Nga Admirina Peci
Është një mot i çuditshëm. Bie shi me gjyma, stuhi e rrebesh… mandej një diell i madh vesh rrugët e kryeqytetit gjithë
ndriçim. S’është çudi që pas pak kohe të të zërë një stuhi breshëri… Me Fatos Kongolin, takohem në kafenenë e përhershme plot me libra në “Friend’s Book House”. Sa përmendim motin, ai kujton një shprehje që elbasanasit e përdorin gjithmonë. “E di si është ky mot? - thotë ai tek perifrazon njerëzit e qytetit të tij. - Është lagatera”. Ç’do të thotë, e pyes? “Është një fjalëformim”, - shpjegon ai. Lag dhe ter. Diçka që ndodh kaq afër në kohë sa nuk mund ta ndash. Njëkohësisht, i lagur nga këto reshje të befta dhe i terur nga ky diell plot shkëlqim”...
Sidoqoftë, takimi ynë nuk ka qëllim këtë zbërthim gjuhësor. Shkak është bërë një bisedë e lënë pezull që nga ceremonia e dorëzimit të titullit të lartë “Kalorës i Legjionit të Nderit” në ambasadën franceze. E veç kësaj, si për të na shtyrë më tej një lajm i sapombërritur. Në Spanjë sapo ka dalë nga botimi libri i dytë i Kongolit, përkthyer në këtë gjuhë nga Ramon Sançes, “Jetë në një kuti shkrepësesh”. E nisim prej këndej, e mandej flasim për lidhjet e tij me Francën e frëngjishten, kujtimet e kohës së diktaturës, tek rendte drejt hapësirave të lirisë, pikërisht përmes librave në frëngjisht, që “i zbulonte” në fondin “rezervat” të bibliotekës së shtëpisë botuese “Naim Frashëri”... Flasim edhe për miqtë e tij frankofonë, Edmond Tupja e Viktor Kalemi, për bisedat e paharruara në frëngjisht, në ato që ai i quan “seancat e gjata të alkoolit”. Por, edhe lidhjet dhe kujtimet me Jusuf Vrionin....
Romani “Jetë në një kuti shkrepësesh” sapo është botuar në Spanjë. E këtij botimi i ka paraprirë një tjetër roman juaji i suksesshëm “Lëkura e qenit”. Cila është zanafilla e botimeve tuaja në këtë gjuhë?
Librat e mi në Spanjë kanë filluar të botohen tani së fundi, i pari, siç e përmendët edhe ju, romani “Lëkura e qenit”, në fillim të vitit 2009, i dyti, “Jetë në një kuti shkrepësesh”, i sapobotuar. Përkthyesi i veprave të letërsisë shqipe në spanjisht, zoti Ramon Sançes, ka qenë i interesuar prej kohësh për të përkthyer dhe botuar ndonjë libër timin në Spanjë, çka, sigurisht, nuk varej vetëm nga dëshira e tij. Duhej së pari një botues dhe që të bindësh një botues jashtë është një punë jo aq e lehtë. Për fat, në prill të vitit 2008, me ndërmjetësimin bujar të ambasadorit të Spanjës në Shqipëri, shkëlqesisë së tij zotit Montobio, i cili kishte lexuar libra të mi në frëngjisht dhe anglisht, u mundësua një vizitë imja në Spanjë, i ftuar nga një fondacion i njohur, i quajtur Carolina. Gjatë një qëndrimi prej dy javësh, me një program shumë të ngjeshur, sipas kërkesës sime ishin paracaktuar edhe tre takime në shtëpi botuese, njëra në Madrid, dy të tjerat në Barcelonë. Kështu ndodhi që qysh në fillim të vizitës në Spanjë të realizoja takimin me shtëpinë e parë botuese në Madrid, “Siruela”. Ka qenë dhe do të mbetet një takim e paharruar për mua. Pata rastin të bindesha se përpjekjet ndër vite të Ramon Sançesit, i cili ndodhej i pranishëm në takim, kishin qenë të efektshme. Te “Siruela” më njihnin, kishin një numër librash të mi të botuar në Francë, me dosjet përkatëse të shtypit francez. Më shpjeguan se çështja nuk shtrohej nëse do të më botonin ose jo, por se me çfarë librash të fillonin. Dhe më propozuan nënshkrimin e një kontrate për tre romane sipas renditjes “Lëkura e qenit”, “Jetë në një kuti shkrepësesh” dhe “I humburi”. Unë u befasova, nuk e prisja këtë, si njeri impulsiv që jam propozimin e pranova menjëherë, por me shumë mirësjellje m`u tha të mos ngutesha, ndoshta shtëpi të tjera botuese mund të më ofronin kushte më të mira. Dy takimet e tjera në Barcelonë të them të drejtën, i realizova formalisht, vetëm sepse bënin pjesë në programin e vizitës. Mendjen tashmë e kisha mbledhur, do të nënshkruaja kontratën me shtëpinë botuese “Siruela”, dhe kështu ndodhi.
Botimi spanjoll ka ruajtur thuajse plotësisht kopertinën e botimit në shqip, me një foto që ka një domethënie të veçantë për ju… Çfarë përfaqëson ai pallat i dalë boje ku ende duket shënimi “Lavdi PPSH”?
Është një fakt interesant ky. Një ditë, marr një e-mail nga zonja Elena Garcia-Aranda, menaxhere e të drejtave të autorit me jashtë në shtëpinë botuese “Siruela”. Më thoshte se kishte parë në internet kopertinën e botimit shqip të romanit “Jetë në një kuti shkrepësesh”, se i ishte dukur interesante, e përshtatshme edhe për botimin spanjoll të librit dhe më kërkoi se si mund të komunikonte me zonjën Irena Toçi, drejtoreshë e shtëpisë botuese ‘Toena’ dhe autore e kopertinës në fjalë. Ndërmjetësova që ato të lidheshin me njëra-tjetrën, u morën vesh dhe botimi spanjoll ka pothuajse të njëjtën kopertinë me botimin shqip.
Dua të them këtu se kopertina është një gjetje origjinale e Irenës. Fotografia është marrë në zonën ku banoj prej rreth njëzet e pesë vjetësh, e quajtur “Pallatet 1 Maji”. Pallati i fotografuar është përbri atij ku banoj unë, me ndryshimin e vetëm se ai ku banoj unë është jo dy, por trekatësh. Romani “Jetë në një kuti shkrepësesh” është, veç të tjerash, edhe “historia” e një banese tipike të epokës komuniste. Tek shkruaja këtë libër kam pasur nga fillimi deri në fund ndjesinë se kjo banesë, në metamorfozat e ndryshimeve të saj, ishte një personazh po aq dramatik sa personazhet e librit.
Cili është botimi i radhës në spanjisht?
Vitin e ardhshëm, pra në fillim të 2011-ës, do të botohet “Bolero në vilën e pleqve”. Sipas kontratës i takonte të botohej “I humburi”. Por meqë autori, së paku kështu ndodh me mua, ka dobësi për librin e tij më të fundit, unë ia dërgova “Bolero”-n zotit Ramon Sançes, me sugjerimin që nëse atij do t’i pëlqente, të dilnim te “Siruela” me propozimin për të zëvendësuar “I humburi” me “Bolero në vilën e pleqve”. Ramonit libri i pëlqeu, kështu që u arrit të bëhej një ndryshim në kontratë, pra u hoq “I humburi” dhe u vendos “Bolero”-ja.
Tashmë harta e gjuhëve në të cilat botohet sot vepra juaj është zgjeruar. Mund të bëjmë një rezyme të botimeve në gjuhë të huaja?
Deri tani librat e mi janë botuar në dhjetë gjuhë të huaja. Meqë ju përmendët fjalën “hartë”, e meqë janë vetëm njëmbëdhjetë e jo dyzet e më shumë vende, po i rendis: Francë, Zvicër, Gjermani, Britani e Madhe, Itali, Spanjë, Greqi. Më tej: Poloni, Sllovaki, Bullgari, Serbi. Kam një kontratë për botimin e romanit “Lëkura e qenit” në gjuhën esperanto, përkthyer tashmë nga një esperantist polak. Mirëpo, nuk di nëse ky botim ka dalë.
