Për të ditur nëse jeni prekur nga verbëria (DMLA), mjafton të mbyllni njërin sy dhe të vështroni. Pastaj në të njëjtën mënyrë të shihni me syrin tjetër. Nëse pamja në njërin sy është e deformuar dhe linjat vertikale të imazhit lakohen, pra nuk janë të drejta, ju duhet të bëni një konsultë urgjente te mjeku. Kjo valëvitje e linjave, e shoqëruar me uljen e fuqisë së pamjes dhe shfaqjen e pikave gri si dhe me zverdhjen e ngjyrave, është tipike për sëmundjen DMLA, apo verbërinë. Kjo sëmundje degjenerative e retinës prek pjesën që shërben për vizionin qendror, pra atë që quhet makula dhe prek zakonisht njërin sy. Nëse nuk depistohet në njërin sy, atëherë, syri tjetër për një kohë jo të gjatë kompenson punën e syrit të sëmurë, derisa dhe ai preket nga kjo sëmundje që degjeneron. Pas moshës 50 vjeçare është e nevojshme të bëhet një vlerësim i pamjes së syve tek një doktor oftalmolog. Sipas mjekëve, sa më herët që të depistohet, aq më efekt kanë trajtimet mjekësore për ta vonuar procesin e sëmundjes, e cila shkaktohet nga formimi i enëve të gjakut nën retinë.
Pamja
Vizioni është një proces shumë kompleks dhe ka nevojë për pjesëmarrjen e shumë elementeve të syrit dhe të trurit. Sipas një vlerësimi, 4/5 e asaj që ne njohim në tru vjen përmes syve. Sytë transmetojnë flukse të vazhdueshme imazhesh në tru përmes sinjaleve elektrike. Kur një person vështron rreth tij, rrezet e dritës godasin dhe përthyhen në objektet që e rrethojnë. Këto rreze absorbohen ose reflektohen. Objektet që i absorbojnë totalisht këto rreze duken të zeza, ndërsa ato që i reflektojnë duken të bardha. Objektet e ngjyrosura absorbojnë disa pjesë të spektrit të dritës, ndërsa të tjerat i reflektojnë. Kur shikoni diçka, rrezet reflektojnë nga objekti dhe hyjnë në sy. Këto rreze ndriçuese përthyhen kur përshkojnë kurbaturën e kornesë. Ky proces quhet refraksion. Pas refraksionit, hyrja e dritës rregullohet në sajë të irisit (pjesa e ngjyrosur e syrit). Ky është një proces që bëhet në një precizion ekstrem.
Sëmundjet
Sot në botë, degjenerimi “makular” prek afro 25 milionë banorë. Verbëria është mungesa totale e shikimit të njërit apo të dy syve. “Amauroze” quhet humbja totale e shikimit shpesh në mënyrë të papritur dhe pa ndonjë shqetësim funksional të sistemit optik apo sëmundje të syrit. Ajo mund të jetë me origjinë kongjenitale, që nga lindja, mund të jetë toksike ose nervore. “Ambliopia” është pakësimi i aftësisë vizuale. I verbër, në kuptimin administrativ të termit është një person që ka pasur një vizion qendror të syve dhe që pas korrektimit të vizionit përmes syzeve, ka më pak se 1/20 e shikimit normal. “Retiniti pigmentar” bën pjesë në ato sëmundje që nuk kanë gjetur një lloj trajtimi. Kjo sëmundje e trashëguar, shkaktohet nga degjenerimi i lëndës së retinës. Sëmundja është evolutive dhe shpesh vihet re tek miopët, duke çuar drejt verbërisë. Një nga simptomat e kësaj sëmundje është mospërshtatja me dritën dhe pamundësia për të parë në gjysmë-errësirë. Trakoma është një nga sëmundjet më të vjetra të syrit dhe sot trajtohet me antibiotikë si me tetracikline, sulfamide, etj. Kseroftalmia (atrofia dhe tharja e cipëzave lidhëse të syrit, është shkaku më i shpeshtë i verbërisë tek fëmijët në moshat 0-5-vjeç, kryesisht nga mungesa e vitaminës A. Megjithatë, çdo shoqëri duhet të punojë në integrimin në punë të të verbërve, dhe jo ti lërë ata të izoluar dhe jashtë veprimtarisë shoqërore. Në Francë, në 15 mijë të verbër të moshave 20-60 vjeç, 5 mijë prej tyre kanë përgjegjësi profesionale; 900 prej tyre janë masazhiste dhe kineziterapeutet; 1200 janë standardiste në shoqëri të ndryshme dhe dikastere; 1500 janë stenodaktilografistë, 1 mijë muzikantë, etj.
