Pjese nga libri i ALBERT LONDRES “Komitaxhinjtë” ose “TERRORIZMI NË BALLKAN”, përkthyer nga origjinali nga Nasi LERA



Nga lëkura e luanit te lëkura e ujkut



Turqit, më 1913, e hum
bën Maqedoninë, duke
thithur nargjilenë në një
shpat të padukshëm. Ja një lajm
që ndoshta do ta gjykoni se interesi
i tij është ftohur. Por, nuk keni
të drejtë të mendoni kështu. Ai
është çelësi i tregimit.
Aventura ndodhi në këtë
mënyrë: Bullgaria, Serbia, Greqia
dhe i ndjeri Mali i Zi i shpallën
më 1912 luftë perandorisë otomane.
Bullgaria nuk u tregua e
kënaqur nga pjesa e Maqedonisë,
aq sa aleatët e saj pranuan ta braktisin.
Ajo u kthye kundër tyre dhe
humbi lojën.
Maqedonia u nda në tre pjesë:
në pjesën greke, serbe dhe bullgare,
kjo e fundit shumë e vogël si
rrjedhojë e interesave.
Më 1914, Bullgaria, në dritën e
luftës së re, pa mundësinë e aneksimit
të pjesës tjetër të Maqedonisë.
Katërmbëdhjetë muaj përsiatje,
pastaj u bashkua me klanin
që ia premtonte këtë dëshirë. 1918.
Ky klan u shemb. Bullgaria rrokulliset
nën gërmadha.
Ajo e humbi edhe një herë
Maqedoninë.
Kryengritësit tanë, komitaxhinjtë,
duke mos mundur të shihnin,
në kohën kur lindën, fitoren e tyre
në rrëmbimin e armëve të ballkanikëve,
në zhdukjen e turkut, luftonin
për pavarësinë e Maqedonisë.
Përveç kësaj, siç e patë edhe ju,
hajdukët ishin nga shtresa bullgare.
Duke qenë se pjesa kryesore e
Maqedonisë kishte mbetur në duart
e serbëve, IMRO-ja i shihte tani
serbët me të njëjtin sy që kishte parë
dikur turqit, si tiranë të Maqedonisë.
Më duhet t’iu flas tani për këtë
cep të botës. Paraprakisht më lejoni
të zë veshët, pastaj të shprehem
vetëm me zë të ulët. Në të
vërtetë, nuk shoh se ç’njeri që ka
ruajtur aftësitë e tij të gjykimit dhe
që, duke trajtuar këtë temë, do të
mund të qëndronte një çast para
një asambleje kompetente. Serbët
do të bërtisnin: “Gënjyet me ato
që thatë!”, ndërsa bullgarët do të
duartrokisnin me tërbim. Ju do të
shtjellonit mendimin tuaj: “Mashtrues!
do vërsuleshin bullgarët, të
varet!”, ndërsa serbët do të duartrokisnin
me tërbim. Dhe kjo do
të përfundonte si përfundojnë
gjithmonë këto çështje: me një përleshje
të përbindshme, me gjak, me
të vdekur.
Prandaj mbani vesh mirë.
***
Maqedonia ka pothuaj dy milion
frymë. Më 1912, banorët ndaheshin,
sipas origjinës, në bullgarë,
turq, grekë, shqiptarë, kuco-vllahë,
ciganë, çifutë dhe, pa dyshim, serbë.
Sot (miq të mi, mos më varni!)
popullsia serbe nuk mund të vihet
në dyshim, duke qenë se serbët
zbritën nga veriu për të kolonizuar
atë që ata nuk e quajnë më Maqedoni,
por Serbia e jugut...
Bullgarët e nxjerrin argumentin
e tyre nga gjuha. Ata thonë: në
Maqedoni, flitet bullgarisht. Mirëpo
(bullgarë mos më çani barkun!),
flitet maqedonisht, që nuk është
bullgarishtja e pastër, por një përzierje
e greqishtes, turqishtes, bullgarishtes,
serbishtes dhe shqipes.
Për më tepër, gjuha bullgare duke
qenë një motër shumë e afërt e gjuhës
serbe, bullgarët në radhë të
parë dhe serbët në radhë të dytë,
mund të pretendojnë me siguri për
ta kuptuar si një vëlla Maqedoninë
që është ngjitur me to.
Francezë, që nga viti 1915 deri
në vitin 1918, ushtarë të ushtrisë
së Orientit, që në fillim iu dhuruat
mushkonjave, në këto lugina të
hidhura, një lëkurë që fillimisht iu
ishte rezervuar bullgarëve, e mbani
mend; çfarë vutë re duke mbërritur
në qytetet dhe fshatrat? Tre
ndërtesa të ngritura shpesh njëra
pranë tjetrës: shkolla greke, shkolla
bullgare, shkolla serbe. Propaganda
mundohej të bënte për vete
fëmijët. Të gjithë kemi njohur
familje ku njëri vëlla shpallej serb,
tjetri bullgar dhe, kur ishin tre, i treti
ishte për Greqinë. Këto shakara të
mrekullueshme nuk ishin të përgjithshme,
e pranojmë, tregojnë ende figurën
dramatike të Maqedonisë.
Ndoshta juve do t’iu dukej se,
duke qenë ky vend i ndarë në tre,
do të duhej të ndërhynte një
zgjidhje, që grekët të shkonin te
grekët, serbët te serbët, bullgarët
te bullgarët. Ky eksod fantastik
nuk i përket një ëndrre. Kjo ndodhi
për grekët dhe për bullgarët.
Popujt e Perëndimit, bashkëkohës
egoistë, nuk ia hodhën sytë këtij
migrimi të vajtueshëm: nga njëra
anë tetëqind mijë grekë nga Azia e
Vogël, nga ana tjetër njëqind e
dyzet mijë bullgarë të Trakës, njëra
palë pas fitores të Mustafa Qemalit
që shkonte për t’u strehuar në
Maqedoninë greke, pala tjetër për
t’u lënë atyre vendin, duke u drejtuar
drejt Maqedonisë bullgare:
burra, gra, fëmijë, kur lufta nuk
ishte më në botë, që lënë shtëpinë,
ku janë lindur të gjithë, fushat,
nga babai te djali të mbrujtura nga
këmbët e tyre, ata largohen duke
kthyer kokën pas, duke shtyrë kafshët
e tyre po aq të trishtuara sa
edhe vetë ata.
Nuk ka lëvizje në masë nga ana
serbe drejt anës bullgare. “Ta merr
mendja! - përgjigjet Sofja, - çdo
popullsi - një milion qenie - do të
duhej të vihej në lëvizje”. Ata që
donin të niseshin, u nisën, - ia
kthen Beogradi. Populli ka qëndruar
sepse ndjehet në shtëpinë e vet”.
Këtu qëndron dhe fakti. Marrëveshja
e Nëjisë u dha të drejtën
serbëve. Të gjithë vendet, vetë Bullgaria,
njohën gjendjen e re të
gjërave në Ballkan. Organizata e
Brendshme Revolucionare e Maqedonisë
nuk e pranon atë. Ajo ngrihet
kundër vendimeve ndërkombëtare.
Na duhet të sqarojmë ende
çështjen tonë.
Në qoftë se IMRO-ja është
veçse një bashkim të pakënaqurish
që u është treguar vendi nga
qeveria e vendit të saj, këtu nuk
do të kemi asgjë të re, lojë e zakonshme
e një politike të
brendshme. Por pikërisht IMROja,
është një qeveri e dytë në Bullgari.
Ka të tjerë që thonë se është
e para. Sido që të jetë, tjetra, zyrtarja,
ajo e emëruar nga mbreti,
pretendon se nuk ka asnjë mjet për
t’u çliruar nga binjakja e saj.
Qeveria-rendigotë njeh gjendjen e
paqes midis Bullgarisë dhe
Jugosllavisë; qeveria-revolver i ka
shpallur luftë po kësaj Jugosllavie
dhe e bën atë.
E tillë është shfaqja, para së
cilës duhej t’ju vendosja në fillim.
Le të arrijmë tani në shkaqet e
rebelimit.
Serbët në Maqedoni ndaluan
shkollat në gjuhën bullgare, lutjet
në gjuhën bullgare (vështroni
nga afër, lutjet ishin vetëm në
sllavishten e vjetër). Ata dënojnë
fëmijët që shprehen në gjuhën
bullgare. Maqedonasit duhet t’u
shtojnë mbiemrit të tyre mbaresën
iç, për t’i dhënë formën serbe.
Kështu, Kryeministri i Bullgarisë,
lindur në Maqedoni, quhet Ljapçev,
por vëllai i tij që qëndroi në fshatin
e lindjes është i shtrënguar të
quhet Ljapçeviç. Një njeri që
shëtit, duke kënduar lehtë e me zë
të ulët një këngë të fëmijërisë së
tij, këngë bullgare, ndëshkohet si
një kriminel. Nëpër shkolla, çdo
fëmijë duhet të përsërisë: “Unë jam
serb”; i kthyer në shtëpi, i ati i
thotë: “Jo, ti je bullgar.” Pra, rinia
është e torturuar moralisht. Të
porsalindurit duhet të regjistrohen
nën një emër të kalendarit serb.
Popi i Berovos u dënua me gjashtë
vjet burg sepse pagëzoi me emrin
Krum, emri i një sovrani bullgar,
një të ri të rajonit të tij. Beogradi
zbaton një politikë çshtetëzimi.
Eh, mirë! thonë komitaxhinjtë,
këtë, mund ta lejojnë traktatet,
Organizata e kombeve mund ta
tolerojë, bota mund të tallet me të
dhe qeveria bullgare ta pësojë,
kurse ne, revolucionarët e ‘93 – e
1893 – pasardhës të Gruevit, të
Toçevit, të Aleksandrovit, të Protogerovit,
ne, nuk e pranojmë. Liri
a vdekje. Për sa kohë që njëri nga
njerëzit tanë nuk do të mund të
këndojë në anën tjetër këngën e
stërgjyshërve të tij, jeta jonë nuk
na përket neve. Ne do t’i ndëshkojmë
tiranët me armët tona. Ne
nuk do të lejojmë që vëllezërit tanë
të braktisen në fatkeqësi.

Maqedonas është ai, serb nuk
do të bëhet kurrë!
Qëllimi i IMRO-s është i qartë:
të mos i lejojë serbët të fitojnë
Maqedoninë në kohë.
Edhe disa shpjegime.
Deri në këto vite të fundit,
metodat e përdorura nga Organizata
ishin të njohura. Zonja e kuqe
vepronte nëpërmjet ndërmjetësisë
së grupeve të quajtura çeta.