Vetëm para pak kohësh ju është akorduar nga presidenti Sarkozi titulli “Kalorës i Legjionit të Nderit”. Ç’përfaqëson për ju dhe letërsinë tuaj kjo dekoratë?
Në fillim gjej rastin t’ju falenderoj për pasqyrimin që i bëtë në gazetën tuaj kësaj ngjarjeje të jetës sime, duke botuar përveç kronikës së hollësishme, edhe fjalën e plotë që mbajta në ceremoninë e zhvilluar në ambasadën franceze. Është një vlerësim shumë prekës për mua, s’më kishte shkuar nëpër mend.
Gjuha frënge dhe Franca ishin të parat që përqafuan veprën tuaj, e tashmë thuajse gjithçka keni shkruar është përkthyer dhe botuar në frëngjisht. Ndërkohë, lidhja juaj me gjuhën dhe kulturën franceze është shumë më e hershme. Cilat janë fillesat e saj?
Kësaj pyetjeje i jam përgjigjur pak a shumë në fjalën që mbajta në ceremoninë e zhvilluar në ambasadën franceze, të cilën, siç thashë, ju patët mirësinë ta botonit të plotë. Por, për arsye kohe dhe sepse nuk ishte as vendi, disa hollësira nuk i përmenda. Fjala vjen, plot pesëdhjetë e dy vjet të shkuara, kur nis “historia” e marrëdhënieve të mia pasionante me gjuhën dhe kulturën franceze, me qytetërimin francez, një rol vendimtar për të më shtyrë drejt tyre luajti im atë, Baki Kongoli. Me studime të kryera dikur për violinë në Konservatorin e Pavias, në Itali, ai ishte njëherazi edhe njohës i mirë i gjuhës frënge. Ai lexonte shumë, ndoshta më shumë se pjesa dërmuese e shkrimtarëve të brezit të tij dhe në shtëpi unë gjeja vazhdimisht libra, sidomos romane, në gjuhën frënge. Në vitin e parë të gjimnazit, kur m’u desh, përveç gjuhës ruse, e detyrueshme në program, të zgjidhja si gjuhë të dytë fakultative, pra jo të detyrueshme, një nga tri gjuhët e mëdha perëndimore, anglisht, gjermanisht ose frëngjisht, me shtytjen e tim eti unë zgjodha këtë të fundit. Kështu nis marrëdhënia ime më se gjysmëshekullore me gjuhën, kulturën dhe qytetërimin francez, që e kam quajtur si histori e një adhurimi të gjatë, të heshtur, në largësi.
Përballë errësirës së regjimit diktatorial, gjuha dhe kultura franceze u kthyen në “hapësira lirie”, siç i keni cilësuar ju. Si i përgjigjeshit etjes për këtë liri? Sa e vështirë ishte në atë kohë të gjeje titujt dhe autorët e dëshiruar?
