Australia, vendi i mëkateve

Klasifikim i veçantë i revistës angleze “Focus” në bazë të statistikave mbi konsumin, krimin, shëndetësinë. Në hartë spikasin edhe Islanda dhe Amerika

Kur bëhet fjalë për të bërë mëkate, kampionët e botës janë australianët. Të paktën kjo është ajo që ka dalë nga një klasifikim shumë i diskutuar, i hartuar nga një revistë britanike. Ajo ka analizuar shtatë veset më të mëdha në 35 vende të botës. Australianët janë vendosur në vendin e parë në klasifikimin e përgjithshëm. Italia nuk hyn në dhjetëshe dhe renditet në vendin e 21. Italianët shquhen për koprracinë, duke u klasifikuar të pestët në botë dhe për dembelizmin (vendi i dhjetë). Harta globale e veseve, që do të shfaqet në numrin e shkurtit të revistë shkencore të BBC-së, “Fokus”, u arrit falë analizimit të disa statistikave zyrtare të lidhura me sjelljet e qytetarëve. Kështu, kërkuesit kanë ekzaminuar nivelin e krimit, dhunës dhe kanë analizuar të dhënat mbi agresionin, përdhunimet dhe vrasjet për çdo një mijë banorë. Nëse për krenarinë është marrë në konsideratë edhe numri i ndërhyrjeve të kirurgjisë plastike për person, për nepsin është llogaritur shpenzimi për person gjatë një viti në ushqimet e pasura me kalori (si për shembull hamburgerët). “Epshi” është llogaritur në bazë të asaj që shpenzohet nga çdo person për pornon, ndërsa një tregues i
dembelizmit është edhe numri i ditëve të pushimit në dispozicion të punëtorëve, në çdo një prej 35 vendeve të analizuara. Në fund dy mëkatet e tjera, zilia (këtu janë analizuar të dhënat për krimet në vjedhjen dhe rrëmbimin e makinave, duke qenë se mëkati në fjalë të bën të dëshirosh të mirat e të tjerëve)dhe koprracia (ajo e një kombi llogaritet të bazë të asaj se sa persona jetojnë me një pagë inferiore rreth 50 për qind në krahasim me vlerën mesatare: nëse ky numër është i lartë, thuhet “shumë jetojnë në varfëri në kurriz të të pasurve). Për çdo mëkat, është vënë një sistem me dhjetë pikë që vinte duke zbritur në bazë të renditjes së tyre në klasifikim. Duke nisur nga këto llogari që janë kritikuar nga eksponentë politikë dhe studiues australianë është arritur të stilohet “top-ten” i mëkateve në përgjithësi. Në nivelin e klasifikimit të përgjithshëm, pas australianëve (të parët me 46 pikë), janë amerikanët, kanadezët, finlandezët, spanjollët, britanikët, japonezët, koreanojugorët, ndërsa meksikanët dhe afrikanojugorët kanë të njëjtat pikë 12. Por janë rekordet individuale, për lloje të caktuara vesesh që rezervuan surpriza dhe konfirmime, të paktën sipas perceptimeve të imagjinatës kolektive. Personat më të etur për seks në botë janë koreanojugorët, ndërsa më llupësit duket se janë meksikanët. Qytetarët e Afrikës së Jugut janë kampionë për sa i përket zemërimit. E nëse amerikanët janë absolutisht më nepsqarët, islandezët mbajnë vendet e para për dembelizmin dhe krenarinë. Vendi i fundit në klasifikim është Tajvani, që duket se ka më pak vese. Ai renditet i teti vetëm në klasifikimin për sa i përket epshit. Revista, duke u nisur nga teza sipas të cilës natyra e ka programuar njeriun për të qenë mëkatar, analizon trurin dhe lidhjen e tij me veset, që është përgjegjës për veprimet tona në momente të caktuara. Por ka nga ata që mendojnë se kjo hartë është shumë pak e besueshme: “Rezultatet dhe kriteret e përdorura për të stiluar këtë klasifikim janë të diskutueshme”, ka thënë Chilla Bulbeck. Nga ana tjetër ka reaguar edhe zëdhënësi i Kryeministrit australian, që duket se nuk e ka vlerësuar aspak medalja e artë si vend mëkatar.
Vendet ku gratë kujdesen më shumë

Kush janë më mendjemëdhatë në të gjithë Europën? Në cilin vend të kontinentit plak gratë lyhen më shumë, shpenzojnë më shumë për t‘u dukur të bukura e tërheqëse dhe përdorin parfumin pa kufij? Në klasifikimin europian të bërë në katër shtete duhen bërë disa dallime: kështu, në vend të parë pozicionohen anglezet, por vetëm për sa i përket trukut. Ndërsa në sektorin tjetër, akoma më elegant, atë të parfumeve, renditen gratë spanjolle. Sipas një kërkimi gratë britanike kanë shpenzuar për make-up në vitin e fundit një mesatare prej 55 eurosh për person kundër 48 të francezeve. Po sipas studimit, Britania e Madhe ka shpenzuar një shifër rreth një miliard e gjysmë euro në vit për produkte kozmetike, ndërsa në Francë dhe Gjermani shpenzimi rrotullohet rreth shifrave 1 miliard e 200 milionë euro. Spanja renditet e fundit, me vetëm 600 milionë euro. Por, megjithëse anglezet harxhojnë më shumë për trukun, spanjollet dhe spanjollët kanë investuar rreth 42 euro për person në parfume, ujë, kolonjë dhe after-shave rreth 8 euro më shumë se francezët dhe francezet. Me sa duket, parfumi është një nga armët më të forta për të bërë për vete shokun ose shoqen në Spanjë. Në fakt, sipas këtij kërkimi, gratë spanjolle (rreth 96 për qind) përdorin parfumin dhe një ndër tri hedh parfum më shumë se një herë në ditë. Franca, që gjithmonë është konsideruar si "atdheu" i kozmetikës, mban vendin e parë për sa u përket shpenzimeve të përgjithshme të këtij sektori, jo vetëm për produktet e lyerjes, por edhe për kremrat, prodhime alkoolike dhe për higjienën, e ndjekur nga Britania e Madhe e nga Gjermania. Franca është në vendin e parë edhe për hedhjen në treg të produkteve të reja. Kështu, mes gushtit të vitit 2008 dhe 2009 janë hedhur në treg plot 3057 produkte të reja, thuajse dyfishi në krahasim me Gjermaninë. Në vend të parë, për shpenzimet e përgjithshme për produktet kozmetike për person, sipas klasifikimit të bërë renditet Zvicra, me 214 euro për person, ndërsa në vend të fundit, Portugalia, me 104. Mesatarja është 146 euro, ndërsa Italia shpenzon rreth 145 për person. Për make-up italianët shpenzojnë vetëm 19 euro për person, për kremrat e për lëkurën rreth 37 euro dhe rreth 32 në produktet e ndryshme për flokët.

Related Posts: