Rrëfimi i Natashës: U grabita nga një vetmitar

Viktima austriake e rrëmbimit, e famshmja Natasha Kampush, në një intervistë të gjatë televizive dy net më parë ka rrëfyer disa detaje të panjohura të grabitjes së saj dhe jetës që kaloi për vite të tëra në bodrumin e shtëpisë së grabitësit, Wolfgang Priklopil, që i vodhi fëmijërinë dhe ia transformoi tërë jetën. Natasha u çlirua nga grabitja që zgjati 8 vjet e gjysmë në gusht të vitit 2006, kur i iku grabitësit të saj, i cili më pas vrau veten duke u hedhur në shinat e trenit. Që nga ajo kohë Natasha është shndërruar në një personazh interesant jo vetëm për mediat austriake, që jo rrallë është vënë në qendër të kritikave dhe dyshimeve të ndryshme. Në intervistën e fundit ajo ka përshkruar një atmosferë shumë të zymtë të viteve të saj, në mungesë lirie, vite që nisën që kur ishte 10 vjeçe. Sipas saj, grabitësi kishte fiksim që ta shndërronte vajzën në një “grua perfekte”, e që në fakt i kishte bërë shumë dëme psikikës së saj ende të paformuar. Intervista e vajzës vjen një natë pas deklaratës zyrtare të prokurorëve vjenezë, sipas të cilëve grabitësi i Natashës kishte vepruar i vetëm në grabitjen e të miturës dhe jo siç kanë pretenduar disa njerëz, që ai ishte pjesë e një zinxhiri pedofilësh. Madje, ka pasur akuza edhe ndaj vetë Natashës, sipas të cilave ajo po përpiqej që të mbronte shumë njerëz, me të cilët kishte pasur të bënte gjatë viteve të rrëmbimit. Por Natasha nuk ka folur kurrë për gjëra të tilla, pavarësisht dyshimeve dhe ndoshta sepse ndaj grabitësit të saj ka ushqyer ndjenja të ndryshme, që nuk kanë qenë tërësisht negative. E ndërsa ajo vazhdon që të endet në një lloj konfuzioni ndjesor, në intervistën e dy netëve më parë ka përçuar gjithë ndjenjat negative që ndërkohë ka ushqyer gjatë viteve në bodrum, pra ndjenjat e tmerrit, mungesës së shpresës dhe mbi të gjitha frikës. Ajo rrëfeu me një zë të dridhur, por bindës, se fëmijëria e saj mori fund dhe jeta i mori një rrugë krejtësisht tjetër një mëngjes marsi me dëborë, kur “djali i mamasë” me emrin Priklopil e futi me zor në një makinë për ta çuar drejt e në qilarin e panjohur që do të shndërrohej në strehëzën e saj për vitet në vijim. “Kur ai më grabiti, doja të ulërija, të qaja, por nuk më dilte asnjë tingull nga gryka. Qenia ime kishte ngrirë e tëra dhe vetëm shpirti më pulsonte pa reshtur. Nuk mund të reagoja. Ndihesha e mbërthyer nga tmerri dhe krejtësisht e pafuqishme”, ka deklaruar në intervistë Natasha. “Sapo më futi në makinë më mbështolli kokë e këmbë me një batanije të bardhë me riga blu. Mendoj se udhëtimi zgjati për rreth një orë dhe me të mbërritur ai nxitoi që nga makina të më fuste drejt e në qilarin e një shtëpie dykatëshe që duhej të ndodhej në periferi. Me të mbërritur më hoqi këpucët, i hodhi në një thes plehrash duke më thënë se ato nuk do të më hynin në punë për një kohë të gjatë”, vazhdoi tregimin Natasha. Ajo rrëfen se kishte frikë se mos burri e kishte grabitur dhe do ta përdhunonte, por ai nuk e bëri një gjë të tillë. Qëllimi i tij ishte të më linte vetëm në një qilar të errët dhe të ftohtë për të më ruajtur si të isha një faraon i Egjiptit të lashtë, si një mumie e vërtetë. “Frika më e madhe që përjetoja në ato çaste ishte se ç’mund të kishte ndodhur me mua nëse do të kisha vdekur. Askush nuk do ta kishte marrë vesh dhe jeta do të më shkonte kot”. Për sa i përket planit që grabitësi kishte për prenë e tij, izolimi ishte vetëm një pjesë e tij. Qëllimi i vërtetë ishte mposhtja psikologjike e vajzës përmes izolimit dhe vetmisë. Të paktën ky është mendimi i Natashës. Një nga ish-partnerët në biznes të Priklopilit, që mendohej se ishte bashkëpunëtori i tij, ka qenë njeriu i fundit që e ka parë gjallë grabitësin. Disa orë pas arratisë së Natashës, ai u nis të takonte partnerin në një kafene në periferi të Vjenës. Po atë natë Priklopil u vetëvra, duke u hedhur në shinat e trenit, por jo pa rrëfyer më parë arsyen e vërtetë që fshihej pas grabitjes së vajzës. Sipas rrëfimit të ish-partnerit, grabitësi kërkonte prej kohësh një partnere femër, por ishte shumë i turpshëm dhe i ndrojtur për të gjetur një të tillë në jetën e përditshme dhe mbi të gjitha një vajzë të përshtatshme për nga mosha dhe shijet. Mendja e tij e mbrapshtë e çoi që të realizonte një histori të ngjashme me atë të romanit të John Fowles “The Collector”, ku personazhi kryesor burgos një vajzë të vogël, që më pas do të rritej dhe do të binte në dashuri me grabitësin. Sipas rrëfimit të Natashës, me kalimin e kohës ai nisi të sillej më mirë me të dhe madje ta linte shpesh të lirë që të dilte edhe jashtë qilarit për të marrë ajër të pastër, por gjithmonë e ridërgonte brenda tij kur i vinte dikush në shtëpi. “Dhe kur njerëzit iknin, ai më rrëfente të gjitha detajet e takimeve, më rrëfente për njerëzit, për shijet e tyre dhe mendimet e tij për ta”. Sipas saj, sjellja e tij ishte shpesh e pastabilizuar dhe pas momenteve njerëzore vinin momentet e tjetërsimit, kur ai e dërgonte në qilar si të ishte ndonjë e panjohur. Një nga personat që i vinte më shpesh në shtëpi ishte e ëma e tij vejane. Gruaja plakë që kujdesej për rrobat dhe gatuante për të birin nuk mund ta mendonte që djali i saj i vetëm ishte marrë peng nga një person dhe e mbante të mbyllur në një qilar që ndodhej vetëm pak metra dhomës ku ajo, pasi bënte punët, pinte një kafe para se të largohej. Natasha e ka mohuar gjithmonë faktin se ka pasur shumë raste për të ikur dhe se ka dashur vetë pa ka vazhduar të rrinte me njeriun që e grabiti. “Të vetmin rast që mu dha për të ikur e shfrytëzova dhe renda sa më shpejt që munda për të shpëtuar nga një situatë në të cilën isha futur dhe mbahesha pa dëshirën time”, rrëfen Natasha. “Që nga koha kur dola në liri kam parë lloj-lloj titujsh nëpër gazeta. Disa më bëjnë një princeshë, të tjerë më bëjnë shtrigë, por askush nuk ka të drejtë të më gjykojë për diçka që e kam përjetuar unë dhe për të cilën vetëm unë kam të drejtë të them se si ka qenë dhe se si jam ndier.

Unë e kam falur kriminelin që më mori vitet më të bukura të fëmijërisë dhe ndryshoi jetën dhe marrëdhëniet e mia me njerëzit e mi të afërt. Nëse nuk do ta kisha falur, zemra ime do të ishte mbushur me dhunë urrejtjeje e keqdashësi dhe unë mund të kisha përfunduar keq psikologjikisht”, thotë Natasha. “Në fund ajo që mbetet nga një aventurë e tillë e dhimbshme dhe e gjatë është ndjenja e keqardhjes. “Mendoj se ishte një njeri që vuante, që kishte kaluar një fëmijëri të vuajtur dhe që kishte probleme mendore. Kjo më bënte që në njëfarë mënyre të më ngjallej herë pas here një ndjenjë keqardhjeje, që shpesh është keqinterpretuar, por që jam e sigurt se do ta kishte ndier çdo njeri po të kishte qenë në vendin tim”.

Related Posts: