Në fiksionin e ri "Ti dojë të shkruaje një fugë", Idlir Azizi trajton rolin e intelektualit në shoqërinë e sotme shqiptare, modelin e blerjes së dijes me para në universitet private. Dhe një bisedë imagjinare e ish-diktatorit Enver Hoxha me mjekun e tij në fund të jetës.
Autori Idlir Azizi prezantohet me lexuesin shqiptar me një roman të ri, "Ti doje të shkruaje një fugë" (Zenit, 2010). Si edhe dy të tjerët, "Katër, ose një film i shkurtër mbi komunizmin tonë" (2008) dhe "Mandakall, ose një vrimë që hapet zor s'e mbyllet" (2009), i adresohet Shqipërisë së tranzicionit. Në thelb të fiction-it të Azizit është figura e filozofit (kupto intelektualin) sot, roli i tij në katedrat e universiteteve private, kontributi i dyshimtë në shoqërinë e shtetin post-komunist. Një histori e ndërtuar mbi imagjinaren dhe sarkazmën për katrahurën shoqërore e cila e mban larg vetes intelektualin dhe diturinë njerëzore. "Intelektuali e ka humbur vendin e tij, e ka humbur të gjithë statusin e tij të dikurshëm", pohon në nisje të rrëfimit të tij "filozofi", personazhi i "Ti doje të shkruaje një fugë". Ky njeri është në kërkim të një bombe, "një bombe të mirë ama", që të hedhë në erë gjithçka. Papritur filozofi zbutet, fillon të tregojë dramën e shoqërisë së tij që nis me studentët shqiptarë në katedrat e universiteteve private, që e blejnë dijen dhe nuk duan kokëçarje.
Shembulli i Universitetit privat është i modës në Shqipëri, "sikundër dikur më parë ka qenë edhe moda e dyqaneve të rrobave, apo edhe më parë, e gjellëtoreve studentore dhe moda e kioskave". Kurse, studentët autori i quan "më shumë statistika sesa absorbues dijesh", që shfaqin interes vetëm për dokumentin që do t'i sigurojë nesër bukën e gojës.
"Ti doje të shkruaje një fugë" mbyllet me një bisedë imagjinare ndërmjet ish diktatorit Enver Hoxha dhe mjekut të tij. Ja çfarë i beson Hoxha atij në ditën e fundit të jetës: "Unë kam krijuar një popullsi me shtetin brenda trupit, me shtetin në trup, një popullsi të bindur, llafazane, inatçore, aspak kritike me bindje në format e veta e që do të jenë përherë të kopjuara nga të tjerët si shpagim dhe dëmshpërblim i ekstravagancës së krijuar nga unë për vite". Autori lë të kuptohet se gjithë sa trajtohet në libër i ka rrënjët në atë pushtet ku individi ishte thjesht një mekanizëm, ide që ai e shtjellon në intervistën e mëposhtme.
Azizi njihet edhe si përkthyes i "Uliksit" të J. Joyce për të cilin është vlerësuar me "Penda e Argjendtë" për përkthimin më 2004. Ka përkthyer autorë beat si Burroughs, Kerouac dhe disa vepra të nobelistit Samuel Beckett. Azizi, 40-vjeçar jeton në Paris, ku është aktualisht doktorant i filozofisë mbi James Joyce-in.
Sapo ka dalë në treg libri juaj "Ti doje të shkruaje një fugë". Titulli jep përshtypjen e një synimi që nuk u arrit. Si është e vërteta?
Muzika është i vetmi art ku unë mund të toleroj disi mimetikën. Kam përshtypjen që pa-denjësia sociale është bërë natyrë e dytë në Shqipëri, ekziston në rang mimetik. Te ne këto padenjësi kanë marrë gati statusin e normales, të organikes, të së zakonshmes, diçka që i përket Natyrës dhe jo thjesht natyrës njerëzore. Unë jam munduar kështu të muzikalizoj këtë lëndë sociale që mendoj se e njoh mirë. Mund të bëhet muzikë edhe me defekte shoqërore, varet nga qasja që i jep. Vetë termi "fugë" do të thotë një temë që përsëritet në nivele të shumta e në shumë zëra. Detyrimisht "dështimi" është brenda sepse muzika me fjalë ka kufizimet e veta si arritje. Por mbetet tek e fundit teknika e përdorur, për qëllimin e caktuar.