Për rreth pesëmbëdhjetë vjet unë kam punuar si redaktor në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Në atë kohë e vetmja që botonte veprat e autorëve tanë si dhe ato të përkthyera nga letërsia e huaj. Ky ka qenë “shansi” im. Te “Naim Frashëri” gjendej një bibliotekë shumë e pasur për kohën. Ajo ishte krijuar ndër vite, qysh në themelimin e shtëpisë botuese, nga persona me kulturë, përgjithësisht përkthyes, me CV jo fort higjienike për regjimin totalitar. Për nevoja të botimit porositeshin jashtë rregullisht libra autorësh të ndryshëm, klasike dhe bashkëkohore, ndër të cilët lexuesit i jepej një pjesë shumë e vogël. Të tjerët, pjesa dërmuese, mbeteshin brenda mureve të asaj biblioteke. Kur unë u futa për herë të parë atje u mrekullova, çfarë nuk gjeje nëpër rafte, libra kryesisht në gjuhën frënge. Dhe gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve në shtëpinë botuese unë i rashë me not pash asaj biblioteke nga njëri cep në tjetrin, lexova në frëngjisht libra dhe autorë që ndoshta diku tjetër nuk do t’i kisha zbuluar kurrë. Sigurisht, jo kushdo mund të futej e të merrte libra atje, e kam fjalën për libra të quajtur të fondit “rezervat”, por unë gëzoja përkrahjen e ish-drejtorit të ndërmarrjes, në veçanti edhe mirëkuptimin e një zonje që drejtonte bibliotekën. As më parë e as më vonë unë nuk kam lexuar me atë intensitet dhe gjate atyre viteve të rënda izolimi të plotë gjuha frënge, kultura franceze, u bënë me gjithë kuptimin e fjalës hapësira e lirisë time, hapësira ku arratisesha në vetmi, ku zbuloja një botë tjetër, atë të letërsisë së madhe, mjeshtrit e saj, që janë shkollat e vërteta të letërsisë. Në atë kohë, siç e kam thënë edhe më parë, unë shkruaja pak, thjesht sepse nuk mund të rrija pa shkruar, dhe lexoja shumë, pa e kuptuar se ky ishte investimi im më i madh, pa e ditur gjithashtu se ky, pra leximi frenetik, ishte një luks, të cilin me pas do t’ia lejoja vetes gjithnjë e më pak. Atëherë lexoja shumë dhe shkruaja pak. Tani më ndodh e kundërta, e ky është shqetësimi im i përhershëm, dhe nuk e di se si dhe kur do të mund të vendos një ekuilibër të domosdoshëm midis të lexuarit dhe të shkruarit.
Po me frëngjishten e folur, ç’raporte kishit? Si e praktikonit?
Me këtë pyetje keni prekur një pikë timen të “dobët”. Përgjithësisht kam qenë i prirur ndaj gjuhëve të huaja por “dobësia” ime më e madhe ka qenë t’i flas ato. Nuk kam pasur asnjëherë druajtje për të folur, nuk jam trembur se mos i them gjërat gabim e turpërohem, e kjo ndodhi edhe me gjuhën frënge. Fillimisht jam orvatur të “belbëzoj” në frëngjisht, në Kinë, ku vajta me studime sapo mbarova shkollën e mesme. Atje kishte shumë studentë afrikanë nga vendet frëngjishtfolëse, dhe unë gjeja rastin të bisedoja me ta. Më pas, me t`u kthyer në Shqipëri, pasoi një periudhë tepër e gjatë kur s’kisha me cilin të flisja, po të mos përmend dy kushërinj të mi të afërt, më të rritur se unë, njëri mbaruar dikur Liceun e Korçës, tjetri mjek, njohës i shkëlqyer i disa gjuhëve të huaja. Tashmë kane vdekur që të dy. Sidoqoftë, “dyert” e frëngjishtes së folur u “hapen” për mua vetëm pasi fillova punë në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”.
Aty njohët besoj, edhe disa nga miqtë tuaj frankofonë, çfarë ndanit mes jush?
Këtu dua të dal. Në godinën ku ndodhej shtëpia botuese “Naim Frashëri”, gjendej edhe shtëpia botuese “8 Nëntori”, që merrej me botimin e letërsisë politike, veçanërisht me serinë pa fund të “veprave” të ish-diktatorit, në gjuhën shqipe e në gjuhë të huaj. Në redaksinë e frëngjishtes punonin edhe dy miq të mi të vjetër: Edmond Tupja dhe Viktor Kalemi. Tek i pari, të cilin e njihja prej vitesh, qysh kur unë punoja në gazetën “Drita” dhe ai ishte student në Francë, nuk po zgjatem, marrëdhënia jonë e vjetër dihet. Të dytin, Viktor Kalemin, edhe ky studiuar në Francë, e njoha me të futur këmbët në shtëpinë botuese. Ato vite unë u lidha veçanërisht me Viktorin edhe për një arsye tjetër. Ashtu si unë, Viktori ishte një përdorues i kualifikuar, elegant, nëse më lejohet të shprehem kështu, i alkoolit, kryesisht konjakut dhe fërnetit. Seancat tona me alkool, kur midis nesh flisnim frëngjisht dhe vetëm frëngjisht, kanë qenë pa fund. Tani mund të them me bindje të plotë se ato seanca pa fund të bisedave në frëngjisht me Viktorin, janë kujtimet më të bukura që unë ruaj nga ajo periudhë e zymtë, e errët, pesëmbëdhjetë vjeçare në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”.
