Aventura shqiptare e Aleksander Dymase, Kur mendonte të bëhej Garibaldi shqiptar

Luan Rama

Kohët e fundit një dorëshkrim i vjetër i shkrimtarit francez Alexandre Dumas (Aleksandër Dyma) ka bërë të flitet sërish
për Shqipërinë dhe shqiptarët. Bëhet fjalë për romanin e tij Ali Pasha, i cili është botuar dikur në gazetën e tij L’Indipendente, (që botohej në gjuhën italiane dhe franceze), gjatë nëntor-dhjetorit të vitit 1862, në kohën kur ai ishte vendosur në Napoli, gjatë revolucionit të “këmishave të kuqe” të Giuseppe Garibaldi-t. Dyma ishte një nga miqtë e afërt të Garibaldit dhe është e vërtetë që ai e ndihmoi atë jo vetëm më armë, por dhe përmes penës së tij të fuqishme, duke i bërë jehonë përpjekjeve të heroit italian për bashkimin e Italisë. Madje Garibaldi e kishte ndihmuar të vendosej në një vilë të madhe të qytetit bashkë me gazetën e tij revolucionare. Në të njëjtën kohë, dhe ngjarjet në brigjet e Jonit dhe të Adriatikut do të tërhiqnin vëmëndjen e shkrimtarit të madh: ngjarjet shqiptare. Dhe ai filloi të interesohej jo vetëm për fatin tragjik të Ali Pashës, por dhe për historinë heroike të suljotëve, shqiptarëve të jugut, apo fatit të vetë Shqipërisë, për të cilën, ai ishte gati të vihej në luftë.
Ky dorëshkrim i shkurtër apo “libretto”, që sapo është botuar nga shtëpia botuese franceze “Phebus”, në sajë të punës së studjuesit Claude Schopp trajton jo vetëm historinë e Ali Pashës, e cila duket që është ndikuar nga libri i konsullit francez në Janinë, François Poucqueville dhe libri i Félicien Malefille Ali Pacha, (që siç thotë kritiku francez, Dyma e njihte mjaftë mirë), por edhe sjell një sërë dokumentash, korrespondenca e letra që lidhen me Shqipërinë. Sigurisht një vepër e pambaruar, pasi Dyma në fakt punonte mbi dorëshkrimin e parë për të shkruar romane të nivelit të Konti i Monte Kristo-s. Por siç duket, në projektet dhe librat e shumtë të tij, ky dorëshkrim më së fundi nuk u prek më. Sidoqoftë, shkrimi i tij rreth figurës së Ali Pashës duket se i ca tejkaluar disi caqet e së vërtetës historike, duke e cilësuar Ali Pashën si një tiran i ngjashëm si Tibere, Kaligula apo Neron i Epirit, edhe pse nga ana tjetër e sheh si një figurë çlirimtare kur shkruan se pa e kuptuar, Ali Pasha i shërbeu zgjimit dhe çlirimit të Greqisë. Duke bërë një përshkrim të historisë shqiptare dhe të historisë familjare të Ali Pashës, historive të Hormovës dhe Gardhiqit, Pargët dhe veçanërisht të suljotëve si dhe fundit tragjik të Ali Pashës, Dyma flet me një simpati të veçantë për shqiptarët si popull. “Hakmarrja dhe dashuria janë pasionet thelbësore të shqiptarëve, - shkruan ndër të tjera ai. - Për ligj ata kanë ligjin e shpagimit. Gratë janë të bukura e pjellore, por pas martesës ato bëhen pothuajse skllave dhe vihen në punë të rënda, pasi gjithë prodhimet e tokës janë frut i punës së tyre. Si dhe zviceranët, shqiptarët janë njerëz të gëzuar dhe ashtu si ata, janë besnikë gjer në vdekje. Në kohën e Henri IV, Franca mori në ushtrinë e saj shqiptarët, ashtu si Charles III mbreti i Napolit, kishte një regjiment mbretëror të Maqedonisë të përbërë nga shqiptarët e ikur në Kalabri pas vdekjes së Skënderbeut… ”
Tema dhe historia shqiptare nuk ishte e huaj për të, veçanërisht ajo e Ali Pashës, i cili disa dekada më parë ishte ngritur kundër sulltanit. Përshkrimet e personazheve të tij në oborrin e Ali Pashës, zbarkimet në Butrint, bisedat me konsullin francez Pouqueville apo historitë e Shanishasë janë plot kolorit dhe detaje që vetëm një apasionues i letërsisë mund të krijonte afreske të tilla historike. Hayde-ja, vajza e pashait shqiptar në romanin Konti i Monte Kristos, është nën mbrojtjen e kontit. Ali Pasha bëhet për të një figurë referencë. Atëherë, pëshkrimet e konsullit francez Pouqueville në oborrin e pashait dhe përshkrimet e Bajronit atë kohë dhe Çajld Haroldi lexoheshin me ëndje nga të gjithë nëpër Evropë. Madje diku, Dyma e përshkruan veten si një udhëtar anglez që me letrën e Bajronit në dorë, pasi kalon detet niset të shkojë në oborrin e pashait, i cili sapo ka fituar betejën me gardhiqotët kryengritës. ”Nga Gjibraltari, - shkruan ai, - pasi lamë ishujt Balneare në të majtë, duke kaluar midis Siqelisë dhe Maltës, ne zbuluam më së fundi Shqipërinë. Tokë shkëmbenjsh, djep trimash e burrash të pa mëshirshëm…Para meje kisha kodrinat e pashkelura të Shqipërisë, shkëmbenjtë e Sulit dhe majën e Pindit të pështjellë përgjysmë nga mjegulla dhe e lagur nga përrenjtë e borës.” Dhe tregimi imagjinar vazhdon. Pasi takon në fillim Veli Pashën, birin e Ali Tepelenës, ai niset drejt Janinës, ku përshkruan pallatin e famshëm e gjithë hire, sallonin plot mëndafshe dhe ornamente ari e argjëndi, si dhe takimin e pashait me konsullin francez, (padyshim sipas leximit të kujtimeve të Pouqueville). Atij i duhet një “leje-kalimi” nëpër Greqi dhe një eskortë që ta shoqërojë dhe ta ruajë nga banditët… Kuptohet, Alexander Dyma ishte një mjeshtër i përshkrimeve por dhe i përdorimit të ngjarjeve historike, duke u dhënë atyre ngjyrë letrare, duke i transformuar, duke krijuar situata të mundshme dhe të pamundshme që mund të kenë kaluar personazhet historike. Vetëm një gjë është e vërtetë: para se të shkruante, Dyma-ja lexonte shumë histori. Dokumentacioni për të ishte parësor. Pa një material të pasur historik, ai nuk ulej të shkruante. Lënda historike ishte brumi, me të cilën ai gatuante atë që kemi shijuar të gjithë: romane të afërt me të vërtetën historike. A nuk e kemi parë këtë dhe me romanin Konti i Monte-Kristo-s, që siç shkruan në kujtimet e tij, këtë dorëshkrim, ai e kishte gjetur diku në një fortëse pranë Marsejës?...
Dihet që në kohën e Aleksandër Dyma, ishte bërë modë që shkrimtarët të udhëtonin në vëndet e panjohura dhe ekzotike, të merrnin udhët e Egjiptit, Greqisë apo Libanit e Jeruzalemit. Udhëtime të tilla i gjejmë në jetëshkrimet apo librat e Chateaubriand, Lamartine, Flobert, De Nerval, e shumë të tjerë. Mjaft prej tyre, veçanërisht shkrimtarë francezë, përshkruajnë dhe shqiptarët që ndeshin në kufijtë e largët të perandorisë otomane, gjer në Jeruzalem. Ngjarjet që përjetonte Shqipëria në fillimet e shekullit XIX dhe historitë e Ali Pashës, të treguara nga Bajroni dhe udhëtarë të tjerë, e kishin frymëzuar dhe Dyma-në të ndërmerrte udhëtime drejt Mesdheut. “Më duhet të vazhdoj udhëtimin e Mesdheut, të shkruaj për historinë e vjetër të botës… Tani më mbetet të shoh Venecien, Ilirinë, ishujt jonianë, Greqinë, Egjiptin, Palestinën, Tripolin…”
Fustanella shqiptare
me njëmijë pala
Në kohën e revolucionit grek, Dyma kishte dëgjuar për kostumin shqiptar të Bajronit, me të cilin ai krenohej në Londër dhe i shkruante të ëmës se “ishte kostumi më i bukur në botë”. Po kështu ai i kishte parë këto kostume në tablotë e piktorit Delacroix kushtuar suljotëve dhe Marko Boçarit, etj. Të tjerë piktorë si Decamp apo Gerôme i bënin jehonë kostumeve mahnitëse shqiptare.
Një ditë, kur Dyma përgatitej për të shkuar në një ballo me maska që organizoheshin atëherë në sallonet pariziane, Amaury Duval, nxënësi i piktorit Ingres, të cilin e kishte njohur në ballot e Firmin-it, i kishte folur se mund të vishte një kostum arnauti. Kjo ide, Dymasë i kishte pëlqyer. “Ramë dakort se kostumi arnaut më shkonte për mrekulli, - shkruante Dyma në librin Kujtimet e mia. - Amaury e vizatoi atë. Ajo që ishte interesante te ky kostum ishte turbani, i cili pasi rrotullohej dy-tre herë rreth kokës, kalonte nën gushë dhe pastaj lidhej në pikën e fillimit. Por duhej qepur kostumi, i cili dhe duhej qëndisur. Për të u punua gjatë 15 ditëve. Kur erdhi dita e ballos, paradite, kostumi ishte gati. Në mesnatë hyra në sallonin e zonjës Lafond”…
I veshur me kostumin arnaut, sipër në velur të kuq dhe me fustanellën e bardhë si dëbora, me armët e argjënda që i shkëlqenin, ai dukej sikur vinte nga një botë ekzotike dhe e panjohur. “Me atë kostum e imagjinoja se do të kisha një triumf të vërtetë …” Ai s’kishte bërë as dhjetë hapa në atë sallon, kur zonjusha Malibran, i ishte afruar dhe i kishte thënë: “Zoti Dyma! Ju do të më mësoni se si vihet ky turban. Këta djaj italianësh nuk dinë si të vishen. Do doja së paku të visheshin si ju. Nesër do të interpretoj Desdemonën…” Si dukej, asaj nuk i kishte pëlqyer se si ishte veshur partneri i saj, Otello.
Kostumit shqiptar, Dyma i referohet disa herë në librin e tij Impressions de voyage de Paris à Sebastopol, (Përshtypje udhëtimi nga Parisi në Sebastopol). “Jakobi më kishte shitur dy kostume, - shkruante ai. - Mora atë më të bukurin, kostumin shqiptar, me një cohë vjollce, me qëndisma argjëndi. Për një çast hezitova midis turbanit me stof të hollë e të bardhë, që të mbështjell fytyrën, duke e kaluar nën mjekër dhe rasës së kuqe me një xhufkë mëndafshi që varej.”
Duke udhëtuar nëpër Greqi, me një kurreshtje të madhe ai vëzhgoi kostumet me fustanellë të shqiptarëve, për të cilat shkruante përsëri: “Këtu, ky kostum shqiptar është më i famshmi. Dhe mbreti Othon jep shëmbullin e vet. Eshtë një kostum i bukur, me këmbësore të qëndisura, fustanellën e bardhë e të shkurtër me njëmijë palë mbi gjunjë; kostumi me jelekët dhe xhaketën që shkëlqente nga qëndismat, me brezin prej mëndafshi, xhufkat prej mëndafshi në ngjyrë blu, që bijen pas kokës së tyre, anash veshit, atyre fytyrave me mustaqet me majë dhe flokët e gjatë me bukle që u bien mbi shpatulla…Kjo ishte veshja e atyre që pamë në rrugët e Eolit, Minervës dhe Hermesit. Ata na hidhnin ca vështrime jo dhe aq simpatike, aq sa për një çast mendova se jemi duke udhëtuar në një vënd armik.”
