Jorge Luis Borges
Henry James, veprën e të cilit ma zbuloi Zonja Figuera, njëra prej dy heroinave të mia, ndoshta nuk do ta kishte përçmuar këtë histori. Ai do t’i kishte kushtuar më shumë se njëqind faqe ironike e të dhimbsura, të zbukuruara me dialogë të ndërlikuar dhe përpikërisht të dykuptimtë. Ka shumë mundësi që do t’i kishte shtuar edhe një lloj toni melodramatik. Thelbësorja e dekorit nuk do të kishte ndryshuar: Londër ose Boston. Ngjarjet ndodhën në Buenos Ajres dhe unë do t’i lë po aty. Do të kufizohem vetëm duke bërë një përmbledhje të kësaj historie, ngaqë përshkrimi i evolucionit të saj të ngadaltë dhe të atmosferës së saj mondane nuk ka të bëjë me zhanrin tim letrar. Diktimi i këtij tregimi për mua është një aventurë modeste e dorës së dytë. Më duhet të paralajmëroj lexuesin se episodet kanë më pak rëndësi se situata që i ka krijuar dhe se personazhet.
Klara Figuera – me mbiemër vajzërie Glenkern – ishte e gjatë e kryelartë; kishte një floknajë vezulluese të kuqërreme. Më tepër intuitive se intelektuale, ajo nuk ishte mendjemprehtë, por dinte të çmonte mendjen e miqve e madje edhe të mikeshave të saj. Kishte një shpirt mikpritës. I pëlqente larmia; kjo është ndoshta arsyeja që kishte bërë aq udhëtime. Ajo e dinte se mjedisi ku i qe dhënë të jetonte ishte një përzierje, shpeshherë arbitrare, ritesh dhe ceremonish, por këto rite e zbavitnin dhe ajo i përmbushte me dinjitet. Prindërit e martuan, ende shumë të re, me avokatin Izidro Figuera, i cili ishte ambasadori ynë në Kanada e që e braktisi më në fund këtë detyrë, me pretekstin se në epokën e telegrafit dhe telefonit, ambasadat ishin një anakronizëm dhe përbënin një shpenzim të kotë. Ky vendim i shkaktoi armiqësinë e gjithë kolegëve të tij; Klarës i pëlqente klima e Otavës – ajo kishte prejardhje skoceze – dhe detyrat e një gruaje ambasadori i përmbushte me dëshirë, megjithatë nuk mendoi të kundërshtonte. Figuera pas pak kohe vdiq; Klara, mbas shumë vitesh pavendosmërie dhe kërkimi të brendshëm, iu përkushtua pikturës, e frymëzuar ndoshta nga shembulli i mikes së saj Marta Pizarro.
Fakt karakteristik: nuk flitej kurrë për Marta Pizarron pa saktësuar së ishte motra e të ndriturës Nelida Sara, e cila jetonte e ndarë nga i shoqi.
Para se të zgjidhte penelin, Marta Pizarro kishte menduar të bënte karrierë letrare. Ajo mund t’i shprehte mendimet në frëngjisht, gjuhë kjo e zakontë e leximeve të saj; spanjishtja, për të, nuk ishte tjetër veçse një idiomë, për përdorim shtëpiak, siç ishte guaranishtja për zonjat e provincës së Korrientes. Nga gazetat kishte lexuar shkrime të Lugones-it dhe të madrilenit Ortega y Gasset; stili i këtyre mjeshtërve ia vërtetoi frikën se gjuha që i qe dhënë ishte më e aftë për dërdëllisjen e kotë sesa për shprehjen e mendimit apo pasioneve. Nga muzika dinte aq sa duhet të dish për të mos u dukur i pavend në një sallë koncerti. Ajo ishte nga provinca e San Luisit; e nisi karrierën e piktorit me disa portrete të përpiktë të Juan Crisóstomo Lafinur-it dhe të kolonelit Pascual Pringles, portrete që, siç mund të merrej me mend, i bleu Muzeu Provincial. Nga portreti i lavdive lokale ajo kaloi te shtëpitë e vjetra të Buenos Ajresit, të cilave u pikturoi oborrët modestë me ngjyra jo më pak modeste dhe pa dekorin zulmëmadh me të cilin i veshin të tjerët. Dikush – sigurisht jo zonja Figuera – pretendoi se arti i saj frymëzohej drejtpërsëdrejti nga mjeshtrat gjenovezë të shekullit XIX. Midis Klara Figueras dhe Nelida Saras (e cila, me ç’thonë, kishte qenë e dashuruar me Izidro Figueran) kishte patur gjithmonë njëfarë rivaliteti; ndoshta dueli ndodhi mes këtyre të dyjave dhe Marta nuk ishte tjetër veçse një instrument.
Gjithçka, e dimë tashmë, fillon njëherë jashtë përpara se të mbërrijë më në fund tek ne. Grupi i piktorëve, sot i harruar kaq padrejtësisht, që u quajtën konkrtetë apo abstraktë, si për të treguar përbuzjen e tyre ndaj logjikës dhe gjuhës, është një shembull mes shumë të tjerëve i kësaj dukurie. Ata vlerësonin, besoj, se ashtu si muzika që ka të drejtë të krijojë universin e vet të tingujve, edhe piktura, motra e saj, mund të provonte ngjyra dhe forma që nuk riprodhonin gjërat që na shohin sytë. Lee Kaplan ka shkruar se tablotë e tij, që indinjonin borgjezët, mbanin parasysh ndalimin biblik, të respektuar nga feja islame, të riprodhimit me duar njerëzore të fytyrave të qenieve të gjalla. Ikonoklastët, argumentonte ai, ishin duke rimëkëmbur traditën autentike të artit plastik, të falsifikuar nga heretikë të tillë si Dürer apo Rembrandt. Këta denigrues e akuzonin se u ishte referuar shembullit që na japin qilimat, kaleidoskopët dhe kravatat. Revolucionet estetike u propozojnë njerëzve tundimin nga papërgjegjshmëria dhe lehtësia; Klara Figuera zgjodhi të bëjë pikturë abstrakte. Ajo gjithmonë e kishte shprehur botërisht kultin e Turner-it; ajo u gatit të pasuronte artin konkret me shkëlqimet e saj të pasakta. Punoi pa u ngutur, rikrijoi apo shkatërroi kompozime të ndryshme dhe, gjatë dimrit të vitit 1954, ekspozoi një seri akuarelesh në një galeri të rrugës Suipacha që ishte e specializuar për veprat që një metaforë ushtarake, atëherë në modë, i quante të avangardës. Një fakt paradoksal ishte se, ndërsa kritika në tërësinë e saj ishte dashamirëse, organi zyrtar i Abstraktëve e qortoi për format e saj anormale që, pa qenë figurative, sugjeronin trazime të një perëndimi dielli, të një pylli apo të detit dhe nuk i nënshtroheshin të qenit vetëm rrathë apo vija të ashpra. E para që vuri buzën në gaz ishte me gjasë Klara Figuera. Ajo kishte dashur të ishte moderne dhe modernët nuk po e pranonin. Krijimi i veprës së saj ishte për të më i rëndësishëm se suksesi dhe ajo vazhdoi punën. E paprekur nga ky episod, piktura po ndiqte shtegun e vet.
Dueli i fshehtë kishte nisur. Marta nuk ishte vetëm një artiste; ajo interesohej gjithë zell për atë që nuk është e padrejtë të quhet ana administrative e artit dhe ajo ishte zëvendës-sekretare e shoqatës së quajtur Rrethi i Giotto-s. Aty nga mesi i vitit 1955 ajo mësoi se emri i Klarës, së pranuar tashmë si anëtare, figuronte në listën e anëtarëve të komitetit. Ky fakt, i rëndomtë në dukje, meriton një analizë. Në të vërtetë, Marta kishte mbështetur kandidaturën e mikes së saj, por dihet mirë, sado e habitshme që mund të duket, se personi që bën një nder, në njëfarë mënyre, ushtron ndikim mbi personin përfitues.
Aty nga 1960-a, “dy penelë të klasit ndërkombëtar” – na qoftë i falur ky zhargon – po konkurronin për çmimin e parë. Njëri nga kandidatët, më i moshuari, kishte bërë portrete madhështorë guaçosh të tmerrshëm, me shtat skandinavi; kundërshtari i tij, shumë i ri, kishte mbledhur vota dhe kishte ngjallur skandal me kompozime të një inkoherence të studiuar. Anëtarët e jurisë, që i kishin kaluar që të gjithë të pesëdhjetat, trembeshin mos i damkosnin si të prapambetur ndaj anonin nga ky i fundit, i cili, me thënë të vërtetën, nuk u pëlqente aspak. Pati debate të ashpra, fillimisht plot mirësjellje, pastaj të zvarritura, pa mundur të mbërrihej në një mendje. Gjatë votimit të tretë, dikush tha:
- Mendoj se B. nuk është gjë; në fakt, më duket me keq edhe se Znj. Figuera.
- Do të votonit për të? - tha një tjetër, jo pa njëfarë ligësie.
- Po - iu përgjigj i pari, që po nervozohej.
