Zëri poetik i dhimbjes në poezinë e Ylber Merdanit
Nga Muharrem XHAXHO
Poeti Ylber Merdani ka filluar
të shkruajë që në moshën
rinore, madje janë disa prej
poezive të tij antikomformiste të shkruara
në vitet ’60 si; poema “Të dënuarve”,
poezitë; “Motrës dhe vëllait për
ditëlindje”, “Malet”, etj që do të bëhen
shkak për dënimin e tij. Ka shkruar
poezi në burg, në interesim dhe vazhdoi
të krijojë. Zëri poetik i Ylber Merdanit,
si një zë i sinqertë dhe i çiltër ka si tipar
thjeshtësinë dhe qartësinë. Nuk gjen në
poezinë e tij mllef që shkon në tejskajshmëri
për shkak të vuajtjes në diktaturë
edhe pse ka një gulsh të brendshëm, kurrësesi
nuk e shpreh dhunshëm. Merdani
nuk është prej atyre që kërkuan shpagim,
sepse vendin e kësaj në poezi e pat zënë
ndjesia e së arsyeshmes. Ajo që të bën të
vëmendshëm, është gjetja e forcës për t’u
përballur me të vështirën. Y.Merdani është
poet i komunikimit intim, i besimit
tek e ardhmja, veçanërisht, sepse ai e
shihte atë si shenjë të gjendjes shpirtërore
ndryshe. Këtë filozofi do ta gjejmë në
mënyrë të sintetizuar edhe tek një poezi
me katër vargje; “Dua të qesh, për mua
çupa qesh,/ Dua të loz, për mua djali
lot./ Për të mallkuar, gruaja nuk rresht,/
Hakmarrjen ta kam lënë ty, o zot”. Jeta
e mundimshme i ka dhënë poezisë një
përmbajtje të veçantë që e shpreh si një
brengë e pakënaqësi, që shqiptohet me
një tonalitet të trishtë dhe jo si britmë,
pra është ndjesi. Poezia përmban fillin e
së keqes, shpesh është metaforë e jetës së
trishtueshme. Poeti pranon dashurinë dhe
humanizmin si një ekuilibër shpirtëror,
i domosdoshëm. Herë pas here hyn në
komunikim me lexuesin dhe shpesh bën
pyetjen; “A jam....poet vërtet? Ndonëse
ka filluar të shkruajë herët, kërkon që
poezia e tij të ndikojë në emocionalitetin
e lexuesit. është ky lexues që do të
gjejë në poezi një shpirt të brengosur;
“U ngashënjyet ju dhe derdhet lot/ E
ndërsa unë për vete s’qava dot/ e jo se
ndjenjat, shpirti kanë vdekur./ Paksa
janë topitur, kanë fjetur;/.
Diktatura ia preu burimet mëndësore,
jetësore dhe ia bëri jetën të vështirë.
Ndërsa në pikëpamje shpirtërore ia
tendosi nervin poetik dhe i nxiti mundësinë
e shprehjes së brengës nëpërmjet vargut
poetik. Pra, në se poezia e Merdanit
të fton për lexim, të njohësh dhimbjen
prej absurdit, të detyron edhe të mendosh.
Poezia është jeta e mbërthyer në
morsën e shrëngesave të pafundme
shpirtërore dhe fizike, është pentagrami
i jetës dhe shpirtit të tij. Këtë ndjesi mund
ta hetosh e ta shqiptosh si një thirrje,
por vetë poeti ka një zë tjetër më të qetë
i cili e fsheh domethënien dhe e detyron
lexuesin të hyjë në lojën e imagjinimit:
Për poetin, poezia ka qënë një balsam
në situatat më të nderlikuara e të vështira
të jetës së tij fizike e shpirtërore. Duke
komunikuar nëpërmjet vargut, është
ndjerë më i lehtësuar prej ankthit të herëpashershëm.