Trajtimi
Sipas mjekëve, verbëria mund të parandalohet. Trajtimi i parë është fototerapia dinamike (PDT), që ka të bëjë me injektimin e një produkti fotosensibilizues përmes rrugës intravenoze që fiksohet në qelizat e këtyre enëve të reja të gjakut. 15 minuta më vonë, një rreze lazer bëhet mbi retinën, çka sjellë një bllokim të enëve të sëmura, pra patologjike. Në sajë të këtij procesi, 60 për qind e pacientëve stabilizohen. Por mund të përdoren dhe ilaçe antiangiogjenike, të cilat pengojnë shtrirjen e këtyre enëve të reja. Këto subsanca injektohen në sy pas një anestezie lokale me kollir. Ilaci Macugen® jep rezultate të mira. Një tjetër ilaç i këtij lloji është në eksperimentim e sipër. Ndërsa për formën atrofike të sëmundjes DMLA, që ka të bëjë me shkatërrimin e qelizave vizuale të shtresës së thellë të retinës, ende nuk ka ndonjë trajtim.
Alfabeti Braj për të verbrit
Për të ndihmuar të verbrit që ata të integrohen sa më shumë në shoqëri dhe të vazhdojnë jetën si gjithë të tjerët, të lexojnë, të “shohin” filma, etj, prej kohësh është krijuar një alfabet i posaçëm që quhet alfabeti “Braille” (Braj). Gërmat, shifrat dhe shenjat janë në letër në pika që janë në reliev mbi letër. Pra që të lexojnë një libër në alfabetin Braj, atyre u duhet të zgjasin gishtat mbi faqet e librit dhe në bazë të pikave në reliev të kuptojnë se përse bëhet fjalë. Ky është një alfabet i përbotshëm dhe s’ka të bëjë me gjuhët e ndryshme të popujve. Përdorimi sot i ordinatorëve e ka revolucionarizuar jetën e të verbërve, pasi përmes ordinatorit dhe zërit, ata mund të “lexojnë”. Ndërsa për ata që shikojnë shumë pak, sot ekzistojnë kamera që zmadhojnë deri në 30-40 herë.
Shkaktarët
Shkaqet dhe faktorët për shfaqjen e verbërisë janë të shumta dhe të ndryshme. Madje ata ndryshojnë dhe sipas vendeve të banimit, si:
Mikroangiopatia diabetike
Zhvendosja e retinës
Glaukoma
Katarakti
Trakoma
Aksidentet me veturë ose aksidente në punë që sjellin traumatizëm apo dëmtime të kornesë, dëmtim të globit, hemorragji, etj.
Infeksionet virale të kornesë (keratit herpetik)
Keratokoni
Kanceri
Atropi e nervit optik
“Skleroza me pllaka”
Sëmundjet metabolike degjeneruese
Bllokimi i enëve të retinës
Rubeola kongjenitale
Kseroftalmia
Konjuktiviti neonatal
“Onkocerkoza” (që shkaktohet nga infeksioni i një mushkonje në Afrikë dhe në Amerikë, duke sjellë një humbje të shikimit prej 30 për qind dhe verbëri në 4-10 për qind të rasteve)
Trajtimet
Shumë raste të verbërisë mund të trajtohen si:
Përmes transplantimit të kornesë në keratitet dhe keratone
Përmes kirurgjisë së kataraktit dhe të glaukomës
Trajtimit me lazer apo ngjitje biologjike të retinës së shkëputur
Trajtimit optimal të diabetit
Parandalimit të rubeolës kongjenitale, përmes vaksinimit me antirubeolë, etj.
Albania
Home »
» Semundjet e syve, ja si duhet ti parandalojme