S’mund të lë pa përmendur një hollësi. Ndodhte që me ne bashkohej edhe Mondi, por ky nuk pinte. Ndërsa unë e Viktori kthenim gotë pas gote, Mondi i derdhte gotat e tij në një saksi lulesh pranë tryezës ku rrinim, në një lokal pranë shtëpisë botuese. Këtyre dy miqve të dashur, përkthyes të shquar e me kulturë të gjerë, që tregoheshin të durueshëm me një amator si unë dhe nuk shfaqën kurrë ndonjë shenjë bezdie kur u drejtohesha në frëngjisht, unë u detyroj frëngjishten time të folur, dhe jo vetëm kaq. Ata më mrekullonin me bukurinë e frëngjishtes së tyre.
Mes miqve tuaj frankofonë ishte edhe Jusuf Vrioni. Ç’kujtime ruani për të?
Ruaj kujtimet më të shkëlqyera për atë njeri. Mondi dhe Viktori, që punonin me të, i silleshin me respekt të thellë dhe, në fillim, kur me ndërmjetësinë e tyre m’u dha rasti ta njihja nga afër, në praninë e tij përfshihesha nga emocione. Ata të tre flisnin mes tyre frëngjisht, por unë, sado “llafazan” me miqtë e mi, para Vrionit stepesha, goja me lidhej, nuk guxoja të formuloja asnjë fjalë në frëngjisht. Kjo vazhdoi edhe më vonë, kur u miqësuam, ndonëse ai ishte një njeri tepër i sjellshëm, fisnik, nuk të imponohej kurrë. Ndoshta unë stepesha përpara tij pikërisht nga këto cilësi. Në të gjitha pikëpamjet ka qenë njeriu i klasit më të lartë që kam njohur në jetën time.
Jam takuar jo rrallë me të edhe në Paris, por kujtimin më mbresëlënës e ruaj kur në vitin 1997, në kulmin e trazirave në Shqipëri, në Francë u botua romani im i parë “I humburi”. Ka qenë një sukses i papritur për mua, shkruan artikuj vlerësues gazetat më të mëdha të Parisit, ndër të cilat “Le Monde”. Kjo e fundit botoi një shkrim të gjatë, shoqëruar me një fotografi të madhe timen, plot një faqe. Shkrimi, bashkë me foton, u lajmëruan në faqen e parë të gazetës, në krye. Ndërkaq, pasi isha ftuar në Paris nga botuesi im për promovimin e librit, unë ndodhesha në Tiranë, s’dija gjë për shkrimin. Një apo dy ditë pas kthimit tim, më merr në telefon nga Parisi Vrioni, natën vonë. Ai ka qenë i pari që më uroi. “Ti nuk mund ta kuptosh se ç’do të thotë kjo për ty”, - me tha. Dhe, unë vërtet nuk e kuptoja. Nuk e dija se falë atij artikulli do të më vinin propozime për lidhje kontratash nga disa shtëpi botuese, nga vende të ndryshme të Europës. Atë natë vonë, me shprehjen “Ti nuk mund ta kuptosh ç’do të thotë kjo për ty”, i paharruari Jusuf ndoshta deshi të më thoshte pikërisht këtë.
Me përkthyesin Edmond Tupja jeni bërë tashmë një dyshe e pandarë. Ai është lexuesi juaj i parë dhe përkthyesi besnik në gjuhë frënge… Keni ndonjë titull të ri që pret të përballet me lexuesin francez?
Po, para ca kohësh Mondi përfundoi përkthimin e romanit “Bolero në vilën e pleqve”. Tashmë përkthimi ndodhet në shtëpinë botuese “Rivages” në Paris, ku është lexuar dhe pëlqyer.
Home »
» Fatos Kongoli: Franca, liria ime dehëse në vitet e izolimit