Nota të tilla parashikojnë
vëllimet poetike: “40 letra dashurie”,
“Klithma në shkretëtirë”, “Puhiza endacake”,
“Humnerat e zhgënjimit”, “Ja
vdekje, ja liri”, poema “Për Devollin”,
ndërsa vëllimi me poezi të zgjedhura
“Shpresa e blertë”, është botuar prej entit
“Flaka” në Maqedoni. Vargu poetik i
Merdanit shpreh pastërtinë dhe krenarinë
e shpirtit: “Paçka se s’janë të bukur/ Në
rrugë/ të ecni krenarë/, poezia “Vargjet e
mia”. Përballja me një realitet të ashpër,
me një diktaturë të egër, në internim e
burgim, do të njihnin një tjetër shpërthim
në zërin e poetit. Kthimin pas një
çerek shekulli burg e internim, do ta japë
me vargje tepër mallëngjyese dhe të
dhimbshme: “Fliste shpirti shpresëdhënës/
Gjith me yjet rrugëtare/ Fshehtësisht i
fliste hënës,/ Që nga toka çehrevrarë/.
Ndërsa realiteti si trishtim është i hapur
që vështrohet apo imagjinohet. Shpresa
mbetet disi e fshehur, e padeklaruar, por
ngacmuese dhe e pritshme. Kjo shpresë në
poezi, merr fizionomi njeriu që përmes
vështirësive dhe sakrificave të mundimshme,
sillte zërin e lirisë si një shpëtimtare
që ka marrë mbi vete barrën e vështirë.
Herë kjo merr pamjen e një fenomeni
të pakapshëm, si diçka e jashtëzakonshme,
qiellore. Edhe nëse lind një dashuri,
më pas ajo do të zhndërohet në një
trishtim; “Ti më takoje shpesh nëpër vegime/
Dhe unë nëpër ëndërra të kërkoja...Ty
nuk të lanë, të mbytën internimet/ Rinia
ime burgjeve vrapoi... Pra, dashuria
shndërohet në një dramë. Për poetin,
dashuria është një mall i shenjtëruar.
Dashuria është dallgë e brengë, kaltërsi e
vranësi, mall e zjarr, por edhe ankth e
trishtim. Në përballje me pengesat, vështirësitë
dhe ligësitë e pamëshirshme, poeti,
tëk harmonia qiellore gjen qetësinë
shpirtërore. Nga kjo lojë e bukur e imagjinatës
poetike, kanë dalë vargje të tilla;
“E një dëshirë e çmendur më ka kapur,/
Të shkoj atje, tek Hena krahëhapur;/ Në
është aq e pastër sa e di,/. Tek pastërtia e
saj do të bëhem fli./ “Ngatërrohem, rrëzohem,
përmbysem diku... Mes kolles filloj
të nem/...Po kisha dhe prindër, pa kisha
shtëpi./ Nga shokët askush s’paska mbetur/
Kaloj kësaj rruge i huaj tani/ i thinjur,
i kërrusur, i tretur/ . Zëri poetik i
subjektit lirik, është zë i formuar në mjedisin
ku fisnikëria kishte rrënjë të lashta,
ku zemërgjerësia, besnikëria, shpirti human,
ishin cilësi të lindura e të trashëguara,
njëkohësisht të manifestuara në kohë të
ndërkëmbyera, pra si në kohë të mira dhe
të vështira. Edhe poeti mendon, që këto
virtyte të mos zbehen, pra ai synon tek
ringjallja e fjalës së mirë. Tek poezia e
Merdanit, shpesh ankthi, trishtimi, gjenden
të pranishëm së bashku me ëndërrën,
ndonëse me një besim të vakur tek e ardhmja.
Edhe pse poeti nuk flet drejt për së
drejti. Duke folur për një dukuri të zakonshme,
si ajo e shkëputjes së trupave të
zjarrtë qiellorë që zhgarravit nëpër qiell,
sajohet metafora e shpresës si pritshmëri.
Poeti kishte një ëndërrr që nuk i kishte
vdekur dhe një bindje të pakthyeshme
mbështetur në korelacionin stinor; se mbas
dimrit, vjen pranvera. Shpresa është bashkëudhëtare,
ajo është një ngushëllim për
brengën. Herë këto dukuri ndërkëmbehen
me njëratjetrën, ndërsa trishtimi është real,
ëndërra dhe shpresa, janë imagjinare. Trishtimi
vjen prej përditshmërisë, prej jetës
së jetuar. Zëri poetik i dhimbjes në poezinë
e Ylber Merdanit Merdani nuk është
prej atyre që kërkuan shpagim, sepse vendin
e kësaj në poezi e pat zënë ndjesia esë
arsyeshmes. Ajo që të bën të vëmendshëm,
është gjetja e forcës për t’u përballur me të
vështirën. Y.Merdani është poet i komunikimit
intim, i besimit tek e ardhmja!
