Shkrimi është me germa dore, i rrumbullakuar me një barok të këndshëm dhe me kujdesin që Profesori të ndihet i nderuar me kushtimin e përzemërt. Arbëreshi Maggio në një botim të tij personal vjershash i shkruan shumë miqësor Profesor Kostallarit...”se ndihet shumë i respektuar...”. Kur e mori në dorë e kuptoi se kjo ishte e vërtetë. Prej disa ditësh, ai kishte dëgjuar prej disa bukinistëve shqiptarë te Blloku se do shitej biblioteka e Profesor Kostallarit. Pastaj ditën tjetër ra shi dhe sërish një ditë më vonë pati shi dhe kontakti me bukinistët humbi. Pyeti disa miq. Qeshën me të sepse ndërkohë ata vetë e kishin filluar procesin e qëmtimit të veprës së profesorit të nderuar. Sa vëllime ishin, e pyeti bukinistin, në ditën e parë që feksi i trembur dielli, para përfaqësisë së federatës Ruse. “Ç’të duhet? Ke ndonjë mëndje. Këtu i ke të gjitha”...-ia priti ky.
“Më ke pyetur për diçka vërtet shqetësuese...”, i thotë Profesor Aurel Plasari, i pyetur për një realitet që është tashmë, gjithmonë e më shumë prezent me bibliotekat vetanake shqiptare: Fatin e mbramë të tyre. “A e di, -do i thoshte Eqerem bej Vlora, njërit prej partizanëve të Misionit shqiptar pranë Aleatëve në Bari më 1945-se ju kam lënë një pasuri të madhe”. “Po,iu gjegj serbes partizani- ullinj dhe toka. Tashmë do t’i gëzojë populli”. “Jo, more jo. Ju kam lënë një bibliotekë që nuk e gjeni në kurrë asnjë vend”...Partizani dhe bashkë me të dhe Eqerem bej Vlora nuk e dinin atë që ndodhi me bibliotekën e madhe të Vlorajve. Një pjesë e librave ishte djegur dhe për fat do digjej edhe më, nëse nuk do ishte ndërhyrja e pak njerëzve të ditur, ndër to. Biblioteka, pretendohet me një koleksion fantastik albanologjik, në pjesën tjetër do të grabitej përdhunshëm nga të tjerë, do të referojnë vite më vonë dëshmitarë të kohës...
“Në ‘botën e qytetëruar’, përpos ligjeve të prera e të shkruara, ka edhe norma të pashkruara, kulturore ose qytetërimore, them se kështu mund t’i quanim. Këto norma lidhen me traditën e bibliotekave vetjake, prej humanizmit e këndej, duke filluar prej vetë pronarëve të tyre dhe duke përfunduar te trashëgimtarët”, thotë profesor Aurel Plasari i pyetur në një bashkëbisedim me MAPO-n. Një gjë të tillë në historinë tonë e bëri më 4 prill 1929 Mit’hat Frashëri, i cili në testamentin e tij do i linte shtetit shqiptar pasurinë e tij të tundshme dhe të patundshme me qëllimin e krijimit të një instituti albanologjik në Tiranë, i cili do të merrej me studime në fushën e historisë së Shqipërisë. Kur pas lufte iu konfiskua prona, mes tyre ishin edhe vetë 40 000 vëllime të kësaj biblioteke, që sot besohet se janë pjesë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Në fakt shqetësimi më i madh për specialistin e njohur të konservimit të librave, Prof. Plasari është se shumë pak personalitete shqiptare e kuptojnë këtë. Profesori Plasari përmend me nderim dëshirat e mbrame të akademikëve dhe profesorëve Mahir Domi, Aleks Buda, Jup Kastrati, Dhimitër Shuteriqin, Petraq Pepon etj, të cilët në prag vdekje ose pinjollët e tyre i dhanë një udhë fatit të bibliotekave të tyre...Fatkeqësisht, listës, i mungojnë dhe do t’i mungojnë me sa duket shumë emra, që do të ndjekin këtë rrugë...
Ka ditë që bukinistët e rrugës (në kushte mjerane) po shesin copazi dhe shëmtuar bibliotekën e Prof. Kostallarit. Në fakt, shesin të kujtdo që u është dhënë mundësia...
“Ligj për një mbrojtje të tillë, nuk ka në asnjë vend të qytetëruar: për këtë Ju siguroj, ngaqë kam qenë ndër autorët kryesorë (për të mos thënë më shumë...) të ‘Ligjit për Librin në Republikën e Shqipërisë’ dhe më është dashur të kontrolloj e ballafaqoj pothuajse të shumtën e ligjeve evropiane (edhe jashtë-evropiane) homologe, duke qenë se askush tjetër nuk merrte mundim ta bënte këtë punë. Si edhe: nuk rezulton që ligje të tilla të kenë pasur as diktaturat ushtarake, as ato totalitare, as ajo jona e këtushme, ku kontrolli ishte tërësor dhe nuk kishte nevojë për ‘hollësi’ të tilla”.
