U nisa për të blerë pajisje për kompjuterin tim dhe si ndala makinën pranë dyqanit, hyra brenda, përshëndeta dy të rinjtë e atyshëm dhe u thashë: -Xhaxhit i duhen ca disqe kompjuteri. -Si Di?, - më pyetën, - duke menduar se më korrigjuan, mua burrin e moshuar. Të them të drejtën, nga që kemi vite që jemi dëshmitarë të masakrimit të gjuhës kombëtare, nuk u përmbajta dhe si i shikova për një çast me dashamirësi, ata djem të pafajshëm, e lashë mënjanë arsyen për të cilën kisha vajtur dhe u thashë: -Ju lutem, a mund të më thoni, mësuesja, si ua ka lexuar alfabetin shqip, “Si e S” apo thjesht “S”. Dhe: “Di, Da De”… apo thjesht “D”. Ata heshtën ose më saktë u befasuan. - Këto sende që keni në duar, - vazhdova unë, duke u treguar disqet, - për ne shqiptarët, janë disqe në kuptimin e plotë të shqipes apo tjetër gjë! Miratimi i shqetësimit tim, duke më thënë: “Na fal xhaxhi, të faleminderit” e që me ta u bashkuan edhe dy të tjerë që punonin ulur, më nxiti që para se të dilja nga dera, t’u thosha: “Djema, rreziku i një kombi vjen nga të mohuarit e vetvetes dhe ky mohim, fillon nga gjuha. Dhe pse i mbushur plot maraz nga kjo poshtërsi me të cilën po ndeshemi për çdo minutë, u largova, por aspak i mërzitur me ata djem të rinj, që vështirë se i bëje fajtor. Radiotelevizionet shqiptare, pa përjashtim, kanë marrë flamurin e tjetërsimit të gjuhës së artë shqipe. Fjalët e gjuhëve të huaja kanë pushtuar atë që quhet “pushteti i katërt”, duke nxjerrë nga shtëpia e tyre fjalët e gjuhës kombëtare. Dhe, për ironi të fatit, këtë e bëjnë vetë shqiptarët! Zhargoni i tyre është aq i gjerë e i palyrë, sa nuk mjaftojnë faqe të tëra për t’i radhitur. Për respekt të lexuesit po marr vetëm një shembull: Gati të gjithë radiotelevizionet, kur duan të tregojnë se emisioni transmetohet direkt, në ekranet e tyre, shfaqën fjalën “live”, që, siç dihet nga të gjithë, do të thotë “gjallë”. Si duket, zotërinjve të këtyre institucioneve (nuk dua t’i quaj media se nuk është shqip e nuk u shkon, megjithëse ata vetë e përdorën) habitësisht, nuk u pëlqejnë fjalët kuptimplote shqip: direkt, drejtpërdrejt ose fjala e bukur, tashti. A mund të ketë shqiptar që me njërën nga këto fjalë, të mos kuptojë se ngjarjet që transmetohen, zhvillohen pikërisht në kohën që ai po i shikon?? Natyrisht që jo. Pra: tri fjalë, jo një!!! Edhe në qoftë se nuk u pëlqen asnjëra, pse nuk komunikojnë me shikuesin, shqip: gjallë?! Kur janë gjithë këto mundësi, ç’hyn këtu fjala e huaj “!, që lexohet llajv” e p… kali më derë të hanit! Ky veprim, në rastin më pak të keq, mund të quhet papërgjegjshmëri. Kjo “sëmundje” e lënies mënjanë të gjuhës kombëtare është përhapur si kolera, edhe nëpër dikasteret shtetërore, nga kreu deri tek roja i thjeshtë, në xhaketën e të cilit nuk shkruhet “siguria” ose diçka tjetër, shqip, por “security”. Shembuj të tillë, të neveritshëm janë të pafund. Është interesant se ndërsa radiotelevizionet kosovare bëjnë kujdes për t’u prezantuar me shqipen standarde, këta të shtetit amë i ka përfshirë arroganca ndaj saj. Më kujtohet se në vitet 1952-53, kur isha adoleshent, kam lexuar në gazetë se populli francez protestonte që barnat t’i shkruheshin në gjuhën e tij, kur në tërë botën, ato ishin latinisht. Mos vallë ky është nacionalizëm, nga ai që bën zarar?! Për çudi, tek ne, drejtuesit e emisioneve u shpjegojnë shqiptarëve se çdo të thotë “top shou, deja vu, top gold, top stori”… e plot tope të tjera. Nuk e kuptoj: mos vallë, ne shqiptarët nuk jemi në atdheun e në shtëpinë