Atë pasdite, çmimi iu dha njëzëri Klara Figueras. Ajo ishte e shquar, e hirshme, me një moral të pastër dhe, në villën e saj në Pilar, bënte pritje ku revistat më të shtrenjta dërgonin gjithmonë fotografë. Banketi klasik i nderit u organizua dhe u dha nga Marta. Klara e falenderoi me disa fjalë fort të ndiera; ajo vërejti se nuk ka kontradikta midis tradicionales dhe modernes, midis rregullit dhe aventurës, dhe se tradita është bërë prej një vargu shekullor gjërash të guximshme. Në këtë ceremoni qenë të pranishëm shumë njerëz të rretheve mondane, pothuaj gjithë anëtarët e jurisë dhe disa piktorë.
Të gjithë mendojmë se fati na ka rezervuar një lloj jete meskine dhe se mënyrat e tjera të të jetuarit janë më të vlefshme. Kulti i guaçove dhe Beatus ille janë nostalgjira borgjezësh; Klara dhe Marta, të lodhura nga rutinat e jetës shoqërore, kishin zili botën e artistëve, njerëz që ia kushtojnë ekzistencën krijimit të veprave të artit. Them se në qiell fatlumët mendojnë se përparësitë e situatës së tyre janë zmadhuar nga teologët që kurrë atje s’u ka shkelur këmba. Ndoshta në ferr të dënuarit nuk janë gjithmonë të lumtur.
Dy vjet më vonë, në Kartagjenë u mbajt Kongresi i Parë Ndërkombëtar i Arteve Plastike latino-amerikane. Çdo republikë dërgoi përfaqësuesin e saj. Tema e kolokiumit – na qoftë i falur ky zhargon – ishte e një interesi fërgëllues: a mundet artisti të mos mbajë parasysh atë që është autoktone, a mundet ai të heqë ose të zhdukë faunën dhe florën, a mund të jetë i pandjeshëm ndaj problemeve të rendit shoqëror, a mund të mos bashkojë zërin e vet me zërin e gjithë atyre që luftojnë imperializmin anglo-sakson, etj.? Para se të ishte ambasador në Kanada, Izidro Figuera kishte kryer në Kartagjenë një mision diplomatik; Klara, paksa e krenuar prej çmimit që kish marrë, tani deshi të rikthehej atje si artiste. Shpresa e saj u zhgënjye; nga qeveria u caktua Marta Pizarro. Ndërhyrjet e saj (ndonëse jo gjithmonë bindëse) qenë herëpashere të shkëlqyera, sipas dëshmisë së paanshme të korrespondentëve të shtypit të Buenos Ajresit.
Jeta nuk mund të jetë e përjashtuar nga pasionet. Dy gratë e gjetën tek piktura ose, më saktë, tek lidhjet që kjo e fundit vendosi midis tyre. Klara Figuera pikturonte kundër Martës dhe në njëfarë mënyre për Martën; secila ishte gjykatësja e kundërshtares së vet dhe publiku i vetëm i tjetrës. Në tablotë e tyre, që askush nuk i shikonte më, besoj se vërej, siç mund të parashikohej, një ndikim të ndërsjelltë. Është e rëndësishme të mos harrohet se ato e donin sho-shoqen dhe se gjatë këtij dueli intim ato vepruan me një ndershmëri të përsosur.
Pikërisht në këtë kohë Marta, që nuk ishte më e re, refuzoi një propozim për martesë: i interesonte vetëm beteja e vet.
Më 2 shkurt 1964, Klara Figuera vdiq nga një anevrizëm. Kolonat e gazetave i kushtuan artikuj të gjatë nekrologjikë, siç shkruhen akoma në vendin tonë ku femra është një specimen i llojit, dhe jo një individ. Përveç disa aludimeve të shkurtra për talentin e saj pikturor dhe shijen e saj të hollë, i lëvduan ndjenjat fetare, mirësinë, filantropinë e përhershme e pothuaj anonime, familjen atërore – i ati, gjenerali Glenkern, kishte marrë pjesë në fushatën e Brazilit – dhe vendin që ajo zinte në sferat më të larta të shoqërisë. Marta atëherë kuptoi që jeta e saj nuk kishte më asnjë kuptim. Nuk ishte ndier kurrë më e panevojshme se tani. Kujtoi përpjekjet e saj të para, të largëta tashmë, dhe ekspozoi në Sallonin Kombëtar një portret të përkorë të Klarës, sipas mënyrës së atyre mjeshtrave anglezë që i kishin adhuruar aq shumë që të dyja. Dikush gjykoi se ai portret ishte kryevepra e saj. Ajo nuk pikturoi më kurrë.
Në këtë duel të hollë që vetëm disa miq të ngushtë mundën ta zbulojnë, nuk pati as dështim as fitore, madje as përballje apo shfaqje të dukshme përveç atyre që u përpoqa të përmend me një penë të respektueshme. Vetëm Zoti (të cilit nuk ia njohim preferencat estetike) mund t’u japë palmën përfundimtare. Historia që lindi nga errësira rikthehet në errësirë.
Përktheu: Alket Çani