Pse?
“Sepse në ‘botën e qytetëruar’, përpos ligjeve të prera e të shkruara, ka edhe norma të pashkruara, kulturore ose qytetërimore, them se kështu mund t’i quanim. Këto norma lidhen me traditën e bibliotekave vetjake, prej humanizmit e këndej, duke filluar prej vetë pronarëve të tyre dhe duke përfunduar te trashëgimtarët. Në kuptimin që, pikësëpari, vetë pronari, para se të ndërrojë botë, merr masat dhe kujdeset për trashëgiminë e vet: testament me shkrim, testament me gojë, porosi, ‘amanete’ e ‘vasiete’ etj. Mandej veprojnë trashëgimtarët”.
A mund të mbrohen bibliotekat e personaliteteve, duke ua blerë ose duke i kushtëzuar (për botime, të themi që janë interesante për Bibliotekën Kombëtare) disi pinjollët e tyre?
“Ja disa raste, që di unë, të pronarëve që vërtet janë shqetësuar për bibliotekat e veta kur ata të mos ishin: Akademik Mahir Domi: Biblioteka e tij i është dhuruar Bibliotekës së qytetit të Elbasanit nga familja e tij, sipas amanetit të të zot’; Akademik Dhimitër Shuteriqi: biblioteka e tij, e organizuar dhe skeduar prej atij vetë, administrohet dhe mirëmbahet prej trashëgimtarëve të tij; Prof. Petraq Pepo: Biblioteka e tij i është dhuruar Bibliotekës së qytetit të Korçës, sipas porosisë së vetë të zot’; prof. Aleks Buda: biblioteka e tij i është dhuruar Bibliotekës Kombëtare nga familja e tij, sipas porosisë së të zot’; Lasgush Poradeci: biblioteka e tij ruhet nga të bijat, tanimë e kataloguar prej bibliografëve të BK në mirëkuptim me to; prof. Jup Kastrati: biblioteka e tij ruhet nga familja në pritje për të vendosur ku do ta dorëzojnë ose dhurojnë, ngaqë i zoti ka lënë porosi që t’i kalojë... Arkivit të Shtetit etj.
Njoh një rast interesant në albanologji, atë të diplomatit Ermano Armao: ai shërbeu, përveçse në Shqipëri, edhe shumë vende të Levantit dhe krijoi një bibliotekë të jashtëzakonshme, ndërsa nuk kishte fëmijë. Në vitet e fundit të jetës fati i bibliotekës së vet iu bë makth. U vu të hartonte katalogun e saj (të arsyetuar: raggionato) dhe madje e botoi atë. Në parathënien e botimit tregon se sa frikë kishte se mos i shiteshin poshtë e përpjetë gjithë ata libra të çmuar... Madje hamendon edhe: Po sikur në Itali të vijë komunizmi.. dhe bibliotekën time kushedi ç’fat i zi mund ta presë?
Besoj që ma kuptoni se për ç’norma të pashkruara, kulturore ose qytetërimore, e kam fjalën.
Për ç’i takon Bibliotekës Kombëtare, ajo ka dy farë mundësish për thithjen e bibliotekave të tilla, në tërësi ose pjesërisht: blerjet, nëpërmjet një komisioni të përhershëm që funksionon pranë saj, kur gjykohet që bëhet fjalë për vlera që Biblioteka Kombëtare nuk i ka ose i ka të rralla, si dhe pranimi i dhurimeve nga ana e familjeve ose trashëgimtarëve. Dy raste më të rëndësishme të viteve të fundit kanë qenë: njëri ai i një njeriu të librit nga Kosova, të quajtur Ali Rexha, ish-punonjës i botimeve “Rilindja”, që ia dhuroi bibliotekën vetjake Bibliotekës Kombëtare të Tiranës, pra jo asaj të Prishtinës: e drejta e tij.; tjetri ai i hyrjes në BK të bibliotekës vetjake të Aleks Budës, nëpërmjet dhurimit para dy vjetësh nga ana e bijve të tij: me marrëveshje përkatëse, ceremoni, dëshmi falënderimi nga ana jonë etj”.
Do doja te dija nga Ju, a ekziston ndonjë ligj për mbrojtjen e bibliotekave të personaliteteve të ndryshme në vendet e huaja?
