet se, përpos frikës, mosbesimit te tjetri, diktaturat, me ideologjitë e tyre tinëzare, i indoktrinuan jo pak shpirtrat tanë të vetmuar e të izoluar me utopi të rrejshme, me mite, me kinse drejtësinë sociale, pasurore dhe gjithfarë mashtrimesh të tjera diabolike (aspak jo të “trasha” e butaforike). Ndonëse një roman i strukturuar mirë, në disa sythe tepricat dhe proliksiteti mund të shosheshin edhe më pa mëshirë prej shkrimtares. Sidoqoftë, na duhet ta rithemi se karakteri polifonik i rrëfimit romanor nuk hapërdahet në njësorë të tepërt narrativë. E thamë se ajo kryqëzohet në fatin e tre njerëzve: Ira Gjormit, Klara Daiut, Artur Robjes. E para dhe i treti kanë edhe përplotësuesit e tyre, Ira me Lina Beshirin, të ëmën e saj, si dhe Ilirin, të fejuarin, kurse Arturi me Sarën, të shoqen dhe Ed Zagorinë, kolegun e tij piktor. Tutje këtyre lëvrijnë edhe do personazhe të tjerë, por ata mbeten vetëm pjesë e tablove të ravijëzuara, zanafilla shpjegimesh dhe raportesh për fatet e katër personazheve në fjalë, apo si sfonde mjedisore, sociale, psikologjike, kulturologjike etj. Më të qëndisurit syresh janë i ati i Sara Ziut, një pushtetar i paskrupullt, i ftohtë, autoritar, me mendje “algjebrike”, që dashuritë e fëmijëve i sheh veçse si formula ne ekuacionin e tij politik; dhe mjeku psikiatër, sajë të cilit sillet një grafikë alla Domje, ku e pëgëra e shtetit shndërrohet në argument mjekësor (çfarë përçudnimi!?...). Këto personazhe, sado të “vegjël”, në syrin tim janë edhe më të vërtetët.
Nga gjërat më të vyera të romanit është materia gjuhësore. Një gjuhë e ngopur, një shqipe plot muskul frazeologjik, plot neologjizma, fjalë të krehura, të prajshme në sintagmën e tyre, ku spikat sqima, eleganca, aftësia për t’u shprehur bukur. E gjithë kjo tretet në stilin e saj, madje më duket se krijon vetë stil. Dhe tok me gjuhën, do të çmoja kulturën. Kjo i jep sharm e hir poetik romanit, e bën atë më shumë të lexueshëm.
PEIZAZHI SHOQËROR DHE MË TEJ TIJ
Mbamendja e kohës prej autores, e shumuar me mbamendjen e tablove jetësore, të rrugëve e rrugicave, të godinave e pemëve, të luleve dhe këngëve, të stacioneve të autobusëve mbushur përplot njerëz me erë djerse të athët dhe të linjës hekurudhore si shans i vetëm komunikimi mes qyteteve, të sobave të vjetra dhe qëndismave, të spitalit psikiatrik dhe sokakut të “sikleteve”, të librave të ndaluar, spikerëve të lajmeve, të pikturave të fshehura, gjithë ornamenti i viteve ’80, si një dantellë me grep të hollë, vjen e tretur në përfytyrimin e saj të rinisë, doemos edhe në nostalgjinë që pikon pakëz mjaltë e shumë hidhësirë, atje, në qytezën e vogël bri “Skampis”-it, qytetit të lindjes së autores. Është një roman për dashurinë dhe lirinë në kohën e “kolerës”, kur mamuthët apo rinocerontët (sipas Joneskos) gëlltisnin krejt blerimin. Është një roman ku rrëfyesja, paçka se tregon makthet e asaj kohe në vetë të tretë, duket se fshihet brenda personazheve të saj, në mugujt e trishtë të meditimeve dhe përjetimeve të Ira Gjormit (si kryepersonazh), Klara Daiut (alteregoja e saj) dhe piktorit Artur Robja, si një kips i heshtur e tragjik i të pathënave të dy të parave. Një roman për njerëzit e vetmuar, kundër kopesë, që gjakojnë të jenë vetvetja, paçka se heshturazi. Dhe tjetra: është një roman voluminoz prej 410 faqesh, i pari kësilloji nga romancieret femra në hapësirën shqiptare, çuditërisht i lexueshëm lehtësisht e me kënaqësi. Një roman që gërsheton hapjen me mbylljen, përqendrimin me ekspansionin, personazhe, shpirtra, mese sociale, toponimi, përhedhje idesh, histori, politikë, psikologji. Një memorie letrare më shumë për një periudhë të mbrapshtë, me dashuritë e bryllta, të ndaluara apo fatale, që do të kërkojë kohë, shumë kohë të pikturohet, ashtu ngjethëse siç ka qenë. Po ashtu “Ku je?” është një roman ku peripecia e mundimit në jetë plekset me peripecinë e mundimit që fal të menduarit, përsiatja, meditimi filozofik estetik.