Me dramat e tij u shndërrua në një përshkrues dhe përkufizues të vlerave universale dhe njëherazi parashikues i ngjarjeve të ardhshme
Një nga zakonet e fshehta të Ibsenit flet shumë për mungesën e sigurisë dhe trazimet e dramaturgut të dytë më të shquar të shekullit XIX. Dhe ky zakon ishte të fshehurit, të maskuarit dhe shpesh të mosbërit e dallimit mes jetës dhe dramave apo personazheve që gjallonin dramat e tij. Në të kundërt të Ibsenit, është e pamundur që të imagjinojmë Çehovin, pushteti i dramave të së cilit e kalon dukshëm atë të Ibsenit, që të ndiqte një strategji të tillë. Çehovi, si dhe Shekspiri, parapëlqente që të zhytej në një punë dhe në një dramë për sa kohë që zgjaste krijimtaria, për të dalë më pas prej saj i paprekur nga dramat e personazheve, për t’u purifikuar dhe për të rinisur stisjen e të tjera ngjarjeve. Ndërsa Ibseni, për ata që ia njohin mirë punët, vinte shumë dramat personale në pjesët që shkruante dhe kjo është shumë e dukshme dhe madje çdo pjesë që ai sjell në jetë mund të konsiderohet si kapitulli i fundit i dramës së tij personale dhe i ulje-ngritjeve të shpirtit të tij. Ishte një shpirt në kontradiktë të përjetshme dhe të vazhdueshme si me vetveten, ashtu edhe me bashkëkombësit e tij, norvegjezët. Një nga ironitë e jetës së Ibsenit ishte prejardhja nga një vend shumë i vogël, i dominuar politikisht nga fqinjët, e megjithatë ai arriti një sukses të jashtëzakonshëm edhe pse vazhdimisht këmbëngulte që të shkruante vetëm në norvegjisht, çka e pengoi shumë në fillim përhapjen e veprave të tij në Europë e në botë. Ibseni ishte njeriu që skandalizoi Europën me drama të tilla sociale si “Shtëpia e kukullës”, në të cilën flitet për një grua që më në fund arriti t’i ikë pushtetit frymëzënës të një bashkëshorti shumë obsesiv dhe mbi të gjitha një martese në të cilën ajo nuk ndihej një partnere, por një kukull me statusin e një fëmije që nuk rritej asnjëherë. Tingulli i ashpër i derës që ajo përplas në ikjen finale ishte një tingull që shkaktoi një rezonancë të jashtëzakonshme në përpjekjet e grave të asaj periudhe për të fituar më shumë të drejta dhe për t’u emancipuar në një shoqëri që i konsideronte ato si qytetare të dorës së dytë. Por ajo që nuk dihet nga shumë lexues është fakti që vetë Ibsen e ndjente veten në pozicionin e një të burgosuri të antivlerave që përshkonin shekullin XIX, antivlera që në fakt nuk mbanin të prangosura vetëm femrat, por gjithë shoqërinë. Në ikjen e Norës te “Shtëpia e kukullës” nënkuptojmë ikjen e vetë Ibsenit nga rrethi dhe jeta që bënte, nga shumë gjëra të cilat nuk i pëlqenin e me të cilat binte ndesh. Ibsen nuk ndihej shumë mirë, megjithatë, me reputacionin e njeriut që e konsideronin si ndërmarrës të një kryqëzate sociale. Ai ishte i ndërgjegjshëm që imagjinata e tij synonte majat e miteve. Në fazën e parë të karrierës së tij arriti që të krijonte dy arketipa mitesh që plotësonin njëri-tjetrin. Njëri ishte ai i absolutizmit religjioz i përfaqësuar nga pastori Brand në dramën me të njëjtin emër. Ndërsa antiteza e tij është tipi i personit që mishëron gjithë papërgjegjshmërinë njerëzore. Me të dy këto arketipa ai arriti një sukses të jashtëzakonshëm, që do të thotë se i kishte “rënë në kokë” dy prototipave shumë identifikues të shoqërisë së kohës. Vetëm se ndryshe nga Çehovi, në veprat dhe personazhet e Ibsenit, një sy i vëmendshëm do të vërë re pasqyrimin e luftës së brendshme të dramaturgut, kompleksitetet dhe konfliktet e përjetuara prej tij në faza të ndryshme të jetës dhe të krijimtarisë. Për shembull, pas librit “Shtëpia e kukullës” ai shkroi “Rosa e egër”, që është një tentativë për të shmangur nga vetja damkën që i ishte vënë, atë të “reformatorit social”. Megjithatë, siç do të shohim, pavarësisht përpjekjeve të tij shumë të mëdha dhe të ndërgjegjshme, drama ka implikime të thella dhe të dukshme politike, që flasin qartas për probleme të dukshme dhe të qarta të epokës në fjalë.