“Vërtet duket sikur nuk ka ndonjë masë ligjore për t’i ndaluar shitje të tilla, por vetë fryma e ‘Ligjit për Librin’ nuk e lejon një trajtim të tillë të librit, qysh prej parimeve të sanksionuara në Nenin 1 të tij (citon):
Qëllimi i këtij ligji është:
1. Të shpallë veprimtari me interes publik e kombëtar prodhimin, mbrojtjen, përhapjen dhe promovimin e librit dhe të produkteve të përafërta me të në territorin e Republikës së Shqipërisë.
2. Të ndikojë në krijimin e ndërgjegjes publike për vlerën dhe funksionin e librit, si faktor parësor në formimin dhe informimin e personit dhe personalitetit njerëzor në transmetimin e dijeve, në përhapjen e kulturës dhe në nxitjen e hulumtimit shkencor.
3. Të demokratizojë qasjen ndaj librit dhe të nxisë shprehitë e leximit.
4. Të garantojë dhe të promovojë qarkullimin e lirë të librit e të produkteve të përafërta me të, si dhe përhapjen e tyre brenda dhe jashtë territorit shtetëror, nëpërmjet çdo teknike dhe/ose teknologjie të krijuar ose që do të krijohet etj.
Masat praktike, nga ana tjetër, i kanë plotësisht në dorë organet tatimore, që duhet të kontrollojnë licencat, kontratat e shitjes, marrëveshjet e çmimeve, fitimet, pagesat e tatimeve etj. etj. dhe që, me sa kuptojmë edhe unë edhe ti, as që veprojnë në këtë fushë.
***
... Në vitin 1914, për bibliotekën e Syrja Beut dhe pinjollit të tij Eqerem Bej Vlora flitej se përmbante plot 14.640 vëllime dhe studiues të tillë si Karl Patch, Mis Durham, Zhusten Godart, Herbert janë ndeshur atje me materiale shumë interesante etnografike, gjuhësore dhe historike dhe këto ata i përshkruajnë në studimet e tyre, citojmë Gëzim Llojdjen në shkrimin Historia e një biblioteke - Biblioteka e Vlorës..
Kjo pasuri e madhe familjare kulturore ishte mbledhur me durim dhe ishte gjurmuar në çdo vend nga diplomati Syrja Vlora dhe më vonë pinjolli i tij deputeti dhe diplomati Eqrem Bej Vlora. Autori i shkrimit të lartpërmendur do të shprehet se brenda këtij thesari kulturore kishte dorëshkrime të pasura arabe, libra fetare etj. Biblioteka e familjes Vlora përmbante libra të llojit albano-ballkanologjik, ku aty gjendeshin dorëshkrime, korrespodencë, dhe e veçanta ishte edhe korrespodenca me shkrimtarin e njohur Duma (Citohet Llojdja, sërish dhe ka të ngjarë t’i referohet Syrja Beut). Duhet thënë se bibliotekat shqiptarë patën mecenë të shumtë vendas. Mes tyre përmendet Mustafa Pasha Bushatlliu, një koleksion i të cilit, që ai në të gjallë ia fali Vakëfit, u ekspozuan në Bibliotekën Kombëtare.
Gjergj Fishta thuhet se ishte një tërheqës antikuarësh i thekur dhe vetë arkitekt i bibliotekës françeskane që mbante emrin e tij dhe u konstruktua nga Zonja Buhler. Familjet shkodrane dhe korçare gjirokastrite krijuan biblioteka të pasura të cilat do të shërbenin më vonë si baza të bibliotekave albanologjike jo vetëm në Shqipëri, por edhe në katedrat e shqipes në Itali, Kroaci, Gjermani etj. Një pjesë e bibliotekave, kuptohet si në rastin e Eqerem bej Vlorës apo Angjelin Saraçit, ndoqën fatin e pronarëve. Rrëmbime dhe shkatërrime...
Gjithsesi poseduesit e sotëm duhet të jenë të ndërgjegjshëm se librat e tyre nuk i përkasin me vetëm atyre por të gjithë kulturës shqiptare, ndërsa shteti me strukturat e tij duhet të jetë i ashpër që nëpërmjet strukturave tatimore, të ushtrojë të paktën kontrollin fundor për licencat, kontratat e shitjes, marrëveshjet e çmimeve, fitimet, pagesat e tatimeve, për njerëzit që i shesin në këtë mënyrë këto libra, sipas Profesor Plasarit.
Kuptohet se kjo është në kalenda, ashtu si është fare e ditur se pas Profesor Androkli Kostallarit , kushedi kush e ka rrallën në tezgën përtokase të ‘bukinistëve’, pa asnjë sqimë shqiptarë.
Home »
» Biblioteka e Prof. Androkli Kostallarit... në rrugë