NINULLË E VARGJEVE…
Ju qetësisht, aty, në dorëshkrime,
Në copëra letrash, dosjesh e fletore,
Flini të qeta, o pjesë e jetës sime,
Flini të qeta, o zemërza rinore!
O cicërima, ju do të bëheni këngë,
Ju dhimbje kieni, gjak shqiptar,
Ju jeni diell, mall e brengë,
Ju s’keni mllef, keni dritë e zjarr!
Se duhej të lindnit më vonë,
Se lindët shpejt, të vegjlit e mi
Se tani njeri nuk ju kupton,
Se s’do gjeni kurrë ngrohtësi!
Internimi, 1967
TI VEÇ HËNËN KE NGJASIM
Nejes
Një dashuri dhe dhimbje humb diku,
Si një kometë që mijëra zjarre mban.
As rrugët gri nuk njoh, as rrugët blu.
E vagabond nuk jam, as sharlatan!
Ti je e mirë, madje shumë e mirë,
Ti veç hënën që qiell ke ngjasim.
Lamtumirë mike, lamtumirë!
Sa kokëkrisur qenka ky fati im!
1967
ÇAST INTERNIMI
Të shikosh lotët e nënës plakë,
Të shikosh të dridhen ato thinjë,
Të shikosh shtëpinë gjith’ në flakë,
Kur nuk ke as forcë dhe as ndihmë…
Është tmerr, kur duart t’i kanë lidhur,
Shtrëngon grushtet , sytë gjithë lot.
S’mbahet më kjo dhembje kaq e hidhur,
Do të flasësh, por ….ah që s’flet dot!
1967
NË INTERNIM
Hej! Mjerim, të erdha, përqafomë!
Ç’përqafim i bukur ky në mal!
Hiqma shpirtin, bëmë një kufomë!
Është e tmerrshme vdekja dalngadalë.
Ti që s’njeh as lule, as pranverë,
Ti që çdo fytyrë e ke nxirë,
Ndërsa të kujtonim, mijëra herë,
Ti këtu na qënkërke i shtrirë!
Mjerim – vdekje, bëjë punën tënde,
Zbardhmi këta flokë ngjyrë bloze.
Mjerim-mortje, mbret në këto vende,
Hiqma buzëqeshjen prej mimoze!
Pulahë – Opar, 1967
PATIT
Ndoshta kurrë s’jemi për t’u parë,
Eh, që rrugët tona janë ndarë.
Humbi shpresa ime, lumturia humbi,
Seç u zhduk matanë maleve bojë plumbi.
Kur filloj dhe çmendem, kërkoj mal më mal,
Pa dhe në e gjeça s’di në do ta fal.
Zhduket lumturia nëpër mugëtirë…
Dashuria iku, s’më tha lamtumirë!
1967
SOT JAM E JOTJA DASHURI
- Patit-
Sonte brengat, dertet i përzura,
Sonte jam i yti, dashuri!
Le të tallet dhe hënëza me mua:
“Çilimi i shkreti, çilimi”.
Sonte s’dua dimër , dua maj
Tani natën le të lindë Dielli.
Sonte më kanë ardhur sytë e saj
Sonte kam këtu dy yje qielli …
Pulahë, 1967
PËR MALET
Male, male të vargosur,
Varg’ i tyre i pasosur,
Qindra shpresa janë varrosur,
Thellë nëpër ta!
I shikoj dhe më shikojnë,
Yjet, malet më tregojnë,
Drithërimat shpirtin ma përshkojnë,
Një ankth që s’m’u nda!
Këta male mijëvjeçarë,
Mijëra ngjarje kanë parë,
Kanë qeshur, kanë qarë…
Si njerëzit, ATA!
Internim, 1967
AMANETI
Kur të vdes të më varrosni, maleve, ju mua,
Ka me mijëra yje qielli, edhe një u shua.
Pa do ketë ndonjë yll, që do zerë të qajë,
Mundet edhe Hëna vetë, zinë do ta mbajë
Kur të vdes më varrosni maleve të lartë,
Kur të vijë pranvera, zbritmëni fushëzës së artë
Lërmëni ta shoh dhe unë diellin pranveror.
Le ta shohë, Hëna, nurin e shpirtit tim rinor.
Pulahë, 1968