Edhe në romanet e tij, ai nuk harronte të përshkruante kostumet shqiptare me detajet më të holla. Duke folur mbi Orientin, për traditat, zakonet dhe etnografitë e tyre, ai shkruante se “Mbi të gjitha, më të bukurat ishin kostumet e shqiptarëve. Me fustanellën e bardhë si dëbora e Pindit, me veshjen në velur “cramoisi” të mbuluar me xhufka të artë, me brezin e qëndisur, nga i cili shfaqeshin një arsenal armësh e thikash, ata ngjanin si princa.” Kur përshkruan brigjet shqiptare, ai shkruante: ”Ja ku ne zbuluam Shqipërinë. Tokë shkëmbenjsh, djep trimash dhe njerëzish të fortë”.
Kur Dyma mendonte të bëhej Garibaldi shqiptar
Një aventurë e habitshme i ndodh Dymasë me Shqipërinë dhe shqiptarët. Një ndodhi e panjohur gjer më sot. Gjatë disa vjetëve, ai kishte ndihmuar Garibaldin jo vetëm me armë, kur Garibaldi i dha 100 mijë franga për t’i blerë armë në Marsejë, (çka Dyma e realizoi sikur ta njihte mirë trafikun e armëve), por dhe përmes gazetës L’Indipendente, që ai e krijoi dhe e nxorri vetë në Palermo, në vitet 1861-1862, në gjuhët frëngjisht dhe italisht, në mbështetje të Garibaldit dhe luftës së tij për bashkimin e Italisë. Por edhe pse e pushtoi Napolin, Garibaldi nuk do ta çonte gjer në fund kryengritjen e tij. Më së fundi ai u thye nga trupat e Viktor-Emanuelit, ku u plagos dhe u burgos në Aspramonte.
Në Palermo, shumë italianë të “Camorra”-s kërkonin tashmë largimin e mbështetësit të Garibaldit dhe mikut të tij të madh, shkrimtarit francez Dyma. Kjo ndodhte sepse, Dyma ishte një nga kritikët më të mëdhenj të gjëndjes në Napoli, të plehrave dhe indiferencës së qytetarëve, të vjedhjeve dhe bastisjeve, të mafiozëve të vjetër e të rinj. Në qytet dëgjoheshin thirrjet e tyre: “Dyma jashtë”! “Dyma në det”!...”Isha mësuar me mosmirënjohjen e Francës, - do të shkruante ai ato ditë, - por këtë nuk e prisja nga italianët”.
Pikërisht në këtë kohë, disa shqiptarë të vendosur në Londër, në një lidhje të quajtur “Junte Greco-albanaise”, (Junta greko-shqiptare), i kërkuan atij që të vihej në krye të lëvizjes së tyre për të çliruar Shqipërinë, për të zbuar turqit dhe për t’i zbythur ata drejt Stambollit, Konstantonopojës së lashtë. Këtë fakt na e bën të njohur historiani Daniel Zimmerman, studjues i jetës së Dymasë, i cili në një botim të tij në Francë, pohon se ftesa Dymasë i erdhi nga vet Giorgio Castriota Scanderbeg, pasardhës i familjes së Skënderbeut. “Zotëri, - i shkruanin shqiptarët, - ju mund të bëni për Athinën dhe Konstantinopojën atë që bëtë për Palermon, dhe Napolin. Si roje avangarde e kombeve të rilindur, ju do të dyfishoni forcat ditën që do të nisim luftën finale të Kristianizmit kundër Islamit. Zotëri! Reforma jonë kombëtare, që nuk ka në krye një gjeni si ju për të drejtuar shpirtrat e njerëzve, i ngjan një lokomotive që ecën pa një makinist.” 1
Mesazhi për Dymanë ishtë i qartë. Sigurisht, thirrje të tilla e joshnin, aq më tepër që në projektin e tij të udhëtimit për në Mesdhe, ai mendonte gjithnjë për të vizituar Shqipërinë e Ilirisë. Në mars të vitit 1863, Skanderbeg i ofronte komandën e “L’Armée de Libération Balkanique”, (“Ushtria e Çlirimit të Ballkanit”). Dyma tashmë e sheh veten gjeneral, si dikur babai i tij në kohën e Bonapartit. Ai pranoi që të bëhej prijësi i kësaj “Kryqëzate të IX”, siç do të quhej nga disa luftëtarë, për të flakur pushtuesit turq nga Shqipëria, Epiri, Thesalia dhe Maqedonia, siç dhe i shkruanin shqiptarët. “Ne do t’i flakim së pari nga të katër këto zona, - e njoftonte Dyma të birin e tij në Paris, - dhe pastaj do t’i shtyjmë pushtuesit turq gjer në Konstantinopojë dhe nga Konstantinopoja, padyshim drejt e në Bosfor”. Madje ai i propozoi birit të tij, që të bashkohej me të: “A nuk ke dëshirë të bësh fushatën e Shqipërisë? Të ofroj postin si ndihmës i im në fushëbetejë”, - këmbëngulte Dyma.
Përgjigja e birit të tij nuk është bërë e njohur, por padyshim, ai do t’i jetë përgjigjur negativisht.
Sidoqoftë, në shërbim të shqiptarëve ai vuri në dispozicion dhe anijen e tij me dy direkë, që mbante buzë detit, pranë pallatit ku rrinte, në Chiatamone. Madje ai dërgoi në Londër dhe një besnik të tij, një siqelian, të quajtur Prima, që të bisedonte konkretisht me princin shqiptar për mënyrën e organizimit të kryengritjes. “Nëse pranoj, - i shkruante ai Girardin-it, mikut të tij në Paris, - ndoshta për 15 ditë do të më fusin ndonjë thikë. Besomë miku im se nuk më intereson të të informoj për Napolin dhe Italinë, por për Shqipërinë dhe Greqinë, për këto vënde ku do të luhet fati turk. Jam në lidhje me juntën shqiptare të Durrësit dhe princin Skanderbeg, i cili, siç mendoj, do të bëjë për Shqipërinë atë që Garibaldi bëri për Italinë.”
Pas botimit të romanit të sukseshëm Zonja me Kamelie, (La Dame aux Camelias), nga biri i tij, Dyma-”biri”, mbi historinë e dashnores së tij, kurtizanes Marie Duplsessis, që vdiq nga turbekulozi, aventurat luftarake të babait, romancierit të ri i dukeshin të rrezikshme. Ai vetë ishte një shkrimtar i njohur tashmë dhe jo një garibaldist si ai. Por ndërkohë, policia e Napolit e thirri Dymanë dhe e njoftoi rreth misionit që kishte ndërmënd të ndërmerrte: “Madhëria e tij Mbretërore Scanderbeg nuk është tjetër veçse një mashtrues. Ai ia ka mbathur bashkë me arkën e Juntës”. Vallë një shantazh nga ana e policisë mbretërore?
I zhgënjyer nga aventura garibaldiste, bashkë me të dashurën e tij, një këngëtare të zeshkët spanjolle, sopranon Fanny Gardosa, Dyma nxitoi të kthehej në Francë. Luftrat kishin mbaruar. Eksperienca garibaldiane e kishte frymëzuar të shkruante vepra të reja dhe së pari Kujtimet e Garibaldit. Në bagazhet e tij kishte dhe dorëshkrimin e San Felice. Ishte viti 1864…

Milosao