Çfarë i thotë më tepër lexuesit ky libër që mbyll triptikun për tranzicionin?
Është e sigurt që mua si shkrues më intereson socialja, statusi ynë mendor e konceptual i pas-komunizmit. Dua të anashkaloj sa më shumë logjikën historike e mitologjike (tip Kadare etj) lidhur me Shqipërinë. Jo për kunjë, kuptohet, por thjesht mendoj se Shqipëria tani po hyn në statusin e shoqërisë së mirëfilltë, për herë të parë. Ka mitologji të reja, dhe dukuri të reja që nuk janë prekur më parë nga letërsia jonë. Nuk e di se çfarë i thotë libri im shoqërisë, përveç "faktit" që shoqëria jonë është ende një mungesë e madhe në vetvete dhe që po këndellet në këtë mungesë, duke nxjerrë në pah të gjitha mangësitë e Shqipërisë në vite e shekuj. Kjo është ideja ime bazë. Kam përshtypjen që s'jam i vetmi. Shumë njerëz këtë e dinë në Shqipëri, vetëm se e kanë vështirë të jetojnë me këtë ide.
Ju merreni me modelin e një filozofi fals. Po i vërteti cili është?
Filozofi hyn këtu në lojë për dy gjëra: sepse nuk ka qenë kurrë diçka shqiptare; dhe së dyti, filozofi duhet të jetë emanicipues, prodhues ligjërimesh të reja e konceptesh alternative. Unë jam doktorant në filozofi vetë, dhe nuk mund ta vë atë në rolin negativ. Vërej ama që te ne shpesh filozofi vetëm sa mbetet një rikoshetë mes partive politike, në një kohë që mund t'i shërbente shoqërisë me ide të pavarura dhe më afatgjata sesa rroga e vet. Ne në Shqipëri kemi patur vërtet njerëz vetmohues nëpër kohë, por asnjëherë idealistë konceptualë, mendimtarë të së drejtës në vetvete. Kemi patur vetëm heronj dhe idealistë të vatanit, mendimtarë lokalë.
Filozofi juaj është në kërkim të një bombe. Përse ndërtoni një paradoks të tillë?
Le ta lëmë lexuesin t'i shkojë librit deri në fund të zbulojë përse personazhi kërkon bombën. Ky është dhe ambiguiteti i dramaturgjisë së librit, besoj. Një gjë është e sigurt në këtë libër: që filozofi personazh në librin tim kërkon të ndërtojë mirëqenien e vet mbi shkatërrimin e tashëm të shoqërisë. Në këtë kuptim ai është më negativ se politika apo korrupsioni financiar në Shqipëri. Ky filozof iu shet njerëzve vetëm dije të shkarthur, sa për të qenë biznesmen i dijes në Tiranë.
Njerëz që jetojnë "për bukën e fëmijëve", thoni. Është një filozof dhe një shoqëri e tërë që gjen paqe nën këtë parim.
Ky më duket justifikimi më i marrë dhe më negativ i shoqërisë sonë, në rang diskutimi. Zor ta kundërshtosh këtë, sepse të turren shpejt diskutimet mbi varfërinë, mbi jetën e vështirë, gjëra që prapë qëndrojnë. Por ideja e bukës së kalamajve në Shqipëri ka justifikuar për vite marrjen, poshtërimin e së drejtës së Tjetrit, në çdo nivel: edhe skafisti vret njerëz se do hajë fëmija i tij, edhe nëpunësja e çertifikatave kërkon lekë se do hajë fëmija i saj, edhe deputeti përvetëson një pjesë të tenderit se do hanë fëmijët e tij, edhe polici në ambasadë do para se do hajë fëmija etj. Kjo logjikë "materiale" po shitet mes shqiptarëve a thua se është vendi i vetëm ku njerëzit punojnë për të jetuar. Kjo është një rrenë me bisht. Ky është justifikimi ynë në mungesë të respektit dhe të qëndrimit adekuat ndaj Tjetrit. Ca më tepër që ky nocion mjeran shqiptar, si shumë të tjerë, anashkalon vërtetësinë e ballafaqimit: Askush s'mund të punojë për tjetrin, qoftë dhe për kalamajtë e vet. Puna është marrëdhënie, është kontakt e kohë e drejtpërdrejtë. Askush s'mund të punojë për tjetrin. Vetëm në Shqipëri po, ku prindëria mban gjallë humanizma të shtirë e të tejkaluar, si justifikues të mazokizmit të vet shumëvjeçar dhe të vetmohimit gjoja-revolucionar të ish regjimit. Vetëm Migjeni në letërsinë shqipe pat arritur të fusë nocionin e punës, sociologjinë në letrat shqipe. Dhe qysh atëherë s'e ka pasuar kurrkush.
Ka një përshkrim të detajuar të shoqërisë shqiptare, pragmatike e të përulur përballë çdo pushteti. Është mendimi i vërtetë i autorit ky?
Pa pikë dyshimi. Me gjithë ndërfutjen e artificës e të personazhit, sepse tek e fundit libri im është fiksion dhe jo esse. Shoqëria jonë nuk është thjesht pragmatike, se s'ka gjë fort negative në pragmatizmin, që nuk është shpikje shqiptare. Ajo që po shitet si pragmatike më duket është thjesht "specifika" e çuditshme e Shqipërisë, mistifikimi i saj si dje edhe sot, si një vend ku logjikat dhe konceptet e botës nuk funksionojnë ose nuk e arrijnë dot. Këtë gjë bën ende Kadare me ish komunizmin, a thua se një regjim vetëm ekziston në vetvete pa detaje, pa mekanizma dhe pa logjika të brendshme. Shqipëria është sot një vend i turpshëm, jo se është i vogël, por sepse po këmbëngul në një mentalitet që shmang çdo analizë rrënjësore të vetvetes, vetëm duke u justifikuar me faktin se është vend i vogël dhe i varfër.
Për kë duhet të ndjejmë keqardhje, për filozofin apo për shoqërinë që vuan mungesën e kontributit të tij?
Michel Foucault, një filozof frymëzues për mua, shpallte se "duhet mbrojtur shoqëria". Por shoqëria nuk mbrohet thjesht duke i qarë vetëm hallin si në xhenazet tona. Asnjë evokim i vlerave apo virtyteve shqiptare s'mund ta justifikojë më shoqërinë tonë. Shihni prozën madhore të Migjenit sesi i ka shmangur kombëtarizmat, në favor të analizës së "mjerimit". Filozofi im personazh është injoranti në këtë rast, sepse ai thjesht do të përfitojë mbi një shoqëri që s'di ku është. Asnjë keqardhje s'ka për këtë filozof, që mund të gjendet diku nëpër Tiranë ndoshta sot. Ai është më negativ se gjithçka tjetër, pasi s'ka më keq se korrupsioni shpirtëror e mendor në një shoqëri. Një filozof, si në Tiranë, që shet për të denjë çdo ideologji që thjesht duket e kundërta e ish komunizmit të djeshëm, është thjesht një përfitues i pafytyrë, një neokolonialist dhe mishërimi më negativ i kësaj shoqërie që e ka ende të vështirë të ndahet në klasa, në grupe subjektesh që kanë interesa të ndryshme. Më duket se shoqëria jonë sot është vetëm një kastë shit-blerësish, aktualë apo në potencë, një gjoja-pluralizëm, një demokraci e shtirur partish politike dhe televizionesh.
Libri mbyllet me një bisedë imagjinare mes Enver Hoxhës dhe mjekut. Ç'qëllim ka autori në këtë retrospektivë?
Kjo është një shtojcë balancuese në libër. Mendova ta vë vetë enver hoxhën në rolin e narratorit, por qëllimi nuk është aspak naiv. Gjithë çka ai "thotë" është vënë në raport me atë që ndodh sot te ne. Kam përdorur vetëm idenë e "zërit", dhe të teatrit, sepse tek e fundit të dy personazhet, enveri dhe mjeku, janë aktorë, në fund. Tek e fundit të kuptojë kush të mund. Ky është avantazhi i letërsisë ndaj një shkrimi gazete.