Komitaxhinjtë, ushtarë të
çetave, megjithëse të kërleshët, nuk
ishin banditë. Të përfshirë nga ideali,
këta njerëz të rinj kishin
përqafuar me entuziazëm çështjen e
Maqedonisë. Afshi i tyre i parë ishte
për të. Duke pasur vetëm jetën e
tyre për t’ia falur, ata ia jepnin asaj.
Duke flakur tej arsyet e shtetit,
duke u dhënë një shtytje të fortë
të urtëve, duke shkelur diplomacinë,
janë ata që, në kulmin e
paqes, kapërcejnë kufirin jugosllav,
duke çuar tek armiku hekurin dhe
zjarrin, duke djegur fshatrat që i
quajnë renegate, duke mbrojtur të
tjerat, duke hedhur në erë urat
dhe, gjithmonë në emër të mistikës
së tyre patriotike, therin me
egërsi kolonët serbë të zbritur në
tokën e Maqedonisë.
Këto çeta kishin një udhëheqës,
një udhëheqës të vërtetë:
Todor Aleksandrovin.
Figurë e bukur e haidukut!
Portreti i tij, i varur në çdo shtëpi
maqedonase, e paraqit me një tiarë,
korrigjim i kësulës së kuqe. Ai qe
mbreti i fundit i maleve. Pas tij,
asnjë prijës i çetave nuk guxoi të
ngrinte çadrën e vet në territorin
e Aleksandërit të Jugosllavisë. Ashtu
si kapedanët e fushatave të
mëdha të lashta, ai i priu komitaxhinjtë
e tij në betejat e 1912 dhe
të 1915. I përfshirë mes fajtorëve
të luftës, pushtuesit bënë të burgosej
nga qeveria bullgare më
1919. Ai u arratis nga burgu, shkoi
në limeret e tij dhe u shfaq
shumë shpejt për të bërë me vete
dhe shumë të tjerë; mund të shtojmë
se ai nuk i trembej askujt,
përveç oficerëve të tij, që e dinte
se do t’i urdhëronte ta vrisnin - të
cilët, veç të tjerash, pavarësisht se
ishin ithtarë të tij, e vranë një ditë,
historike, pa dyshim, për t’i mbetur
besnik mësimeve të tij...
Nga viti 1907 deri më 1924,
Todor Aleksandrovi e mbajti IMROn
nën mburojën e vet.
Sot, udhëtari do të kërkonte
më kot në Pirin, masiv malor i
Maqedonisë, çetat e komitaxhinjve.
Nuk ka më kryengritës për t’i
dhënë çaj. Nuk ka më jehonë për
t’i përcjellë atij:
Nën hijet e tua të dendura,
Mali Pirin, o mal,
Heronjtë strehë gjejnë.
Heronjtë janë kthyer në fshatin
e tyre. Pushka varet në një
gozhdë, pas murit të tyre. Në një
cep ndodhet një xhufkë tashmë e
mbuluar nga pluhuri.
Organizata e Brendshme Revolucionare
Maqedonase ka ndërruar
lëkurë. Ajo është tani një guvë
terroristësh. Nga lëkura e luanit
te lëkura e ujkut.
IVAN MIHAILOVI I QUAJTUR
“VANÇE” I QUAJTUR “I VOGLI”
Prijësi i klanit të ujqërve është
Ivan Mihailovi, i quajtur “I vogli”,
i quajturi “Vançe”, emër i
bukur për një djalosh të urtë dhe
flokëverdhë.
Ai është tridhjetë e shtatë vjeç,
gjë që provon se fati është
dashamirë me të. Me pak më
shumë fat, do të ishte vrarë prej
kohësh. Ai do të vritet. Është krejt
e pamundur që të mos vritet.
Lindur në Shtip, sot në Serbinë
e jugut, ku, veç të tjerash, serbët i
vranë të atin dhe pastaj të vëllanë.
Në kohën e rinisë së tij të artë,
e shohim të shëtisë në rrugët e
Sofjes, në shoqërinë e shokëve të
tij studentë, me një kësulë të kuqe.
Më pas punon në një bankë, pa
dyshim, pa ndonjë afsh të veçantë,
deri sa ajo nuk falimenton!
Maqedonas, ai anëtarësohet në
IMRO.
Padroni i tij i madh ishte Todor
Aleksandrovi.
Vançeja, në fillim, shkarraviste
në letër. Zyra e tij u bë një pikë e
shkëlqyer vrojtimi: grushti i shtetit
i vitit 1923 shpërthen.
Nga viti 1919 deri në vitin 1923,
kur mbretëronte Stamboliski,
IMRO nga njëra anë, oficerët nga
ana tjetër, nuk panë një ditë të
bardhë në Bullgari. Diktatori fshatar
kishte për themel të politikës
së tij respektimin e traktatit të
Nëjisë dhe bashkimin e vendit të
tij me Jugosllavinë. Duke qenë se
ushtria pothuaj ishte shkrirë, tremijë
oficerë ndodheshin mbi silikatin
e verdhemë të Sofjes. Stamboliski,
duke i zgjatur dorën Beogradit,
i kishte kthyer shpinën revolucionarëve
maqedonas. Nga ana tjetër,
partitë politike të së shkuarës po
vdisnin nga etja, nga etja më mizore,
nga etja e pushtetit.
Tre grupet e të pakënaqurve u
lidhën me njëri-tjetrin.
Dhe secili ndau punën e vet.
Le të shohim tani vrasjen e
Stamboliskit.
Stamboliski është në shtëpinë
e tij të fshatit, në Sllavovicë. Më 9
qershor, në mëngjes, ushtarët e
prirë nga njëri prej tremijë oficerëve
erdhi për ta arrestuar. Garda e
Stamboliskit qëllon. Ushtarët largohen
prej andej. Diktatori urdhëron
t’u bihet kambanave të fshatit,
qëllon me batare. Fshatarët
e rrethinave, me të dëgjuar këto
sinjale, brofin më këmbë, me armë
në dorë. Ata bëhen menjëherë
njëmijë veta dhe përqendrohen në
Pazarzic. Kundër tyre janë drejtuar
detashmentet ushtarake. Fshatarët
ua dalin mbanë. Stamboliski
e kalon natën në shtëpinë e tij.
Të nesërmen, rebelimi dërgon
përforcime. Fshatarët munden.
Stamboliski mbetet vetëm. Arrestohet
dhe çohet në Pazarzic, te
komandanti i trupave, që përgatitet
ta nisë për në Sofje. Natën, paraqitet
një kapiten, mbartës i një
urdhri të fshehtë dhe i shoqëruar
nga katër anëtarë të IMRO-s. Stamboliski
çohet në fshatin e tij.
Oficerët mundën demin, komitaxhinjtë
e shtinë në dorë. Stamboliski,
me urdhër të tyre, gërmon
varrin e tij. Katër specialistët i presin
hundën, veshët; në fund, ai që
zbukurohet me titullin e vojvodës
të malit të zi të Shkupit e ther. Disa
bullgarë pretendojnë se njerëzit
tanë i prenë më pas diktatorit
kokën dhe e çuan në Sofje për t’ia
treguar mbretit, por këto janë gjëra
që nuk bëhen më që nga koha e
Herodit... apo jo?
Vançja ka zënë vend mirë për
të mësuar.
Që nga viti 1903 - kryengritja e
Shën-Ilias - asnjë nga kolegët e tij
nuk pati para vetes një fushë qitjeje
të tillë. Udhëheqësi kokëprerë, festa
vazhdon në mbarë vendin. Atë e
quajnë Terrori i Bardhë: ekspedita
ndëshkimore nëpër fshatra,
masakra të organizuara. Zhdukje
të kundërshtarëve politikë. U zhdukën
aq shumë, sa qeveria Ljapçev
është e detyruar të votojë një ligj
të veçantë për t’iu lejuar
trashëgimtarëve marrjen e
trashëgimit të të zhdukurve!
Kjo do të përbënte subjektin e
një tregimi, por unë nuk mund ta
bëj para se të mësoj të shkruaj me
majën e një kame të ngjyer në gjak.
Ndikimi i IMRO-s, duke nisur
nga kjo çështje, rritet. Todor Aleksandrovi
vendoset si zot në Maqedoninë
bullgare. Vançja bëhet diçka
si nënsekretar shteti i sovranit
të fshehtë.
***
Në këtë kohë, Sovjetët ngrenë
veshët nga ana e Ballkanit. IMRO
u duket atyre një forcë, të cilën duan
ta blejnë. Ata zgjedhin si ndërmjetës
një personazh maqedonas që, atë
çast, banonte në Vjenë në një banesë
të vërtetë diplomatike.
Ai ishte një dhelpër me qime
të rrallë.
Më 1904, ky personazh kishte
themeluar në Selanik klubin
Vëllezërit e Kuq. Anëtarët e këtij
klubi kishin një punë të kufizuar:
të vrisnin mbretin e Bullgarisë, ose
mbretin e Serbisë. Për të vrarë
mbretërit, duhen pak para. Klubi i
mblidhte paratë e tij nga mbretëritë
që donte t’i bënte keq. Kishte klubi
nevojë për fonde për të përgatitur
një goditje serioze? Ai niste dy
të dërguar tërë fantazi. Të dërguarit,
të kallëzuar nga klubi, arrestoheshin.
Dhe qeveritë e interesuara
tregoheshin mirënjohëse për informimin...
Me një fjalë, ish-kryetari i klubit
të Vëllezërve të Kuq kthehet
nga Moska dhe informon Todor
Aleksandrovin se Sovjetët janë gati
të mbështesin çështjen maqedonase.
Mbreti i maleve udhëton nga
Vjena. T’u japë dorën bolshevikëve?
Kjo gjë vërtetohet. Nga ana
tjetër, këtë ua tregoj për t’iu çuar
te kufoma e tij.
Ja ku është. Aleksandrovi sapo
është kthyer nga Austria, kur trupi
i tij gjendet, një mëngjes, në një
dhiare të Pirinit.
Sovjetët e humbën lojën.
Të jetë Protogerovi, maqedonasi,
gjenerali i ushtrisë së rregullt
bullgare, ai që e nisi Aleksandrovin
në fund të qiejve? Kjo lihet të thuhet.
Sidoqoftë, Protegerovi merr në
dorë IMRO-n. Ai drejton për katër
vjet të paracaktuarit e fatit. Papritmas,
një mëngjes, pesëmbëdhjetë
plumba revolveri e ndalin në rrugët
e Sofjes.
Kush e vrau? Është Vançja.
“Mos kërkoni. Jam unë”, shkruan
të nesërmen në gazetën e tij.
Ai ngre nga toka kurorën
maqedonase, nuk humb kohë për
ta provuar dhe e vë në kokë!
***
IMRO ndërron menjëherë fytyrë.
Ivan Mihailovi shkëputet me
të kaluarën. Ai është një njeri
bashkëkohor që nuk do të jetojë
në male. Përveç kësaj, fqinji serb
duke ngritur në kufirin e tij një
mur të dendur me tela me gjemba,
Vançeja, që është një spitullaq,
nuk do të grisë pantallonat. Ai i
zëvendëson çetat e armatosura me
trojka. Tashmë komitaxhinjtë shkojnë
në pyll vetëm për tre. Ata nuk
takohen nëpër dhiare, por nëpër
hekurudha. Ata kalojnë doganën si
njerëz të rëndomtë.
Me të bërë këtë, ai i dha një
drejtim të ri politikës së jashtme
të principatës së tij. Një fuqi, në
ditët tona, nuk mund të jetojë e
izoluar, kjo është provuar, dhe
Vançja nuk shkon asnjëherë
kundër provave. Ai hyri në marrëdhënie
me Italinë.
Më pas, ai i drejtoi përkujdesjet
e tij drejt çështjeve të
brendshme. Në fillim, u martua.
Ai u martua me zonjushën
Karniçeva.
E kam të pamundur të shkoj më
tej pa ju paraqitur zonjushën
Karniçeva. Maqedonase, ajo i kreu
studimet e veta në Munih, ku lidhi
miqësi me një shoqe të universitetit,
me kunatën e Panicës,
maqedonas. Panica, si mund ta
mendoni dhe vetë, është revolucionar,
udhëheqës i vjetër i bandës,
por atë e akuzojnë se bën flirt me
bolshevikët. Ai banon në Vjenë.
Zonjusha Karniçeva kthehet në
Bullgari. Pastaj niset për në Vjenë,
ku mikja e saj e universitetit ka
shkuar para saj. Mikesha e saj banon
te Panica. Panicat e mirëpresin
zonjushën Karniçeva. Kjo vazhdon
muaj e muaj. Zonjusha
Karniçeva iu detyrohet tërë
mirësjellje mikpritësve të saj aq të
dashur. Ajo kthehet një mbrëmje
dhe thotë: “Kam zënë një lozhë në
Burgtheater. Luhet Peer Gunt. Do
shkojmë të gjithë aty”.
Panica, që di të jetojë, vesh
smokingun.
Dhe ja ku janë të katërt në lozhë,
duke komunikuar me radhë me
Grigun dhe Ibsenin. Vjen tabloja
e shtrëngatës që, ashtu siç e dini,
është afër fundit të shfaqjes. Në
atë çast, bubullima buçet, qielli
bëhet skëterrë; dëgjohen edhe të
shtëna. Këtu donte dhe zonjusha
Karniçeva. Ajo hap çantën, nxjerr
shaminë, e shpalos, nxjerr një revolver
dhe, mes zallahisë skenike,
hedh në erë trurin e Panicës, mikpritësit
të saj të shtrenjtë.
Heroina, nga shtëpia e Panicës
kalon në burgun e Vjenës. Austria
e mban disa kohë, pastaj e dëbon
për shkak të tuberkulozit. Vançja
gjeti një grua.
Le të kthehemi te veprimtaria
politike.
Ai ruan përparësitë territoriale
të fituara nga Aleksandrovi,
domethënë kontrollin e Organizatës
revolucionare në Maqedoninë
bullgare. Nën mjekrën e qetë të
qeverisë së rregullt, ai dikton ligjet
e tij në rajon, duke gjykuar,
duke komanduar, duke ekzekutuar,
duke dubluar funksionarët e
shtetit me funksionarë të vet, duke
rekrutuar rininë, duke toleruar apo
duke ndaluar punët e fushës, duke
kontrolluar të ardhurat e secilit,
më pas duke ngritur taksat sipas
një përqindjeje të baraspeshuar me
të drejtë.
Ai bën më shumë: përuron erën
e vëllezërve armiq.
Miqtë e Protogerovit që nuk
pranojnë të ecin nën këtë ligj, ai
vendos t’i shfarosë.
Luftës së jashtme, ai i shton
luftën civile.
Sipas legjendës, Vançeja jetonte
në Maqedoni, herë në një fole,
herë në një tjetër, si një skifter i
ndjekur. Sikur Epinali të ishte në
Bullgari, do të kishte imazhet e tij,
ku secili do të mund ta shihte të
flinte në një këmbë, me kapakët e
syve gjysmë të mbyllur, në majë të
një mali. Në të vërtetë, Vançja
ndërron shpesh banesë. Një ditë
ai ishte në Sofje, veshur si prift,
revolverët nën rasën e tij. Shtëpia
e tij e preferuar është dymbëdhjetë
kilometra nga kryeqyteti, në Bansko,
një vilë e bardhë drejt së cilës
bullgarët, duke kaluar, picërrojnë
tërë dashaligësi syrin. Megjithatë,
atij i pëlqen të ndryshojë shtrat.
Po të vështrosh nga pranë,
Vançja nuk është djalli. Në fund
të fundit, ai ka vetëm një të metë:
ai vret ata që nuk kanë të njëjtin
mendim me të. Ai nuk është as i
çmendur, as mistik, as i rrëmbyer;
ai është një logjisien. Duke mos i
duruar dot pengesat, i zhduk ato.
Jepini atij atë që dëshiron, ai do t’i
shkarkojë menjëherë revolverët dhe
bombat e tij.

Është ai që shkroi në gazetën e
tij Liri a Vdekje. Tani për tani, është
krejtësisht e pamundur ta arrestosh.
Ç’do të ndodhte sikur të mos
vriste më? Bullgaria do të mbulohej
nga njerëz që nuk do të mendonin
si Vançeja! Kjo do të qe e
llahtarshme!
Po qeveria e mirë e Sofjes,
ç’thotë për këtë kuturisje?
Ajo thotë:
- Te ne, fjala haiduk do të thotë
njëkohësisht hero dhe bandit.
Gjithë poezia jonë u thur lavdi
hajdukëve. Ne u ngremë atyre përmendore,
u thurim kurora. Kjo
është në gjakun e popullit.
- Atëherë?
- Atëherë, ashtu si u thurnim
lavde në kohën e turqve, nuk mundim,
të njëjtat shkaqe ekzistojnë
nën serbët, ta detyrojmë popullin
tonë të besojë se heroi i djeshëm
është sot veçse një bandit.
Kjo u pa mirë vitin e fundit, pas
vrasjes së Pudevit, i njëqindepesëdhjeti
apo i njëqindegjashtëdhjeti
i diktaturës së Mihailovit.
Qeveria donte t’i jepte një siguri
opinionit të huaj. Procesi i “Të
voglit” u vendos. Meqenëse nuk e
dini më, Mihailovi jeton më këmbë,
në malin më të lartë të Maqedonisë.
Atë nuk mund të shkonin
ta kërkonin atje ku shkojnë vetëm
zogjtë që e kanë çmimin shumë të
lartë. Vendi i tij e paralajmëroi
nëpërmjet një shënimi që u botua
në Gazetën Zyrtare. Dyqind e katër
avokatë grinden për të pasur
nderin për të mbrojtur të akuzuarin.
Procesi u zhvillua. Mbarë
ushtria me revolverë, të gjithë
mbajtësit e kasketave, mijëra haidukët
e vegjël të Sofjes rrethojnë
pallatin e drejtësisë. Gjykatësit
kanë ftohtë nën herminën e tyre,
trupi gjykues fërgëllon nën pantallonat
e tyre. Vançja fluturoi nga
maja e Pirinit në majën e Vitoshës,
dhe atje pret, në lartësinë që sundon
Sofjen. Papritmas, në qiell,
shfaqet harku paralajmërues. Po
kthehej moti i mbarë. Vançja kishte
dalë i pafajshëm! Qyteti, më në
fund, u mbush me frymë.
ATJE KU NUK
MBRETËRON BESIMI
Isha gati, Njeriu mund të
vinte.
Po prisja një të panjohur.
Një ditë më parë, isha mysafir i
një personazhi që mund të flejë në
paqe. Sikur të më vini litarin në
grykë, nuk e tregoj emrin e tij. Sa
keq, ju do të kishit qeshur me atë
situatë, ndërsa unë, jam i vetmi që
kam mbetur pa mend. Janë përfitimet
e zanatit. Vendi që zë në
shoqëri e ndalon të shkojë e të
takojë të jashtëligjshmit. Megjithatë,
ai ishte në marrëdhëniet më të
mira me zotërinjtë terroristë, duke
i pritur natën e errët, duke darkuar
me këtë rast në shoqërinë e tyre.
- Ju dukem simpatik?
Ai nuk kishte pasur guxim të
përgjigjej jo.
- Eh, mirë, mos më mërzisni.
Më futni në strofull. Kudo që trokas,
më ulin menjëherë dhe
gojëtarët e planit të parë fillojnë
kështu: “Maqedonia, zotëri, më
1893...”. Më kishte ardhur shpirti
në majë të hundës me Maqedoninë
e vitit 1893, me atë të vitit 1903
dhe me atë të vitit 1920. Sigurisht,
unë nuk jam mospërfillës ndaj
Maqedonisë, për të kam nderimin
më të thellë, por unë nuk jam as
historian dhe as falltar. E kaluara
dhe e ardhmja nuk janë kompetenca
ime. Si materialist, unë ushqehem,
zotëri, vetëm me kohën e
tashme. Mbajini për vete broshurat
tuaja propagandistike. Do të më
duhet të zë me qira një vagon për
të çuar në Francë të gjitha ato që
marr. Kur futem brenda në dhomën
time, nuk di ku të fut kokën, ku
të ulem, ku të shkel; mbi shtrat,
mbi karrige, mbi dysheme, ka
vetëm broshura. E di se ç’mendoj
të bëj me to? Është fare e thjeshtë.
Me fletët e atyre librave të
bukur, do të bëj kaushë, do t’i
mbush me djathë dhe do t’ua nis
gjithë dhuruesve, sepse nuk jam
mosmirënjohës dhe se një dhurate
duhet t’i përgjigjesh me një dhuratë.
Më ndihmoni. Më tregoni
hyrjen e labirintit.
- Pra, doni që të më hedhin
trutë në erë?
- Truri juaj, zotëri, është për
mua po aq i shtrenjtë sa edhe truri
im.
Ky deklarim i vetvetishëm theu
pengesat e fundit të qëndresës.
- Në ç’hotel keni zënë vend?
- Union Palace.
- Më duket se ai ka një shkallë
shërbimi?
- Që nuk ndriçohet asnjëherë,
që është gjithmonë e errët.
- Qëndroni aty, nesër, në orën
njëmbëdhjetë e tridhjetë e pesë,
një njeri do të trokasë në derën
tuaj.
***
Po prisja. Dikush trokiti në
derë. Ishte kamerieri. Ai tha:
- Ai që duhej të vinte sot, në
dymbëdhjetë pa njëzet e pesë, do
të vijë nesër në dymbëdhjetë pa
njëzet e pesë.
Edhe një ditë duke numëruar
korbat!
Të nesërmen, në orën e caktuar,
i panjohuri ishte në dhomën
time. Ai kontrolloi cepat, nuk dha
emrin dhe kur e luta të ulej, nuk
bëri asgjë.
- Ju jeni i dërguari i zotit...
(emri i personazhit që duhej të
mbetej i panjohur).
- Nuk e njoh këtë person.
- Sidoqoftë, ju jeni ai...
- Unë erdha për t’iu lajmëruar
se njeriu që prisni sot, do të vijë
vetëm nesër, më dymbëdhjetë pa
njëzet e pesë.
Më përshëndeti dhe u largua.
U mbështeta te dritarja. Mbi
kupolat e xhamisë së vjetër, kthyer
në muze etnografik, kishte
tetëmbëdhjetë korba...
Njëzetekatër orë më pas, në
minutën e caktuar, më në fund u
shpërbleva. Njeriu që kapërceu pragun
e derës sime kishte një fytyrë
të rrumbullakët dhe të ngjyruar, sa
mund të thoshe të prerë në një portokall.
Një portokall me syze! I shkurtër,
por i shkathët, me siguri,
gjashtëdhjetë vjeç. Ai la bastunin,
vari pardesynë, u ul dhe më vështroi
me një mirësi të pafundme.
- Duhet t’ju them, - filloi të
flasë, - se jam rentier.
- Përgëzimet e mia.
- Pra, nuk ngutem. Jam pronar
i dy shtëpive në vend shumë të
mirë, kam më tepër se pesëdhjetë
qiraxhinj, të gjithë të sjellshëm.
- S’ka ku të vejë më mirë!
- Ajri i Sofjes është i pastër.
Keni për ta ndjerë edhe vetë së
shpejti. Këtu është një stacion i
vërtetë klimaterik.
- Maqedonas jeni?
- Jam i ve dhe, që nga vdekja e
gruas sime, nuk jam mirë nga nervat.
Çdo mëngjes zgjohem në orën
tre dhe nuk fle dot më.
- Ju e dini, apo jo, se ç’shpresoj
nga ju?
- Ne kemi gjithmonë nevojë për
gjëra të vogla kur jemi në udhëtim:
kravata, këmishë, farmaci. Mos më
kurseni për t’ju shërbyer.
- Ju vini nga ana e zotit X...?
- Pikërisht.
- Atëherë...
- Jeni i lirë këtë pasdite, në orën
katër...? Shumë mirë. Do t’ju pres
në një automobil, në dalje të hotelit.
Ora katër. Vetura është këtu.
Nga brenda, portokalli me syze
vëzhgon prapa katrorit. Ulem.
Nisemi.
- Do shkojmë pak jashtë qytetit.
- Kini besim te maturia ime.
Me t’u kaluar parku Boris, makina
filloi të lëkundet. Rruga ishte
si një llamarinë e valëzuar.
- E shkreta Bullgari, - ia bëri
vejani, - nuk ka asnjë qindarkë për
urat dhe xhadetë!
Në këtë e sipër nxori nga xhepi
një kuti me çokollata.
- Mos po shkojmë te ndonjë
zonjë?
- Aspak, janë për ju, merrni!
I thashë se isha shumë i interesuar
për jetën e rrezikshme të revolucionarëve
maqedonas. Ai më tha
se po më çonte te Çuçuliga, që do
të thotë laureshë, sepse lauresha,
kur këndon, ia bën çu-çu-liga. E
pyeta në ishte ndonjë anëtar aktiv i
Organizatës. Ai më pyeti në më
pëlqente teatri dhe koncertet e mira.
Unë fola për komitaxhinjtë. Ai foli
për dëborën në malin Vitosha.
Arritëm. Çuçuliga ishte një
shtëpi mes drurëve, pesë kilometra
nga Sofja. E zgjedhur shumë
mirë. Sa afër aq edhe larg çdo gjëje.
Një individ i veshur si kamerier
zinte i vetëm dhomën ku hymë.
Pronari-rentier iu drejtua dhe filloi
të bisedojë bullgarisht. “Çdo gjë
shkon mirë, më tha, duke u kthyer
nga unë, uluni. Do pimë çaj dhe
ëmbëlsira të vogla”.
Prita. Pastaj u ngrita për të
kontrolluar vendet. Ishim në një
lokal të vogël buzë ujit.
- Zotëri, përse më sollët këtu?
- Po, ja, për të kaluar një çast
të mirë!
- Dëgjoni, ju nuk ratë nga qielli
në dhomën time. Juve ju kanë dërguar
tek unë për të më futur në mjediset
revolucionare. Mirëpo, ç’po
bëni ju? Ju më lajmëroni se jeni i ve,
se viheni në dispozicionin tim për
të më blerë kravata, imitoni këngën
e laureshës, më dhuroni çokollata
dhe, në fund të pesë kilometrave
misterioze, më paraqitni dhe me kë?
Me një kamerier kafeneje!
Burri u përkul mbi tryezë, në
drejtimin tim dhe, gojë më gojë,
më tha:
- Çdo gjë shkon mirë.
U kthyem në Sofje, pa shkëmbyer
asnjë fjalë.
Dy ditë më pas Çuçuliga, bullgari,
i cili që nga vdekja e gruas së
tij, zgjohej çdo mëngjes në orën
tre, më solli një ëmbëlsirë, të bërë
enkas për mua nga vajza e tij e
madhe, studente në letërsi.
- Kjo ëmbëlsirë peshon më
shumë se gjysmë kile, do ta haja me
një të gëlltitur, pa pirë ujë, nëse më
lejoni të më çoni te revolucionarët.
Duke u siguruar se muret e mi
nuk kishin veshë, m’u afrua dhe
më pëshpëriti:
- Çdo gjë do të shkojë mirë.
Ah! Portokall plak me syze!
Ndërkohë, kisha zbuluar
adresën e përfaqësuesit zyrtar dhe
të fshehtë të komitetit terrorist.
Unë shkova në banesën e tij, që ishte
vetëm e përkohshme, një apartament
i mobiluar në katin e dytë.
Sipër butonit të ziles së tij, emri i
ndjekur nga ky cilësim: gazetar.
Njeriu po më priste. Ministri i
plotfuqishëm i Ivan Mihailovit ishte
një zotëri që i kishte kaluar të
gjashtëdhjetat, tepër i shquar, ishdiplomat
që kishte shërbyer në Itali,
në Austri. Gjatë pjesës më të
madhe të jetës së tij, ai e kishte
përdorur gjykimin në termat më
protokollare; sot, jetonte midis
bombave dhe, nga të gjitha anët,
rrethuar nga revolverë, i bindur se
vepronte për të mirën e vendit.
I dërguari i vjetër i qeverisë
bullgare jashtë shtetit filloi:
- Maqedonia, zotëri, në vitin
1893...
- Kini mëshirë! Kini mëshirë!
- Mos jeni sëmurë?
- Po mbytem. Nuk po e honeps
më Maqedoninë e vitit 1893. Do
më pëlqente më shumë të kisha në
stomak një ëmbëlsirë që peshon më
shumë se gjysmë kile!
- Po, atëherë, ç’doni?
- Dua të marr vesh përse vriten
në rrugët e Sofjes gazetarët, profesorët,
deputetët, ministrat?
- Pyetje e rëndomtë: te ne, ministrat
nuk rrëzohen, ata vriten.
- Shumë shpejt nuk do të gjeni
më prej tyre.
- Ka sa të duash! - ma ktheu. -
Asnjë deputeti nuk i mungon guximi
për t’u bërë ministër.
I thashë se kisha kureshtje të
tjera: për shembull, të njihja jetën
e komitetit revolucionar.
Ai porositi menjëherë çaj dhe
duke u kthyer nga unë:
- Maqedonia, në vitin 1903...
- Lamtumirë, zotëri, - i thashë
dhe u çova.
Ai më pyeti në doja të isha i
shoqëruar.
- Përse?
- Është më mirë, duke dalë nga
shtëpia ime.
Pranova me ngut. Që prej disa
ditësh kisha dëshirë, edhe vetë, për
një shoqërues. Kur mësova se do
të më jepte të tijin, sikur m’u verbuan
sytë: vetë, sigurisht, nuk do
të dija të zgjidhja një më të mirë!
Zbrita shkallën; i panjohuri më
ndoqi prapa.
Ai më la në rrugë të hidhja pesë
hapa para tij dhe u nisëm. Unë ecja
ngadalë për të zgjatur kënaqësinë.
Unë kaloja nga njëri trotuar te
tjetri; pastaj ndaloja; pastaj shtrija
hapin. Ç’stërvitje! Ai ishte
gjithmonë aty, përherë, në largësi
të barabartë. U ula në një stol, ai
ngriu më këmbë, në një afërsi të
mirë. Hyra në librari: ai më
mbikëqyrte nga jashtë, me hundën
te xhami. Më në fund arritëm te
hoteli. Kapërceva derën dhe u
ktheva. Ai priste, i palëvizshëm në
trotuar, që të hipja në ashensor.
Nuk e mbajta dot vrullin tim dhe,
duke kapërcyer pllakat, i dërgova
një të puthur.
Vetëm rasti më erdhi në ndihmë.
Ai u paraqit nën llojin e një
ish-kamerieri të një restoranti që
ëndërronte të merrte nënshtetësinë
franceze.
- Dua të kthehem në Paris, -
më tha, - më ndihmoni.
- Atëherë, shërbim për shërbim:
sonte, në orën tetë, do të lë hotelin
në shoqërinë e një maqedonasi
të ndjekur nga truproja e tij.
- Do ishte më mirë sikur të mos
shkonit te njerëz të tillë.
- E kini gabim, ata më japin ëmbëlsira.
Do ta shoqëroj maqedonasin
për në shtëpinë e tij, prej nga nuk do
të dalë më, por engjëlli i tij mbrojtës,
ai, do të kthehet në shtëpinë e tij.
Ngjituni atij pas dhe më thoni, nesër,
vendet ku shkon ai njeri.
- Mund t’ua tregoj vetë menjëherë.
- Çfarë? Keni qenë atje?
- Vëllai im është i përbetuar.
Unë dua të lë Sofjen vetëm e vetëm
se ata do të arrijnë të më rekrutojnë
me dhunë.
- Atëherë, le të shkojmë sa më
parë, - thashë, - e kam me shumë
ngut!