Në dramën e famshme, “Armiku i popullit”, ilustrohet mënyra se si dramat e Ibsenit tentojnë që të shfaqen në një përmasë të gjithëkohshme. Duke e parë një pjesë të tillë, e kupton fare mirë universalitetin e saj dhe mbi të gjitha vlerën që nuk ka kufizim. Në vitin 1950, një tjetër dramaturg i madh, Arthur Miller, e adaptoi dramën e Ibsenit dhe nxori një pjesë të ngjashme me anë të së cilës i bëhet thirrje ndërgjegjes njerëzore përkundër forcës negative dhe regresiste të konformizmit. Duke qenë se kjo ndodhi gjatë epokës së Mekartizmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mund të kuptohet lehtësisht qëllimi i Millerit në adaptimin e një vepre të madhe të Ibsenit. Por ndërkaq, versioni i Millerit zor se mund të jetë sot koherent, ndërsa ai i Ibsenit mund të përçojë vazhdimisht, pra edhe sot e gjithë ditën, mesazhet që përçoi një shekull e ca më parë. Për këtë ka qenë i ndërgjegjshëm edhe vetë Miller, i cili në një artikull të asaj periudhe ka shkruar që nëse Ibseni do të ishte ringjallur në vitin 1950, nuk do të ishte ndjerë mirë me ndryshimet që i ishin bërë pjesës së tij, por synimi i Millerit në këtë rast ishte që ta shndërronte një subjekt universal në një dramë konkrete për një publik të caktuar, në një moment historik e kontekst ngjarjesh të caktuar.
Një fakt interesant, meqë po flasim për dy nga dramaturgët më të mëdhenj të shekujve të fundit, pra të Ibsenit dhe Çehovit, është fakti se të dy baballarët e tyre ishin njerëz të falimentuar ekonomikisht. Por Çehov, duke qenë se ishte fëmija më i madh, u ndje i detyruar që të mbante mbi kurriz peshën e kryetarit të familjes në mungesë dhe paaftësi të të atit, duke u bërë nga një barrë e tillë shumë më i pjekur dhe i përgjegjshëm për rolin e tij para vetes dhe mbi të gjitha atë para shoqërisë dhe publikut të tij. Ndërsa në rastin e Ibsenit, ky fat personal që nuk varej nga ai, u shndërrua në një të keqe, prej së cilës ai u nda me shumë vështirësi dhe me vonesë. Ai nuk arriti që të shkëputej kollaj nga nëmja dhe stigma e një fati të tillë. Për një kohë shumë të gjatë ai u ndje i veçuar, i përbuzur. U ndje si djali i një borxhliu, i një njeriu që nuk kishte mundur që ta mbante fjalën. Për të shkruar dhe dalë në sipërfaqe me veprat e tij, atij iu deshën shumë vjet pune në teatër, në pozicione të ndryshme dhe herën e parë që arriti të prezantojë një pjesë të tijën ishte shumë i ndrojtur dhe tërësisht mosbesues. Vetëm talenti i madh dhe koherenca e veprave të tij ia falën famën e menjëhershme dhe mbi të gjithë i dhanë besimin e duhur për t’u shkëputur nga komplekset e shkaktuara nga gjëra të së shkuarës, të cilat nuk i kishte pasur personalisht në dorë. Por thellë-thellë brenda vetes, kompleksi i fajit të të atit, në rastin e Ibsenit nuk u zhduk dhe ai vazhdoi që të viktimizonte bashkëshorten dhe të birin, i nxitur nga ndjenja të tilla të brendshme plagësh të pambyllura. Megjithatë, këto mangësi karakteriale ai i shfrytëzoi në mënyrë gjeniale në krijimtarinë e tij, duke na dhënë personazhe me vlera të jashtëzakonshme, që përcollën mesazhe mbresëlënëse dhe të gjithëkohshme.
Vlera e Ibsenit mbi të gjitha dhe para së gjithash nuk është vetëm ajo e gjithëkohësisë dhe universalitetit, por edhe e parashikimit të një epoke të mëpastajme. Kjo sepse ai analizonte situatën e kokës dhe deduktonte ndryshimet që do të vinin si pasojë e kësaj ecurie.