tonë! O Zot, sado larg që të jesh, kthejua mendjen këtyre njerëzve. Grupimeve (dhe t’i quajmë kështu) shoviniste greke për hapjen e shkollave të saj, si piramida imagjinare, kudo që të jetë e mundur, qoftë edhe në “B. Curri”, radiotelevizionet shqiptare u vijnë në ndihmë, duke mohuar gjuhën shqipe. Ata veprojnë kështu, sepse e dine se për të arritur objektivin e tyre strategjik, puna duhet filluar nga gjuha. Të riut shqiptar iu mor jeta vetëm pse shfaqi gëzimin e ligjshëm për fitoren e skuadrës së tij. Po sikur ai të kishte bërë apo të thoshte ato që bënë e thanë bollanot?! Me siguri do të rripej për së gjalli si Moisiu i Dibrës nga Sulltani. Diku kam lexuar se kur komisioni ndërkombëtar punonte për caktimin e kufijve në fshatrat e Korçës, polemikat e zhvilluara atje i ndërpreu hedhja e disa monedhave nga një anëtar i komisionit fëmijëve të fshatit, të cilët në përpjekje për t’i mbledhur ato, filluan të flisnin shqip. Atëherë i zoti i monedhave u tha: “Këtu jemi në Shqipëri”. Dua të them: kështu si është nisur, do të vijë një ditë, që ato monedha të hidhen në qendër të Tiranës dhe brezat e mëpasëm, që me siguri do na mallkojnë, do të detyrohen të thonë: “Nuk e dimë se ku jemi, mbase edhe në xhehenem, por në Shqipëri jo”. Vite më parë, në një nga udhëtimet e mia jashtë shtetit, kësaj radhe në shtetin fqinj, kur po pija kafe me miqtë e mi, aty pranë, një plehër, që e kuptoi se ne ishim shqiptarë, me zë të lartë thoshte: “Për dhjetë vjet Tirana nuk flet më shqip”. Ec e thuaj po deshe se nuk po i del llafi. Me siguri, keni dalë nëpër qytetet tona dhe nga reklamimet e tabelat, që kanë dyqanet mbi dyer, nuk mund ta marrësh vesh se përse shërben njëra apo tjetra njësi tregtare. Turp! A nuk është shumë herë turp, kur nuk gjen një fjalë të shkruara sipas drejtshkrimit të gjuhës shqipe? A nuk është disa herë turp heqja nga alfabeti shqip i shkronjave Ë, Ç, K… etj., madje edhe i një mori fjalësh si “edhe, foto, konvertim, taksi, postë” etj.? Unë përmenda “fjalë” se për të gjetur “fjali”, nuk ke pse lodhesh. Mizëria e fjalëve të huaja që janë dyndur mbi gjuhën tonë shqipe, janë jo thjesht gjembat e “manushaqes” të Naimit tonë të madh, por tela me gjemba që rrezikojnë ta mbytin atë. Janë përdhosje e thellë e dinjitetit tonë kombëtar. Çfarë t’u themi nipërve e mbesave, kur të na pyesin: “Gjyshi, ç’do të thotë “Hajde finishim?” (H. D.) Nuk ke ç’t’u thuash se po t’ua përkthesh, do të pasojë pyetja tjetër: “Po atëherë, pse nuk e thonë shqip...?”, kështu që do t’u përgjigjemi njëherë e mirë: “Pordhacëri televizive”. S’kanë faj: tjetër gjë u thuhet në shkollë paradreke dhe tjetër në radiotelevizionet shqiptare, pasdreke. Dhe, të mos harrojmë se sa të ndjeshëm janë fëmijët ndaj informacionit. Këtu nuk përmenda fëmijët e emigrantëve: çfarë do të mendojnë ata, kur dallojnë se gjuha e kombit të tyre nëpërkëmbet e keqtrajtohet në Shqipërinë nënë?! Si mund të ruhet apo të kultivohet tek ata dashuria dhe respekti për gjuhën shqipe dhe pse, për shkronjat e saj, disa nga të parët e tyre kanë dhënë edhe jetën. Ata kanë të drejtë të shprehen: “Gjuha shqipe po mohohet në Shqipëri. Dhe, kur nuk u hynë në punë atyre atje ç’do të më duhet mua këtu (Kanada, Brazil, qoftë edhe më afër, në Greqi). Edhe shtypi ka kusuret e tij në deformimin e shqipes së shkruar, madje jo pak. Në këtë drejtim të gjithë duhet të marrim shembull nga botuesit, të cilët shquhen në përdorimin me përgjegjësi të gjuhës së mrekullueshme shqipe. Për sa shkruaj, desha të pyes: në Evropë, do shkojmë si italianë, serbë, grekë, anglezë, rusë... apo, për faqen tonë të zezë: pak nga të gjitha. Do t’i lutesha se cilit, të pyesë veten: E gjithë kjo maskaradë, kujt i shërben? Natyrisht që kujtdo mund t’i shërbejë, vetëm Shqipërisë dhe shqiptarëve jo. Dhe, gjithë ky indiferentizëm, në qoftë se mund ta quajmë të tillë, buron nga punët e shumta, që edhe ato venë për lumë, nga padija, ndërkohë që ne kemi pasur e kemi gjuhëtarë të shkëlqyer apo nga pakujdesia. Pak më tepër se para një muaji, u ula para televizorit, për të ndjekur një emision për gjuhën shqipe. Fillimisht thashë: “Shyqyr më në fund u kujtuan”. Ç’ndodhi?! Ndërsa profesoreshat e nderuara, sidomos njëra prej tyre, diskutonin me shqetësim të madh, drejtuesi i emisionit me gjestikulacionet e tij të neveritshme e ktheu emision në komik. Dhe më tej: Një i ri, që për këto punë është akoma në pelena, u kundërvihej atyre që e kishin mësuar të mbante lapsin, duke u thënë: “Nuk ka fjalor të gjuhës shqipe”. Ai djalë, së bashku me drejtuesin e emisionit, si duket nuk arrijnë ta kuptojnë se me ato që thonë e bëjnë, fyejnë rëndë armatën e pafundme të gjuhëtarëve patriotë shqiptarë, që me shumë mund e sakrifica, madje edhe me gjak, arritën dy pika kulmore historike për gjuhën tonë të shenjtë: Kongresin e Manastirit dhe Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. A thua vepra e korifenjve të gjuhës tonë po harrohet?! Nuk e di, mbase do Zoti. Jo. Çfarë shtroj: Nuk ka të bëjnë aspak me kundërshtesën për evoluimin vijueshmërisht të gjuhës sonë. Jo. Ky është një proces i pandalshëm, madje i jashtëvullnetshëm e që s’ka asgjë të përbashkët me të mohuarit e vetvetes. Nuk ka fjalë të gjuhëve të tjera, që të mos ketë të përkthyeshmen e tyre në shqip. Duke menduar se i shërbej më mirë lexuesit, detyrohem të marr një shembull tipik. Fjalët e huaja Altroparlare, Gromkogovoritjell dhe Box; respektivisht: italisht, rusisht dhe anglisht, kanë kuptimin: dy të parat pakashumë, zë i fort(R) dhe lartfolës(I), ndërsa ajo anglisht, kuti, e që kur shkon nëpër dyqane për të blerë një pajisje të tillë elektronike, të thonë: “Bokset kushtojnë...” Tashti: ç’është kjo pikë e zezë me ne shqiptarët, që hidhemi degë më degë dhe nuk ulemi tek rrënja. A nuk mund që këto pajisje t’i thërrasim shqip: fortfolës apo folës i fortë, që të kuptohemi me njëri-tjetrin si njerëz, po duhet me domosdo të vrapojmë pas hiçasgjësë! Tamam veza e Kolombit. Pra, përse na duhet njerka, kur ne kemi nënën tonë të urtë e të mirë! Nuk jam kundër të mësuarit të gjuhëve të huaja. Jo. Dihet, popujt e vegjël mësojnë gjuhët e popujve të mëdhenj, veçse çdo gjë në vendin e kohën dhe qëllimin e caktuar. Fatkeqësisht, jemi një popull i keqtrajtuar nga historia. E, në njëfarë mënyre, ajo sikur po bëhet e vetëdijshme. Veçse, kohori i saj po na pret ç’do bëjmë ne, si e sa, do të ndërgjegjësohemi ne se faktori kryesor i të gjitha atyre që kemi pësuar jemi vetë ne. Po tashti çfarë bëjmë? Ndërsa në Shqipëri ka plot shoqata të huaja, që punojnë për përhapjen e gjuhës së tyre, me qëllim që atë ta flasin sa më shumë popuj, ne të pushtuar nga pakuptimësia i jemi vërsulur gjuhës sonë, domethënë vetvetes! Është vërtet profesion i paprecedent të marrësh përsipër të tallësh e të mohosh veten tënde. Madje dhe të mburresh për këtë që bën. Për mua kjo është thjesht: marrëzi ataviste. Dihet botërisht se shkaku kryesor i gjenocideve është gjuha. Varret masive kundër shqiptarëve, si dhe në të kaluarën, i bëri Serbia. Ajo varrosi shqiptarë, se duhej varrosur gjuha shqipe. Edhe gjenocidi ndaj çamëve, po atë qëllim kishte. Të jesh nacionalist nuk është gabim. E kundërta po. Të rinjtë që mbarojnë universitetin, kanë shumë pak ose aspak njohuri për kombin e tyre. Ata kanë mangësi serioze dhe për këtë më vjen keq. Kështu na duan edhe ata që s’na duan, sepse e kanë më të kollajtë për të na mashtruar (a nuk qemë më tepër se inferiorë në diskutimin për sipërfaqen ujore të Republikës?) Tashti, ka filluar të shfaqet edhe një fenomen tjetër “interesant”. Jepen reklama në gjuhë të huaj dhe përmbajtja e tyre pasqyrohet e përkthyer poshtë! Është gjuha shqipe ajo që lihet në “aneks”, sepse odën e ka zënë i huaji. Të paktën, pse nuk dublohen? Nuk ka radiotelevizione në botë që ta bëjë këtë marrëzi, veç atyre shqiptare. Sado interesa financiare që të kenë, për një komb gjuha është e shenjtë. E, si e tillë, as shitet e as blihet. Edhe ata që mbulohen me gjethe në grykën e Amazonës nuk bëjnë asnjë lëshim për gjuhën e tyre. Nuk bëjnë si ne. Më thoni: A nuk është pataksje? Jo të gjithë ballkanasit rendin nga një i huaj tek tjetri. S’kemi pse strukemi pas kësaj. Jemi ne, shqiptarët që shquhemi për të garuarit e pakuptimtë në këtë drejtim. Vini re: aleancat e sotme janë po ato të djeshmet. I dashur lexues, me të drejtë lind pyetja: Po politika shtetërore, ku është? S’ka! Ne kemi një politikë për: piramida, 26 maj 1996, Otranto 1997, 28 qershor, Gërdec, Kalimash, përmbytje, madje edhe për të falur qindra kilometra katrorë e për plot gjëma të tjera. Prandaj, me të drejtë politikës mund t’i themi: “Ti qenke shefe këtu, që vajtkan punët çorape”. Thonë se ekzistoka një komision parlamentar për gjuhën, po ashtu thonë se ka dhe një ministri arsimi…, nuk e di, si ndiej e si shoh gjëkundi. Në shtetet e tjera, komisionet parlamentare për gjuhën, atyre që thyejnë rregullat e përdorimit të saj, u thyejnë brinjët me gjoba të rënda. Tek ne, kjo jo që s’bëhet, por kemi plot deputetë që nga foltorja e Kuvendit flasin për çdo gjë, veçse për gjuhën e mëmës së tyre, që po rrezikohet, nuk thonë asnjë fjalë. Madje, bëjnë të kundërtën: për t’u treguar se janë me nivel, gjithnjë sipas tyre, kur diskutojnë futën me vend e pa vend, fjalë të huaja. Nejse, unë nuk u drejtohem atyre. S’pres gjë nga ata. Atyre mund t’u them vetëm kaq: Kujtohuni se ju kemi votuar të mbroni interesat e shqiptarëve, të simboleve të tyre dhe të atdheut tonë të përbashkët. Unë si shtetas i thjeshtë u drejtohem grave dhe burrave të mençur të kombit, këtej e matanë kufirit, që punën e bërë nga gjuhëtarët e profesorët e shquar shqiptarë ta mbrojmë e ta çojmë përpara, sepse kemi përgjegjësi edhe për amanetin e atyre që nuk janë sot. Unë u drejtohem gazetareve e gazetarëve, që janë bijat e bijtë e masës së gjerë shqiptare, ta kuptojnë mirë se po mohove gjuhën, ke mohuar gjithçka. U drejtohem të gjithë shqiptarëve, këtej e matanë kufirit, se kjo që po ndodh me gjuhën tonë, përbën një gjenocid të heshtur ndaj saj e që mund të praparendet nga një tjetër rrezik. Ligjet i bëjnë të fuqishmit për të bërë zap të dobëtit, dhe pse këta të fundit janë shumica. A nuk janë ndryshuar e ndryshohen nenet e Kushtetutës sipas orekseve dhe pse ata janë të miratuar me referendum nga shumica, domethënë nga të dobëtit?! Pavarësisht rrezikut, nuk jam pesimist, sepse gjuha shqipe është përballur me furtuna e rrebeshe të shumta e të egra dhe ka ditur që të dalë e fituar. Ne të gjithë t’i thërrasim ndërgjegjes, që të mos bëhemi furtuna dhe rrebeshi i vetvetes.